Agim Bekteshi
Ky objekt, pra kështjella e Trebishtit, shtrihet mbi një kodër me gropa gati në lindje të fshatit Trebisht të Dibrës, dhe territori i fushështrirjes së tij nga vendësit njihet me emrin Gradisht. Ende sot në ditët tona funksionon një rrugë mjaft e mirë, që lidh Trebishtin me fortesën e tij. Rruga kryesisht është e gjërë dhe duket se ndërtuesve të fortesës u ka shërbyer mjaft mirë që të lëvizin me mjetet e tërhequra të asaj kohe, po ashtu edhe kur ata detyroheshin të tërhiqen nga fshati në fortesë për të përballuar sulmet armike. Në këtë anë, pra përballë fshatit ngrihet ajo dhe ende sot, megjithëqë e dëmtuar duket mirë porta madhështore e fortesës. Gurët e fortesës janë me siguri pjesë e një guroreje që zë vend midis fortesës dhe lagjes së sotme Çelebi të këtij fshati, nga ku kalon pikërisht rruga fortesë - Trebisht, pasi në asnjë drejtim tjetër lënda e ndërtimit të fortesës nuk është e pranishme në një masë të tillë, që të mund të merret në konsideratë. Përreth fortesës nuk ka asnjë gjurmë që të dëshmojë për vendbanime të tjera të hershme, përveç ndonjë objekti kulti rënojë, që ndofta i përket shekullit të 18-të, e që duhet të jetë ndërtuar me lëndën e ndërtesës. Të gjitha këto si dhe orientimi i plotë i fortesës nga drejtimi i vendbanimit, që sot njihet me emrin Trebisht (të paktën njihet me këtë emër mbi 8 shekuj) nuk lenë asnjë fije dyshimi se fortesa e mbiquajtur Gradisht, është fortesa e Trebishtit. Është tepër e vështirë, bile e pamundur që në themelet e këtij objekti të gjenden gjurmët e ndonjë qyteti. Në këtë drejtim objekti në fjalë nuk ka kushte për të qenë qytet, por vetëm një kështjellë, një fortesë e cila në kushte të caktuara historiko - shoqërore është shndërruar në qytezë. Për aq kohë sa mbi ndonjë objekt të lashtësisë ende nuk ka vepruar kazma e arkeologut, edhe mund të bëhen supozime, sidomos për moshën e objektit, për kohën së cilës i përket. Por në rastin konkret vrojtimi dhe gjykimi mbi objektin të bindin sikur nuk ke të bësh me një fortesë të epokës skënderbejane apo të mesjetës së hershme. Kur e krahason atë me kështjellat e qyteteve tona të periudhave të ndryshme, gjen ngjashmëri pothuaj të përputhur midis objektit në fjalë dhe objekteve të tjera të antikitetit ilir. Vende - vende muri rrethues ekziston mirë dhe lejon të gjykosh mbi teknikën e ndërtimit, mbi shkallën e zhvillimit të ndërtuesve të fortesës, mbi njohuritë që zotëronin ata në zanatin e të ndërtuarit, mbi stilin të cilit i përkasin ato mure, etj. Në pjesë të tjera muri rrethues është i dëmtuar. Në brendësi të fortesës hasen fragmente muresh, të cilat dëshmojnë për një teknikë të re, më të lartë në krahasim me muret rrethues. Kthimi i territorit të brendshëm të fortesës në tokë bujqësore ka dëmtuar më keq gjendjen e gjurmëve të objekteve të brendshme të fortesës, të cilat ndryshe nga disa fragmente të tjera, nuk e njohin materialin e butë lidhës midis shtresave të gurëve dhe vetë gurëve. Po kështu edhe vetë muret rrethues nuk e njohin materialin lidhës, as edhe porta, e cila gjendet mjaft e dëmtuar, pa arkitra, i cili duhet të ketë ekzistuar patjetër. Gurët e portës duhet të kenë qenë vepër e mjeshtrave më të mirë, e megjithatë ato pak janë ndryshuar nga gurët mbështetës të tyre. Në pjesën e poshtme muret janë më të gjërë e të ngritur mbi tabanin e tokës. Muri ka vetëm një faqe të punuar me kujdes. Pjesa e brendshme, pra faqja tjetër është punuar më keq. Midis dy faqeve është mbushja me gurë mesatarë që mund të ngrihen, një pjesë pa ndonjë sforcim të veçantë. Gurët janë me një përbërje gëlqerore dhe dallohen për ngjyrën e hirtë në të murrme paksa. Fakti që në fortesë ka fragmente të ndërtuara me një mjeshtëri më të hollë e me material lidhës, mendojmë se dëshmon kryesisht në favor të asaj, që fortesa me kalimin e kohës do të jete shndërruar në qytezë. Duke gjykuar mbi të dhënat që japin burimet antike mbi fisin ilir të penestëve, mbi luftën iliro - romake dhe sulmin e Perseut, nga pikëpamja historiko - ushtarake dhe ato të dhëna që ofron vetë fortesa e Trebishtit, një pjesë të të cilave i shënuam me sipër, mund të nxjerrim si konkluzion se ajo i përket një periudhe kohore para luftës iliro - romake, dhe vetë ndërtimi i fortesës dëshmon për masat mbrojtëse që janë marrë nga penestët ilirë për të përballuar sulmet e barbarëve.(1)
1-Botuar për herë të parë në gazetën ¨Bashkimi¨, të datës 26 prill 1981. Shkruar nga Agim Bekteshi.Agim Bekteshi (diskutimet) 8 prill 2016 16:30 (CEST) Agim Bekteshi (diskutimet) 8 prill 2016 16:30 (CEST)