Sokol Preteni (03.12.1969 - 29.04.1999), prijëtar i Epopesë së Melenicës në Shalë të Bajgorës (Kosharja e dytë e Kosovës)

Redakto

Sokol (Jetullah) Preteni lindi më 03.12.1969 në fshatin Melenicë të Mitrovicës. Sokol Preteni ishte fëmiu i gjashtë me radhë nga 11 fëmijët që kishin Jetullahu dhe Xhezidja, 5 djem dhe 6 vajza. Sokoli lindi në vitin e madh për shqiptarët kur filloi organizimi i demonstratave të mëdha për flamurin kombëtar shqiptar. Ai lindi në vatrën e madhe atdhetare që në vazhdimësi gjatë historisë i kishte kthyer pushtuesve pushkën.

Sokoli ishte pasardhës i Osman Melenicës i cili asnjëherë nuk ishte pajtuar me pushtuesin serb. Konferenca e Londrës më 1913 kishte vendosur copëtimin e trojeve shqiptare duke e lënë Kosovën nën pushtimin serb por ishin paraardhësit e familjes së Sokol Pretenit të prirë nga Osman Melenica që luftuan heroikisht për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Rezistenca më e madhe u organizua pas Luftës së Parë Botërore në vitet e 20 të shekullit të kaluar derisa prijësi i kësaj rezistence në fshatin e luftëtarëve të mëdhenj, Osman Melenica, vritet pabesisht nga xhandarmëria serbo-kroate-sllovene.

Sokoli shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, për të vazhduar pastaj shkollën e mesme në gjimnazin e Mitrovicës duke treguar një përkushtim të madh sidomos atdhetar. Edhepse si i ri Sokoli po i përcillte me shumë interesim protestat e mëdha dhe organizimet e shumta që kishin filluar qysh në vitet e 80-ta për çlirimin e Kosovës nga okupatori jugosllav.

Më 1988 Sokoli detyrohet që të shkoj në shërbim ushtarak të ish Jugosllavisë në Zaiqar të Serbisë ku edhe nën rrezik permanent të okupatorit ai në vazhdimësi edhe brenda ushtrisë  po bënte organizime të shumta të shqiptarëve për bojkotim të shërbimit ushtarak, njëkohësisht duke bërë thirrje për organizim të mëtejmë për lirinë e Kosovës.

Pas kthimit në vendlindje në shkurt të 1989 organizohen grevat e minatorëve që dridhën themelet e shtetit të kalbur jugosllav. Sokoli në atë periudhë në vazhdimësi në mënyrë publike nëpër fshatrat e Shalës dhe qytetin e Mitrovicës po bënte thirrje për organizime të mëtejm që t’i jepet fund shtypjes së Serbisë mbi shqiptarët. Frymëzimin e gjeti në odën e familjes ku tema kryesore në vazhdimësi ishte ajo për çlirim kombëtar duke kujtuar bëmat e heronjve të kombit duke filluar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pastaj Isa Boletinin të cilin e kishte daj të babait, Ismail Qemailin, Kadri Bistricën, e krejt në fund Mehë Ukën dhe komandantin e pavdekshëm të UÇK-së Adem Jasharin.

Aktiviteti dhe thirrja e tij publike gjatë grevave të minatorëve në vitin 1989, edhepse vetëm 20 vjeçar, bën që Sokoli të hynte në regjistrat e sigurimit shtetëror të atehershëm jugosllav, dhe për pasojë në vitin 1990 arrestohet nga policia serbe në Stan Tërg derisa ishte duke u kthyer në fshatin e lindjes nga qyteti i Mitrovicës. Pas marrjes në pyetje dhe presioneve të mëdha ai pas disa orësh intervistim lirohet. Betimin për t’iu kundërvy armikut e kishte dhënë qysh kohë më parë, por ky ishte momenti vendimtar që ai kishte vendosur t’i bashkohej çdo aktiviteti kundër Serbisë duke marrë pjesë në secilën protestë që do të organizohej pas kësaj ngjarje.

Më 1992 Sokoli martohet me Kumrijen nga fshati Zabërgj dhe do të kishte 3 fëmijë, një vajzë Xhemilen e lindur më 1993, dhe dy djem, Burimin i lindur më 1996 dhe Lavdimin i lindur më 1998.

Largimi masiv nga puna i shqiptarëve në vitet e 90-ta detyroi edhe Sokolin që në vitin 1993 të lëshonte Kosovën për të shkuar në Gjermani. Por dashuria e madhe për atdhe dhe dëshira e madhe për pjesëmarrje në çdo aktivitet kundër armikut bëri që pas 3 muajsh qëndrim në Gjermani të kthehej në vendlindje për të dhënë betimin që nuk do ta lëshonte vendin e tij asnjëherë më pa u çliruar çdo pëllëmbë tokë shqiptare deri në vdekje.

Krijimi i celulave të para të UÇK-së në Shalë të Bajgorës u prit me entuziazëm të madh nga Sokoli që me të marrë vesh këtë lajm mënjëherë shkon dhe regjistrohet në listat e para të organizimit të luftës çlirimtare në Melenicë. Rritja e tij në frymën atdhetare nga nëna dhe babai që tërë jetën kishin rritur fëmijët më bindjen që çlirimi nga okupatori serb duhet të ishte qëllimi primar jetësor.

Në qershor 1998 del nga shtëpia për t’iu bashkuar UÇK-së deri në vdekje, duke marrë bekimin e nënës Xhezides dhe babait Jetullahut të cilët u pajtuan që këtë fëmijë të mrekullueshëm t’ia falin tokës së Kosovës.

Aftësitë e tij fizike dhe ushtarake, pasi që ishte rritur gjithmonë me armë në duar në odën e tij që ishte trashëgimi me breza të tërë, bënë që ai shpejt të merrte përgjegjësi të larta ushtarake duke u emëruar komandant togu dhe duke bartuar një nga armët më të rënda mitraloz më të cilin shfaqi trimërinë dhe aftësitë e larta duke shkaktuar tmerr në bazën serbe në Stran Tërg.

Pas rezistencës heroike bashkë më bashkëluftëtarët e tij, duke shfaqur atdhedashurinë dhe trimërinë e trashëguar me breza Sokol Preteni bie heroikisht më 29.04.1999 në pozicionin e tij luftarak që e mbrojti burrërisht për 39 ditë luftë të pandërprerë përballë armikut serb që kishte përparësi të madhe në artilerinë luftarake por që nuk kishte sokola me zemër të madhe ashtu siç e kishte Melenica heroike.