Nikolinos
ÇFARË ËSHTË ASTROLOGJIA? Përkufizimi i astrologjisë
Nëse ndalemi në etimologjinë e kësaj fjale, Astrologjia vjen nga një fjalë e lashtë greke: astron që do të thotë “trup qiellor” dhe logia që ka kuptimin “studim”, pra që do të thotë ‘studim mbi trupat qiellorë’. Në fakt, disa fjalën 'astro' e përkthejnë gabimisht 'yll', i vetmi yll që ndikon në astrologji është Dielli, të tjerët janë planetë dhe satelit (Hëna). Por dhe planetët duken si yje për shkak të rrezatimeve të Diellit që bie mbi ta dhe ndoshta njerëzit e lashtë mendonin se yjet dhe planetet ngjajnë me njëri-tjetrin.
1/ Para së gjithash astrologjia është një gjuhë e përgjithshme , është gjuha e simboleve, që jo vetëm që na flet për veten tonë por na bën të komunikojmë me njëri-tjetrin, dhe akoma më mirë të kuptohemi. Një fillestar në astrologji duhet në fillim të mësojë alfabetin e saj (glifet), zgjedhimet e saj (aspektet), pastaj fillon të ndërtojë fjalitë e tij të para (interpretimi), në vazhdim mund të pasurojë fjalorin e tij (shtimin e pikave fiktive për shembull) dhe të perfeksionojë gramatikën (përdorimi i aspekteve dytësore, përcaktimi i dominuesve etj…). Si çdo gjuhë e gjallë, sigurisht që astrologjia lidhet me epokën e saj dhe me njerëzit që e praktikojnë atë, gjithashtu ajo përkeqësohet në dialekte të ndryshme, ku secili ka theksin e tij dhe rregullat specifike: bëhet fjalë për shkolla të ndryshme (karmike, kushtëzuese, kozmobiologjike…) por edhe astrologji të ndryshme (indiane, kelte, kineze, maja…) që përfundimisht të gjitha mundohen të përkthejnë të njëjtin realitet me gjuhën e simboleve. Ashtu si çdo gjuhë, astrologjia ka edhe përjashtime në rregullat e saj. Astrologjia zhvillohet përkrah njeriut dhe nuk do të dinte të ndalet në çdo lloj momenti të historisë. Përfundimisht, astrologjia i përgjigjet një strukture të interpretimit gradual në mënyrë të rrumujshme: baza përbëhet nga rregulla të përgjithshme, vijnë më pas rregullat më të spikatura, pastaj rregullat e shkollës dhe epokës së saj dhe në fund rregullat e vet individit. Sepse çdo individ shprehet në mënyrën e tij unike, me shprehjet e veta sipas një shembulli kompleks që pasqyron njëherësh natyrën e tij (temën e tij), edukimin e tij dhe mjedisin që e rrethon. Astrologjia është përcaktuar si gjuha e simboleve. Vetë fjala interpretim = përkthim (interpretimi i hartës qiellore të lindjes). Astrologu i famshëm, Dane Rudhyar, ka lënë një shprehje: ‘Astrologjia është një gjuhë e huaj. Nese e kuptoni këtë gjuhë, qielli flet me ju'.
2/ Astrologjia sigurisht që është edhe shkencë. Ajo përputhet me disa teorema ekzakte (llogaritja e pikave imagjinare, gradët), mbështetet mbi studimin e mekanizmave natyrorë (tranzitet planetare) dhe për më tepër frymëzohet gjithmonë nga natyra për të vendosur bazat e saj të punës (analogjia midis natyrës së planetëve dhe funksioneve të tyre apo edhe ritmeve të stinëve dhe zodiakut). Si çdo shkencëtar, astrologu duhet në fillim të jetë një vëzhgues dhe një eksperimentues: asnjë teori nuk mund të jetë e vlefshme pa qënë e ekzaminuar, (e testuar) dhe e rikontrolluar .Si çdo shkencëtar, astrologu duhet të jetë edhe origjinal (unik) ose, të paktën të japë një mendim origjinal që e bën, duke qënë shumë realist, të ketë dëshirën dhe vullnetin të shkojë më larg dhe të zbulojë rrugë të reja (që, duhet thënë se, nganjëherë nuk të çojnë asgjëkundi). Cilësitë që kërkon praktika e astrologjisë janë, me pak fjalë, edhe shumë “shkencore”: do të duhet gjithmonë të jesh objektiv, i saktë, i duruar, i hapur, këmbëngulës dhe imagjinar. Disa fjalorë e përshkruajnë konceptin e astrologjisë të gabuar duke e konsideruar atë si “artin e parashikimit”. Po t’i referoheni konceptit të Ajnshtajnit për astrologjinë, ai shprehet: “Astrologjia është një shkencë në vete, ndriçuese. Falë saj unë kam mësuar shumë dhe i detyrohem shumë. Njohuritë gjeofizike nxjerrin në dukje fuqinë, ndikimin e yjeve dhe planetëve mbi fatin tokësor. Në një farë mënyre, astrologjia i përforcon ato. Prandaj ajo është një lloj bari magjik për jetën njerëzore”. Astrologjia është ushqyer gjithmonë nga zbulimet e astronomisë. Në fakt, astrologjia mbështetet mbi llogaritje astronomike për të formuar hartat qiellore, dhe duhet të përdorë efemeridet në mënyrë sa më të saktë për të përcaktuar pozicionet e trupave qiellorë. Vetëm interpretimi është psikologjik dhe filozofik. Përpara shpikjes së programeve kompjuterike të efemerideve, vet astrologu duhej, dhe shpesh me sy të lirë, të përcaktonte pozicionet e planetëve. Pra duhej domosdoshmërisht të ishte edhe astronom përpara se të pretendonte të ishte astrolog. Në lashtësi termi “matematikum” përdorej për të përshkruar një astrolog, astronom dhe matematicien. Gjithë këto fusha kanë origjinë të përbashkët. Nuk themi se astrologjia është një shkencë plotësisht ekzakte, por ajo hyn edhe te shkencat ekzakte, mbështetet tek ato.
3/ Astrologjia është sigurisht edhe art sepse i nevojiet të jetë nën dëgjimin e botës dhe nënkupton vullnetin për të rikrijuar botën nën një formë të ndryshme dhe origjinale. Praktika astrologjike përafrohet me praktiken artistike: ashtu si muzikanti, duhet të njohë e të dijë të përdorë tonalitetet muzikore (elementet), ritmet (trefishësitë), heshtjet (shenjat e ndërprera, planetet pa aspekte) dhe të arrijë në një harmoni në interpretimin e tij. Njësoj si piktori, astrologu duhet të jetë i aftë të kuptojë përzierjen e ngjyrave dhe rezultatet që lindin nga këto kombinime komplekse (aspekte të shumëfishta) në mënyrë që të përmirësojë një realitet që duket njëkohësisht kaq i thjeshtë dhe kaq i mistershëm. Ashtu si fotografi, astrologu duhet të dijë të punojë me fotografitë e çastit (tema dhe harta e lindjes) duke lënë të shprehen të gjitha nuancat vetëm duke theksuar temën kryesore (dominuese). Njësoj si kërcimtari, astrologu duhet të drejtohet nga melodia e një teme dhe të mund të bëjë që të lindë një koreografi origjinale, fluide dhe e përshtatur (interpretimi i saj). Ashtu si aktori, astrologu duhet të shfaqë prekshmëri dhe të mund të rrëshqasë në lëkurën e personit që përpiqet të interpretojë, duhet të mësojë të ekuilibrojë në mënyrë të matur atë që vjen prej atij dhe atë që vjen prej tjetrit, duke qënë njëherësh një zbulues dhe analist në mënyrë që të nxjerrë në dritë natyrën e thellë të njerëzve dhe situatave. Njëlloj si shkrimtari, astrologu duhet të dijë të zgjedhë fjalët dhe të ndërtojë fjalitë e tij, në mënyrë që t’i paraqesë saktësisht mendimet dhe intuitën e tij. Tregimet e tij duhet të jenë gjithnjë të kuptueshme.
4/Por astrologjia është edhe besim gjithashtu. Ajo posedon shumë pika të përbashkëta me të gjitha lëvizjet shpirtërore. Nevoja për astrologjinë është po aq e fortë sa nevoja për fenë dhe fakti që të vendosësh t’i përkushtohesh astrologjisë ringjall njëkohësisht kërkesa dhe sqarime. Astrologjia posedon dukshëm një dimension metafizik jo të parëndësishëm (sidomos në karmikë), dhe studimin e vetëm të përsosmërisë së natyrës, dhe të kompleksitetit të saj, përmes astrologjisë mjafton të shfaqësh disa çështje dhe pyetje të ndryshme, origjinën dhe ekzistencën e botës. Besojmë në astrologji (në fat) ashtu si shumica besojnë në një Zot. Nga ana tjetër, praktikimi i astrologjisë nuk bie në kundërshtim me praktikimin e çdo lloj besimi apo feje, përkundrazi duke qënë se besimtari do të shohë me gjithë qejf në themelin e astrologjisë “dorën e Zotit” në të cilin ai beson. Nga ana tjetër vet Dielli dhe planetët dikur nderoheshin si perëndi (pagane), ku njerëzit i adhuronin, u faleshin, u bënin madje dhe flijime duke ndërtuar dhe tempuj siç kemi ne sot kishat dhe xhamitë.
Çfarë nuk është astrologjia? Astrologjia nuk është dhe nuk do të jetë kurrë fall. Falli bëhet me intuitë të pastër dhe jo me analiza. Falli nuk ndahet në degë, nuk përshtatet me debatet dhe nuk është njohuri që i nënshtrohet pasurimit apo evolucionit. Falli është një dhunti, astrologjia një praktikë. Nëse disa astrologë janë edhe fallxhorë, një fallxhor nuk është detyrimisht astrolog. Një astrolog nuk ka në përgjithësi “sinjale, vizione”, ai punon përmes rezultateve (llogaritjeve) dhe intuita nuk është veçse një plus në interpretimin e tij. Astrologjia nuk duhet të jetë një mjet detyrues dhe aq më pak një mjet diskriminimi. Astrologu është, dhe duhet të mbetet, një këshillues. Ai është një analist i jetës dhe i njeriut: ai nuk mund dhe nuk duhet të kërkojë asnjë pushtet apo epërsi në zanatin e tij. Astrologjia nuk duhet të jetë një mjet “mashtrues” për t’u bërë i pasur. Nëse astrologu i vë taksë (çmim) punës së tij, është që secili duhet të mund të mbështetet tek nevojat e tij duke bërë, në mënyrë ideale, atë që i duket më e mira e mundshme. Një punë astrologjike serioze kërkon në përgjithësi, orë të tëra meditimi, kërkimi dhe formulimi (hartimi), gjë që justifikon çmimet që mund të duken të mëdha tek personat më të varfër. Do të vihet re që shumica e astrologëve, krahas punëve të tyre me pagesë, dinë të bëhen të dobishëm në mënyrë të vullnetshme. Është normale që një astrolog duhet të paguhet më shumë se një fallxhor, pasi astrologu ka shumë llogaritje, meditime, përzgjedhje, analiza, ndërsa fallxhori përdor vetëm intuitë. Astrologjinë mund ta përdorin vetëm njerëz me shkollë, ndërsa fallin mund ta ushtrojnë edhe njerëz të paarsimuar.
Marrë nga libri "Astrologjia Moderne"- Nikolas Herceku
Faqja me e madhe dhe me serioze astrologjike ne shqip: https://astro-al.page.tl/