JETËSHKRIMI BIOGRAFIK I SALI VRANISHTIT

Sali MURATI, i popullarizuar kapedan Sali VRANISHTI, është memorizuar si një atdhetar i flaktë dhe luftëtar i shquar për liri e sovranitet kombetar. Lindi ne Vranisht te Vlores, më 20 mars 1880. Si rrebel ndaj pushtuesve shekullorë turq, përndiqet, arrestohet tradhetisht dhe izolohet prej tyre në këshjellën e Janinës. Arratiset prej këtej i plagosur dhe qysh në fillim të shekullit të XX-të fillon jetën e komitit. Me inspirim të Ismail Qemalit, në nëntor 1908 krijon çetë patriotike me luftëtarë nga Vranishti dhe Lumi i Vlorës. Ai e udhëhoqi me trimëri e heroizëm këtë çetë në disa aksione, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me 1911 është pjesëmarrës në Mbledhjen e Drashovicës në përkrahje të kerkesave te Memorandumit të Gërçes. Aksioni më i bujshëm është ai i hapjes së burgut të Vlorës, më 24 gusht 1912, prej të cilit liroi gjithë të burgosurit, ngjarje qe pati jehonë në shtypin vendas dhe atë të huaj. Në prag të shpalljes së pavarësisë, shkon në ndihmë të popullsisë të Delvinës dhe lufton ndaj bandave shoviniste greke. Me krijimin e qeverisë të Ismail Qemalit, gradohet kapiten dhe emërohet komandant i Sigurimit Publik. Në krye të forcave atdhetare zmbraps rrebelimin esadist kundër Qeverisë së Vlorës në Cakran dhe Myzeqe. Mbas ketyre ngjarjeve atentohet dhe plagoset. Së bashku me Çerçis Topullin organizojnë dhe drejtojnë luftimet në mbrojtje të trojeve amtare nga andartët grekë dhe shovinistët e Jugut. Në vitin 1918 bën pjesë në shoqërinë patriotike “OPINGA” Në Luftën e Vlorës spikat për kontribut të jashtëzakonshëm. Plagoset rëndë gjatë sulmit për marrjen e kalasë së Kaninës. Gazeta italiane “EPOKA” do ta cilesonte “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut” Me çlirimin e Vlorës, përfshihet në strukturat e sigurisë kombëtare. Në shtator 1920 merr pjesë në luftimet kundër invadorëve serbë në Macukull dhe në Shkallë të Deshe në zonën e Matit. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” dhe me fillimin e Revolucionit të Qershorit udhëheq forca kryengritëse. Në Tiranë i besohen detyra në mbrojtje të Qeverisë së F.Nolit. Me dekret të veçantë, më 1 nëntor 1924, Qeveria Demokratike, krahas Bajram Currit dhe Hysni Currit, nxjerr në pension edhe Sali Vranishtin me motivacionin e invaliditetit. Ne Dhjetor 1924 merr pjesë në luftimet në Shkallë të Tujanit kunder forcave të kombinuara zogisto-vrangeliste. Me triumfin e forcave revanshiste, në janar 1925 kthehet i dëshpëruar në vendlindje. Plagët e pa mbyllura në trup, i marrin jetën më 24 janar 1926, në moshën 46 vjeçare. Sali VRANISHTI mban titullin “HERO i POPULLIT”. Eshtrat e tij prehen ne Varrezat e Deshmorëve të Atdheut në Vlorë. Është vlerësuar “Nderi i Qarkut Vlorë”. Dy rrugë, një në Vlorë dhe një në Tiranë mbajnë emrin e tij, kurse ne Vranisht ka një shtatore të derdhur në bronx. Ne romanin “ULTIMATUM” të Petro Markos, është personazhi qendror. Figuren e tij atdhetare populli e ka sintetizuar me vargjet: “Kapedan Sali Vranishti,/ Sa rrojti, i punoi gishti.”