Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara Redakto

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” si pararojë e kërkimit shkencor dhe artistik në Kosovë, ka ndërmarrë nismën për themelimin e Zyrës për Projekte dhe Kërkime të Sponsorizuara (ZKPS), e cila në thelb të shërbimit të ofruar e ka mbështjetjen kuptimplotë në administrimin kërkimeve dhe projekteve me sponsorë të jashtëm të kërkuesve shkencor, profesorëve, dhe asistentëve të Universitetit të Prishtinës.

ZKPS është përgjegjëse për administrimin e kërkimeve dhe projekteve të sponsorizuara nga qeveria, industria, dhe fondacione, institucione e nisma ndërkombëtare, të zhvilluara nga stafi i Universitetit të Prishtinës. ZKPS mundëson shërbime kuptimlota, para dhe pas akordimit të granteve dhe projekteve kërkimore, të cilat përfshijnë rishikimin e propozimeve, garantimin e resurseve të universitetit në mbështetje të projektit, negocimin me sponsorët, dorëzimin e projektit, mbështjetjen e zbatimit të projektit dhe monitorimin e suksesit të projektit.

ZKPS është autoriteti i fundit për aplikim për fonde për projekte në emër të Universitetit të Prishtinës dhe përgjegjës për negocim të kontratave dhe kostove indirekte me agjencionet financuese apo sponsorizuese. ZKPS është përgjegjëse për kontrollimin e projekt-propozimeve nga draftimi deri në aplikim, negocimi, përgatitja për miratim nga rektori i UP-së dhe ekzekutimi i kontratave që burojnë nga kërkimet dhe projektet e sponsorizuara

ZKPS shërben si ndërlidhje midis stafit akademik të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave, agjensive e fondacioneve me programe të sponsorimit/financimit të projekteve kërkimore. Stafi i zyrës përkushtohet t’i shpërndajë njoftimet për mundësi sponsorimi duke qenë mekanizmi i vetëm institucional i pranuar nga sponsorët e jashtëm si partner për realizimin e projekteve kërkimore të aplikuara. ZKPS është e përkushtuar në mundësimin e shanseve për zhvillimin e projekteve kërkimore të sponsoruara. Për këtë zyra ofron mundësi për interpretim të rregullave dhe kushteve të aplikimit në programe të ndryshme të sponsorëve të jashtëm dhe mbikëqyrje të përputhjes me politikat dhe objektivat e institucioneve të përfshira.

Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara funksionon nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të prorektorit për shkencë të Universitetit të Prishtinës. ZKPS udhëhiqet nga drejtori. Drejtori, në emër të Universitetit të Prishtinës, është përgjegjës për mbikëqyrjen institucionale të projekteve të sponsorizuara. Në bashkëpunim të ngushtë me prorektorin për shkencë, drejtori përforcon zbatimin e kritereve etike, politikat dhe procedurat institucionele të UP-së përgjatë gjithë kohëzgjatjes së projekteve të sponsorizuara.

Çdo grant për kërkime në emër të Universitetit të Prishtinës, nga stafi i Universitetit të Prishtinës dhe që i shfrytëzon resurset e Universitetit të Prishtinës duhet të miratohet nga Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara dhe rektori.  Ҫdo dokument zyrtar që përmban zotimin institucional të Universitetit të Prishtinës duhet të dërgohet për rishikim dhe miratim në ZKPS.