Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Përcaktimet mbi përhapjen urbane si koncept

Redakto

Përhapja urbane konsiderohet si një term i vështirë për t’u përcaktuar. Ndër përcaktimet e shumta në lidhje me të[1] përhapja konceptohet duke iu referuar karakteristikave të ndryshme, të tilla si: dendësisë në një sistem vendbanimesh; procesit të shpërqendrimit të funksioneve urbane  kombinuar me përhapjen e përdorimit urban të tokës në zonat rurale; specifikave  strukturore dhe të  formave urbane  në një sistem vendbanimesh  duke kaluar nga strukturat kompakte monocentrike të vendbanimeve në ato policentrike dhe të shpërndara; efekteve sociale të lidhura me mënyrën e përdorimit të tokës, ku përfshihen efektet e trafikut apo humbjes së tokave bujqësore etj.; perceptimeve mbi planifikimin dhe rregullimin sipas normave të caktuara.  Përhapja është vazhdimisht në qendër të kritikave në raport me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndarjen sociale.[2]

Terminologjia mbi përhapjen

Redakto

Shpesh, duke iu referuar përhapjes urbane përdoren terma të tillë si peri-urbanizim, suburbanizim, qytet i shpërndarë apo i përhapur, zonë metropolitane, eksurbanizim, rurbanizim, kundërurbanizim etj. Këto emërtime reflektojnë zhvillime të ndryshme në periferitë e afërta apo të largëta të qyteteve në kontekste të ndryshme hapësinore e kohore. Dy nga konceptet më të përdorur apo të ndeshur në literaturën europiane vecanërisht, janë termat ‘suburbanizim’  dhe ‘peri-urbanizim’, të cilët dominojnë përkatësisht në literaturën angleze dhe atë franceze. [3]

Zonat periurbane konsiderohen si një produkt i fenomenit të përhapjes urbane[4].Gjatë periudhës 1980-1990 në Europën Perëndimore u shfaq termi “peri-urbanizim” dhe ai i “qytetit të përhapur” për të emërtuar dy dinamika të ndryshme të përhapjes që përfaqësonin edhe tipe kryesorë morfologjikë.

Studjuesit konstatojnë se periurbanizimi nuk është pjesë e terminologjisë studimore në vende të tilla si: Gjermania apo Britania e Madhe. Koncepti “peri-urbanizim” ndeshet shpesh në literaturën studimore franceze, por nuk konsiderohet si një koncept i njohur, në rangjet studimore europiane.[5] Dematteis, përmend termin suburbanizim për të përfaqësuar procesin në të cilin kaluan shumë qytete të Europës Perëndimore, pas viteve ’60. Në këtë periudhë jo vetëm qytetet qendrorë pësuan rënie të popullsisë, por edhe “unazat “suburbane filluan të ngadalësojnë rritjen.[6]

Përballë kësaj larmie terminologjike në përcaktime, ekzistojnë dy terma të unifikuar në rang global që janë: suburbanizimi rezidencial dhe periurbanizimi që bashkëshoqërohen me probleme në raport më zhvillimin e qëndrueshëm.

Suburbanizmi rezidencial dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Redakto

Suburbanizimi rezidencial lidhet me prirjen moderne të përhapjes urbane e cila filloi në Amerikën Veriore pas Luftës se Dytë Botërore, ku rritja suburbane simbolizonte mënyrën amerikane të jetesës. Ethosi i rikthimit në mënyrën rurale të jetesës duke qenë më pranë natyrës  ishte një pjesë e rëndësishme e kërkimit për një cilësi më të mirë jetese, edhe pse ajo ushtronte një stres më të madh në mjedisin natyror. Përdorimi i automjeteve individuale ishte dhe shkak dhe pasojë e përhapjes urbane, sepse suburbanizmi për qëllime rezidenciale stimuloi edhe lokalizimin në hapësira të reja të tregtisë dhe shërbimeve duke nxitur përdorimin e automjeteve dhe rritjen e qytetit. Modeli origjinal suburban i përhapjes urbane ishte i lidhur ngushtë me preferencat për stilin e jetesës dhe me përdorimin gjerësisht të automjeteve. [7]

Parë në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm, duke qenë se suburbanizimi rezidencial shoqërohet me rënie të treguesve të dendësisë urbane, ai vihet në qendër të kritikave nga aktivistët në mbrojtje të mjedisit. Këta të fundit, qytetet kompaktë i shohin si më të qëndrueshëm, sepse ata minimizojnë nevojën për të qarkulluar me automjete, duke përdorur kështu më pak energji dhe duke reduktuar ndotjen. Përhapja sipas kësaj tipologjie, rrit konsumin e resurseve ujore dhe gjithashtu hapësirave të gjelbra apo tokave bujqësore. Vetëm një pjesë e vogël e planifikuesve urbanë janë përkrahës apo mbështetës të përhapjes, ndërsa të tjerë janë në dilemë nëse një përdorim intensiv i tokës mund të cojë në një të ardhme më të qëndrueshme, duke vënë në pikëpyetje faktin nëse përdorimi i tokës me densitet të lartë do të ishte i mirëpritur nga komuniteti urban[8].

Peri-urbanizimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Redakto

Në vendet në zhvillim, rritja e qyteteve vlerësohet të jetë dinamike, e ndryshme dhe e çrregullt dhe shoqërohet me rritje të shpejtë të hapësirës urbane. Ky proces rritjeje urbane, emërtohet peri- urbanizim. Zonat peri-urbane shpesh karakterizohen nga mungesë e rregullave të qarta dhe autoritetit administrativ mbi përdorimin e tokës dhe ofrojnë mundësi banimi për shtresat shoqërore me status të ulët social-ekonomik nëpërmjet vendbanimeve informale. Ato vuajnë rrjedhojat më negative të rritjes urbane, duke përfshirë ndotjen, ndryshimin e shpejtë social, varfërinë, ndryshimin në përdorimin e tokës dhe degradimin e resurseve natyrore. Në ndryshim nga suburbanizimi rezidencial, këto zona përdoren nga një shumëllojshmëri aktivitetesh ekonomike. Peri-urbanizimi ushqehet pjesërisht nga spekulimi mbi tokën i cili bazohet në perspektivën e rritjes së shpejtë urbane. Ndryshimet në strukturën ekonomike dhe në lokalizimin e aktiviteteve ekonomike ndihmojnë shumë në rritjen peri-urbane. Gjithashtu, ndryshimet në rrjetin e transportit dhe komunikimit i bëjnë këto zona më të arritshme. Por këto zona informale kanë një status më të pasigurtë, ndërkohë që nuk integrohen në rrjetin infrastrukturor dhe atë të shërbimeve. Aty zhvillohen një sërë aktivitetesh si bujqësore, blegtorale, agropërpunuese, aktivitete industriale por edhe suburbanizim rezidencial e depozitim mbeturinash. Për rrjedhojë, rrisku më i madh nga këto zona është degradimi mjedisor, si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës fizike në zonat e banimit dhe përdorimit të shumëllojshëm të tokës, degradim i cili përbën një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin. Paqartësia e përkatësisë administrative, për shkak të specifikës së zonave ku ky fenomen shfaqet, bën që zonat peri-urbane, të lihen shpesh jashtë vëmendjes së autoriteteve të qeverisjes vendore.[9] 


[1] Franz.G., Maier.G., Schröck.P., Urban sprawl. How useful is this concept? 2006

[2] Hutchison. R., Encyclopedia of urban studies, Sage, 2010

[3] Caruso.G., Peri-urbanisation: the situation in Europe, 2001

[4] Anamaria-Ioana, Tomasciuc & Iatu, Corneliu. (2016). The influence of urban sprawl on the geo-demographic dynamics of periurban rural space. Case study on the  post socialist expansion of Suceava City. 375-382. 10.18509/GBP.2016.49.

[5] Caruso.G., Peri-urbanisation: the situation in Europe, 2001,  http://hdl.handle.net/10993/10153

[6] NEWRUR 2001-2004, Periurbanisation : an emerging concept

[7] UNFPA, State of World Population, Unleashing the Potential of Urban Growth, 2007

[8] UNFPA, State of World Population, Unleashing the Potential of Urban Growth, 2007

[9] UNFPA, State of World Population, Unleashing the Potential of Urban Growth, 2007