Peizazhi rural
Në një kuptim të ngushtë, peizazhi rural përfaqëson aspektin vizual të ndërthurjes dhe bashkëveprimit të elementeve natyrore dhe atyre humane në një kontekst territorial rural, në një kohë të caktuar. Në një këndvështrim më të gjerë, peizazhi rural nënkupton një sistem që përfshin elementet rurale dhe marrëdhëniet funksionale, prodhuese, hapësinore, vizuale, simbolike dhe mjedisore mes tyre[1]. Ndonëse përkufizimi mbi këtë koncept evoluon në mënyrë të pandërprerë, studimet e sotme vazhdojnë t’i përmbahen thelbit të konceptit të dhënë nga Demangeon që në vitin 1935, sipas të cilit peizazhi rural është, para së gjithash, një konstrukt human[2]. Shpesh, ekziston një tendencë për ta njësuar peizazhin rural me atë bujqësor, nisur nga mbizotërimi i veprimtarisë bujqësore dhe i elementeve të lidhura me të në hapësirën rurale, por një këndvështrim i tillë është tejet kufizues, veçanërisht në ditët e sotme, në kushtet e ridimensionimit të vazhdueshëm social-ekonomik të kësaj hapësire.
Faktorët ndikues në peizazhin rural
RedaktoMënyra se si kompozohet një peizazh rural varet nga një sërë faktorësh si:
- veçoritë natyrore të territorit rural (relievi, klima, bimësia etj.),
- shkalla e ndërhyrjes së shoqërisë në territor,
- veprimtaritë ekonomike mbizotëruese,
- tipi i vendbanimit dhe i banesave,
- traditat lokale,
- politikat e menaxhimit të territorit,
- stadi i zhvillimit të vendit në tërësi etj.
Në varësi të këtyre faktorëve, shfaqen peizazhe rurale të ndryshme, herë më pranë gjendjes natyrore të hapësirës rurale, herë me shkallë me të lartë antropizimi.
Mbrojtja e peizazheve rurale
RedaktoPeizazhi rural është një prej elementeve identitare të territorit rural, si mbartës i gjurmëve të transformimit të vazhdueshëm natyror, ekonomik dhe social-kulturor të këtij territori. Njëkohësisht, vlerat estetike dhe kulturore të peizazhit rural, veçanërisht në territore me ndikim më të ulët urban, përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit rural, ndaj ruajtja e tij është tashmë pjesë e pandarë e politikave dhe e strategjive të zhvillimit rural. Mbrojtja e peizazheve rurale kontribuon gjithashtu në ruajtjen e cilësisë së jetës së banorëve lokale, duke bërë të mundur qëndrueshmërinë e komuniteteve dhe tw veprimtarive ekonomike, si dhe duke ofruar vlera që lidhen me këto peizazhe[3].
Peizazhet rurale përfaqësojnë një fond të rëndësishëm të trashëgimisë botërore, të përfshira edhe në inventarë të UNESCO-s. Identifikimi i resurseve të peizazheve rurale synon të rritë ndërgjegjësimin mbi karakteristikat dhe vlerat materiale dhe jomateriale të peizazheve, duke përfaqësuar hapin e parë të domosdoshëm drejt promovimit të ruajtjes së qëndrueshme të hapësirave të tilla dhe transmetimit të njohurive dhe përfaqësimeve kulturore të tyre te brezat e ardhshëm[4].
Studimi i peizazheve rurale
RedaktoEkzistojnë qasje të ndryshme studimore ndaj peizazhit rural, ku mbizotëron vëzhgimi i drejtpërdrejtë, por në ndihmë mund të vijë edhe puna kamerale nëpërmjet interpretimit të fotografive, hartave apo planeve kadastrale. Gjendja e peizazhit është gjithnjë e përkohshme dhe mbart shenjat e së kaluarës po aq sa edhe të së tashmes: veprimtari, rregullime, raporte sociale, teknika etj.[5] Studimi i elementeve të peizazhit rural jep të dhëna të rëndësishme mbi evolucionin e këtij peizazhi, si dhe kontribuon në drejtim të ravijëzimit të së ardhmes social-ekonomike të territorit rural.
References
Redakto[1] ICOMOS-IFLA principles concerning rural landscapes as heritage, GA 2017 6-3-1 – Doctrinal Texts Ver. 30/07/2017.
[2] Demangeon Albert. Paysages ruraux. In: Annales de Géographie, t. 44, n°251, 1935. pp. 535-540.
DOI : https://doi.org/10.3406/geo.1935.11174
www.persee.fr/doc/geo_0003-4010_1935_num_44_251_11174
[3] Mauro Agnoletti, Rural landscape, nature conservation and culture: Some notes on research trends and management approaches from a (southern) European perspective, Landscape and Urban Planning, Volume 126,
2014, pages 66-73, https://doi.org/10.1016/j.landurbplan.2014.02.012. (https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S0169204614000474)
[4] ICOMOS-IFLA principles concerning rural landscapes as heritage, GA 2017 6-3-1 – Doctrinal Texts Ver. 30/07/2017.
[5] Jacques Baudry, Catherine Laurent. Paysages ruraux et activités agricoles. Le Courrier de l'environnement de l'INRA, Paris : Institut national de la recherche agronomique Délégation permanente à l'environnement, 1993, 20 (20), pp.5-10. ⟨hal-01207232⟩