Personat me nevoja të veçanta në Kosovë



Në Kosovë jetojnë 250.000 persona me nevoja të veçanta.10 për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë, llogaritet të jetë me nevoja të veçanta.[1]

Aircrew for a Day DVIDS289950
Aircrew for a Day DVIDS289950

Personat me nevoja të veçanta nuk kanë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi, shërbime sociale dhe mbështetje juridike.

Te personat me nevoja të veçanta përfshihen të gjithë ata që kanë kufizime fizike si: paaftësi për të ecur- invalidët, paaftësi për të dëgjuar dhe folur shurdhemecë ose vetëm njëra nga këto të dyja kategori, personat e verbër, personat me sindromin Down, personat autik etj.

Personat e tillë kufizimet i kanë të lindura ose të shkaktuara gjatë aksidenteve apo sëmundjeve të ndryshme. Pra, paaftësitë (kufizimet) mund të jenë fizike dhe mentale.

Të drejtat e personave me nevoja të veçanta Redakto

Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.[2]

Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato. Tek të drejtat e personave me nevoja të veçanta përfshihen:

  1. E drejta për shkollim
  2. E drejta për qasje të lirë në institucione shkollore
  3. E drejta për shërbime shëndetësore
  4. E drejta për mirëqenie sociale.

Punësimi Redakto

Në Kosovë ekziston ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara në të cilin thuhet:

"Çdo pundhënës në institucione publike ose private është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në cdo pesëdhjetë punëtorë, por ky ligj nuk po zbatohet as nga institucionet private e as nga ato publike".[3]

Megjithëse ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara i obligon institucionet që të punësojnë një persona me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar, ai nuk ka gjetur zbatim në Kosovë, thonë vetë kjo kategori e shoqërisë.

Nuk ka as statistika se sa persona me aftësi të kufizuara punojnë në sektorin publik dhe as në atë privat.[4]

Mirëpo për shkak të infrastrukturës jo të përshtatshme këta njerëz rrallëherë mund të shihen duke punuar diku. Personat me nevoja të veçanta të deklaruar të paaftë për punë marrin një pagesë në formën e një kësti mujor, varësisht nga kufizimet e individit. Kanë të drejtë edhe votimi dhe pjesëmarrje në jetën publike. [5]

Arsimi Redakto

Fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë janë të përfshirë në institucione shkollore dhe shkolla speciale (qendra burimore).

Punohet në shtatë institucione parashkollore ku janë të angazhuar edhe edukatorë mbështetës.Ato gjenden në disa qytete të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Shtime, Pejë, Prizren.

Aty janë të përfshirë nxënës pavarësisht nacionalitetit dhe aftësisë së kufizuar.

Rastet e diskriminimit në shkollë dhe në rrugë të personave të kësaj kategorie janë më të shpeshta. Përkundër kësaj sfidë e veçantë mbetet qasja e tyre në shkollim sepse nuk kanë asistentë ndihmës nëpër klasa.

Kosova ka 346.000 studentë, prej të cilëve vetëm rreth 1000 janë identifikuar zyrtarisht si persona me nevoja të veçanta.

Personat e identifikuar studiojnë në klasa speciale të shkollave të rregullta që quhen klasa të bashkëngjitura ose në shkolla speciale.

Rreth 10.000 fëmijë nuk vijojnë mësimin. Shumica e tyre, 7000, llogaritet të jenë fëmijë me nevoja të veçanta. Ata përfaqësojnë 13% të popullsisë së llogaritur të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë. Mbi 40.000 fëmijë me probleme serioze në mësimnxënie mësojnë në klasa të rregullta, por nevojat e tyre nuk janë identifikuar e as nuk janë përmbushur.[6]

Shëndeti Redakto

Shërbimet shëndetësore për personat me nevoja të veçanta në Kosovë nuk janë në nivelin e duhur.

Shumë trajtime që do duhej t’i merrnin personat me nevoja të veçanta, sidomos ata që janë të varur nga karrocat, nuk mund t’u ofrohen atyre brenda institucioneve publike shëndetësore.

Kujdesi shëndetësor duhet të ofrohet falas për fëmijët gjer në moshën 15 vjeçare për nxënësit nëpër shkolla dhe personat me aftësi të kufizuara.

Ligjet në Kosovë në lidhje me arsimin dhe fëmijët me nevoja të veçanta ende janë në fazat e hershme, ato reflektojnë gjendjen aktuale e nuk synojnë ndryshimin e saj.ndajnë përgjegjësitë në mes të qeverisë qendrore dhe komunave, ofrojnë transport gjer në shkollë, ofrojnë një kornizë për arsimin parashkollor, fillojnë vendosjen e planprogramit dhe rregullojnë tekstet mësimore dhe përcaktojnë procedurat për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ekzistojnë disa organizata që merren me përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në aktivitete shoqërore dhe mirëqenien e tyre, Save dhe Children, UNICEF, Handikos e të tjera.

Handikos Redakto

Është e vetmja organizatë në Kosovë e cila merret me paisjen me mjete ortopedike, sanitare dhe higjenike për personat me nevoja të veçanta. Është organizatë jo qeveritare që punon dhe vepron qe nga viti 1983 ku kjo organizatë ka për qëllim të merret me rehabilitimin e personave me nevoja të veçanta, edukimin dhe aftësimin professional, punësimin e tyre e të tjera.

Nga 250.000 persona me nevoja të veçanta në Kosovë, 18.000 prej tyre janë anëtarë të HANDIKOS-it.[7]

Referime Redakto

  1. ^ https://www.evropaelire.org/a/28410189.html
  2. ^ "Kopje e arkivuar" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 gusht 2017. Marrë më 29 tetor 2017.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  3. ^ gzk.rks-gov.net/
  4. ^ http://www.koha.net/arberi/10436/personat-me-aftesi-te-kufizuara-nuk-gjejne-pune-ne-kosove/
  5. ^ "Kopje e arkivuar" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 27 dhjetor 2013. Marrë më 29 tetor 2017.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  6. ^ "Kopje e arkivuar" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 27 dhjetor 2013. Marrë më 29 tetor 2017.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  7. ^ http://www.handi-kos.org/