Karnavali e Polenës

(Përcjellë nga Polena)
This is the stable version, checked on 26 dhjetor 2010. 1 pending change awaits review.

KARNAVALET E POLENES

Karnavalet, apo "Të lënët e mishit" në Korçë zakonisht janë zhvilluar në datë fikse, Ditën e Lidhjeve, pikërisht me fillimin e kreshmëve të Pashkëve. Por karnavali i Polenës nuk i përket kësaj kategorie karnavalesh, por është një rit më arkaik dhe më i lashtë se karnavalet qytetare. Festimet zhvillohen më 6 janar, në ditën e Ujit të Bekuar, në një prej ditëve më të rëndësishme të fillimit të vitit. Karnavale të kësaj kategorie, ose të ngjashme, ka pasur dhe në disa fshatra të krishtera të rrethit të Korçës, të cilat i zhvillonin karnavalet në ditën e Vitit të Ri ose në një datë të afërt. Në këto fshatra, ose është shuajtur kjo traditë, ose gjendet vetëm ndonjë element i veçuar. Sot kjo traditë ruhet gjallë dhe e plotë në fshatin Polenë.

Fillimet e këtyre karnavaleve asnjeri nuk i di, por thonë se janë shumë të lashta, sepse kështu janë zhvilluar dhe përpara gjyshërve të gjyshërve të tyre. Vetë mënyra e organizimit, kostumet dhe elementët e këtij karnavali flasin për këtë lashtësi. Karnaval i ngjashëm ose përafërt zhvillohen dhe sot puthuajse në të gjitha vendet e Ballkanit por dhe më gjerë.

Skema e këtij karnavali, në vija të përgjithshme nuk ka evolua,r me përjashtime të vogla ku janë future elementë apo figura të reja në vartësi të ngjarjeve apo kohës kur janë zhvilluar. Në këto kushte gjendet një gërshetim, disi i ngurtësuar, i disa elementëve artistike të kohërave të vjetra dhe fabula bazë e zhvillimit të karnavalit pothuajse është e pandryshueshme deri më sot.

Pjesëtarë e këtij karnavali janë tërësisht djem, ku dhe rolet e femrave janë luajtur vetëm nga djemtë. Kështu vazhdon dhe sot. Vajzat kishin ditën e tyre të karnavaleve. 25 ditë pas Pashke ato organizonin Rusicat ku rolin e djemve tani e luanin vetë vajzat. Rusicat organizohen dhe sot por jo në madhështinë e karnavaleve të djemve.

Elementi kryesor dhe më arkaik janë arapët ose lugetërit. Ata bëjnë hapjen e kësaj feste që herët në mëngjes. Janë të këqinj, të egër dhe të frikshëm të cilët shfrytëzojnë terrin e natës për të të kallur frikën dhe tmerrin. Janë të zhurmshëm dhe zotër të qetësisë së natës. Duket sikur duan vetëm errësirën dhe duan të pengojnë ardhjen e një dite të re. Ata kanë një veshje shumë të veçantë dhe autentike. Veshje lëkure, kryesisht prej deleje dhie ose kafshe tjetër. Maskë lëkure e bërë sa më e frikshme e dekoruar me ngjyra, brirë, dhëmbë e koska kafshësh. Mbajnë veshur çorape me lesh prej dhie dhe opinga me lëkurë derri. Me duart e nxira mbajnë kama ose bajoneta si dhe një qese të mbushur me hi e cila gjatë goditjes të mund të të ndotë, por jo të të vrasë. Në mes, lidhur me një rrip të trashë e zinxhirë, mbajnë të varur zile e këmborë sa më të mëdha që të bëjnë sa më shumë zhurmë. Si çdo gjë e keqe dhe arapët vijnë plot zhurmë për të të lajmëruar ardhjen e tyre. Ato ngjajnë me zilet e lebrozëve ku të paralajmërojnë tu qëndrosh sa më larg tyre. Duken shumë gjakatarë. Ndjekin kryesisht fëmijët nëpër rrugët e fshatit dhe deri brenda në shtëpi, jo vetëm se tremben më shumë, por duken se i përndjekin ata sikur duan të ndalojnë vazhdimësinë e jetës. Por a do të mundin ata ?

Po të kemi parasysh karnavalet zhvillohen pothuajse në kulmin e dimrit dhe jeta e njerëzve ishte shumë e vështirë. Duket sikur dimri që është ulur këmbëkryq nuk do që të largohet dhe t’i lerë vendin pranverës, që është aq e mirëpritur nga njerëzit. Por dhe dimri sado i keq, përgatit rrugën e ardhjes së pranverës dhe arrapët sado të frikshëm dhe të këqinj nuk do të ngelen të tillë deri në fund. Ata do të fillojnë të zhdrërohen gradualisht. Fillimisht duke hapur rrugën për kalimin e një jete të re, rrugën e kalimit të nuse dhe dhëndrit. Gjatë shfaqjes do të bëhen mbrojtës të jetës së çiftit të ri ose të dasmorëve, dhe në fund duke hequr maskat ata shndërrohen në njerëz duke treguar se zotër të kësaj toke janë vetëm njerëzit.

Fillimisht arapët veprojnë të vetmuar nëpër rrugët e fshatit nga mëngjesi deri pas zhvillimit të meshës së Ujit të Bekuat dhe hedhjes së kryqit në ujë. Njerëzit mblidhen në sheshin qendror të fshatit dhe presin që karnavali të arrijë kulmin me një shfaqe të përgatitur që më parë nga organizatorët e karnavaleve. Në shesh hyjnë një e nga një sipas një skenari të përgatitur grupe të ndryshme ku në tërësi të bie në sy barazia e racave dhe ideve. Atje futen arapë, nuse, dhëndër, dasmore e kapedanë, arabë, indianë romë dhe në armoni me natyrën midis njerëzve gjenden kafshë si ariu, gamilja, gomari etj, megjithëse disa prej tyre nuk janë kafshë të zonës sonë.

Si çdo festë dhe karnavali shoqërohet me muzikë, megjithëse mezi dëgjohet në mes të ritmit të zhurmshëm të zileve të arapëve. Ashtu si në fillim dhe sot vegla e vetme që shoqëron festën është gajdja. Sot ajo është një vegël në zhdukje që sa vjen dhe gjendet me vështirësi, por dikur duhet të ketë qenë një prej veglave popullore më të rëndësishme. Vallja tradicionale e gajdes është pjesë e rëndësishme e shfaqjes, ku njerëzit gëzojnë së bashku për jetën e re. Në këtë dasmë vijnë e marrin pjesë të gjitha grupet e pjesëmarrësve, përveç hajdutit, i cili është aq i padëshirueshëm në këtë gëzim. Ai vjen për tu prishur gëzimin. Por ai duhet të kalojë në mënyrë të fshehtë barrierën e arapëve, të cilët në këtë moment pavarësisht se akoma të frikshëm, ruajnë nusen dhe mbarëvajtjen e festës.

Hajdutit i duhet që t’i vrasë ata. Por arapër janë shumë dhe janë si Anteu, të pavdekshëm dhe gjithmonë më të fortë, sepse vjen një doktor i cili i ringjall shpejt. Sado që përpiqet hajduti është I pafuqishëm të prishë këtë festë. Në fund hajduti ekzekutohet (dikur me varje). Arapët vallëzojnë së bashku me dasmorët dhe heqin maskat për të treguar se dhe ata janë njerëz dhe jo përbindësha. Pra në fund gjithmonë triumfon e mira, e drejta fiton njeriu.

Pjesëmarrësit s’janë artistë të mirëfilltë, por janë njerëz të thjeshtë që kanë dëshirën e mirë për të luajtur dhe për tu bërë protagonistë të kësaj feste popullore. Përveç fabulës bazë dhe skenarit të parapërgatitur pjesëmarrësit janë të lirë të improvizojnë veprime sipas situatave, mjafton që të jenë normale dhe të bëjnë për të qeshur. Dhe vetë shikuesit bëhen zakonisht pjesëtarë të shfaqjes duke u future në valle, darovitin nusen, i shkel ariu për tu shëruar ose rrëmbejnë nusen e cila ruhet rreptësisht nga arapët. Gjatë rrëmbimit arapët gjuajnë rrëmbyesin me qeskat me hi dhe rikthejnë nusen në valle. Shfaqja zakonisht zgjat më pak se një orë.

I gjithë karnavali ruan traditën në tërësinë tij origjinale. Përdoren akoma veshjet popullore për dardharet dhe kapedanët, veshje kryesisht të vjetra si opinga lëkure, pandallona shajaku, brucë, shpata, këmborë, dhe zbukurime me materiale si : koska, dhëmbë e brirë kafshësh.

Për zhvillimin e karnavaleve në Polenën e vjetër ka pak dokumenta të shkruara apo fotografike. Të vjetrit tregojnë se njerëzit tregonin një interes dhe preokupim të madh për to. Përgatitjet fillonin ditë e javë më pare, për vetë faktin se dimri kishte shumë më pak punë. Rregullat ishin të rrepta dhe zbatoheshin nga çdo pjesëtar i grupit. Secili përgatiste dhe rregullonte veshjen e tij. Pas shfaqjes ata shkonin shtëpi më shtëpi dhe grumbullonin verë e pastërma dhe në darkë festonte i gjithë grupi. Parakalimi bëhej në gjithë rrugët e fshatit dhe shfaqja bëhej te lëmi i madh. Organizimi i karnavaleve u bë dhe pas luftës, dhe kur fshati zbriti poshtë. Megjithëse karnavalet nuk ishin rit fetar, por duke u trajtuar si një zakon i vjetër prapanik, në vitin 1967 u ndalua organizimi i tyre nga sistemi komunist. Por 25 vjet ndërprerje nuk i zhdukën karnavalet. Tradita u ruajt e gjallë dhe e plotë në mendjen dhe kujtimet e polenakëve. Me ardhjen e ndryshimeve të viteve 1990 u rinis sërisht kjo traditë nga vetë njerëzit të cilët kishin qenë pjesëtarë dhe protagonistë të karnavaleve. Fillimisht pati probleme, por dëshira e mirë e mposhti çdo vështirësi. Vitet kalonin dhe vështirësitë asnjëherë s’kanë munguar, por karnavalet janë zhvilluar çdo vit.

Një dhomë e ish zyrave e kooperativës, shërben si depo dhe gardërobë e grupit. Ajo pasurohet vazhdimisht me veshje e materiale të grumbulluara nga vetë pjesëmarrësit, ose diçka e blerë nga financimet e pakta të siguruara nga këshilli fetar, pleqësia, komuna si dhe paratë e grumbulluara nga darovat e nuses dhe arapëve. Financimet kanë qenë gjithmonë të pamjaftueshme. Jehona e festimeve të karnavaleve në Fshatin Polenë u përhap shpejt pothuajse në gjithë Shqipërinë, për vetë faktin se ishin disi të veçanta dhe kishin kaluar 25 vjet pa organizuar karnavale. Interes për to u tregua dhe nga Instituti Kombëtar i Folklorit i cili bëri dhe regjistrime filmike dhe u dhanë kronika televizive për disa vjet rresht nga Televizioni Kombëtar Shqiptar. Kronika të përvitshme televizive janë bërë nga televizionet lokale të qytetit të Korçës. Për organizimet e viteve të fundit kemi dokumenta të shumta filmike dhe fotografike.

Kemi marrë pjesë në të gjitha festivalet në rang kombëtar dhe ndërkombëtar të zhvilluara në qytetin e Korçës me grupin e të rriturve dhe të fëmijëve dhe kemi marrë çmime të para dhe stimuj të shumtë. Kemi marrë pjesë në festimet e Ditës së Verës në qytetin e Tiranës si dhe kemi bërë disa turne jashtë vendit me një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish. Grupi i karnavaleve të Polenës ka qenë i pranishëm në festimet e karnavaleve në Kaliningrad të Rurisë, Luksemburg, Budva të Malit të Zi. Kemi marrë dhe shumë ftesa të tjera, por turnetë nuk janë realizuar për mungesë sponsorizoimi.

Përsa kohë të jetë e fortë dëshira e mirë për të zhvilluar karnavalet në fshatin Polenë, kjo traditë do të vazhdojë të ruhet e plotë dhe në vitet që do të vijnë.