Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Pozita gjeografike është relacioni i vendndodhjes gjeografike të një vendi në lidhje me vendet rrethuese. Ajo tregon vendin ku shtrihet një shtet, rajon, krahinë, vendbanim qytet apo fshat në rruzullin tokësor.

Pozicioni gjeografik === Republika e Shqipërisë është një shtet europian, që shtrihet në Europën Juglindore, në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik. Shqipëria është gjithashtu një vend mesdhetar sepse laget nga ujërat e detit Mesdhe dhe shtrihet në brigjet lindore të deteve: Adriatik dhe Jon. Nga ana gjeografike Shqipëria gjendet në hemisferën veriore pothuajse e baraslarguar midis Ekuatorit dhe Polit të Veriut.

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë mundëson që territori shqiptar të bëjë pjesë në brezin mesatar të ndriçimit të hemisferës veriore dhe në zonën klimatike mesdhetare.

Shtrirja në brezin mesdhetar evropian dhe dalja e gjerë në detet mesdhetare (Adriatik dhe Jon) shkakton shfaqjen e qartë të tipareve të natyrës mesdhetare për territorin e Shqipërisë:

Ø  Klimë mesdhetare, ku dallohen qartë të 4 stinët;

Ø  Regjim hidrologjik mesdhetar;

Ø  Tipare mesdhetare të tokave, të florës dhe faunës.

Tiparet mesdhetare shprehen fuqishëm në pjesën perëndimore, ndërsa në lindje ato vijnë duke u zbehur, sepse shfaqen nuanca të qarta të kontinentalitetit. [1]

Koordinatat gjeografike

Redakto

Shqipëria ndodhet midis koordinatave gjeografike 39o e 38’ (në jug të Konispolit) dhe 42o e 39’ (në skajin verior të Vermoshit) të gjerësisë gjeografike veriore dhe 19o e 16’ (Ishulli i Sazanit) dhe 21o e 4’ (fshati Vërnik në bashkinë Devoll) të gjatësisë gjeografike lindore.[2]

Ndryshimi meridional mes dy skajeve më veriore dhe jugore është 3o e 1’, ose 335 km, ndërsa ndryshimi midis skajeve perëndimore dhe lindore është 1o e 48’, ose rreth 150 km.

Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28 748 km2 dhe një popullsi[3] prej 2845955 (viti 2020). Ajo kufizohet me kufi tokësor në verilindje me Malin e Zi, në veri dhe verilindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug e juglindje me Greqinë. Hapësira detare e Adriatikut na ndan në jugperëndim nga Greqia, në perëndim nga Italia dhe dhe në veriperëndim nga Mali i Zi. Kufijtë politikë të Shqipërisë janë vendosur nga Fuqitë e Mëdha më 29 korrik 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Pozicioni gjeostrategjik

Redakto

Gjeografë të shumtë si Stadtmyler, Cohen, Dean Rug etj kanë “pranuar që Shqipëria në aspektin fiziko – gjeografik, bart potencialet e nevojshme për të realizuar rolin e portës lidhëse (gateway) midis detit Adriatik dhe gadishullit të Ballkanit”. [4]

Midis gjithë vendeve ballkanike që lagen nga ujërat e detit Adriatik dhe Jon, Shqipëria mund të konsiderohet si “gate way” (portë lidhëse) për Ballkanin Perëndimor.

   Faktorët që kushtëzojnë një karakter të tillë janë:

• kanali i Otrantos[5] me largësinë më të shkurtër prej 75.5 km midis gadishujve Apenin dhe Ballkan,

• vija bregdetare e Adriatikut që dallohet për larminë e gjireve dhe kepeve të shumtë.

• cektësia e bregdetit të Adriatikut me mundësi zbarkimi të lartë,

• prania e Ultësirës Perëndimore lejon futjen në brendësi të vendit,

• drejtimi lindje – perëndim në rrjedhjen e poshtme e të mesme dhe drejtimi juglindje – veriperëndim në rrjedhjen e sipërme të luginave të lumenjve Mat, Shkumbin, Seman e Vjosë, lehtëson depërtimin nga bregdeti i Adriatikut për në brendësi të qendrës së Ballkanit.

Pozita gjeografike e Shqipërisë plotëson kërkesat për tu konsideruar “Portë – Lidhëse”, jo thjesht midis dy shteteve, gadishujve, por “midis Lindjes dhe Perëndimit europian, midis dy hapësirave gjeografike me jehonë në historinë e saj e më gjerë”.[6]

Vlerësimi historik i pozitës gjeografike të Shqipërisë

Redakto

Pozita gjeografike ka bërë që në territoret tona qysh në antikitet të ndërtohen rrugëkalime të rëndësishme. Via Egnatia lidhte përmes trojeve tona nga shek. II pers dy kryeqendrat e Perandorisë Romake atë të lindjes (Bizantin) dhe perëndimit (Romën). Rrugë të rëndësishme ishin edhe Lissus – Naisus, ose Lezhë – Nish dhe rruga e Vjosës që lidhte Apolloninë me Larisan.

Shqipëria ishte porta e Lindjes për Perëndimin dhe porta e Perëndimit për Lindjen. Kjo ka sjellë popullimin e hershëm, si dhe ka bërë që qytetërimi të lulëzojë në këto troje, duke pasur një vazhdimësi të njohur që prej 2500-3000 vjetësh. Qytetet kryesore bregdetare Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia arritën një nivel shumë të lartë civilizimi. A. Ducellier ka theksuar: “..kronikanët grekë shohin në Durachion – kryeqytetin e vërtetë të Oksidentit ballkanik”.[7] Ndërsa Apollonia ishte qyteti ku u kulturua Oktavian Augusti perandori i ardhshëm i Romës. Por vendbanimet urbane i ndeshim edhe në brendësi të vendit, si psh., në Lissus (Lezha), Antipatrea (Berati), Bylisi (Hekali në Mallakastër), Amantia (Plloça), Dimali (fshati Krotinë), Antigonea (pranë Gjirokastrës) etj.

Shqipëria gjeografikisht shtrihet në kufirin ku takoheshin pjesa perëndimore dhe lindore e Perandorisë Romake dhe më vonë me atë osmane. Në këtë hapësirë gjeografike janë përplasur kisha romane katolike dhe kisha orthodokse bizantine.

Pozita e favorshme gjeografike njëkohësisht ka tërhequr edhe lakmi.

Pozita e favorshme gjeostrategjike ka tërhequr edhe lakmi e shoqëruar shpeshherë me pushtime dhe sundime të gjata nga romakët, bizantinët, sllavët, osmanët etj. Megjithatë kombi shqiptar ruajti tiparet etnike, gjuhësore dhe kulturore të paprekura në territoret e veta, sepse ai kishte formuar hershëm ndërgjegjien e vet etnike.

Vlerësimi ekonomik i pozitës gjeografike të Shqipërisë

Redakto

Shqipëria shtrihet në trevat mesdhetare, që janë cilësuar si djepi i lindjes dhe i zhvillimit të qytetërimit të lashtë evropian. Afërsia gjeografike me civilizimet e antikitetit la gjurmë edhe në zhvillimin human në trevat tona. Madje këto troje ishin një “vatër e këtij qytetërimi”.[8] Trashëgimia kulturore dhe natyrore është motivi i fluksit turistik që frekuenton në rritje progresive çdo vit sitet arkeologjike, muzeumet, monumentet tona historike dhe natyrore.

Mesdheu është deti që lidh kontinentet e Europës, Azisë dhe Afrikës. Dalja në detet Adriatik dhe Jon i ka dhënë Shqipërisë mundësinë të komunikojë në tregtinë ndërkombëtare me vendet fqinje, mesdhetare dhe më gjerë.

Prania në kryqëzimin e rrugëve të mëdha tregtare midis lindjes e perëndimit dhe anasjelltas i ofron Shqipërisë një komunikim më të gjerë ekonomik me vendet e tjera. Ndërtimi i korridoreve të reja rrugore si: Autostrada e Kombit (rruga Durrës – Kukës – Prishtinë) dhe rruga e Arbërit (Tiranë – Dibër) po krijon lidhje ekonomike midis trojeve shqiptare, por njëkohësisht po rrit komunikimin mes ekonomisë së shteteve ballkanike.

Pozita e favorshme gjeografike i ka ofruar Shqipërisë investime të huaja të drejtpërdrejta HDI, si psh., kalimi i TAP –it, investimi norvegjes në kaskadën energjitike të Devollit në një kaptial prej gati 3.5 miliard euro.

Ndërtimi i këtyre rrugëve u mundësua edhe nga prania e luginave ndërmalore tërthore, të vetmet në Ballkanin Perëndimor, që depërtojnë deri në brendësi të tij.



[1] Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë: Gjeografia fizike e Shqipërisë, Monografi, Vëll I, Tiranë 1990, fq 37

[2] Po aty, fq 35

[3] Instituto Geografico De Agostini Novara, 2021, pg 304

[4] Yzeiri Eqerem, Gjeografia Politike e Shqipërisë në Tranzicion, Shtëpia Botuese ILAR, Tiranë 2002, fq 26

[5] Ngjeqari Xhevair, Mesdheu – Adriatiku Projektimi i porteve tregtare-turistike-peshkimit dhe realizimi në Bregdetin Shqiptar, Shtëpia Botuese Grafon, Tiranë 2016, fq 26

[6] Yzeiri Eqerem, Gjeografia Politike e Shqipërisë në Tranzicion, Shtëpia Botuese ILAR, Tiranë 2002, fq 32

[7] Po aty, fq 30

[8] Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë: Gjeografia fizike e Shqipërisë, Monografi, Vëll I, Tiranë 1990, fq 38