Primacia si fenomen urban
Koncepti i primacisë dhe sistemi urban
RedaktoPjesë e procesit të urbanizimit në kontekste të caktuara zhvillimore urbane është fenomeni i primacisë ose prania e të ashtuquajturve “qytete primate”. Të dy konceptet reflektojnë të njëjtën situatë të përqendrimit të një pjese të madhe të aktiviteteve ekonomike, politike dhe kulturore në një ose disa qytete të një vendi, gjë që shprehet në përmasat disa herë më të mëdha (për nga numri i popullsisë) në raport me qytetet që renditen pas tyre në hierarkinë urbane. Gjithsesi, primacia nuk është vetëm çështje përmasash pasi ka zona metropolitane të përmasave të mëdha në botë që nuk konsiderohen primate[1].
Koncepti “qytet primat” u përdor fillimisht nga M. Jefferson në vitin 1939[2], për të emërtuar teorikisht situatat ku qyteti më i madh i një vendi, është më shumë se sa dyfishi i qytetit të renditur si i dyti, për nga përmasat dhe rëndësia e tij në rang kombëtar në aspektin ekonomik, kulturor, social dhe politik. Edhe koncepti “centralitet” reflekton pak a shumë të njëjtën situatë në një sistem urban[3]. Përkundrejt këtyre koncepteve, paraqitet “Ligji i Zipf-it” i cili evidenton ekzistencën e një mardhënieje të rregullt midis qyteteve për sa i takon renditjes së tyre hierarkike sipas madhësisë dhe përmasave, e njohur ndryshe si mardhënia rend-përmasë. Zipf e spjegonte këtë rregullsi si një ekuilibër që vinte si rrjedhojë e kundërveprimit të forcave të përqendrimit (për funksionim efikas të tregjeve) dhe forcave të shpërndarjes (referuar resurseve natyrore).[4]
Primacia dhe rrethanat
RedaktoPrimacia si fenomen urban, ndeshet si në vendet e zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim pasi lidhet me rolin që luajnë qytete të vecantë në sistemet kombëtare urbane por edhe në ekonominë botërore[5]. Studimet në kontekste konkrete, evidentojnë si faktorë që ndikojnë në rritjen e qyteteve në vendet në zhvillim: rritjen natyrore(Azi), migrimin e brendshëm (Afrikë), dhe migrimin urban-urban në sajë të primacisë (Amerika Latine), faktorë të cilët marrin përparësi në rrethana të ndryshme në vende të ndryshme[6].
Mungesa e shperndarjes së ekuilibruar të qyteteve sipas përmasave mendohet se përfaqëson një simptomë të nënzhvillimit dhe zhvillimit të pabarabartë. Resurset dhe vlerat e vendit, duke përfshirë pushtetin, pasurinë, institucionet shoqërore dhe mundësitë, përqendrohen ekskluzivisht në qytetet primate duke krijuar një rreth vicioz, pasi ata duke qenë të tillë, tërheqin gjithnjë e më shumë popullsi duke parandaluar rritjen e qyteteve të tjerë me përmasa më të vogla[7]. Situata të ngjashme ndeshen edhe në Shqipëri[8].
Sipas Berry-t rezulton se primacia është një fenomen që priret të ekzistojë kryesisht në vende me një histori kolonizimi që nënkupton varësi për një kohë të gjatë nga një vend tjetër, ndërsa tiparet që respektojnë rregullin rend-përmasë, janë prezentë më shumë në vende të industrializuar dhe me histori të gjatë urbanizimi[9]. Por studime të tjera mbrojnë idenë se primacia nuk konsiderohet si fenomen urban që shfaqet vetëm në vendet në zhvillim, pasi në cdo vend, në varësi nga zhvillimet ekonomike e politike, formësohet dhe ndryshon edhe sistemi urban, i cili, në një periudhë të caktuar, mund të karakterizohet nga primacia.[10] Në rajonet qendrore të botës apo vendet e zhvilluara, primacia është kryesisht rrjedhojë e rolit që kanë luajtur qytete të caktuar si kryeqendra të perandorive apo si qendra administrimi, politike e tregtare për një sistem urban shumë më të gjerë se ai kombëtar.[11]
Faktorët ndikues
RedaktoSi koncepti i primacisë, ashtu edhe teoria rend-përmasë mund të përdoren për të ilustruar tiparet ekzistuese në zhvillimin dhe shpërndarjen e qyteteve. Sipas Berry-t [12] rregullsia në rritje në renditjen e qyteteve sipas përmasave, shoqërohet me një ngjashmëri më të madhe me rregullin bazë të teorisë rend-përmasë. Kjo ndodh, kur faktorët që ndikojnë në këtë shpërndarje janë të shumtë dhe veprojnë në mënyrë rastësore në rritjen proporcionale në përmasa të qytetit. Këto rrethana zakonisht krijohen në vendet e zhvilluara. Primacia, nga ana tjetër ndikohet nga më pak faktorë, dhe vecanërisht ndeshet në vende që kanë një strukturë më pak komplekse politike dhe ekonomike, ekonomi të orientuar nga eksporti, histori kolonizimi dhe histori të shkurter urbanizimi[13].
Sistemet e qyteteve shfaqin tipare të ndryshme përgjatë zhvillimit. Në disa vende, rritja ndodh në qytete të përmasave të ndryshme, e në disa raste të tjera, ndodh vetëm në qytetet kryesore. Rritja e qyteteve të ndryshëm në kohë të ndryshme, reflekton bazën ekonomike të zhvillimit. Ka disa teori që sjellin argumente në lidhje me këtë gjë, duke theksuar rolin e tregtisë në lindjen e qyteteve primate apo rëndësinë e infrastrukturës së transportit në përqendrimin urban sidomos në vendet në zhvillim, ku pjesa më e madhe e investimeve në infrastrukturë orientohet drejt dhe përreth qytetit kryesor[14].
[1] Knox.P.L., Marston.S. A., Human geography, places and regions in the global context, Pearson, 2007
[2] Gregory.D., Johnston.R., Pratt.G., Watss.M., Whatmore.S., The dictionary of human geography, Wiley-Blackwell 2009
[3] Knox.P.L., McCarthy.L., Urbanisation, Pearson, 2005
[4] Hutchison. R., Encyclopedia of urban studies, Sage, 2010
[5] Knox.P.L., Marston.S. A., Human geography, places and regions in the global context, Pearson, 2007
[6] Kaplan.D.,Wheeler. J., Holloway. S., Urban geography, Wiley, 2009
[7] Gootdiener.M.,Budd.L., Key concepts in urban studies, SAGE Publications, 2005
[8] Karaguni, M., Aspekte të zhvillimeve urbane në Shqipëri, Revista shkencore-kulturore “Perla”, 2016/3-4
[9] Rugg .D.S., Spatial foundations of urbanism, WCB,1979
[10] Kaplan.D.,Wheeler. J., Holloway. S., Urban geography, Wiley, 2009
[11] Knox.P.L., Marston.S. A., Human geography, places and regions in the global context, Pearson, 2007
[12] Rugg .D.S., Spatial foundations of urbanism, wcb,1979
[13] Goodall.B., Dictionary of human geography, Penguin Books, 1987
[14] Rugg .D.S., Spatial foundations of urbanism,, WCB,1979