Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë

This is the stable version, checked on 1 qershor 2021. 1 pending change awaits review.

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë është një institucion kushtetues në Shqipëri. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria i ushtron funksionet nëpërmjet prokurorëve.

Prokurori i Përgjithshëm
Në detyrë
Olsian Çela

që nga 6 dhjetor 2019
Emëruesemërimi nga Presidenti
Kohëzgjatja e detyrës7 vjet
Themelimi26 janar 1945
Faqja zyrtarepp.gov.al

Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Prokurorët i ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes të së drejtave, të interesave dhe të lirive të ligjshme të njeriut. Prokuroria organizohet dhe funksionon nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm si strukturë e centralizuar, ku përfshihen zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli i Prokurorisë dhe prokuroritë pranë sistemit gjyqësor. Prokuroria organizon duke bashkëpunuar edhe me institucione shtetërore, si dhe me subjekte të tjera publike e private nga radhët e shoqërisë civile veprimtari për edukimin e shoqërisë, me synim njohjen e ligjit dhe parandalimin e kriminalitetit.

Prokurori i Përgjithshëm

Redakto

Prokurori i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson në emër të shtetit akuzën në gjyq. Po ashtu ai është përgjegjës edhe për realizimin e një sërë detyrash të tjera që, me ligj, i ngarkohen Prokurorisë. Për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ligji për prokurorinë ose nga ligje të veçanta Prokurori i Përgjithshëm nxjerr urdhëra dhe udhëzime të ndryshme. Me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm bëhet përcaktimi i organizimit të hollësishëm si dhe i funksioneve të hallkave të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për prokurorë pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të komandojë prokurorë nga prokuroritë ku punojnë në prokurori të tjera si dhe të japë urdhër për pezullimin e prokurorëve në ushtrimin e detyrës kur ndaj tij vendoset nisja e procedimit penal deri në përfundimin e procedimit apo kur zbulohet një shkelje e rëndë disiplinore. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përbëhet nga kabineti; drejtoritë dhe sektorët. Pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm funksionojnë edhe shërbimet e ekspertimeve, organizimi dhe funksionimi i të cilave përcaktohen me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurorja e Përgjithshme

Redakto

Pas përfundimit të studimeve të drejtësisë në Fakultetin e Drejtësisë të Universiteti i Tiranës zonja Ina Rama e filloi karrieren e saj si ndihmës-gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës (1996–1999). Më pas (2001–2002) ishte gjyqtare në periudhën e stazhit të Shkollës së Magjistraturës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës. Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës (2002), ku u rendit e para, ajo filloi punë si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë, Lushnjë, ku punoi deri në fund të vitit 2004. Në janar 2005 filloi punë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime te Rënda, dhe në prill 2005 edhe si anëtare e Kolegjit Zgjedhor, poste në të cilat punoi deri në nëntor 2007, kur u emërua si Prokurore e Përgjithshme.

Përveç këtyre detyrave znj. Rama është edhe pedagoge e jashtme në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës, si dhe eksperte për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe të prokurorëve pranë Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka qenë gjithashtu eksperte në programe të ndryshme kualifikimi dhe trajnimi të organizuara në kuadër të programeve OPDAT, UNICRI dhe PAMECA.

Struktura

Redakto

Prokuroria organizohet dhe funksionon nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm si strukturë e centralizuar, ku përfshihen zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli i Prokurorisë dhe prokuroritë pranë sistemit gjyqësor. Shkalla e hierarkisë në organin e Prokurorisë përcaktohet nga Prokurori i Përgjithshëm, në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin për prokurorinë.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përbëhet nga kabineti; drejtoritë dhe sektorët. Pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm funksionojnë edhe shërbimet e ekspertimeve, organizimi dhe funksionimi i të cilave përcaktohen me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

Këshilli i Prokurorisë organizon konkursin për kandidatët për prokurorë dhe të atyre që do të ngrihen në detyrë, shqyrton vlerësimin e punës, si dhe jep mendim për shkelje disiplinore të kryera nga prokurorët, për të cilat Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra. Këshilli i Prokurorisë ka funksion këshillimor dhe ia paraqet në çdo rast mendimin e vet Prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli i Prokurorisë përbëhet nga shtatë anëtarë: një përfaqësues i Presidentit, një përfaqësues i Ministrit të Drejtësisë si dhe pesë prokurorë.

Prokuroritë pranë sistemit gjyqësor ndahen në: • Prokurorët pranë Gjykatës së Lartë, funksion i cili ushtrohet nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurorët pranë Gjykatës së Lartë ushtrojnë ndjekjen penale, si dhe përfaqësojnë akuzën në gjyq kundër Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputeteve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. • Prokurorët pranë Gjykatave të Apelit, të cilët ushtrojnë funksionet e prokurorisë pranë çdo gjykate apeli. Juridiksioni i tyre shtrihet në të gjithë territorin, ku shtrihet juridiksioni i gjykatës përkatëse. • Prokurorët pranë gjykatave të shkallës së parë, të cilët ushtrojnë funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate të shkallës së parë. Juridiksioni i tyre shtrihet në atë territor ku shtrihet juridiksioni i gjykatës përkatëse.

Kuadri Ligjor

Redakto

PJESA E DHJETË E KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PROKURORIA Neni 148 1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. 2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar. 3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Neni 149 1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. 2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit. 3. Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm. 4. Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit.

Historiku i Prokurorisë Shqiptare

Redakto

Prokuroria në Shqipëri e parë nga këndvështrimi historik është përfshirë në pushtetin gjyqësor ose ka funksionuar pranë tij. Në vite portreti dhe fizionomia e prokurorisë kanë pësuar ndryshime në varësi të rrethanave dhe të kushteve politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

1. Pas shpalljes të shtetit të pavarur shqiptar nga Kuvendi i Vlorës, më 28 nëntor 1912, qeveria e përkohshme mori vendimin "Për organizimin e ri të drejtësisë", më 10 maj 1913. Me këtë vendim fillon edhe etapa e organizimit të drejtësisë dhe të prokurorisë në shtetin e pavarur shqiptar. Në bazë të këtij vendimi krijohet "Kanuni i Zhurisë", i cili gjykonte çështje penale me përfaqësues nga populli.

2. Pas vendimit përfundimtar të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe dorëzimit të kurorës së Shqipërisë Princ Vidit (Prinz Wilhelm zu Wied) më 10 prill 1914 shpallet në Vlorë “Statuti Organik i Shqipërisë”. Në Kapitullin X, "Drejtësia" parashikohet që: prokurori dhe zëvendësi i tij e zhvillojnë veprimtarinë publike në të gjithë sferën e juridiksionit të gjykatës, të organizuara në: - këshillin e pleqve, - gjykatësit paqtues, - gjykatat e shkallës së parë dhe - gjykatat e apelit. Prokurorët, gjithashtu, kujdeseshin për zbatimin e vendimeve të gjykatës dhe mbikqyrnin veprimtarinë e policisë gjyqësore.

3. Në Statutin e Zgjeruar të Lushnjës, të datës 14. 12. 1922, i cili mund të thuhet se përfaqëson të parën kushtetutë të shtetit shqiptar, në Pjesën D "Pushteti Gjyqsues", përfshihet edhe prokuroria dhe garantohet pavarësia e gjykatës dhe e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre. Në nenet 84, 85 e vijues parashikohet: "Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët emnohen me dekret të Këshillit të Naltë, në bazë të zgjedhjes së bamun prej një komisje të posaçme. Atyre u sigurohet patundshmëria prej zyrës së tyre."

4. Në pikat 15 dhe 16 të programit të Qeverisë Demokratike të kryesuar nga Fan Noli, i cili u shpall më 19 qeshor 1924, vihet theksi tek reformimi i drejtësisë. Në dekretligjin "Mbi cilësitë e gjyqtarëve dhe emërimet e tyre", të datës 13 gusht 1924, përcaktohen kriteret e emërimit të gjyqtarëve, të ndihmësgjyqëtarëve dhe të prokurorëve. Krahas kërkesave që ata duhet të kishin nënshtetësinë shqiptare, të flisnin lirshëm gjuhën amtare, të gëzonin të drejta morale e politike dhe të kishin mbaruar Fakultetin e Drejtësisë, vlen të theksohet kushti, që personat në fjalë duhej të kishin të paktën tre vjet praktikë në drejtësi dhe të zotëronin një gjuhë të huaj evropiane. Synimi i kësaj reforme ishte spastrimi i drejtësisë nga elementët e paaftë. Në këtë periudhë u ndërmorën edhe masa ndaj fenomeve të tilla negative si p.sh.: zgjatja e gjyqeve; transferimi i shpeshtë i gjyqtarëve; anësia e hapur e gjykatave; zemërimi dhe humbja e besimit të popullit tek drejtësia. Sigurimi i pavarësisë së vërtetë të gjykatave dhe respektimi i ligjshmërisë konsideroheshin prej qeverisë së Nolit si dy kushtet themelore për garantimin e rendit juridik. Gjykatat udhëzoheshin të bënin gjykime të shpejta, të bazuara në ligj, në prova të pakontestueshme dhe në bindjen e brendshme të gjyqtarit, kurse komandave të xhandarmërisë u vihej detyrë të ekzekutonin me shpejtësi vendimet gjyqësore.

5. Në “Statutin Themelor të Republikës Shqiptare” të 3 marsit 1925, në pjesën D "Pushteti Gjyqsuer", përfshihet edhe prokuroria dhe garantohet pavarësia e gjykatës dhe e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre. Në nenet 102, 103 e vijues, parashikohet: "Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët emnohen me dekret të Kryetarit të Republikës, në bazë të zgjedhjes së bamun prej një komisje të posaçme. Atyre u sigurohet patundshmëria prej zyrës së tyre."

6. Edhe në “Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare”, të datës 1 dhjetor 1928, në kapitullin III "Pushteti Gjyqsuer" përfshihet dhe prokuroria si dhe garantohet pavarësia e gjykatës dhe e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre. Në nenet 120, 129 e vijues, parashikohet: "Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shtetit, të zgjedhur dhe të propozuëm sipas ligjës së posaçme emnohen me dekret të Mbretit. Ata janë të patundëshëm në mënyrën e caktuëme në ligjën organike. "

7. Pas përfundimit të Luftës së II Botore dhe vendosjes së pushtetit komunist, të vetëquajtur demokratik-popullor, në Shqipëri Kryesia e Këshillit Antifashist të Luftës Nacional-Çlirimtare nxori më 14. 01. 1945 ligjin Nr. 41 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Ushtarake". Në këtë ligj krahas dispozitave penale materiale, në nenet 7-12, 20 dhe vijues, parashikohet organizimi i gjykatave ushtarake dhe i prokurorëve ushtarakë pranë Këshillit të Gjykatës së Naltë Ushtarake dhe pranë Këshillit Gjyqësor të Korpusit ose Krahinës së Korpusit.

8. Në Kushtetutën e vitit 1946 prokuroria trajtohet në kapitullin "Gjykatat dhe Prokuroria" duke u përcaktuar si organ i Kuvendit Popullor. Pavarësia e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve sanksionohet në nenin 86 të saj, në të cilin parashikohet: "Të gjithë prokurorët publikë janë të pavarur kundrejt organeve lokale dhe varen vetëm prej Prokurorit të Përgjithshëm".

9. Në Kushtetutën e vitit 1976 "Prokuroria" trajtohet në një kapitull të veçantë, pas Gjykatës dhe Hetuesisë dhe nuk bëhet përcaktimi i raporteve të saj me pushtetin gjyqësor apo pushtetin ekzekutiv. Në nenin 106 të Kushtetutës së vitit 1976 si funksion kryesor i prokurorisë parashikohet: "Kontrolli i zbatimit të përpiktë dhe të njëllojtë të ligjeve nga gjykatat, organet e hetimit, ndërmarrjet, dhe institucionet." Me Kushtetutën e vitit 1976 prokurorisë iu hoq funksioni i ndjekjes penale, i cili iu ngarkua organit të hetuesisë.

10. Reformat e thella ligjore dhe strukturore që pasuan pëmbysjen e regjimit komunist dhe kthesën demokratike në vitet 90 përfshinë edhe prokurorinë, duke i kthyer asaj fizionominë dhe portretin institucional në përputhje me shtetin e së drejtës si dhe duke e përfshirë prokurorinë në pushtetin gjyqësor. Me ligjet Nr. 7561, datë 29. 04. 1992, "Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese" dhe Nr. 7574, datë 24. 06. 1992 "Për organizimin e drejtësisë." u sanksionua: "Prokuroria është autoriteti që ushtron ndjekje penale në hetim dhe në gjyq. Prokuroria organizohet dhe funksionon brenda pushtetit gjyqësor si organ unik dhe i centralizuar dhe e ushtron veprimtarinë e saj nëpërmjet prokurorive të caktuara pranë çdo hallke gjyqësore. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen ligjit, urdhërave të prokurorëve eprorë dhe vendimeve të autoriteteve përkatëse. Prokurorët kanë imunitet." Gjithashtu theksohet se, prokuroria nuk varet dhe nuk mund të kontrollohet nga Ministria e Drejtësisë, se është e organizuar në mënyrë autonome dhe prokurori gëzon statusin e gjyqtarit.” Edhe emërimi, lëvizja, shkarkimi, procedimi disiplinor ndaj prokurorëve mund të bëhej vetëm me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, anëtar i të cilit ishte dhe Prokurori i Përgjithshëm.

11. Aktualisht si në Kushtetutë dhe në ligjin Nr. 8737, datë 12. 02. 2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë" prokuroria është konceptuar si organ i një lloji të veçantë, "sui generis", e vetmja në llojin e vet, dhe ndonëse nuk përfshihet as në pushtetin gjyqësor e as në pushtetin ekzekutiv ka karakteristika të përbashkëta të këtyre dy pushteteve. Në nenet 148 e 149 të Kushtetutes, pa përmendur se në cilin pushtet bën pjesë prokuroria, vendosen piketat në lidhje me objektin e veprimtarisë, organizimin, funksionimin dhe rregullat bazë të emërimit dhe të shkarkimit të prokurorëve duke përcaktuar: "Prokuroria ushtron ndjekje penale, përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit si dhe kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si organ i centralizuar. Në ushtrimin e kompetencave të tyre, prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Prokurorët emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm".

Lidhur me pozicionin aktual të Prokurorisë është e rëndësishme të theksohet se kuadri ligjor - ndër të tjera Kushtetuta, Ligji i Procedurës Penale dhe ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë" - u siguron prokurorëve mbrojtjen dhe pavarësinë e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të tyre, si dhe garantojnë mosndërhyrjen dhe mosndikimin e pushteteve të tjera në ushtrimin e funksioneve të ndjekjes penale prej tyre.

Lidhje

Redakto

Web Faqja http://www.pp.gov.al/

Referime

Redakto

[1]