Prushimë buzësh
Prushimë buzësh është vëllimi i 5-të me radhë nga poeti Nebih Bunjaku.
Erotika në universin e lirikave të vëllimit "Prushimë buzësh" të Nebih Bunjakut gjithnjë ndriçon nga brenda. E qetë në dukje të parë dhe vegullore si fanitja, ajo herë afrohet e herë largohet si një mijë zëra fyejsh nostalgjikë që lënë pas po kaq asociacione dhe po kaq përfytyrime për dashurinë.
Këtu duket sikur Zoti i Dashurisë pak ngroh e shumë mbushullon për të lënë në çdo vjershë e në çdo varg gjurmët e misterit të vet.
Dhe nga kjo bredhëritje Erosi shënjohen kufijtë e atdheut të tij, ku shumëfishohen deri në pafundësi enigmat për mëkatin më të kënduar dhe më të pazbuluar të historisë njerëzore.
Dhe prapë Erosi shumëzon vetveten në prushima manushaqesh dhe sërish po ky zot i padukshëm ringjallet në psherëtima zemrash nga të cilat krijohet kryemetafora e mëkueses së jetës.
Nga kjo del se vjershat e këtij libri s'kanë për mision të krijojnë mitin e erotikës së zhveshur, ku dashurimit do t'i këndohej mekanikisht dhe ku epshorja e shpifur do t'i zinte vendin harpës së dehur të zemrës.
Prandaj kjo lirikë do të shënjojë njërën nga variantet autentike të metaforës shqiptare të dashurisë.
Ndonëse vjershat e këtij vëllimi s'janë të ndara në cikle dhe nuk profilizohen rreth ndonjë boshti motivor më të specifikuar të peizazhit dashuror, megjithatë ato pak a shumë mund të ndahen në lirikat e zanafillës, pra në ato që gjurmojnë kuptimin filozofik e herë-herë metafizik të fajnisë së lashtë (poezitë "Meny dashurie", "Në takim të parë", "Poezia", "Lumenjtë e shpirtit", "Prushimë buzësh", "1000 vjet për ty do të qaj", "Dil nga ëndrra" etj.), në lirikat e gjetjes së magjisë fajnore, ku heroi lirik plekset me yshtësen më të ëndërrtë të jetës ("Me ato shikime", "Dashuria në udhëkryq", "Në ekran të zemrës", "Në albumin tim", "Promete magjie"), në lirikat e trillit dashuror, ku Erosi lazdran di t'i japë dashurisë formën e lojës gati të rrezikshme ("Trill", "Plaku si fëmija", "Nuk jam lodër") dhe në lirikat e dashurisë së shpleksur, në universin e të cilave dëgjohet lira e trishtë për venitjen e më të shtrenjtës ("Sytë e përlotur", "Në aeroport kujtimesh", "Muzeu i mallit", "Vesë mëngjesi", "Shpirti në ankth", "Azil ëndrrash").
Të shtoj në mbyllje se "Prushimë buzësh", duke pleksur në strumbullarin nostalgjik këngën më sublime të zemrës, me lehtësi dhe spontanitet të habitshëm krijon legjendën moderne të Erosit.