Puthja e fundit Gjinia: Poezi. Autore Irma Kurti. Shtëpia botuese: Dudaj. Viti i botimit 2007. Faqet e librit 88. ISBN 978-99943-0-017-4

Libri me poezi Puthja e fundit i poetes Irma Kurti është një përmbledhje me 65 poezi kushtuar nënës së saj, Sherife Mezini Kurti, botuar në vitin 2007 nga Shtëpia Botuese Dudaj në Tiranë.

Pjesa e parë përmban dhembjen për humbjen e njeriut më të shtrenjtë; realitetin e vështirë dhe ndonjëherë të padurueshëm që poetja jeton çdo ditë.

Poezitë: “Ti s'mund te ikësh”, “Doja të të thosha”, “Sekrete”, Në krahët e mi”, “Shëtitja e fundit”, “Pak durim”, “Një fije jete” janë plot emocione, lot dhe dëshpërim përballë dramës së vdekjes dhe zbrazëtisë që ajo lë. Gjuha është e thjeshtë, një dialog i menjëhershëm me lexuesin; Irma Kurti arrin të përcjellë mesazhin e saj në mënyrë krejt të natyrshme.

Në pjesën e dytë të librit, me titull “Lirika” duket se vuajtja është bërë pjesë e saj dhe autorja, edhe pse në kërkim të dashurisë, shpesh gjendet në pamundësinë për të dashuruar dhe për të ndjerë gëzimin e jetës.