Qytetet më të vjetra të Shqipërisë
Zanafilla e qyteteve të Shqipërisë është e lashtë. Disa shekuj para erës së re janë krijuar një sërë qytetesh për shkaqe të ndryshme: strategjike, tregtare, administrative, ekonomike. Disa prej tyre kanë vazhduar deri në ditët tona, disa janë rrënuar përfundimisht, të tjerë kanë lindur të rinj. Qytetet më të vjetra të Shqipërisë janë Butrinti, Apolonia, Dyrrahu (Durrësi) dhe Orikumi, të themeluar që në shek.VII-VI p.e.r. në tokat ilire. Këto qytete të vendosura në vise zotëruese si dhe pranë rrugëve kryesore të qarkullimit, kishin rol të dyfishtë strategjik dhe ekonomik. Ndërsa, Durrësi vazhdon si qytet i ditëve tona, nga Apolonia e Butrinti kanë mbetur vetëm gërmadhat e tyre.