Rilindja e dytë Autori: Rexhep Qosja. Botuesi: Toena. Tiranë, 2007. Faqet e librit 488.

Pyetja e parë që do të bëjë lexuesi teksa ta marrë në duar këtë libër do të jetë: ç’do ky titull – Rilindja e dytë? Ne kishim Rilindjen Kombëtare dhe nuk mund të kemi dy rilindje. Ç’kuptim mund të ketë fjala rilindje këtu? Përqendrimi i jashtëzakonshëm i fuqive mendore, morale dhe trupore të një populli për të bërë ndryshime të mëdha në jetën dhe në fatin e tij historik quhet rilindje. Në historinë tonë të re kemi dy rilindje: Rilindjen Kombëtare, si rilindje e parë, dhe Rilindjen e dytë, me përmbajtjen dhe qëllimet e së cilës merret autori i kësaj vepre. Për shkak se programi i Rilindjes Kombëtare, i Rilindjes sonë të parë, është sendërtuar vetëm pjesërisht, pse rreth gjysma e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit të posakrijuar shqiptar, nën pushtimin e fqinjëve ballkanikë, për çdo mendje historike Rilindja e dytë ishte plotësisht e pritshme dhe plotësisht e ligjshme.