Hape menynë kryesore

Rexhep Qosja (25 qershor 1936, Vuthaj) është historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar.[1] Është anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,[2] dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës.[3]

Rexhep Qosja
Ditëlindja:25 qershor, 1936
Vendlindja:Vuthaj, Mbretëria Jugosllave
Nënshtetësia:Kosova kosovar(e)
Kombësia:Shqipëria shqiptar
Edukimi:Universiteti i Beogradit
Zhanri:prozë, histori letërsie, kritikë letrare

Më 2006 u përfshi në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë, debati zgjati për muaj të tërë dhe përfshiu gati të gjithë intelektualët publikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë.[4]

Përmbajtja

BiografiaRedakto

U lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fi­llores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano­logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin "Asdreni, jeta dhe vepra e tij" në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.[2] Më 1989 iu propozua që të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Qosja refuzoi.[5]

Pas ndryshimeve politike më 1990 në Shqipëri, Qosja u bë ndër kritikët më të zëshëm të kulturës dhe elitës politike si derivat gjenealogjik i nomenklaturës komuniste.[6]

Dhjetëvjeçarin para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.[3]

VepraRedakto

 
Dëshmitar në kohë historike 1966-1974 - Ditar I

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.[2]

Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.[nevojitet citimi]

ProzëRedakto

Rexhep Qosja ka botuar disa romane: "Vdekja më vjen prej syve të tillë" (1974), "Një dashuri me shtatë faje" (2001), "Nata është dita jonë" (2007) dhe "Bijtë e askujt" (2010).

Përveç në Prishtinë romani "Vdekja më vjen prej syve të tillë" është botuar në vitin 1987 edhe në Tiranë, me inisiativë të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili kishte lexuar botimin e shtëpisë botuese Rilindja të Prishtinës dhe e kishte pëlqyer. Më vonë Kadare e rekomandoi romanin e Qosjes edhe në Francë dhe ai u botua atje,[7][8] në vitin 1994 me parathënie të Kadaresë.[9]

Qosja ashtu si shkrimtarët tjerë shqiptarë është ndikuar nga Ismail Kadare. Një rast i tillë është romani i Qosjes Një dashuri me shtatë faje i botuar më 2001, që është i ngjashëm me romanin e Kadaresë Krushqit janë të ngrirë botuar më 1986. Ngjashmëritë janë protagonisti i cili është mjek në të dy rastet, antagonisti që është UDB, vendi është Spitali i Prishtinës, viti është 1981, faji i protagonistit është mjekimi ose nderimi i viktimave të demonstratës. Studiuesi Ag Apolloni pohon se ngjashmëri të tilla ka edhe te shkrimtarët e mëdhenj botërorë dhe ato nuk ua ulin vlerën veprave.[10]

Nga proza Qosja ka botuar edhe tregimin "I ringjalluri i penduar" i cili mund të quhet edhe novelë ose roman. Ky tregim është satirë që fshikullon politikanët kosovarë të pasluftës.[11]

EseRedakto

Eseja "Çështja Shqiptare" e Qosjes në vitin 1995 u përkthye dhe u botua në Francë nga shtëpia botuese Fayard.[12]

Në këtë vepër të përkthyer në frëngjisht Qosja do të deklaronte:[13]

«Perandoria Osmane ka ngritur mur mes shqiptarëve dhe Evropës, në radhë të parë me ideologjinë fetare islame»

Me botimin e vëllimit Identiteti evropian i shqiptarëve nga Ismail Kadare më 2006 si replikë ndaj vëllimit të Qosjes Ideologjia e shpërbërjesu bë shkas për rrahjen e kësaj teme, Qosja iu përgjigj brenda vitit me esetë Idetë raciste të Kadaresë dhe Realiteti i shpërfillur.[14] Kundëpërgjigjja e Qosjes çoi Kadarenë drejt reagimit dhe kështu u zhvillua një debat mbi identitetin kombëtar. Qendra e mendimit të Qosjes është se identiteti mbarëshqiptar në gjerësinë e tij ngërthen elemente të të dy qytetërimeve, si atij perëndimor, si atij lindor.[15] Në veprën Identiteti Evropian i Shqiptarëve, Kadare i ka kritikuar ashpër qëndrimet e Qosjes:[16]

«Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa. Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.»

DramaRedakto

Qosja ka shkruar dramat Beselam pse po më flijojnë, Sfinga e gjallë dhe Vdekja e një mbretëreshe, botuar në vitin 1978 nën titullin e përbashkët "Mite të zhveshura". Dramën e parë, Sfinga e gjallë, e nisi po atë vit që përfundoi romanin e parë, Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), dhe e inskenoi në vitin 1976.[17]

DebateRedakto

Debati mbi Enver Hoxhën.Redakto

Në një intervistë dhënë gazetares Rudina Xhunga me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Qosja e cilësoi jonormale injorimin që i bëhej Enver Hoxhës. Sipas tij, Hoxha: [18]

«[...] e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte përpara...i siguroi atij populli bukën,[...] ndërtoi një shtet bashkëkohor me të gjitha institucionet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore. Nuk mund t’i harrojmë këto. Shqipëria sot ndriçohet edhe me hidrocentrale që ka ndërtuar ai regjim, apo në radhë të parë me ato termocentrale. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë prej përmbytjeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. U rritën tani kënetat, u rritën aq shumë sa po bëhen vërshime ashtu si Shkodra sepse regjimi i sotëm nuk po i kushton rëndësi ose i la të shkatërrohen ato që i kishte ndërtuar ai regjim me Enver Hoxhën në krye për mbrojtjen e qyteteve, fshatrave, fushave prej vërshimeve dhe brakave. Nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojmë këto. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme.[...]»

Sipas Qosjes Shqipëria nuk ishte vendi i vetëm ku u pushkatuan njerëzit pas luftës, duke e krahasuar me terrorin ne vendet tjera komuniste në Shqipëri dhuna qe në përpjestime më të vogla. [18]

Sipas Sali Berishës Qosja po lartësonte figurën e Enver Hoxhës, me justifikimin se ai ka bërë institucione serioze, dhe po injoronte faktin që shqiptarët ia kishin zvarritur bustet që kishte pasur në çdo qytet të Shqipërisë. [19]

Pas ankesës së demokratëve lidhur me shfaqjen e fotografive të liderit shqiptar Enver Hoxha në festimet e çlirimit të Shqipërisë, Rexhep Qosja mbrojti shfaqjen e tyre duke argumentuar se në vendet demokratike nuk dënohej nxjerrja publike e fotografive të figurave të mëhershme politike. Si shembull mori Rusinë ku sipas Qosjes nuk ndalohet nxjerrja publike e fotografive të Leninit dhe Stalinit.[20]

Qosja sulmoi mentalitetin komunist:

«[...] ish-sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës, Sali Berisha, i cili kishte bërë shumë përpjekje, qoftë edhe përmes djemve të Enver Hoxhës, për të hyrë në shtëpinë dhe në ekipin e mjekëve të tij! Dhe, ky trabant i komunizmit, që aq egër do të çohet kundër idhullit të vet vetëm pas vdekjes së tij, do ta quajë sot Enver Hoxhën Hitleri shqiptar![...]»

Qosja e kritikoi ashpër krahasimin e Enver Hoxhës me Hitlerin, duke e quajtur marrëzi, shpifje dhe akuzë poshtëruese kundër popullit shqiptar, i cili e kishte kënduar, duartrokitur, madhëruar në vepra arti dhe e kishte quajtur figurë e madhe kombëtare. [20]

Kjo nxiti replikë nga deputetja demokrate Mesila Doda e cila e quajti Qosjen «marksist-leninist i degraduar».[21]

Duke qenë se po rivarroseshin eshtrat e Mbretit Zog I e quajti periudhën qeverisëse të tijën "rend feudal". Kjo solli një valë reagimesh që e cilësuan Qosen sikur po "vetëzbulohej si despot dhe enverist",[22] dhe qëndrimet e tij si "shpalosja e radhës e enverizmit dhe përçarja e kombit shqiptar".[23]

Debati mbi korigjimin e kufinjveRedakto

Në debatin që u zhvillua në vitin 2018, Qose është deklaruar pro idesë së korrigjimit të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë.[24] Qosja e ka goditur Sali Berishën për deklaratën e tij se çështja e kufinjve të Kosovës ishte shndërruar në lajm kryesor rajonal dhe botëror nga serbomëdhenjtë e Beogradit dhe argatët e tyre në Prishtinë. Sipas Qosjes, Berisha nuk kishte të drejtë morale të fliste kur ai "duke e thyer embargon e vendosur prej faktorëve ndërkombëtar ndaj Serbisë,me naftën e Shqipërisë e ka furnizuar ushtrinë serbe që masakronte shqiptarë në Kosovë."[25]

BibliografiaRedakto

VepraRedakto

Vepra të përkthyeraRedakto

  • Živa sfinga, Jedinstvo, Priština, 1976.
  • Smrt vreba iz očiju, Narodna knjiga, Beograd, 1976.
  • Književnost i kritika, Prosveta, Beograd, Jedinstvo, Priština, 1979.
  • Smrt preži v očeg, Mladinska knjiga, Ljubljana, 1979.
  • Smrta mi ide ot takiva oči , Hristo Danov, Plovdiv, 1982.
  • Beselam pse më flijojnë (arabisht), Kuvajt, 1983.
  • La mort me vient de ces yeux là, Gallimard, Paris, 1994.
  • La question Albanaise, Fayard, Paris, 1995.
  • In solchen Augen lieg der Tod, Hayman Verlag, Innsbruck, 1995.
  • Die ogen en de dood, Van Genep, Amsterdam, 1996.

NderimeRedakto

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë - 7 Korriku, më 1975. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani i dha çmimin “Nderi i Kombit”.[2]

Për romanin "Bijtë e askujt" iu dha çmimi “Pjetër Bogdani” më 2010. Më 22 qershor 2012[26] iu dorëzua çmimi letrar Beqir Musliu.[1]

FamiljaRedakto

I vëllai, Isa Qosja është regjisor.[3]

ReferencatRedakto

  1. ^ Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Zija Xholi, Ylli Vejsiu (2009). Fjalor enciklopedik shqiptar: N-Zh dhe një shtojcë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. f. 2187. 
  2. ^ a b c d Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. "Rexhep Qosja, anëtar i ASHAK,". ashak.org. 
  3. ^ a b c Elsie, Robert (2004). Historical Dictionary of Kosova. Scarecrow Press. f. 147.  9780810853096. 
  4. ^ Sulstarova, Enis (2012). Iacob, Bogdan, red. Constructing Albanian Communist Identitety Through Literature. History of Communism in Europe. 3. Zeta Books. f. 145.  9786068266275. 
  5. ^ Judah, Tim (2008). Kosovo: What Everyone Needs to Know. Oxford University Press. f. 72.  9780199741038. 
  6. ^ Trencsenyi, Balázs (2018). A History of Modern Political Thought in East Central Europe. 2. Oxford University Press. f. 206.  9780198829607. 
  7. ^ Zija Cela (7 April 2018). "Si u botua në Tiranë romani i Rexhep Qosjes". Marrë më 24 June 2019. 
  8. ^ Zija Çela (7 April 2018). "Zija Çela: Një bashkëpunim me Kadarenë, mbi humbjet e kujtesës". Marrë më 24 June 2019. 
  9. ^ Elsie, Robert (2011). Historical Dictionary of Kosovo. The Scarecrow Press. f. 386. 
  10. ^ Apolloni, Ag (2012). Paradigma e Proteut. OM. f. 290=291.  9789951632041. 
  11. ^ Apolloni, Ag (6 June 2016). "Shpata e satirës". 
  12. ^ https://www.fayard.fr/documents-temoignages/la-question-albanaise-9782213594118
  13. ^ Rexhep Qosja (15 shkurt 2019). ""Çështja Shqiptare" viti 1998 Qosja: "Perandoria Osmane ka ngritur mur mes shqiptarëve dhe Evropës. Robëria turke e ka cenuar rëndë zhvillimin e popullit shqiptar"e". Marrë më 29 June 2019. 
  14. ^ Xhaferi, Përparim (21 janar 2017). "The Political Contribution of Albanian Writers in Defining Albanian Identity: the Debate between Ismail Kadare and Rexhep Qosja" (PDF). European Journal of Language and Literature. 3: 121–128.  2411-4103. 
  15. ^ Brisku, Adrian (2013). Bittersweet Europe: Albanian and Georgian Discourses on Europe, 1878-2008. Berghahn Books. f. 184.  9780857459855. 
  16. ^ Kadare, Ismail (2006). Identiteti Evropian i Shqiptarëve. Onufri. f. 16-17. 
  17. ^ Ag Apolloni (12 maj 2017). "Demitizimi në dramën postmoderne". Marrë më 27 June 2019. 
  18. ^ a b Qosja, Rexhep (19 November 2012). "Rexhep Qosja: Enver Hoxha ishte diktator, por ndertoi nje shtet bashkekohor". Marrë më 4 dhjetor 2018. 
  19. ^ http://www.gazetatema.net/2012/12/10/berisha-rama-dhe-rexhep-qosja-po-lartesojne-figuren-e-enver-hoxhes-duke-me-ulur-mua/
  20. ^ a b Rexhep Qosja (23 December 2013). "Qosja: Nuk mund të thuhet se Enveri ishte si Hitleri, ky është poshtërim për shqiptarët – Gazeta Tema". Marrë më 28 March 2019. 
  21. ^ Mesila Doda (23 December 2013). "Mesila Doda replikon me Rexhep Qosen: Është një marksist-leninist i degraduar – Gazeta Tema". Gazeta Tema. Marrë më 28 March 2019. 
  22. ^ Dervishi, Kastriot (21 nëntor 2012). "Rexhep Qosja vetëzbulohet si despot dhe Enverist: analiza politike për figurat historike". 55. 322: 16–17. 
  23. ^ Kareco, Theodor (17 dhjetor 2012). "Ideologu enverist Rexhep Qosja përçan shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë". 55. 347: 21. 
  24. ^ Rexhep Qosja (November 2018). "Qosja është pro idesë së korrigjimit të kufijve me Serbinë, sqaron pse është pro këtij projekti". Telegrafi. Marrë më 28 March 2019. 
  25. ^ https://www.koha.net/arberi/115989/qosja-ndash-berishes-ske-te-drejte-politike-e-morale-te-flasesh-per-ceshtjen-e-kufijve-te-kosoves/
  26. ^ Nijazi, RAMADANI (22 qershor 2012). "Gjilani "Çmimin letrar- Beqir Musliu", ia dorëzoi akademikut Rexh‏ep Qosja,". 2lonline. Marrë më 11 qershor 2019.