Rrezikshmëria dhe patologjitë nga azbesti/amianti
Amianti konsiderohet si një nga substancat më të tmerrshme, më dëmprurëse në historinë moderne të botës së punës. Ai është vdekjeprurës për njeriun.
Karakteristikat që e bëjnë të rrezikshëm Amiantin
RedaktoAmianti konsiderohet i rrezikshëm për disa karakteristika të tij.
Së pari për shkak të aftësisë që ka për të lëshuar fibra që potencialisht mund të thithen nëpërmjet frymëmarrjes.
Së dyti, tjetër element i rrezikshëm është aftësia e fibrave të amiantit për t’u ricopëzuar në fije gjithmonë e më të vogla.
Së treti, këto fibra, në sajë të strukturës së tyre gjatësore dhe me grepçe si “këmbë insektesh”, kanë aftësi të jashtëzakonshme të fiksohen në paretet anësore të organeve të brendshme të njeriut.
Pra, pikërisht ekspozimi ndaj këtyre fibrave është përgjegjës për patologji të rënda dhe të pashërueshme kryesisht të aparatitt të frymëmarrjes.
Për të kuptuar më saktë rrezikshmërinë e Amiantit mjafton të themi që qoftë edhe një fibër e vetme mund të bëhet shkak për këto patologji. Fibrat e Amiantit kanë një raport gjatësi/gjerësi 3:1, dhe janë me dimensione aq të vogla sa mund të futen lehtë në brendësi të trupit të njeriut: në gjerësinë lineare të 1 fijeje floku normal të njeriut mund të vendosen rreth 1.400 fibra Amianti. Këto fibra kanë karakteristika të tilla që mund të rrinë lehtë pezull në ajër dhe të transportohen në distanca të mëdha, dhe prandaj rrezikshmëria nuk është e kufizuar në zonat ku Amianti çlirohet.
Llojet e ndryshme të amiantit
RedaktoPor, duke pranuar faktin që është i dëmshëm, a është Amianti gjithmonë i rrezikshëm? Jo! Shkriftueshëmria është kriteri bazë për vlerësimin e rrezikshmërisë së ekspozimit ndaj Amiantit. Për të shmangur panikun e panevojshëm, bëhet një klasifikim. Sipas aftësisë për të lëshuar fibra në ajër, materjalet me përbërje Amianti klasifikohen në dy kategori:
- Amiant i shkrifëtueshëm
- Amiant I pashkrifëtueshëm, kompakt
Materjalet me Amiant të shkrifëtueshëm janë edhe më të rrezikshmit. Arsyeja qëndron në faktin që ky lloj Amianti mund të pluhurëzohet edhe me një presion të thjeshtë manual, dhe për shkak të kohezionit të ulët të brendshëm mund të lëshojnë fibra në mënyrë spontane, sidomos nëse i ekspozohen tronditjeve, korrenteve të ajrit, infiltrimit të ujit, ose nëse këto materjale dëmtohen gjatë punimit. Shembull klasik i këtij lloji Amianti është veshja e tubacioneve industriale me shtresa Amianti të shkrifëtueshëm të presuar.
Amianti kompakt, është I parrezikshëm për sa kohë që mbetet kompakt dhe nuk lëshon fibra. Pra, rreziku bëhet eminent vetëm nëse ky materjal dëmtohet fizikisht, sharrohet, çpohet, abrazohet, apo amortizohet nga koha. Rast klasik për këtë është i ashtuquajturi “Eternit”, i cili mund të lëshojë fibra Amianti nëse ngacmohet mekanikisht, ose i dëmtohet kompaktësia nga agjentët atmosferikë.
Patologjitë e shkaktuara nga ekspozimi ndaj Amiantit
RedaktoAmianti është material kancerogjen i nivelit të lartë. Futja e tij në trupin e njeriut kryhet nwpwrmjet frymwmarrjes apo kapërdimit. Ekspozimi edhe ndaj shumë pak fibrave të amiantit, që mund të mbeten në brendësi të mushkërive mund të provokojë, edhe pas disa dekadave, kancer dhe sëmundje të aparatit respirator.
BE vlerëson se “amianti është një problem i rrezikshëm për vdekje”. Vlerësime të EPA thonë se ekspozimi ndaj amiantit (azbestit) shkakton 3.000-12.000 raste kanceri në vit ne SHBA, pjesa dërrmuese e të cilëve janë vdekjeprurës. Gjithashtu, rreth 65.000 amerikanë vuajnë nga asbestoza (gërryerje e indeve të mushkërive që mund të degjenerojë në pneumoni, apo kancer të mushkërive). Edhe në Europë numri i viktimave rritet vazhdimisht duke u cilësuar si një „katastrofë e vazhduar”. Por, megjithese eshte nje emergjencë edhe aktualisht, është shumë i rëndësishëm vlerësimi i BE se „pasojat e ekspozimit të europianëve ndaj amiantit ende nuk kanë arritur pikën më të lartë të shfaqjes së tyre: vetëm rreth vitit 2030 numri i të prekurve do të arrijë kulmin”.
Rrezikshmëria e amiantit për shëndetin është e lidhur me fibrat nga të cilat është i përbërë, dhe që mund të lëshohen dhë të jenë prezent në mjedise pune dhe jetese. Ekspozimi i njerëzve ndaj amiantit konsiderohet si shkak kryesor për sëmundje të aparatit respirator (azbestoza, Carcinoma polmonare) dhe të membranave sieroze (mesoteliomat). Këto sëmundje shfaqen pas shumë vitesh nga ekspozimi: nga 10-15 vjet për azbestozën, dhe 20-40 për carcinomën polmonare dhe mezoteliomën.
Azbestoza
RedaktoAzbestoza është një sëmundje profesionale, patologji kronike, tipike e punëtorëve që i ekspozohen për shumë vjet nxjerrjes apo përpunimit të Amiantit. Është sëmundja e parë që u korrelua me kapërdimin e amiantit nga njeriu. Është sëmundje që shkakton shkallë të lartë invalidateti. Konsiston në ngurtësimin e tesutit polmonar me pasojë vështirësim kronik të frymëmarrjes, vështirësim të theksuar të shkëmbimit të oksigjenit ndërmjet ajrit të freskët dhe gjakut, dhe dhimbje kronike kraharori. Këto mund të ishin simptomat e një tumori.
Karcinoma
RedaktoKarcinoma polmonare mund të verifikohet edhe në vijim të ekspozimit nga doza të ulëta. Kjo sëmundje e rëndë shkaktohet edhe nga: tymi i duhanit, nga kromi, nikeli, materjali radioaktiv, dhe ndotës të tjerë mjedisorë. Tymi i duhanit e përforcon mjaft efektin kancerogjen të amiantit dhe për rrjedhim shton mjaft probabilitetin e prekjes nga kjo sëmundshmëri. Rasti i bashkëveprimit të amiantit me duhanin është tipik i “efektit sinergjistik” të ndotësve të ndryshëm në shëndetin e njeriut. Nëse personi që ekspozohet ndaj amiantit është edhe duhanpirës, mundësitë për t’u prekur nga sëmundjet me bazë amiantin, janë të dhjetrafishta në krahasim me një përson tjetër jo-duhanpirës.
Mezotelioma
RedaktoMezotelioma është një tumor i rrallë i membranës që vesh mushkërinë (pleura) ose zorrët (peritoneo). Kjo sëmundje asociohet fort me ekspozimin ndaj fibrave të amiantit qoftë edhe në doza të vogla.
Pervec kesaj ka edhe patologji me karakter gastroitestinale dhe te laringut per te cilat lidhja me asbestin mendohet të jetë me e dobet, keshtu qe ngelet te zbulohet ne menyre definitive nje varesi e sigurte.
Ekspozimet në mjedise shtëpiake, në përgjithësi, janë më të ulëta se ato professionale. Megjithatë nuk duhen nënvleftësuar, sepse vlerësohet që efekti neoplastik teorikisht nuk ka nivele pragu.
Burimi:
HANXHARI R., VASILI P., SINOIMERI A., LUZATI A., DRACI B., AMIANTI/AZBESTI, vrasësi i fshehtë kancerogjen Emergjenca “AMIANT” në Shqipëri (STUDIM MONOGRAFIK), Tiranë 2012, Infografika, ISBN 978-9928-4110-7-5