Sanije Gashi

gazetare shqiptare
This is the stable version, checked on 11 shkurt 2024. 1 pending change awaits review.

Sanije Gashi është gazetare, publiciste, editore dhe luftëtare për emancipimin e gruas. Është ndër të parat gazetare shqiptare dhe më e njohura, që bën gazetari aktive plot 55 vjet, e cila arriti të bëhej emër me konsideratë përmes shkrimeve që kishin për qëllim ngritjen e gruas shqiptare në çdo pikëpamje. Është themeluese e dy revistave, Kosovarja dhe Teuta.

Sanije Gashi, Gazetare / Publiciste

Biografia

Redakto

U lind në Prishtinë, ku dhe kreu të gjitha nivelet e arsimimit, tetëvjeçaren, shkollën Normale, Shkollën e Lartë Pedagogjike, si dhe studioi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Profesionin e gazetarisë e nisi në shtator të vitit 1965, në revistën Zani i Rinisë. Në nëntor të vitit 1971 emërohet redaktore e revistës Kosovarja, që doli në dritë po atë vit, kurse më 1975 emërohet kryeredaktore e saj. Këtë revistë e drejtoi plot 18 vjet. Në maj të vitit 1994, tashmë gazetare me përvojë, themeloi revistën e parë të pavarur për gruan dhe familjen, Teuta, e vetmja e këtij profili jo vetëm në Kosovë.

Sanija, e cila gazetarisë ia kushtoi një jetë të tërë me përkushtim të lartë, gjatë gjithë kohës u angazhua në dobi të gruas, mbështeti arsimimin e saj, të menduarit në mënyrë bashkëkohore dhe të lirë, luftën për të drejtat njerëzore, vetëdijesimin për t’ia hapur vetes shtigjet e jetës, gjithnjë në shërbim të krijimit të një të ardhmeje më të mirë. Ngriti dhe trajtoi tema me interes, intervistoi personalitete të shquara, shkroi për përjetimet e rënda të grave shqiptare gjatë luftës së fundit.

Është bashkëthemeluese e Forumit të Gruas të LDK-së dhe veprimtare që në orët e para të themelimit. U angazhua në dy drejtime parësore, në medie dhe në Kryesi të Forumit. Në pranverë të vitit 1990 u zgjodh në Kryesinë e Shoqatës për Zhdukjen e Analfabetizmit në Kosovë Motrat Qiriazi.

E angazhuar në kohë të rrezikshme, me delegacionin tre anëtarësh kosovar u takua në Paris me kryetaren për të Drejtat e Njeriut, Danielle Mitterrand, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, veçanërisht të fëmijëve (1 tetor 1990); Ishte pjesëmarrëse në themelimin e Degës së parë të LDK-së për Gjermani, në Frankfurt (tetor 1990); merrë pjesë në Tribunën politike në Babenhausen (Gjermani), bashkë me Prof. Fehmi Aganin, organizuar nga bashkatdhetarët, me rastin e 2 korrikut, shpalljes së Deklaratës Kushtetuese; merrë pjesë në demonstratat e organizuara nga shqiptarët në Bon (Gjermani), ku paraqitet me fjalën e saj; si dhe në Seminarin Aksionar për të Drejtat e Njeriut dhe për Demokracinë në Kosovë, në Bruksel, në temën Preventimi për parandalimin e luftës në Ballkan (10 shkurt 1993). Si veprimtare e FG të LDK-së, bashkë me koordinatoren e forumit, ia dorëzon kryetarit të Qeverisë Jugosllave, Stipe Mesiq, peticionin e nënshkruar nga 220 mijë nëna shqiptare, me rastin e vrasjes së fëmijës 11-vjeçar, Afrim Prebreza (Zagreb, korrik 1991). I njëjti peticion i dorëzohet kryetarit të RP të Shqipërisë, Ramiz Alia (27 korrik 1991). Me atë rast realizohet edhe takimi i parë i grave kosovare me gratë shqiptare, pas gati gjysmë shekulli të ndara. Merrë pjesë në protestën masive të 13 qershorit 1991 si më të rrezikshmen Varrimi i Dhunës ndaj shqiptarëve (ndodhet në rradhë të parë), me kërcënimet për likuidim të protestuesëve nga policia serbe; në FG të LDK-së e bashkorganizon protestën masive të grave të kryeqendrës (korrik 1991), etj.

Duke i cilësuar shkrimet në revistën që po e drejtonte si armiqësore dhe shqetësuese për opinionin serb, gazetat serbe të Beogradit (Borba, Politika, Politika Ekspres), Jedinstvo e Prishtinës e Radio Televizioni i Prishtinës - emisioni në gjuhën serbe, e kritikojnë si të papërshtatshme për rrethin, sidomos në kohën e kthimit të ushtarëve shqiptar në arkivole nga armata jugosllave. Me shkrimet në revistë si dhe me veprimtarinë e saj si anëtare e FG të LDK-së, arrestohet dy herë dhe burgoset nga regjimi serb në janar të vitit 1992. Në Gjyqin për Kundërvajtje në Prishtinë dënohet me urgjencë, me motivin se me shkrimet shqetësuese për opinionin serb ka shkaktuar Fyerje të ndjenjave nacionale të qytetarëve (Vredjanje nacionalnih osecanja gradjana). Për periudhën e rëndë të okupimit, është gazetarja dhe veprimtarja e vetme e arrestuar dhe e dënuar me burgim.

Botimet

Redakto

Me përfundimin e luftës në Kosovë, pos vazhdimit të botimit të revistës Teuta, realizon edhe botime-extra në kuadër të revistës:

  • Rehabilitimi i familjes pas luftës (1999),
  • Rikthimi i fëmijëve të stresuar në jetë normale (1999),
  • Shtatzënësia dhe amësia (botimi i 3-të, 2004);
  • Barazia gjinore dhe ndërtimi i paqes (2006).

Është autore e librave

Redakto
  • Gatojsa (1982);
  • Gatojca (1989);
  • Histori të tmerrit 1998-1999 / dosje krimesh lufte, rrëfime të grave (2009);
  • Ecje nëpër kujtesë, tregime jete të grave me karrierë (2010);
  • Ecje nëpër kujtesë botimi i dyte i plotësuar (2012);
  • Prishtina e fëmijërisë sime (2013);
  • Gjurmë ndër vite (2015);
  • PRISHTINA Monografi Unike - Shqip/Anglisht, botimi i dyte (dhjetor 2016),
  • PRISHTINA Monografi Unike - botimi i tretë (2020)
  • PRISHTINA Monografi Unike - Historia dhe kultura e qytetit - botimi i katërt (2020)
  • Jetë Gazetarie - Autobiografi Monografike (2020)
  • Zonjat intelektuale që lanë gjurmë në kulturën shqiptare (2021)
  • PRISHTINA, Trashëgimia kulturore e qytetit (2022)
  • Dosje Krimesh të Luftës, Rrëfime të grave (2023)
  • Prishtina në kujtime - Ruajtja e identitetit historik (2023)

Librat e përkthyer në gjuhët e huaja

Redakto
  • Serbian Crimes in Kosovo 1998-1999 / Appalling true stories of Albanian women's suffering, told first-hand (dhjetor 2015)
  • Ororile războiului din Kosova 1998-1999, Dosarul crimelor de război, mărturiile femeilor (2010) (Histori të tmerrit, Kosovë 1998-1999 - në gjuhën rumune)
  • Prishtina, a unique monograph, (2016)

Shpërblimet

Redakto
  • Çmimi 'Gazetare e shquar e Kosovës për punë dhe realizime të suksesshme në gazetari' - nga SNJ / Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, 1982;
  • Medalje për punë - nga NGB Rilindja, 1985;
  • Mirënjohje Publike, nga NGB Rilindja, 1980;
  • Me dekret të Presidencës, nderohet me Medalje të Argjentë për meritat dhe sukseset e arritura në punë, 31.12.1984;
  • Mirënjohje Publike, 1985;
  • Dy herë e nominuar për Shpërblimin e Nëntorit (Dita e Prishtinës) - Njësia e Revistave, NGB Rilindja;
  • Mirënjohje për angazhim të veçantë profesional dhe kontribut të çmuar në avansimin e pozitës së gruas në Kosovë, nga Ministria e Shërbimeve Publike, 2007
  • Mirënjohje nga Kuvendi i Kosovës, Grupi i Grave Deputete, për kontributin në avancimin e pozitës së gruas në Kosovë, 24 mars 2012;
  • Çmimi ‘Mbretëresha Teutë’ nga Klubi i Femrave Shqiptare të Kroacisë ‘Mbretëresha Teuta’, për kontributin e dhënë në promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, Zagreb, 18 maj 2012;
  • Çmimi për vepër kapitale “Prishtina e fëmijërisë sime” nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Panairi i 16-të i librit, Prishtinë, 7 qershor 2014;
  • Çmimi “Ramiz Kelmendi” nga Festivali i Letërsisë FLO, Mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm pesëdhjetëvjeçar dhënë gazetarisë dhe publicistikës në Kosovë, Orllan, korrik 2015

[1] [2]

Referime

Redakto