Shaip Beqiri ka lindur në vitin 1954 në Kosovë. Prej vitit 1973 deri më 1979 ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, ku pastaj i ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare. Paralelisht me studimet ka punuar mësimdhënës, redaktor i kulturës, publicist dhe poet. Në vitin 1976 ka botuar librin e tij të parë. Në fillim ka punuar një kohë të shkurtë mësimdhënës në Gjimnazin e Besianës; pastaj në vjetët 1976 - 1977 ka qenë redaktor i rubrikës së kulturës i gazetës së studentëve të Kosovës Bota e re; në vjetët 1977 - 1993 poashtu redaktor i rubrikës së kulturës i revistës Zëri; në vjetët 1990 - 1995 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Buzuku; në vjetët 1990 - 1992 anëtar i redaksisë së të përkohshmes për kulturë, art e letërsi Fjala; ndërkaq në vjetët 1993 - 1994 e ka themeluar dhe udhëhequr (bashkë me Adem Demaçin) të përjavshmen politike Forumi dhe më 1995 të përjavshmen tjetër Zeniti. Për aktivitetet kulturore dhe publicistike është dënuar dy herë me burg nga regjimi serb. Në vitin 1995 shkon në Zvicër ku ka kërkuar azil politik. Prej atëherë jeton në Bern. Në fillim ka bashkëpunuar me disa gazeta e revista shqipe të diasporës, pastaj ka mbajtur kurse të gjuhës shqipe për gjermanofonët dhe u ka dhënë mësim fëmijëve të refugjatëve shqiptarë. Është paraqitur në manifestimin qendror letrar zviceran Ditët e Letësisë në Solothurn (1997) dhe ka qenë i ftuar në Panairin e Librit në Frankfurt për të prezentuar Letërsinë e Pestë të Zvicrës (1998) etj. Shaip Beqiri është i martuar dhe ka pesë fëmijë. Prej vitit 1976 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse prej vitit 1998 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës.