Shkëputja nga Bizanti dhe ekspansioni serb në trevat shqiptare

Fundi i pranisë anzhuine dhe shtrirja e depërtimit serb në Shqipëri

Redakto

Me thyerjen përfundimtare të ushtrive anzhuine në Berat më 1281, Perandoria Bizantine e rivendosi edhe një herë autoritetin e vet në Shqipëri, por kontrolli i saj kufizohej tani në një zonë më të ngushtë në krahasim me fundin e shek. XII. Në krahun verior bizantinët morën Durrësin dhe Krujën, por nuk arritën të shtriheshin më tutje. Atë kohë mbreti serb Stefan Uroshi II Milutin (1282-1321) kishte nisur një mësymje në front të gjerë në gjithë vijën Mat-Ohër. Madje, më 1296 ai mundi të pushtonte përkohësisht edhe Durrësin, ndërkohë që në krahun lindor ushtritë serbe nuk mundën t'i afrohen Oherit, të mbrojtur nga fisniku shqiptar, Progon Skurra. Një mbishkrim mbi murin e kishës së Shën Klementit në Ohër, rindërtuar prej tij në vitin 1295, kujton se Progoni mbante titullin e lartë bizantin të heteriarkut të madh dhe se gruaja e tij, Eudokia, ishte mbesë e perandorit Androniku II Paleolog.

Gjithsesi paqja e arritur më 1299 midis perandorit Androniku II të Bizantit dhe mbretit serb Uroshi II ua njohu serbëve territoret e pushtuara në veri të Durrësit e të Ohrit. Megjithatë, ato vazhduan të jenë një zonë jo e qetë. Nga njëra anë, inkursionet serbe vazhduan edhe paskëtaj në jug të Matit, por, nga ana tjetër, në vitet e para të shek. XIV vihet re një riaktivizim i anzhuinëve të Napolit në Shqipëri. Vërshimi i serbëve në trevën e Durrësit dhe të Arbrit të hershëm prekte edhe interesat e anzhuinëve e të Papatit, të cilët vazhdonin ta konsideronin veten si titullarë të pushtetit laik e fetar në ato treva. Rikthimi i anzhuinëve në Shqipëri u mirëprit edhe nga vetë fisnikëria shqiptare, e cila shpresat e një ndalimi të mësymjes serbe i varte tashmë te bashkëpunimi me botën perëndimore katolike. Në shtator 1304 bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matrënga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishi, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karli II Anzhu. Nga ai çast trashëgimtari i fronit të Napolit mori dhe titujt zot i Mbretërisë së Arbrit dhe despot i Romanisë (Epirit). Në pranverë të vitit 1305 princi Filip i Tarentit zbarkoi me një ushtri në Durrës dhe me ndihmën e vendasve e mori qytetin. Megjithatë, ofensiva e re anzhuine u shua shumë shpejt. Marrëdhëniet e princit të Tarentit me fisnikët shqiptarë u prishën dhe po atë vit ky u kthye në Itali me synim që të vinte përsëri në pranverën e ardhshme me një ushtri më të madhe.

Megjithatë, edhe paskëtaj anzhuinët nuk mundën ta shtrijnë kontrollin e tyre përtej Durrësit. "Vasalët" e tyre shqiptarë nuk mungonin të ngrinin krye dhe të këputnin çdo lidhje me kryezotin e përtejdetit, sa herë që ky kërkonte ta ndërtonte një pushtet real në Durrës dhe në "Mbretërinë e Arbrit". Në pamundësi të realizonin synimet e tyre në Shqipëri, në vitin 1311 anzhuinët e Napolit menduan për një çast t'i ndërronin zotërimet e tyre me Sicilinë. Por titullari i kësaj të fundit, Frederiku i Aragonës, i informuar se anzhuinët nuk zotëronin një pushtet real në Durrës dhe në trevën e Arbrit, nuk e pranoi ofertën, megjithëse këto territore, siç shprehej ai, "ishin shumë të pasura dhe bujare" (que es molt noble e rich).

Në këtë mënyrë, në Durrës dhe në prapashpinën e tij vazhdoi të ruhej edhe paskëtaj një sovranitet gjithnjë e më formal i anzhuinëve. Për bashkësinë qytetare të Durrësit dhe për fisnikërinë feudale të Arbrit, mbajtja e lidhjeve me anzhuinët konsiderohej e dobishme, sidomos tani kur serbët po mësynin gjithnjë e më fort drejt jugut. Midis anzhuinëve dhe serbëve vazhdonin të ekzistonin marrëdhënie aleance, që këta të fundit hë për hë nuk donin t'i prishnin. Në fakt marrëveshja e arritur më 1308 kishte rikonfirmuar zonat e ndikimit anzhuin e serb në Shqipëri edhe për vitet e ardhshme.

Anzhuinët dhe Papati filluan t'u përgjigjen realisht ftesave të aristokracisë shqiptare për t'iu kundërvënë ofensivës serbe në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XIV, kur plasën hapur kundërshtitë serbo-anzhuine mbi sundimin në Shqipëri e në Dalmaci dhe kur u fik çdo shpresë e Romës lidhur me një kthim të mbretërve serbë në fenë katolike.

Aty nga viti 1318 serbët shpërthyen një ofensivë të re në Shqipëri, duke pushtuar Durrësin dhe Arbrin bashkë me Krujën. Atë kohë u krijua një koalicion antiserb i fuqive katolike, të bashkërenduara nga papati, në të cilin kishin një rol të rëndësishëm edhe shqiptarët. Në pranverën e vitit 1319 një numër fisnikësh shqiptarë nga dyert Blinishti, Jonima, Arianiti, Matrënga, Muzaka etj., nëpërmjet peshkopit të Krujës, Andreas, i bënin të ditur papa Johanit XXII se ishin gati "të ngrinin krye dhe të hidhnin tej zgjedhën e mbretit të Rashës (Serbisë)". Ata premtonin gjithashtu të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin katolicizmin, duke u ndarë edhe kishtarisht nga pushtuesit serbë.

Si rezultat i kësaj qëndrese të organizuar dhe të bashkërenduar me Papatin dhe me fuqi katolike të Evropës, si Napoli, Hungaria, Kroacia etj., serbët u bllokuan edhe për disa vjet përtej Durrësit dhe krahinës së tij, ku anzhuinët vazhduan të ushtronin një sovranitet përherë e më të vakët.

Shqipëria "bizantine" në gjysmën e parë të shek. XIV. Shkëputja nga Bizanti

Redakto

Nën presionin serb dhe përballë ujdisë së krerëve shqiptarë me anzhuinët e Napolit, qysh në vitet e para të shek. XIV Perandoria Bizantine u detyrua të braktiste Durrësin, Krujën dhe territoret e tyre, duke mbajtur viset në jug të rrjedhës së lumit Shkumbin. Pushteti bizantin u ruajt pak a shumë në mënyrë të qëndrueshme në trevën që përfshinte viset e Myzeqesë, Vlorës, Beratit, Tomorricës, Këlcyrës, Skraparit, Ohrit, Korçës, Kolonjës e Kosturit. Viset poshtë Vlorës e rrjedhës së Vjosës vazhduan, kur më shumë e kur më pak, të bëjnë pjesë në Despotatin e Artës (Epirit). Territoret e fituara rishtazi në veri të tij, Perandoria Bizantine i organizoi në një njësi të veçantë politiko-administrative, Despotatin e Beratit. Qyteti buzë Osumit, përveçse qendër e rëndësishme strategjike, fitoi tani një profil të plotë edhe përsa i përket zhvillimit ekonomik. Roli i tij u rrit së tepërmi pas shkëputjes të rrugës së vjetër Egnatia nga sfera e sundimit bizantin. Berati u bë pika kulmore e arteries së re që lidhte pellgun e Ohrit me portin e Vlorës, e cila u bë porti kryesor bizantin në Adriatik. Gjatë fundit të shek. XIII dhe gjysmës së parë të shek. XIV, në Vlorë shënohet një lëvizje e pazakonshme mallrash. Kanina vazhdonte të luante edhe tani rolin e një kështjelle në mbrojtje të Vlorës. Por Kanina ishte njëherësh rezidenca e parapëlqyer për aristokracinë e krahinës si dhe qendër peshkopale, së cilës perandor Androniku II Paleologu i rikonfirmoi më 1307 të drejtat dhe privilegjet e vjetra.

Përfaqësues i drejtpërdrejtë i pushtetit bizantin në Despotatin e Beratit ishte qefaliu, që ishte para së gjithash një funksionar ushtarak. Në dokumentet e kohës ai cilësohet si "qefaliu i Beratit", por edhe "qefaliu i Vlorës". Në fakt, edhe rezidenca fikse e tij luhatej midis këtyre dy qendrave, që ishin më të rëndësishmet e despotatit. Me qëllim që qefaliu të mbahej sa më shumë nën kontroll, pushteti qendror e vuri atë nën vartësinë e një funksionari epror, i cili ushtronte pushtet të pakufizuar në despotat. Të tillë "guvernatorë të përgjithshëm" në Despotatin e Beratit dëshmohen që nga viti 1277. Ata zgjidheshin gjithmonë nga rrethi familjar i perandorit dhe mbanin tituj të lartë, si megas dukas, despot, protovestiar. Nëse këta zgjidheshin gjithmonë nga rrethi më i afërt familjar i perandorit, qefalitë ishin shpeshherë përfaqësues të aristokracisë lokale. Shqiptarë ishin, p.sh., qefaliu i parë i Beratit, me emrin Stano (1277), ose Gjon Pikerni (1314). Nivelet më të ulëta të administratës dhe të ushtrisë së despotatit përfaqësoheshin në pjesën dërrmuese nga elementi vendas. Fisnikë nga familjet Matrënga, Skurra, Muzaka, Ganxha, Frëngu etj. përmenden vazhdimisht në jetën politike të Despotatit të Beratit. Por tashmë shumë prej këtyre po e shfrytëzonin postin dhe autoritetin për të ndërtuar pushtetin e tyre të pavarur.

Despotati i Beratit fitonte një rol specifik në kuadrin e Perandorisë Bizantine të shek. XIII-XIV. Përveçse përfaqësonte "portën" e vetme bizantine drejt Perëndimit, ai formonte edhe barrierën kryesore përballë ekspansionit të Serbisë drejt jugut. Por, nga ana tjetër, Despotati i Beratit ishte edhe pikëmbështetja nga ku Perandoria Bizantine ushtronte presion mbi Despotatin fqinjë të Artës (Epirit). Ky vazhdonte të ishte, qysh nga viti 1204, një formacion i pavaruar. Despotët e tij bizantino-italianë nga familjet Engjëlli e Orsini, gjatë gjithë viteve 1270-1330 u përpoqën të ruanin pushtetin e tyre kundrejt perandorëve të Bizantit, të cilët këmbëngulnin ta quanin Despotatin si "tokë të tyre", ndërsa despotët e tij si "vasalë" të perandorëve bizantinë. Për të siguruar mbështetje ndaj presionit bizantin, despoti Niqifori I Engjëlli pranoi, më 1294, të bëhej vasal i anzhuinëve të Napolit. Më 1320, despoti tjetër, Nikolla Orsini, kërkoi t'i vinte tokat e tij nën mbrojtjen e Venedikut, duke njohur këtë për kryezot. Nga ana tjetër, despotët e dobët të Epirit nuk ishin në gjendje të mbyllnin çdo portë dhe të kërkonin ballafaqim me Bizantin. Pothuaj të gjithë ata, pas Mihalit II Engjëll (1230-1268), ishin martuar me princesha nga oborri bizantin.

Sidoqoftë kjo lojë e despotëve të Artës, për ta mbajtur mirë sa me anzhuinët e Napolit, aq edhe me perandorët e Bizantit, shpehherë rezultoi të ishte e rrezikshme. Në vitin 1303 e 1306 anzhuinët u shfaqën me ushtri nën muret e Artës për të kërkuar përmbushjen e detyrimeve që rridhnin nga vasaliteti i despotit Thoma (1296-1318). Po ashtu, në vitin 1314 ushtria dhe flota e Despotatit të Beratit, nën komandën e qefalisë Gjon Pikerni dhe protontinit të Vlorës, Gjergj Ganxha, kryen një inkursion mbi Artën nga toka e nga deti. Disa vjet më vonë, më 1308, Janina bashkë me pjesën më të madhe të Vagenetisë (Çamërisë) iu aneksua Despotatit bizantin të Beratit. Si qeveritar të këtij territori të ri bizantin, perandori Androniku II Paleolog caktoi komandantin shqiptar, Sebastin Skurra.

Dhjetëvjeçarët e fundit të pranisë bizantine në Shqipëri, përkatësisht në Shqipërinë e Poshtme, karakterizohen nga dy dukuri që e bënin gjithnjë e më formale lidhjen e saj me Bizantin. Nga njëra anë, ushtria dhe administrata bizantine mbusheshin gjithnjë e më shumë me elementin vendas, kurse, nga ana tjetër, po zgjerohej vazhdimisht numri i zonave autonome, ku pushtetin real e ushtronin krerët dhe zotërit e vendit. Njoftimet historike të viteve 30 të shek. XIV bëjnë të ditur se atë kohë Perandoria Bizantine vazhdonte të ruante kontrollin e saj kryesisht nëpër qytetet dhe kështjellat e Despotatit të Beratit. Rrethinat e tyre, sidomos zonat e brendshme dhe malore, qeveriseshin tashmë nga fisnikët vendas. Me qëllim që t'i mbante të lidhur pas vetes krerët shqiptarë, Perandoria Bizantine u detyrua ta njihte edhe me marrëveshje të veçanta (synthekai) pushtetin e tyre, madje duke i shpërblyer edhe me tituj të lartë bizantinë. Atë kohë, Andrea I Muzaka, zoti i fuqishëm i viseve mes Ohrit, Kolonjës e Beratit, u shpërblye me titullin e lartë bizantin të "despotit", që ishte i dyti në hierarkinë e titujve bizantinë, pas atij të perandorit. Të tjerë fisnikë shqiptarë u nderuan me të tjerë tituj të lartë, si sebastokrator etj.

Megjithatë tensioni midis pushtetit bizantin dhe aristokracisë vendase shqiptare doli në pah gjatë luftërave civile në Bizant (1321-1328) dhe shpërtheu hapur pas ardhjes në fuqi të perandor Andronikut III Paleolog (1328-1341). Midis viteve 1328-1333 Andronikut III iu desh të drejtonte vetë disa fushata ushtarake për të nënshtruar shqiptarët e Ohrit, Devollit, Kolonjës, Epirit e të Thesalisë. Sipas fjalëve të historianit bizantin Johan Kantakuzeni, pjesëmarrës dhe kryekomandant në ato operacione, shqiptarët jetonin në autonomi dhe nuk e njihnin pushtetin e perandorit.

Por kryengritjet shqiptare shpërthenin në vatra të reja, sapo që ushtritë bizantine arrinin të shuanin të mëparshmet. Aty nga mesi i viteve 30 ato mbërritën në shkallën më të lartë të pjesëmarrjes dhe të organizimit të tyre. Atë kohë të pakënaqur nga politika e re centralizuese e këtij perandori dhe të vendosur të shkëputeshin njëherë e mirë nga Bizanti, krerët shqiptarë ngritën në këmbë krahina të tëra. Në Vlorë, Berat, Këlcyrë, Skrapar, Kolonjë e në Ohër, në Epir dhe në Thesali, kryengritësit shqiptarë sulmuan qytetet dhe kështjellat bizantine dhe pjesërisht i morën ato.

Kryengritja shqiptare e shtyu perandorin Androniku III Paleolog të ndërmerrte një fushatë të madhe ushtarake në Shqipëri. I shoqëruar nga domestiku i madh, Johan Kantakuzeni, perandori bizantin hyri në tokat e Despotatit të Beratit në pranverën e vitit 1336. Ushtria bizantine, bërthamën e së cilës e përbënin repartet e zgjedhura me mercenarë osmanë, i shtypi me ashpërsi flakët e kryengritjes. Fshatra të tëra u dogjën, ndërkohë që popullsisë iu rrëmbyen pasuri të paçmueshme në të holla, në produkte e në bagëti. Kantakuzeni flet për 300 mijë kokë qe, 5 mijë kuaj e 1 milion e 200 mijë krerë dhen të rrëmbyera pronarëve shqiptarë. Shtypja e kryengritjes shkaktoi valën e parë të madhe të eksodit shqiptar drejt jugut. Mjaft familje fisnike shqiptare u detyruan të lënë gjënë dhe pronat e tyre dhe të vendoseshin në Peloponez. Të tjera u përpoqën të gjejnë shpëtim në Durrësin anzhuin dhe të marrin rrugën e Italisë.

Shtypja e dhunshme e kryengritjes në Despotatin e Beratit përcaktoi rënien e lëvizjes edhe në trevat e tjera. Despina e Epirit, Ana, dhe bashkësitë shqiptare të Thesalisë pranuan më në fund të njihnin pushtetin bizantin.

Megjithatë, rivendosja e pushtetit bizantin në trevat e Despotatit të Beratit, të Despotatit të Epirit dhe të Thesalisë nuk e pati jetën e gjatë. Tensioni antibizantin në këto vise vazhdoi të mbetej i gjallë, dhe me vdekjen e perandorit Androniku III (1341), kryengritjet morën një hov të ri. Tashmë pasardhësit e Andronikut III, të angazhuar në një luftë të re për fronin dhe të ndodhur përballë një ofensive të re të Serbisë drejt Jugut, nuk mund të merreshin me kryengritjen shqiptare. Për rrjedhim, bizantinët u detyruan të lënë në duart e kryengritësve shqiptarë edhe kështjellat e tyre të fundit në Shqipëri.

Shqipëria gjatë sundimit të car Stefan Dushanit (1331-1355)

Redakto

Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë, herë-herë e bashkërenduar edhe me anzhuinët e me fuqi të tjera evropiane, kishte mundur t'i mbajë serbët për mjaft kohë larg Durrësit e Principatës së Arbrit. Por pushtimi i këtyre të fundit si dhe i gjithë tokave shqiptare, njohu një shkallëzim të ri në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin bizantin Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë drejtonte ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë e Poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të madhe, në përfundim të së cilës pushtoi viset qendrore midis Matit e Shkumbinit.

Pushtimi serb u bë shkas për riorganizimin e krerëve shqiptarë. Për t'i dhënë më tepër gjerësi qëndresës së tyre, këta iu drejtuan për aleancë mbretit Robert Anzhu të Napolit, i cili ishte i interesuar së tepërmi për Durrësin e prapatokën e tij që anzhuinët vazhdonin t'i konsideronin feud të tyre. Në fakt, mbreti Robert dërgoi që atë vit në Shqipëri një ushtri të vogël nën komandën e djalit të tij, Luigjit, e cila duhej të bashkëpunonte me forcën kryesore të kryengritësve shqiptarë. Në muajin dhjetor midis Luigjit, që përfaqësonte mbretin Robert, dhe despotit Andre II Muzaka, përfaqësuesit të krerëve feudalë shqiptarë, u nënshkruan në Durrës paktet e aleancës që hapeshin me premtimin anzhuin për t'u ofruar ndihmë ushtarake fisnikëve shqiptarë. Paktet në fjalë numëronin edhe një sërë të drejtash e privilegjesh, të cilat anzhuinët ia njihnin posaçërisht despotit Andre Muzaka dhe familjes së tij. Të tilla të drejta e privilegje kishin të bënin me pronat e pasuritë e tundshme e të patundshme të Muzakajve, me titujt, nderet e ofiqet, që u ishin dhënë atyre që së hershmi nga perandorët e Bizantit e që do t'u jepeshin në të ardhmen nga mbretërit anzhuinë etj. Kundrejt këtyre, despoti Andre Muzaka duhej të konfirmonte bindjen dhe besnikërinë e tij ndaj oborrit anzhuin e t'i garatonte ato duke dërguar peng në Napoli njërin nga djemtë e tij.

Një traktat të ngjashëm anzhuinët e nënshkruan dy vjet më vonë, më 1338, edhe me kontin Tanush Topia, të cilit i konfirmuan zotërimin e tokave midis Matit e Shkumbinit bashkë me dhënien e një shpërblimi vjetor prej 1 000 grosh.

Përmbajtja e pakteve në fjalë, si dhe ecuria e deriatëhershme e marrëdhënieve të oborrit anzhuin me krerët shqiptarë, tregojnë se pozita e tyre kundrejt njëri-tjetrit kishte ndryshuar në favor të të dytëve. Anzhuinët jo vetëm nuk ishin në gjendje të impononin me forcë sundimin dhe vullnetin e tyre, por në të kundërtën, ata përpiqeshin t'i joshnin me tituj e privilegje zotërit e plotfuqishëm shqiptarë për të ruajtur sovranitetin e tyre formal mbi Durrësin e mbi prapatokën e tij.

Mobilizimi i ri i fisnikëve shqiptarë nuk mundi t'u bënte ballë për një kohë të gjatë sulmeve të përsëritura të serbëve. Brenda vitit 1343 forcat eprore të Dushanit kishin mundur të shtronin territoret e Arbrit të hershëm, me kryeqendër Krujën. Po atë vit qyteti i Beratit pësoi sulmin e parë nga një ushtri serbe që vinte nga ana e Ohrit. Në verën e vitit 1346 ishte vetë Stefan Dushani, që në krye të një fushate të madhe, pushtoi njërën pas tjetrës kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të Kaninës. Në 2-3 vjetët që pasuan, Stefan Dushani, i cili që prej vitit 1346 filloi të quhej "perandor i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë", aneksoi Epirin e Thesalinë, duke krijuar një perandori të re ballkanike, kufijtë e së cilës fillonin nga Danubi e përfundonin në gjirin e Korintit dhe në detin Egje. Një numër popujsh të huaj, shqiptarë, bullgarë, grekë, vlleh hynë në përbërje të Perandorisë Serbe.

Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese të klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara feudalët serbë u pajisën me fonde të mëdha tokësore që iu rrëmbyen popullsisë vendase. Burimet historike dëshmojnë masat veçanërisht të ashpra që Stefan Dushani zbatoi në dëm të popullsisë shqiptare. "Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë..... Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen", shkruhet në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës.

Pushtimi serb solli ndryshime të mëdha përsa i përket përbërjes së elitës sunduese. Në krahinat apo në qytetet e pushtuara u vendos një administratë serbe, në krye të së cilës qenë njerëzit më të afërt të carit, të cilët mbanin sipas rastit titujt despot, Cezar, qefali etj. Kështu, në krye të provincës së Beratit u vu despoti Ivan Aseni, kunati i carit serb, në Epir u zgjodh Simeon Uroshi, vëllai i tij, kurse në Thesali Qezar Preljubi, i cili në vitin 1355 u vra gjatë një revolte të shqiptarëve të atyshëm.

Pushtimi serb solli ndryshime të reja nëpërmjet intensifikimit të shtypjes ekonomike e shoqërore të popullsisë shqiptare. Kodi i Stefan Dushanit, dokumenti kryesor që sanksiononte marrëdhëniet ekonomike, politike e juridike të shtetasve të Perandorisë me pushtetin e carit e të klasës sunduese serbe, përfshinte në sistemin e marrëdhënieve feudale edhe bashkësitë e lira fshatare e blegtorale, duke i dhënë ato si pronë feudale për manastiret e për feudalët serbë. Një masë e tillë godiste rëndë fshatarësinë e lirë shqiptare, posaçërisht atë të zonave malore, që kishte mundur t'i shpëtonte deri atëherë shfrytëzimit feudal e të ruante një farë autonomie politike ndaj pushtetit qendror. Kodi i Stefan Dushanit mbështetej në institucionet juridike dhe dokesore serbe dhe si i tillë ai në shumë aspekte binte ndesh me institucionet dhe traditën e popujve të tjerë që u përfshinë në suazën e shtetit serb. Në mjaft raste ai shpallte ndalimin e institucioneve tradicionale vendase, siç qe ai i mbledhjeve (kuvendeve) të fshatit, ku vendosej e gjykohej për probleme të ndryshme, që tani kalonin në kompetencë të feudalëve të veçantë e të vetë carit serb.

Pasoja sidomos negative pati pushtimi serb në viset veriore shqiptare e veçanërisht në Kosovë, ku sundimi serb zgjati gati dy shekuj. Të pasura me toka bujqësore, me qendra të zhvilluara minerare, zejtare e tregtare, këto territore kishin qenë një joshje e vazhdueshme për mbretërit serbë. Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme seli të oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në qendër të kishës autoqefale serbe.

Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë më të dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, aty nga gjysma e shek. XIV manastiret, tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës, Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në Malin i Shenjtë e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore shqiptare.

Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe.

Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara. Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë të ndryshëm të kohës, si udhëtari anonim i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm i Adës (1332), kardinali italian Guido da Padova (1350), e nënvizojnë me theks të veçantë këtë aspekt të politikës së mbretërve serbë ndaj popullsive të pushtuara josllave, e cila ishte sanksionuar në të drejtën mesjetare serbe, kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë. Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizmit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare, krahas dukurisë së re të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare.

Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në letrën që i dërgonte për këtë qëllim dukës së Burgonjës, Filipit VII Valua, prelati frëng pohonte se për organizimin e kësaj kryqëzate antiserbe nuk mund të gjendej vend më i përshtatshëm sesa zonat kryengritëse në fjalë, "... ku populli arbër mund të nxirrte në luftë më se 15 000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë".

Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb nuk qe karakteristikë vetëm për viset e veriut, por për të gjitha trevat shqiptare deri thellë në Epir. Ajo doli akoma më në pah pas vdekjes së carit serb, Stefan Dushanit (1355). Kryengritjet e zonës së Beratit (1356) dhe të Himarës (1358), e reduktuan pushtetin e despotit sllav Ivan Komnen Asenit vetëm në qytetin e Vlorës e në rrethinat e tij. Më 1356 dështoi një përpjekje për të ripushtuar Beratin me ndihmën e ushtrisë së Simeon Uroshit, sundimtarit serb të Epirit. Megjithatë, sipas një shënimi të kohës në një nga kodikët e Beratit, serbët me atë rast u sollën aq mizorisht “saqë edhe të vdekurit i nxorën nga varri”. Një vit më parë, më 1355, shqiptarët e Thesalisë ngritën krye kundër qeveritarit serb, Qezar Preljubit, dhe e vranë atë. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simeon Uroshi, vëllai i Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e Epirit t'i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.

Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani në një fazë vendimtare, duke i orientuar ato gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një shteti të përqendruar shqiptar.