Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza”
Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza” (anglisht: The Kosova Humanitarian and Charitable Society "Mother Teresa") është një organizatë joqeveritare (OJQ) e themeluar në Prishtinë, Kosovë. Me qëllim lehtësimin e varfërisë dhe krijimin e një zinxhiri solidariteti gjatë periudhave të shtypjes politike dhe dhunës nga regjimi i kohës. Kjo shoqatë ka luajtur një rol të rëndësishëm në ofrimin e ndihmave për ata që kishin nevojë gjatë momenteve më të vështira të historisë së Kosovës. [1][2]
Historiku
RedaktoShoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza” është themeluar më 10 maj 1990 si organizatë joqeveritare (OJQ). dhe si e tillë ishte e para e këtj lloji në Kosovë.Shoqëria Civile në Kosovë nuk ishte e pranishme, dhe Shoqata “Nënë Tereza” hapi një kapitull të ri në historinë e vendit, duke angazhuar qytetarët në një rrjet vullnetar për realizimin e aktiviteteve të saj. Gjatë viteve 90-ta kjo shoqatë humanitare ishte edhe frymë e solidaritetit tradicional, e sidomos në kohën kur popullit iu ngritën virtytet për mbijetesë dhe mos nënshtrim ndaj regjimit të asaj kohe. Ajo ka punuar për të zhdukur varfërinë në Kosovë, përmes sigurimit të ndihmave dhe mjeteve financiare për ndryshime të qëndrueshme për njerëzit e varfër dhe shtresën më të cenuar të shoqërisë nga uria, dhuna dhe sëmundjet. Nga viti 1990 deri në vitin 1998, ajo funksionoi si Ministri e Mirëqenies Sociale, duke ofruar ndihma humanitare, si Ministri e Shëndetësisë, pra duke ofruar shërbime të ndryshme shëndetësore, por edhe si Ministri e Arsimit. [3] [4] [5] [6] [7]
Misioni
RedaktoParimet që udhëhojnë Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” janë thelbësore për misionin e saj, duke përfshirë bamirësinë, tolerancën, dhe dashurinë universale për të gjithë individët, pa marrë parasysh etninë, origjinën apo besimin e tyre. Kjo organizatë beson se ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme dhe paqësore është i mundur vetëm kur bazat e drejtësisë dhe pajtimit janë të forta, duke siguruar mundësi për gjithë ata që janë në nevojë. Vizioni i Shoqatës është të kontribuoni në krijimin e një shoqërie civile të hapur, ku vlerat e humanizmit, barazisë dhe respektit për të drejtat e individëve kultivohen dhe promovohen. Ky angazhim synon një të ardhme ku njerëzit jetojnë të lirë, në harmoni dhe me një respekt të ndërsjellë, duke e ndihmuar çdo individ të realizojë potencialin e tij në një mjedis paqeje dhe solidariteti. [2]
Aktiviteti
RedaktoShoqata "Nënë Tereza" është e pranishme në të gjithë Kosovën dhe jashtë saj, me selinë qendrore në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Ajo koordinon dhe mbikëqyr realizimin e projekteve dhe aktiviteteve përmes pesë qendrave rajonale, që operojnë në zona të ndryshme të vendit. Struktura drejtuese e Shoqatës përfshin një President, një Asamble, dhe një organ Ekzekutiv, i cili bashkëpunon ngushtë me zyrat e shtrira për të realizuar misionin e organizatës. Shoqata punëson gjithsej 12 persona dhe mbështetet gjithashtu në një rrjet të gjerë vullnetarësh, të cilët janë të angazhuar në të gjitha rajonet e Kosovës. [2]
Anëtarët e kësaj shoqate kanë punuar për të zhdukur varfërinë në Kosovë, përmes sigurimit të ndihmave dhe mjeteve financiare për njerëzit e varfër nga uria e sëmundjet. Ideja për themelimin e shoqatës ka qenë e disa të rinjve dhe intelektualeve të Prishtinës, duke u frymëzuar nga bamirësia e humanistes Gonxhe Bojaxhiu (Shën Nënë Tereza) për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës, sidomos në vitet e ’90-ta kur Kosova kalonte një nga periudhat më të vështira të represionit. Qëllimi i themelimit të kësaj organizate ishte që të shuajë varfërinë dhe të krijojë rrjetin e solidaritetit, gjatë kohës së masave të dhunshme nga regjimi serb i asaj kohe. Shoqata Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” në periudhën e viteve 1990 deri 1999 me përfundim të luftës, ka ndihmuar popullin duke siguruar ushqim, ujë, strehim e kujdes shëndetësor. Më 1991 sipas regjistrimit zyrtar, në Kosovë kishte 2 milionë e 50 mijë banorë shqiptarë me 201.056 të punësuar. Të punësuarit (rreth 146 mijë persona të moshave e profesioneve të ndryshme) largohen nga puna deri sa suprimimi i autonomisë së Kosovës, sjell varfërim të skajshëm të popullatës. Në atë periudhë rrezikohet rëndë qenia sociale e kombëtare e popullatës së pa mbrojtur në Kosovë. Sipas burimeve të kohës më 1998, në ofensivë lufte, arrijnë 6000 bukë nga degët e shoqatës nga të gjitha trojet shqiptare.
Vetëm më 1996 kjo shoqatë ndihmonte në forma të ndryshme deri në 62.340 familje me 404.456 nevojtarë. Nga rreth 36 donatorë të huaj nga shtetet perëndimore arrijnë 8 mijë tonë ndihma. Më 1998, kjo shifër arrin në 1 milion e 200 mijë persona nevojtarë. Nga kjo shoqatë e pësuan dhjetëra veprimtarë të cilët u burgosën, u ndoqën e u vranë nga ushtria e policia serbe. Pas përfundimit të luftës, nevojtarët u rritën në 1 milion e 600 mijë. Deri në vitin 1999, SHHB "Nëna Tereze" kishte 96 ambulanca, shërbim i respektuar në përmasa kombëtare e ndërkombëtare, krejt falas, punëtorët shëndetësorë punonin pa asnjë kompensim financiar, ambulancat ishin të vendosura nëpër shtëpi private.Në maternitetin e SHHB "Nëna Terezë” deri më 1995 lindën 12 mijë e 385 fëmijë, ndërsa deri në fund të luftës, në këto maternitete lindën mbi 30 mijë foshnje shqiptare. [8]
Pas përfundimit të luftës shoqata ndihmoi kosovarët, përveç me ndihma humanitar duke mbështetur krijimin e bizneseve të vogla familjare, në bujqësi, blegtori, bletari dhe arsimim.
Ambulanca e parë
RedaktoMë 30 mars 1992, u hap Ambulanca e parë humanitare "Nënë Tereza" në shtëpinë e Shaban Sfirca, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Kjo iniciativë ishte ideuar nga Dr. Gani Demolli, i cili në atë kohë ishte edhe aktivist i Shoqatës Humanitare Bamirëse "Nënë Tereza". Ambulanca u hap si përgjigje ndaj varfërisë dhe krizës ekonomike të rëndë që kishte përfshirë Kosovën. Nga viti 1992 deri në 1996, u hapën edhe shumë ambulanca të tjera, duke arritur në shtatë qendra vetëm në Komunën e Prishtinës. Këto qendra shëndetësore u financuan kryesisht nga donacione ndërkombëtare, që ofronin pajisje mjekësore dhe materiale higjenike, por jo fonde monetare. Kështu, funksionimi i këtyre ambulancave ishte i mundur vetëm falë punës vullnetarizmi të stafit mjekësor. Përveç ofrimit të shërbimeve shëndetësore, ambulanca gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në fushën edukativo-arsimore, duke ofruar mundësi praktike për studentët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë "Ali Sokoli" dhe Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kontribuan gjithashtu në këtë kauzë. [9]
Shoqata Humanitare Bamirëse 'Nënë Tereza', në kohën e sotme
RedaktoQë nga hapja e Ambulancës së parë "Nënë Tereza" në vitin 1992, Shoqata ka punuar ngushtë me donatorë të ndryshëm për të mbështetur ata që janë në nevojë. Çdo vit, organizata ofron ndihmë për rreth 5,500 familje, duke u siguruar atyre ushqime, veshje dhe pako higjienike. Ky angazhim ka si qëllim të ndihmojë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbështetje për stabilitetin e familjeve, duke zhvilluar gjithashtu ekonominë dhe infrastrukturën e vogël familjare për të stimuluar qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike.
Përveç ndihmës humanitare, Shoqata ka një angazhim të fortë për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike. Ajo punon për të promovuar pajtimin dhe ndihmuar në ndërtimin e paqes mes grupeve të ndryshme etnike në Kosovë. Gjithashtu, Shoqata angazhohet për t'u dhënë zë familjeve më të rrezikuara, duke bërë avokim për ta dhe duke rritur ndërgjegjësimin publik për një anë tjetër të Kosovës që shpesh mbetet e padukshme.[2]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Gani Demolli:The Mother Teresa society and the war in Kosovo Arkivuar 26 korrik 2017 tek Wayback Machine, October 2002, https://odihpn.org, viz. 13.11.2017.
- ^ a b c d "- Mother Teresa Society" (në anglishte amerikane). 2016-01-13. Marrë më 2024-11-20.
- ^ Robert Elsie:Historical Dictionary of Kosova
- ^ Human Rights Watch/Helsinki (Organization : U.S.):Open Wounds: Human Rights Abuses in Kosovo
- ^ Edward S. Mihalkanin, Robert F. Gorman:The A to Z of Human Rights and Humanitarian Organizations
- ^ Saumya Mitra:Kosovo: Economic and Social Reforms for Peace and Reconciliation
- ^ 25 vite shërbim të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” për popullin e Kosovës
- ^ "Prend Buzhala: Nënë Tereza dhe Kosova". Zemra Shqiptare. Marrë më 2023-12-02.
- ^ Zeqiri, Ardita (2021-06-19). "Kontributi bamirës i Shoqatës 'Nënë Tereza' gjatë viteve 90-ta". Raporto Korrupsionin! KALLXO.com (në anglisht). Marrë më 2024-11-20.