Shqipëria në fillim të Krizës Lindore (1875-1876)
Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie të acaruara me Perandorinë Osmane. Asnjë nga kërkesat e ngritura prej tyre gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë. Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare. Në viset e saj, administrata e vilajeteve ndodhej gjithnjë në duart e nëpunësve turq. Në krahinat malore vazhdonte presioni i pushtetit qendror për t’ua hequr malësorëve venomet tradicionale dhe për t’i futur nën zgjedhën e administratës burokratike centraliste. Vendi nuk ishte lehtësuar as nga pesha e rëndë e taksave, as nga shërbimi i gjatë i nizamit. Me masat centraliste që Porta kishte ndërmarrë pasi shpalli dekretin e dytë të Tanzimatit (Hatt-i Humayun i vitit 1856), gjendja e Shqipërisë u keqësua më shumë. Kudo mbretëronte varfëria ekonomike, administrata shtetërore e shthurur, korrupsioni pa skrupull i qeveritarëve dhe krimet e pandëshkuara të hajdutëve. Banorët e Shqipërisë ndodheshin, sipas shprehjes së një dëshmitari të huaj, në “kulmin e varfërisë”. Gjykatat burokratike perandorake, të urryera nga shqiptarët, vinin duke u forcuar vazhdimisht. Po aq e rëndë ishte edhe gjendja politike dhe ajo e arsimit në Shqipëri. Porta e Lartë vazhdonte t’i diskriminonte shqiptarët, të mos i njihte si komb më vete dhe shqiptarët e tri besimeve si elementë të të njëjtit komb. Ngritja e shkollave shqipe vijonte të ishte e ndaluar, në një kohë kur rrjeti i shkollave të huaja po zgjerohej nga viti në vit. Trojet shqiptare qëndronin të copëtuara ndërmjet vilajeteve të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e Lartë vijonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar.
Megjithatë, regjimi policor e teokratik nuk kishte mundur ta asgjësonte idenë e çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha shekullore osmane. Ndikimi i ideve çlirimtare e patriotike ishte shtrirë në të katër anët e atdheut. Malësorët qëndronin të gatshëm për të mbrojtur autonominë e tyre lokale nga çdo ekspeditë e befasishme osmane. Shqiptarët kishin filluar të bindeshin se shpëtimi i vendit mund të arrihej vetëm me një kryengritje të përgjithshme çlirimtare dhe me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar ose, siç shprehej një vëzhgues i huaj, të një principate të lirë shqiptare.
Me qëllim që të largonte rrezikun e shpërthimit të kryengritjes çlirimtare në Shqipëri, Porta e Lartë shpalli në verën e vitit 1875 se tani e tutje nuk do t’i përsëriste më ekspeditat ushtarake për vendosjen e pushtetit të saj centralist në krahinat e panënshtruara. Por ky vendim, me të cilin Perandoria Osmane vuloste fundin e periudhës së Tanzimatit në trojet shqiptare, nuk e ndryshoi gjendjen e brendshme të Shqipërisë. Orvatjet e saj për t’i mobilizuar shqiptarët në masë kundër kryengritësve hercegovinas e boshnjakë dështuan. Thirrjes së saj iu përgjigjën vetëm pak feudalë derebej, të cilët për më tepër qëndruan pasivë në prapavijat e frontit.
Në fillim të Krizës Lindore, Shqipëria kishte, pra, forca të gatshme për të shpërthyer një kryengritje çlirimtare kundërosmane. Megjithatë, qarqet politike shqiptare nuk u treguan të prirura për shpërthimin e saj. Në ngurrimin e tyre ndikoi jo aq mungesa e një organizate kombëtare që t’i grumbullonte rrëketë krahinore në lumin e kryengritjes së përgjithshme çlirimtare, sesa koniunktura negative për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kriza Lindore e viteve 70 i gjeti shqiptarët të rrethuar nga mospërfillja e Fuqive të Mëdha, asnjëra prej të cilave nuk ishte shprehur publikisht për njohjen e të drejtave të tyre kombëtare.
Në radhë të parë ishte rreziku që kryengritja shqiptare të shkaktonte ndërhyrjen në favor të Portës së Lartë të Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin që të prishej status quo-ja në Gadishullin Ballkanik. Por edhe sikur kjo të prishej, qarqet patriotike shqiptare ishin të bindura se Fuqitë e Mëdha, meqenëse nuk e përkrahnin, qoftë edhe në parim, idenë e pavarësisë politike të Shqipërisë, madje as atë të autonomisë së saj administrative, do të shfrytëzonin rastin ose për ta okupuar atë ushtarakisht (Austro-Hungaria dhe Italia), ose për ta copëtuar atë midis shteteve fqinje (Rusia, Anglia, Franca). Gjendjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare e ndërlikonte sidomos politika e tri monarkive fqinje ballkanike. Krahas mobilizimit ushtarak për luftën kundër Perandorisë Osmane, Serbia, Greqia e Mali i Zi po zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike e propagandistike, për të siguruar nga ana e Fuqive të Mëdha miratimin e aspiratave të tyre mbi trojet shqiptare.
Kriza Lindore krijoi kështu një situatë mbytëse, madje të rrezikshme për kryengritjen çlirimtare kundërosmane në Shqipëri. Ajo e ktheu mundësinë e copëtimit të Shqipërisë nga një rrezik potencial në një rrezik real. Në këto rrethana qarqet politike shqiptare nuk e shtruan çështjen e kryengritjes së armatosur për pavarësinë e Shqipërisë. Derisa të krijohej gjendja e favorshme ndërkombëtare, ato i vunë vetes si qëllim të vijonin përpjekjet për të arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, zgjidhje kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në në Evropën Juglindore dhe që do të krijonte kushtet për sigurimin e tërësisë e të paprekshmërisë së territoreve shqiptare.
Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu, në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët politik si për atdhetarët më radikalë rilindës, ashtu dhe për qarqet atdhetare të moderuara. Megjithatë, ndërmjet programit autonomist të të dyja rrymave kishte ndryshime në këto drejtime: të parët e vlerësonin autonominë administrative si një etapë drejt pavarësisë kombëtare të Shqipërisë; të dytët e shikonin si qëllim në vetvete, si program maksimal të aspiratave të tyre politike; të parët mendonin ta realizonin vilajetin autonom me rrugën e kryengritjes; të dytët, që kishin besim në dashamirësinë e sulltanit, shpresonin ta arrinin me anën e reformave që do të bënte Porta e Lartë.
Me platformën për krijimin e vilajetit autonom shqiptar nuk u bashkuan vetëm bajraktarët e disa krahinave malore të veriut dhe, në mënyrë të veçantë, kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda, biri i Bibë Dodë pashës. Në të vërtetë, qysh nga vdekja e të atit (1868), Prenga, ende i ri, mbahej i internuar në Stamboll me pretekst se ishte duke vijuar shkollën. Por, me këmbënguljen e vazhdueshme të mirditorëve, Porta e Lartë u detyrua, në fund të korrikut 1876, ta kthente Prêng Bibë Dodën në Shkodër, duke i dhënë titullin pashë dhe duke e emëruar kajmekam të Mirditës. Prenga, tani 17-vjeçar, ishte si dhe i ati, një prijës partikularist. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll ai u kishte parashtruar ambasadorëve të Rusisë, të Francës dhe të Austro-Hungarisë ambicjen e vet për t’u bërë princ i Mirditës autonome. Parisi e Vjena nuk e përkrahën projektin e tij, pasi nuk donin t’i shkaktonin në këto çaste Perandorisë Osmane shqetësime në Shqipërinë Veriore. Përkundrazi, Rusia e Italia e miratuan, por i vunë si kusht që ai të lidhte aleancë ushtarake me Cetinën dhe të sulmonte me mirditorët ushtritë osmane, të cilat tani ishin të zëna me luftën në kufirin malazez.
Në këto rrethana Preng Bibë Doda ngriti në Orosh flamurin e luftës për autonominë e Mirditës. Në të njëjtën kohë filloi bisedimet e fshehta me qeveritarët serbë e malazezë për të hyrë në luftë krahas tyre kundër Turqisë. Këto traktativa nuk u pritën mirë nga bashkatdhetarët e vet dhe e diskredituan atë në sytë e tyre. Projekti i Preng Bibë Dodës gjeti përkrahje vetëm në disa qarqe reshpere katolike të Shkodrës, veçse, në vend të një principate të mbyllur brenda kufijve të ngushtë të Mirditës, ato kërkonin një formacion politik më të gjerë, - një principatë autonome, ku të hynin të gjitha krahinat malore të Shqipërisë së Veriut. Këtë platformë politike e përqafuan edhe disa intelektualë, si Zef Jubani, Preng Doçi, Pjetër Gurakuqi, të cilët mendonin se krahina autonome e Mirditës do të shërbente si pikënisje për formimin më vonë të një shteti kombëtar shqiptar.
Qarqet patriotike shqiptare nuk u solidarizuan as me projektin e Preng Bibë Dodës, as me idenë e reshperëve katolikë shkodranë, pasi të dyja kishin karakter partikularist dhe nuk pajtoheshin me platformën më të përparuar rilindëse. Mirdita e vogël dhe e izoluar, patriarkale dhe e varfër, pa qytete e pa bujqësi të zhvilluar, nuk mund të jetonte e pavarur dhe nuk mund të bëhej bërthama e shtetit të ardhshëm kombëtar shqiptar. Përkundrazi, kthimi i Mirditës katolike, qoftë edhe së bashku me fqinjët e saj, në një principatë autonome, me një prijës partikularist në krye siç ishte Preng Bibë Doda, do të bëhej faktor i përçarjes fetare e krahinore të vendit dhe do t’u jepte rast tri monarkive fqinje, të përmbushnin aspiratat e tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare veriore, lindore e jugore.