Preng Bib Doda

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Prênk Bibë Doda)

Preng Bib Doda i njohur më së shumti në kohën e tij si Preng Pasha (Orosh, 1860 - Lezhë, 22 mars 1919) ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane, i pari i Gjonmarkajve dhe i Mirditës, anëtar i Xhonturqve dhe deputet në Mexhlisin osman. U emërua disa herë zëvendëskryeministër dhe ministër në qeveritë e para të shtetit shqiptar. Së bashku me Ismail Qemalin dhe Esad pashë Toptanin, qe ndër figurat me më tepër ndikim në Shqipëri në pragun e pavarësisë.

Preng Bib Doda
Zëvendëskryeministër
Në detyrë
25 dhjetor, 1913 – 3 shtator, 1914
Paraprirë ngaDom Nikollë Kaçorri
Pasuar nga-
Në detyrë
25 dhjetor, 1918 – 22 mars, 1919
Paraprirë nga-
Pasuar nga-
Ministër i Punëve Botore
Në detyrë
14 mars – 20 maj, 1914
Paraprirë ngaPandeli Cale
Pasuar ngaMid'hat bej Frashëri
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
28 maj – 3 shtator, 1914
Paraprirë ngaTurhan pashë Përmeti
Pasuar ngaMehmet bej Konica (Mehdi bej Frashëri)
Të dhëna vetjake
U lind më1860
Orosh, Perandoria Osmane
Vdiq më22 mars, 1919
Lezhë, Principata e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptar
PunësimiPolitikan

Biografia

Redakto

Leu në Orosh të Mirditës, asokohe nën Sanxhakun e Shkodrës, i biri i Bib Dodë Pashës dhe Hides së Hasan Ajazit.[1] Me vdekjen e të atit, edhe ai ushtarak i lartë i Perandorisë, paria e konakut të Gjonmarkut dhe kajmekamllëku i Mirditës i lihet një kushëriri të tyre.

Fëmijërinë e vet e kaloi në Stamboll, prej ku kthehet në Mirditë më 1876. Me zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit më 3 prill 1880 u emërua zëvendës i Hodo pashë Sokolit për degën e Shkodrës. Me ta marrë vesh këtë, Porta e Lartë e internoi në Kastamuni të Azisë së Vogël.[2] Atje nisi të njihej me emrin Ahmet Pasha, dhe madje u bë myteveli (kujdestar) i një xhamie.[3] Për t'u liruar nga internimi e ndihmoi Syrja bej Vlora.[4] U vendos në Liban, ku në sajë të kontakteve tregtare me agjencitë e interesuara për shfrytëzimin e resurseve të Mirditës, familja e Malhamëve në Beirut, i bëri kërkesë Stambollit që ta emëronin Dodën mytesarif i Malit të Libanit si zëvendësues për Vaso Pashën.[5] Më pas nisi punë në Stamboll, me punë në Pallatin Perandorak, me gradën gjeneral i brigadës së rojave shqiptare të Sulltan Abdyl Hamidit II.[6] Përshkruhet nga një gazetar hungarez i kohës:[7]

Princi është një figurë e pashme mashkullore, vishet me teshat piktoreske të mirditorëve dhe rrallë e përmallë shihet i veshur alla-frënga. Është relativisht i ri dhe përpos gjuhës së vet, flet rrjedhshëm frëngjisht, italisht, anglisht dhe turqisht.

 
Prenga i ri me shpatën e argjendtë që iu dhurua të atit nga Napoleoni III i Francës, shpatë të cilën më vonë Enver Hoxha përflitet se ia dha Hrushçovit me rastin e vizitës së tij në Shqipëri.

Më 1908 pas Revolucionit Xhonturk u kthye në atdhe, duke shoqëruar Ismail Qemali deri në Vlorë.[6] Kthimin e tij e përshkruajti frati françeskan Dodaj në ditarin e tij:[8]

«18.09.1908
Mbramjen e kësaj dite mbërriti në Shëngjin nga mërgimi Prenkë Pasha, nga ku para 27 vjetësh qe nisun për nji destinacion të panjoftun. ... Qysh në qershor Papa Luani XIII ka veprue pranë Sulltanit për kthimin e tij. Gja që do të kishte ndodhë nëse Austria nuk do t'ishte kundërvu në fshehtësi."

Kthimi i Dodës në Mirditë u shndërrua në festë të madhe, por sipas dëshmive të së pranishmes Edit Durham, pasha i veshur me uniformë osmane që mbante në kokë fes ndjehej si i zoritur dhe jo rehat me rrethanat e vendit të tij pas 30 vitesh, madje duke u tronditur nga habia e qitjes së pushkëve të fistarëve të tij tek po e prisnin.[9]

Më 1911 Preng Pasha u zgjodh deputet në parlamentin osman dhe i kishte shprehur shqetësime ambasadorit austro-hungarez për ndarjen e mundshme të viseve shqiptare mes Bullgarisë, Malit të Zi dhe Serbisë.[9]

Ismail Qemali e emëroi zëvendëskryeministër në qeverinë e tij. Në këtë post, Prenga nuk pati shumë kohë që të linte gjurmë, pasi qeveria ra.[10] Duke gëzuar mbështetjen e Francës, nga vera e 1913 nxitej prej saj që të krijonte një principatë katolike në Mirditë nën protektoratin frëng, propozim ky që nxorri sërish në skenë aspiratat për krijimin e një shteti kantonal. Këtë politikë e ndoqi gjer pa u caktuar Princ Vidi, i ndikuar nga kushëriri i tij Marka Gjoni se do të mund të bëhej princ i Shqipërisë me ndihmën serbe.[11] Në qeverinë pasardhëse të Turhan Pashës më 14 mars - 20 maj 1914, Prenga u emërua ministër i Punëve Botore. Sërish nuk pati shumë mundësi që të punonte, ngase problemet e kohës ishin drejtqeverisja dhe nuk kishte kohë për punët botore. Në qeverinë e dytë të Turhan Pashës, më 28 maj - 3 shtator 1914 e kishte ministër të Punëve të Jashtme. Prenga iu përgjigj Princ Vidit kur ky rrezikohej nga Kryengritja e Shqipërisë së Mesme.[10]

Në krye të bashibozukëve të mbledhur nga ai vetë në kazanë e Zadrimës, Lezhës dhe Mirditës ndërmori të vepronte kundër Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme. Por radhët e kësaj force u prishën rrugës dhe dolën dore nga qëllimi fillestar dhe kur u sulmuan nga rebelët në Ishëm, u zmbrapsën.[12] I ndodhur në Shkodër, ai u internua nga malazezët dhe u lirua në janar të 1916 me ardhjen e ushtrisë austro-hungareze. Pavarësisht se nuk mori pjesë në Kongresin e Durrësit, u thirr në qeverinë e Turhan Pashës duke u emëruar zëvendëskryeministër më 25 dhjetor 1918. Pak muaj më pas, i shoqëruar me konsullin anglez Eden duke kaluar në rrugën për Shëngjin, iu bë një pritë porsa kaluan lumin Mat: qëlluan veturën, ndërsa Preng Pasha çohet në këmbë duke u bërtitur "Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt, se asht kundra zakonit tonë". Pasha me disa prej njerëzve të vet vriten, ndërsa konsulli anglez plagoset. Sipas dëshmive të mbledhura nga Sejfi Vllamasi dhe dokumentave arkivore ku mbështetet historiani Kastriot Dervishi, prita iu bë nga Çokajt e Bregmatës duke kërkuar gjakun e vrasjes së Gjeto Cokut tek Preng Pasha.[10][13] Me datën 26 mars u varros në Shkodër.[14]

Me vrasjen e tij, prijësia e Gjonmarkajve dhe e Mirditës i kaloi barkut të Lleshit të Zi, prejse martesa e tij me Luçien e Kolë Xhuxhës[15] (mbesën e Ndoc Xhuxhës)[16] nuk pati fëmijë. Parinë e muar gjegjësisht Marka Gjoni, i cili nuk çmohej edhe aq shumë pas ngjarjeve të revoltës kundër Princ Vidit.[2]

Referime

Redakto
  1. ^ Lushaj, Ramiz (28 maj 2014). "Kurora e dytë e Lurës". gazetadielli.com. Dielli.
  2. ^ a b Elsie, Robert (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 228–229. ISBN 978-1-78453-401-1.
  3. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 475. ISBN 978-99927-623-4-9.
  4. ^ Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 288nb. ISBN 978-9928-4140-4-5.
  5. ^ Toksöz, Meltem; Kolluoglu, Biray (2014). Cities of the Mediterranean: From the Ottomans to the Present Day (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 136. ISBN 978-1-84885-127-6.
  6. ^ a b Qemali, Ismail (2009) [1920]. Kujtime. Përkthyer nga Abdyrrahman Myftiu. Tiranë: Toena. fq. 360. ISBN 978-99943-1-558-1.
  7. ^ Kálmán, Törs (15 gusht 1880), Bib Doda, a miridita fejedelem. (hungarisht) "Vasárnapi Ujság", XXVII. évf. 33. sz. 541–542. o.
  8. ^ Dodaj, P. Pal (1993). Shënime vrojtimesh. Hylli i Dritës v. XXI, nr. 2-3. fq. 91–111.
  9. ^ a b Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians (në anglisht). Londër: IB Tauris. fq. 160. ISBN 9781845112875.
  10. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 12–13. ISBN 978-99943-56-43-0.
  11. ^ Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 92–99. ISBN 9789928261984.
  12. ^ Vlora 2013, pp. 115-117.
  13. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 32, 34, 52. ISBN 978-9928-140-54-8.
  14. ^ Bushati 1999, p. 476.
  15. ^ Gjonmarku, Ndue (2002). Mirdita - House of Gjomarku - Kanun (në anglisht). New York: Lulu.com. fq. 36. ISBN 9781365698163.
  16. ^ "Atdhetari Ndoc Xhuxha, ndër filatelistët e parë shqiptarë". shkodradaily.com. 4 tetor 2015. Arkivuar nga origjinali më 13 dhjetor 2021. Marrë më 13 dhjetor 2021.