Hylli i Dritës ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçes Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por madjè një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuan jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe Kombin.

Duke i hedhur një sŷ përmbajtjes, të pasqyruar në 20 vjetët e jetës së tij, kemi me pasë një shembëlltyrë të larmisë së shkrimeve, studimeve e bashkëpunimeve të ndryshme që mbushin faqet e kësaj reviste.

Prej veprimtarisë botuese shumëvjeçare mendojmë se duhen ndjerrur në pah jo aq arsyet dhe argumentat që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtë flet mjaft qartë me shkrimet që përmban, por më fort shkaqet që sollën bukur mirë dý herë pezullimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e nji antikulturësie të posaçme e të skajshme.

Periudhat e botimeve

Redakto

Trí janë periudhat në të cilat zhvilloi veprimtarinë e vet botuese Hylli i Dritës.

Periudha e parë (1913-’14)

Redakto

Do mbajtë si një periudhë paraqitjeje e sprove, duke pasë parasysh se është hera e parë që në Shqipërí botohet një revistë me një nivel të tillë kulturor. Është e pámohueshme se qysh me fashikujt e parë, trajtohen argumenta që kanë lidhje me formimin qytetar e atdhetar të shqiptarëve, të frymëzuar gjthashtu nga parime të krishtera, sikurse është e qartë se duhej të ishte.

Diskutohet aftësia e shqiptarëve për të organizuar shtetin e vet mbas pesë shekujsh pushtimi të huaj, dhe marrëdhëniet në mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë e kaq probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen, kanë qellimin kryesor që me nisë, moralisht e në mënyrë vepruese, një mënyrë të ré për të kuptuar marrëdhëniet në mes individit e shtetit, në mes shoqërisë e shtetit. Nuk mungojnë as shkrimet me sfond historik, kulturor e në disa raste gjuhësor, duke i vënë një theks nevojës që, me vend, gjuha shqipe të përfshihet me drejtë të plotë në disa shkolla në të cilat trajtohej si gjuhë e kategorisë së dytë, dhe kështu kur tashmë ishte shpallë pavarësia e Shqipnisë. Përveç kësaj është i qartë, ndër faqet e tija, një qendrim fort polemik që kurrë nuk ka për të munguar në krejt kohën në të cilën zhvilloi veprimtarinë e vet botuese. Jashtëzakonisht e rëndësishme dhe fort informuese është rubrika kushtuar lajmeve të mbrendshme e të jashtme që, të paraqitura prej drejtorit të saj Át Gjergj Fishta, pasqyroshin qendrimin ndaj politikës ndërkombtare të mbajtun prej ambjenteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësuara prej Etërve Françeskanë, të cilët patën një meritë të qartë në këtê kah.

Dhe tash të vijmë te shkaku i pezullimit të “Hyllit”, pezullim i dëshiruar prej Fuqive të pranishme në Shkodër në atë 1914 tashmë të largët. Politika e dyshimtë e Fuqive Europiane, të zhytura në grindjet e tyre që çuan te shpërthimi i Luftës së Parë Botnore, politikë e "të shohim e bajmë", politikë e intrigës, politikë e të mos marrjes seriozisht të sa kishte qenë vendosë apostafat prej tyre për një vend si Shqipëria, që po përpiqej të shndërrohej në një shtet të rregullt e të qytetëruar, shkaktuan reagimin e pezmatuar të drejtorit të kësaj reviste, Atit Gjergj Fishta, cili ndonëse nuk e nënshkruan shkrimin është e qartë se është autori i tij. Qysh prej titullit e e kemi të qartë përmbajtjen: “Nji komedí e pandershme e shekullit XX”.

Mbasi të lexohet shkrimi i sipërthënur pranohet se sa është e drejtë dhe e saktë çka është parashtruar në të. Për më tepër, mutatis mutandis i përshtatej pikë për pikë gjendjes së disa vjetve më përpara në Bosnje, politikës ndërkombtare ndaj atij populli të martirizuar.

Mbasi Fuqitë e asaj kohe nuk patën se si t’iu përgjigjen një së vërtete therëse, që rrezatonte prej pendës së Át Fishtës, nuk ditën të bëjnë tjetërgjë veçse ta mbyllin atë botim heroik e krenar si qe “Hylli i Dritës”, i cili, atë që duhej thënë, dinte ta thoshte në kohën e duhur e në tonin e përshtatshëm.

Periudha e dytë

Redakto

Shkon prej 1921 deri 1924, duke qenë periudha më demokratike e historisë shqiptare, pau zhvillimin e një veprimi të gjallë në dobí të forcave më të shëndosha të kombit. Kujdes parësor ka qenë: mbrojtja e shtetit të rilindur shqiptar prej të këqijave të jashtme e sidomos të mbrendshme. Nxirren në pah përbërësit aktivë, e në mënyrë të veçantë ata legjislativë dhe ekzekutivë, si janë parlamenti dhe qeveria, si dhe mënyra për t'i vënë në lëvizje. Ndryshe prej periudhës së parë vehet ré drejtimi për nga një përgatitje demokratike e qytetarit. Theksohen subjekte sikurse ndër të tjera rilindja shpirtërore e individit, njësí më vete e përbërëse e shoqërisë, duke vënë në dukje njëkohësisht se cili është ideali i Shqiptarit.

Argumentat e trajtuar shtrihen në fusha të ndryshme, në të cilat shkrimet i përshkon kritika ndërtimtare, e kurrsesi nihiliste. Përveç këtyre zhvillohen argumenta me sfond kulturor, e sidomos në lidhje me shkollat e ditës e të natës, me mësimin në përgjithësí, problem i rëndë për me u zgjidhë, me çështjen puntore, me moralin publik. Një vend u ruhet traditave, duke qenë se një ndër kujdeset kryesore të atyre që botuan “Hyllin” ishte kryesisht vlerësimi i së kaluarës për të përmirësuar frymën e veprën e së tashmes. Në qershorin e 1924-s një revolucion, i udhëhequr prej Fan S. Nolit, Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, përmbysi regjimin e Ahmet Zogut dhe të bejlerëve. Mbas gjashtë muajsh të qeverimit demokratik, me kthimin në pushtet të forcave regresive të mbështetura prej së jashtmi, detyrimisht u desht të pezullohej botimi, duke pritur kohë më të mira, mbasi kjo revistë kishte mbajtur, me shumë gjallërí, anën e revolucionarëve.

Periudha e tretë (1930-1944)

Redakto

Pa përhapjen dhe imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës, duke e çuar “Hyllin” në një nivel të tillë së të kishte pëlqimin e çmimin e rretheve shkencore e kulturore jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare; pau një përparim që prirej te përballimi dhe zgjidhja e anëve pak të njohura ose të panjohura të historisë, të letërsisë, të gjuhës, t’etnografisë e të folklorit shqiptar. Është paraqitja e bërë lexuesve, e kryesisht studjuesve, e të gjithë atyre që mund të qiteshin në pah e që mund t’i nënshtroheshin një diskutimi. Jo më kot ndër bashkëpunëtorët e tij mbahen me të tjerë emra në shêj si prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë si këta.

Edhe në ketë periudhë, vetëm duke përshkuar disa tituj, duke zgjedhur simbas rastit, që të mos binim në një rreshtim shterp titujsh, mund të kemi një idé sidoqoftë të zbehtë të pasurisë së argumentave të trajtuara, ndër të cilët: “Atdheu e shteti në konceptimin katolik”, “Përsa i takon gjuhës letrare”, “Feudalizmi në Ballkan dhe efektet e tija gjatë sundimit otoman”, “Laicitet o bolshevizëm?”, “Në prehnin e nanës trajtohen kombet”. Kurse familja përcaktohej, për çka është njëmend, si shkolla e parë e fëmijës, dhe gjithashtu si krijuesja më me vlerë e kulturës. Përveç kësaj, për studimin e shpirtit të Shqiptarit, me shumë rëndësí janë “Valë mbi valë” dhe “Urti e burrni ndër banorët e Cemit” që kanë pasur si autor Át Anton Harapin. Komunizmi qe përballuar papushim, duke vënë në dukje gjithë kalbësirën e brendshme që gjindej në të. Prandaj nuk janë pak artikujt që i kundërvihen asaj propagandë në Shqipërí me synimin që të ndriçohej opinioni publik, i mashtruar prej reflektimit mashtrues të një mirëqenjeje të rrejshme. Qendrimi i premë i Etënve Françeskanë kundër një ideologjie që kthente n’asgjë personalitetin njerzor, i pasqyruar në njëmendësinë e vet ndër faqet e “Hyllit të Dritës”, përftoi pashmangshëm reagimin e menjëhershëm e rrënjësuer të regjimit komunist, që u vendos në Shqipërí aty nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në 1944 duhet vënë në dukje fjala e Át Anton Harapit, në të cilën bëhet një analizë e mprehtë e gjendjes në Shqipërí n’at çast të caktuar, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën më të lartë të Atdheut, jashtë antagonizmave partiake. Sidoqoftë, përveç komunizmit, njëheri dënohet edhe nazismi. Më 1938 pushtimi i Austrisë, i ashtuquajturi Anschluss nga ana e Gjermanisë naziste, shkaktoi reagimin e Gjon Kamsit me një dënim të shprehun me artikullin “Austria ndrroi jetë”, njëra ndër protestat e pakta, në mos e vetmja, në shtypin shqiptar.

Tradita e revistës

Redakto

Duke vijuar shikimin e përgjithshëm është e qartë se tradita katolike, e trajtuar gjërësisht me dokumentat e zbuluar në arkiva të ndryshëm, sidomos të Vatikanit e t’Italisë e nëpërmjet shkrimeve që anambraptas bënin historinë e Shqipërisë, vëndos në pah përbërsit e ndryshëm të një baze kulturore katolike dhe përendimore të popullit shqiptar. Një sprovë kemi te “Vepra arsimore e françeskajve në Shqypní në shekulln XVII”, “Vepra kulturore e katolikëve në Shqipní”, “Shtypi françeskan në Shqypní”, kurse në një shkrim tjetër përballohet çështja e elementave fetarë në Shqipërí. Një vend të dukshëm zënë arbëreshët. Kujtohet e shtrohet rishtas në vemendjen e lexuesit vepra e kaq arbëreshve që dhanë ndihmesën e tyre për ruajtjen e atyne vlerave shpirtërore, që bënë të mundur mbijetesën e tyre në një ambjent të huaj. Tekstet italo-arbëreshe të prof. Çabejt kanë qenë një kontribut me vlerë në fushën e studimeve kushtuar botës arbëreshe.

Një monografi me shumë rëndësí, në faqet e kësaj reviste, qe “Për gjenezën e literaturës shqipe” të prof. Eqrem Çabejt e cila pat jehonë në botën e letrave. Pranë saj mund të vemë “Fjalorin toponomastik” të Gelasius-it (pseudonim i Dom Nikollë Gazullit, shkencëtar i vrarë prej komunistëve), e mandej “Gjurmime të nji moji në Romë” e “Dorëshkrime të Bibliotekës Nacionale të Parisit” të prof. Fishtës, studjues dhe gjurmues në shenjë në lamin e albanistikës (i dënuar me burgim, ndër të tjera, për studimin “Kosova për historín e letërsín kombtare”). Prof. Athanas Gegaj, autor i “L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle”, botuar në Louvain (Belgjikë) me 1937, i jep ndihmesën e vet studimeve skanderbegiane, sikurse bëjnë edhe Át Gjon Shllaku (tjetër shkencëtar i pushkatuar prej komunistëve) dhe Át Rrok Gurashi (i burgosun prej komunistëve). Gjithë kjo vepër atdhetare e Françeskanëve Shqiptarë pruri, në mënyrë të pashmangshme, kundërveprimin e menjëhershëm dhe rrënjësor të regjimit antikombëtar komunist, posa ky e pushtoi vendin, me përkrahjen aktive të armiqve të kombit shqiptar. Dhe nuk qe vetëm rasti i mbylljes së “Hyllit të Dritës”, kjo qe shoqnuar me plojën e të gjithë bashkëpunëtorëve të kësaj reviste, me një humbje të pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare.

Erdhi koha e ringjalljes së Shqipërisë dhe në vitin 1993, me nismën e françeskanit Át Zef Pllumi, fillonte rishtas botimi i kësaj reviste. U mendua se kohët e këqija kishin kaluar, por nuk ishte ashtu. Erdhi 1997-a, viti i grushtit të shtetit komunist, që përgjaku e shkatrroi shtetin shqiptar. Kështu për të katërtën herë pushoi së botuari “Hylli”, që kaq i kishte dhënë ringjalljes së kombit mbas pushtimit turk.

Në vjetin 2006, në vitin e njëzetegjashtë të jetës së vet, për të pestën herë kemi ringjalljen e kësaj reviste. U ringjall prej hirit të vet, sikurse Feniqja mitike, dhe e bëri mbas 93 vjetësh, me gjithë ndeshtrashat që e kanë përsjellë në jetën e vet, duke ndjekur të njëjtin program dhe duke synuar që nëpërmjet fesë, kulturës dhe dijes t'i japë një trajtë shpirtërore njeriut shqiptar duke qenë me të vërtetë Votër kulture shqiptare. Gjithnjë nën drejtimin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë por kësaj radhe nën kujdesin e prof. Ardian Ndrecës.

Lidhjet e jashtme

Redakto