Nikollë Gazulli
Nikollë Gàzulli (Dajç, 15 qershor 1895 - Vrith, 23 mars 1946) ka qenë prift famullitar, leksikograf me merak për albanologjinë dhe etnografinë, autori i fjalorit të parë onomastik të shqipes dhe bashkëthemelues i leksikografisë dialektore së bashku me Pano Tasen, si dhe kleriku i fundit që botoi në fushën e leksikografisë, brenda kufijve të Shqipërisë.[1] Gjuhëtari Aleksandër Xhuvani e ka cilësuar "Themeluesi i toponomastikës shqiptare", ndërsa Atë Zef Pllumi ndër kujtimet e veta e përshkruan "... mâ i dijtshmi që ka pasë ndonjiherë Biblioteka Françeskane." Pavarësisht kontributit, emri i tij nuk u lakua ndonjëherë në studimet albanologjike gjatë viteve të diktaturës.[2]
Nikollë Gazulli | |
Emri | Nikollë |
Mbiemri | Gazulli |
Lindur më | 17 qershor 1895 |
Lindur në | Dajç, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 23 mars 1946 |
Vdiq në | Shkrel, Shqipëri |
Kombësia | Shqiptar |
Shtetësia | osmane, shqiptare |
Profesioni | albanolog, gjuhëtar, historian |
Pseudonime: "G", "Gelasius" | |
Mirënjohje | |
Biografia
RedaktoU lind në Dajç të Zadrimës, dioqeza e Sapës, i biri i Hiluk Gjonit dhe i Tones së Jak Gjinit, bijë nga Gramshi. Ishte i dyti djalë i kësaj shtëpie, pas Gjonit.[3] Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit që e kishte hapur më 1902 Ndre Mjeda, ku jepte mësim shkodrani Kolë Zezaj. Të mesmen e vazhdoi në Shkodër në Seminarin Papnor e të lartën në Insbruk të Austrisë. I mbrujtur me një kulturë të gjërë, zotëronte gjermanishten, italishten, latinishten dhe sllavishten;[4] kishte njohurí dhe në frëngjisht e turqisht.
Pas dështimit të kryengritjes së Dukagjinit më 1926 vëllai i tij u dënua me vdekje, ndërsa Nikolla u burgos në vitet 1924-1930 në burgun e Gjirokastrës.[5] U lirua më pas në sajë të ndërhyrjes së Fishtës, Joklit e Asdrenit.[2][5] Për shumë vite kreu shërbimet baritore në famullinë e Shkrelit të trevës së Malësisë së Madhe.[6] Shërbeu po ashtu në Bogë, Zagorë, Kastrat e Koplik, etj.[7]
Marsin e 1946 mendohet u vra nga forcat e ndjekjes së regjimit komunist,[6] pasi ishte gjetur dhe rrethuar në një shpellë të Shkrelit ku ishte fshehur,[2] ngaqë ishte në kërkim si agjent i SIM-it nga autoritetet.[5] Sipas Zef Pllumit u vra nga strehuesi i tij, Nikollë Prekushi.[8]
Vepra
RedaktoDuke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si: Kelmend, Hot, Pukë, Dajç i Bregut të Bunës, Ulqin etj., mblodhi dhe analizoi me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si: emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun "Visaret e kombit", XI, (524 faqe me 4819 fjalë), dhe "Fjalori Onomastik", botuar pjesë-pjesë në revistën "Hylli i Dritës" nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës, në 173 faqe, (i papërfunduar).
"Fjalorthi i ri" i Gazullit, së bashku me "Fjalorthin e ri, fjalë të rralla të përdoruna në Jug të Shqipnís", Tiranë, 1941, ("Visaret e Kombit", vëllim XII) të Pano Tases, janë të parët fjalorë krahinorë tek ne, ndërsa "Fjalori onomastik" i Gazullit, si i pari i kësaj natyre në shqipen, tregon se ai është themeluesi edhe i kësaj dege leksikografike.
Jokli e Gazulli letërkëmbimin e kishin të pasur. Jokli priste me deshirë fjalët që i dërgonte Ati, por edhe ky shpesh herë ndiqte etimologjinë e fjalës, duke kërkuar mendimet e Joklit. Siç ngjet për shkarthdhi, pershkardhë, etj. E Jokli përgjigjet, si psh. tek fjala e fundit se ajo perdoret si me ba rob "In die Sklaverei fuhren". Po në të njajten anë Nikolla i gjegjet për Gomsiqe, Bardhanjol, kashnjet. Bie në sy përkushtimi i Gàzullit t'i dërgonte fjalët e rralla, që do vlenin për punën e albanologut. Në letrën e datës 14 dhjetor 1930 pasi thekson se është vënë të mbledhë fjalë të rralla që s'ishin shkruar më parë, Gazulli i lutet Joklit që t'i dërgonte ndonjë të përkohshme, libër apo fjalor, që do t'i vlente për të gjetë domethënjen e fjalës në gjuhë tjera.[9]
Skrupoloziteti i Gazullit me shaka vihej në lojë edhe nga eruditi Karl Gurakuqi, Inspektor i Lartë i Arsimit dhe promovues i Gazullit, i cili i hoqi Fjalorit disa fjalë të karakterit erotik të konsideruara si ofensive për kohën. Nisi të hartonte një tjetër vepër madhore: "Fjalorin Onomastik", të shkruar nën pseudonimin "Gelasius". Puna e tij u citua nga pak kush në kohë të regjimit komunist, ndër të paktit qenë Çabej dhe Xhuvani në dy veprat e tyre: "Parashtesat e gjuhes shqipe" (1956) dhe "Prapashtesat e gjuhes shqipe" (1962), permendin se janë mbështetur gjerësisht në renditjen e pasqyrëzave gramatikore të këtij Fjalori.
Po ashtu hartuesit e Fjalorit të Gjuhes Shqipe 1954; Cipo, Çabej, Domi, Krajni dhe Myderrizi deklarojnë se, pos tjerash, janë mbështetur edhe në lëndën e Fjalorit të Gazullit.[10]
Vepra
Redakto- "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun "Visaret e kombit", XI, (524 faqe me 4819 fjalë). Ribotuar nga shtëpia botuese "Çabej" nën kujdesin e Enkelejda Shamku-Shkrelit në v. 2005.
- "Fjalori Onomastik", botuar pjesë-pjesë në revistën "Hylli i Dritës" nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës, në 173 faqe, (i papërfunduar).
Referime
Redakto- ^ Pepa, Simon (1999). "Kontributi i Klerit Katolik në Leksikografinë Shqiptare". Phoenix. Arkivuar nga origjinali më 19 shkurt 2020. Marrë më 4 qershor 2020.
- ^ a b c Topalli, Kolec (2010). "Persekutimi komunist në shkencat albanologjike". Hylli i Dritës (në anglisht). 1: 8–17.
- ^ Pepa, Simon (2003). Zadrima dhe bijtë e ndritur të saj. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 95. ISBN 9992756357.
- ^ Pepa 2003, p. 99.
- ^ a b c Pepa 2003, p. 107.
- ^ a b Tufa, Agron, red. (2013). Fjalor Enciklopedik i Viktimave te Terrorit Komunist, D-G (PDF). Tiranë: ISKK. fq. 332–333. ISBN 978-9928-168-01-6.
- ^ Pepa 2003, p. 100.
- ^ Shkreli, Artan (2006). "Martiri i Shkrelit: famullitari albanolog, dom Nikoll Gazulli". Shqip (250): 22–23. Arkivuar nga origjinali më 4 qershor 2020. Marrë më 4 qershor 2020.
- ^ Kotrri, Petrit (1998). "Rreth letërkëmbimit të N. Joklit me gjuhëtarë e studiues shkodranë". Shkodra në shekuj. 2: 17–19.
- ^ Shamku-Shkreli, Ledi (2005). Intervistuar nga Anisa Ymeri. "Fjalorthi" i Gàzullit për arbnorët e plogshtë". Korrieri (295): 29.