Aleksandër Xhuvani
Aleksandër Xhuvani (Elbasan, 14 mars 1880 - Tiranë, 22 nëntor 1961) ka qenë arsimtar, tekstolog, gjuhëtar shqiptar, nëpunës dhe ministër i shtetit shqiptar. Për punën e tij në lëmin e arsimit është nderuar me titullin Mësues i Popullit.[1]
Aleksandër Xhuvani | |
---|---|
Ministër i Arsimit | |
Në detyrë 12 dhjetor – 24 dhjetor 1921 | |
Paraprirë nga | Kristo Dako |
Pasuar nga | Rexhep Mitrovica |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 14 mars 1880 Elbasan, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 22 nëntor 1961 Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | shqiptar |
Fëmijët | Plutark, Semiramis, Jolanda |
Punësimi | arsimtar, nëpunës, tekstolog, gjuhëtar |
Biografia
RedaktoU lind më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan,[2] i biri i Papa Janit, priftit të Shtërmenit.[3] Motra e tij u martua me zanatçiun Simon Cipon, prej bashkimit të të cilëve u lind Kostaq Cipo. Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin e Çotilit. Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-'06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908.
Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 bashkëpunoi me Lef Nosin në hapjen e revistës "Tomorri". Normalja u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. Shirokën dhe av. Çajupin.[4] Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.
Kthehet në atdhe dhe riemërohet drejtor në Normale, më tej gjendet herëmbashere në Shkodër gjatë punimeve të KLSH. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Nga 1938 deri më 1940 e gjejmë sërish në Ministrinë e Arsimit si anëtar i komisionit teknik,[5] si dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare.[6]
Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Me vdekjen e njërit prej djemve të tij, Ptolemeut, ia diktoi kahjen e pasluftës kur edhe vajzat i martohen me Ramiz Alinë dhe Bilbil Klosin. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor[7]. Vdiq më 23 nëntor 1961.
Veprimtaria
RedaktoMë 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën "Albania" të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit "Kopshti letrar"; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve '30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut për vitin 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Ai kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si Jeta e Pirros etj. Dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953).
Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjëruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor.
Bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957).
Nëntëmbëdhjetë vite pas vdekjes, më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.
Aleksandër Xhuvani dhe kritika leksikografike
RedaktoAleksandër Xhuvani është themeluesi i kritikës leksikografike shqiptare, por që ai të fitonte këtë atribut duhej të ishte në radhë të parë vetë leksikograf. Të gjithë ne e dimë punën e tij të jashtëzakonshme dhe plot pasion për të mbledhur pasurinë leksikore të mbarë gjuhës shqipe dhe për të përgatitur një fjalor shpjegues të veçantë. Duke u mbështetur në veprën që na ka lënë trashëgimi ky albanolog i shquar shqiptar, ne jemi ndalur në disa artikuj ku shfaqet komponenti i tij i punës shkencore. Në një artikull kuptohet se nuk mund të jepet e gjithë ndihmesa e tij në fushën e kritikës leksikografike.
Xhuvani ka bërë një punim të plotë analizues dhe kritik për Fjalorin shpjegues të shqipes (FGJSH), i cili është botuar në vitin 1954, botim i Institutit të Shkencave. Aleksandër Xhuvani ka qenë përgjegjës i seksionit të leksikologjisë dhe të leksikografisë i cili ka bashkëpunuar për redaktimin e veprës. Ai trajton në këtë punim (Çështja e “Fjalorit të gjuhës shqipe”) një nga çështjet më të rëndësishme të kohës (jemi në kohën që diskutohej për variantin mbi të cilin do të ngrihej shqipja e ardhshme standarde), atë të fjalëve që kanë zënë vend në fjalor dhe natyra apo prirja për të qenë normative në një vepër mbarëkombëtare. Pas botimit të veprës pati diskutime të shumta për këtë problem. Është fakt se në këtë Fjalor janë futur shumë fjalë nga gjuha e folur dhe nga të folurat krahinore, por që nuk e bëjnë fjalorin krahinor e dialektor.
Autori me përgatitjen e lartë shkencore mban qëndrim kritik dhe sqaron njëherazi dhe termat fjalë krahinore përballë fjalë e leksikut të përgjithshëm. Sipas tij, “Krahinore ose krahinarizma mund të quajmë disa fjalë e shprehje tipike të një krahine që shquhen nga trajta e tyre shumë e rrallë në krahasim me një trajtë të drejtë morfologjisht e që vetvetiu nuk hyjnë në gjuhë të shkrimit”.
Aleksandër Xhuvani në artikullin në fjalë merret me një problem që në ditët e sotme ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të gjuhëtarëve, atë të pasurisë leksikore të veprave të shkruara në gegërishte dhe vendin e kësaj pasurie në një fjalor apo qëndrimi e vlerësimi ndaj saj. Me largpamësi si vijon ai shkruan: “ Nga gjithë sa u thanë del se, gjersa në gegërisht kemi një prodhim të gjerë të veprash letrare e të çdo gjinie tjetër jo vetëm të vjetra e të reja, por edhe të sotme, dhe si gjuhë kjo me toskënishten… e bie puna që të mësohet… nëpër shkollat për interpretim të këtyre veprave e për studim të veçantë të saj, regjistrimi i fjalëvet gegërishte është i nevojshëm dhe i dobishëm”.[8]
Arsimi dhe pedagogjia
RedaktoAleksandër Xhuvani u mor me trajtimin e çështjeve më të rëndësishme dhe më thelbsore pedagogjike, të lidhura ngusht me nevojat për ngritjen e nivelit shkencor të arsimit dhe të shkollës shqipe. Punimet dhe veprat e tij pedagogjike dhe psikologjike u shkruan dhe u botuan në kohën kur në Shqipëri kishte nevojë shumë të madhe për vepra të tilla në gjuhën shqipe.
Pedagogjia sipas Aleksandër Xhuvanit, është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ajo ka lidhje të ngushtë me shkenca tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, fiziologjinë, sociologjinë, logjikën etj. "Psikologjia pra bashkë me Logjikën e me Moralin (shkruan Xhuvani) na japin rregullat e edukatës dhe janë bazat themelore të Pedagogjisë, pa të cilat ajo nuk ban punë"
Xhuvani u morr gjithashtu, edhe me përpunimin e çështjeve të ndryshme nga disiplina të veçanta shkencore të pedagogjisë, ndër të cilat është edhe pedagogjia e përgjithshme. Ndër çështjet që trajtoi ai në këtë fushë është edhe ideali i edukatës kombëtare. Sipas tij, ideali themelor i "edukatës asht formimi i personalitetit, d.m.th. mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjykim me vehte e të lirë, me nji sy të patrembun për çdo rast të jetës e me nji dashuni të vërtetë për çdo gja të ndershme dhe ma fort për veprimin e njeriut në shoqëri njerëzore." Ky ideal, vazhdon Xhuvani, mund të arrihet përmes organizimit të drejtë të edukatsë (mendore, morale, religjioze, kombëtare, fizike, punuese dhe estetike).
Aleksandër Xhuvani kontribuoi edhe në fushën e historisë së pedagogjisë botërore dhe historisë së pedagogjisë shqiptare, e cila rreth gjysmë shekulli ndërlidhej ngushtë me jetën dhe punën e tij arsimore dhe pedagogjike.. Ishte histori e gjallë e shkollsë dhe e pedagogjisë shqiptare. Meritë e tij është fakti që vazhdimisht u përpoq për ndërlidhjen e traditës pedagogjike përparimtare me nevojat aktuale të shkollës dhe arsimit shqiptar, siq ishte pedagogjia herbartiane, rrymat e ndryshme të pedagogjisë së shkollsë së re etj. Jo rastësisht shkroi në vijime, për lulëzimin e demokracisë dhe të shkollave në Athinën dhe në Romën antike, kur kultura dhe shkolla shqipe rrezikoheshin nga italianizimi dhe fashistizimi i tyre. Xhuvani shkroi edhe monografinë "J.H. Pestalozzi (Jeta, veprat e pedagogjia e tij)."
Për portretin poliedrik të Xhuvanit dëshmon puna e madhe që bëri në fushën e psikologjisë. Sipas tij, puna mësimore duhet të mbështetet në njohjen e gjithanshme të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Pikërisht, për ta ndihmuar arsimin shqiptar shkroi edhe veprën Psikologjia, të cilën albanologu i shquar Norbert Jokli e vlerësoi "vepër monumentale" për tërë literaturën shqiptare. Ky në fakt, është një tekst i psikologjisë pedagogjike, por që në të ngërthen edhe përmbajtje nga psikologjia e përgjithshme, nga ajo fëmijërore, patologjike, fiziologjike, eksperimentale etj. Mendimin e tij psikologjik e pedagogjik ai e mbështeti në rezultatet e arritjeve shkencore në Evropë dhe në Amerikë, duke përfshirë këtu veprën e Lajit, Mojmanit, Vuntit, Ribosë, Klapareidit, Shternit, Xhemsit, Frojdit, Djuit, Piazhesë etj.
Aleksandër Xhuvani dha kontribut me vlerë edhe në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës dhe pedagogjisë shkollore shqiptare. Didaktika, sipas tij është "një shkencë edhe një art; asht shkencë në pikëpamje të dijes që i jep nxanësit, asht art në pikëpamje të përdorunit e të zbatuemit të gjanave të mësueme." U mor me trajtimin e çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siq janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, lokalet shkollore etj. Me tekstet e tij, Didaktikë e Edukatë, Didaktika etj., u përpoq që shkollën shqipe ta nxjerrë nga prapambeturia dhe kaosi i rrymave dhe ndikimeve të ndryshme pedagogjike dhe ta ngritë atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike, duke e mbështetur në arritjet e didaktikës evropiane. Në këtë plan, sipas Xhuvanit, rol të rëndsëishëm ka sidomos mësuesi, vokacioni i tij "sepse arti i edukatës, që ushtron mësuesi, asht ma i nalti e ma fisniku i arteve;..."
Xhuvani u shqua edhe për punën e madhe dhe me kompetencë profesionale që bëri për zbatimin në praktikën shkollore të arritjeve të pedagogjisë shkollore dhe të metodikës. Normalja e Elbasanit, sidomos ushtrimorja e saj, u shndërrua në laborator për "eksperimentimin" e metodave dhe formave të reja mësimore, të mjeteve të konkretizimit të mësimit. Kjo veprimtari ishte nën përkujdesjen e drejtëpërdrejtë të Xhuvanit, i cili shquhej për afinitet dhe përgatitje të lartë profesionale - metodike. Si i tillë, kontribuoi në zhvillimin e metodikave të mësimdhënies së lëndëve të ndryshme, sidomos të metodikës së mësimit të shkrim - leximit fillestar, të gjuhës dhe të letërsisë shqipe etj.
Gjithashtu, vlerë të veçantë kanë edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme të pedagogjisë parashkollore, të arsimit për të rriturit (andragogjisë), të pedagogjisë familjare. Edhe Xhuvani, sikurse rilindësit tjerë, që kur gjendej në Egjipt, theksoi me forcë, domosdonë për ngritjen arsimore dhe kulturore të femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi faktor shumë të rëndësishëm kombëtar dhe edukativ (pedagogjik). "Shkalla arsimore e gruas shqiptare, shkruan ai, asht themeli i edukatës shoqnore, themeli i përparimit tonë si shtet e si komb."[9]
Veprat më të njohura
Redakto- Fillime të pedagogjisë. Pjes`e parë. Psikologji e shtime në punë t`edukatës;
- Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktikë e Edukatë;
- J.H. Pestalozzi. Jeta, veprat e pedagogjia e tij;
- Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktika;
- Edukatë (dorëshkrim)[10]
- Libri i gjuhës shqipe;
- Njohuritë e para të sintaksës shqipe;
- Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme" (me Kostaq Cipon);[11].
Shih edhe
RedaktoLidhje të jashtme
RedaktoWikiquote ka thënie në lidhje me: Aleksandër Xhuvani |
Referime
Redakto- ^ Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë, 8 nëntori, Tiranë, 1983, fq. 716 - 718.
- ^ Bardhyl Graceni: Aleksandër Xhuvani, 8 nëntori, Tiranë, 1980, fq. 12.
- ^ Bajrami, Shpend. "Aleksandër Xhuvani (1880-1961)". elbasani.org.
- ^ Uran Asllani., Shqiptarët e Egjiptit dhe veprimtaria atdhetare e tyre, Metropol. - Nr. 706, 6 qershor, 2006, f. 16.
- ^ Annuario del Regno d'Albania, Milano: Ravagnati, 1940.
- ^ AQSH, F. 200, V. 1940, D. 1.
- ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005.
- ^ Karaj, Engjëllushe (2019). Punëtorë të shquar të albanologjisë (bot. 1st). Elbasan: Shpresa Print. fq. 109, 110. ISBN 978-9928-4559–9-4.
{{cite book}}
: Shiko vlerën e|isbn=
: simbol i palejuar (Ndihmë!) - ^ Hajrullah Koliqi: Historia e pedagogjisë botërore II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 267 - 271.
- ^ Hajrullah Koliqi:Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 380 - 387.
- ^ Lleshi L., Aleksandër Xhuvani, arsimtari që iu përkushtua gjithë jetën gjuhës shqipe: familja Xhuvani, mes arsimit, artit, letërsisë e teologjisë, Metropol. - Nr. 1042, 12 maj, 2007, f. 18.