Kongresi i Elbasanit

kongresi i elbasanit ky kongres u mbajt ne vitin 1909 . 50 vet ishin nga kosova qe ishin

Kongresi i Elbasanit (apo Kongresi i Shkollave Shqipe) u mbajt nga 2 deri 10 shtator të vitit 1909 në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë. Kongresi ka rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe, zgjedhjen e dialektit t Elbasanit si gjuhë kombëtare, si dhe themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit, e cila u hap vetëm tri muaj më vonë, në dhjetor 1909. Kongresi gjithashtu trajtoi probleme të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Ndërtesa e Kongresit të Elbasanit

Premtimet boshe të xhonturqve dhe Kongresi i Dibrës Redakto

Pas një viti që kishte ndodhur Revolucioni i Xhonturqve ishte e qartë për patriotët shqiptarë që kërkesat arsimore për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke, formimin e fondeve për shkollat dhe mësuesit e shqipes, botimin e librave në gjuhën amtare, si dhe disa premtime të tjera politike që ishin biseduar xhonturqit nuk do realizoheshin dhe se politika e xhonturqve ndaj kulturës shqiptare ishte vetëm një demagogji. Më 25 mars 1909 patriotët shqiptarë lajmëruan nga Klubi Shqiptar i Selanikut, duke iu drejtuar të gjitha klubeve dhe shoqërive patriotike, se do të mbahej një kongres mbi shkrimin dhe shkollën shqipe. Si kohë për mbajtjen e këtij tubimi u caktua 14 maji 1909, ndërsa vendi ku do të mbahej Kongresi u caktua të jetë Elbasani.[1]

Në historinë kombëtare Kongresi i Elbasanit quhet edhe “Kongresi i Shkollave Shqipe”. Kongresi i Elbasanit ishte një përgjigje ndaj rrezikut për fatin e alfabetit e të shkollës shqipe që vinte nga njerëzit e pushtetit, nga kleri i lart mysliman dhe nga të gjithë ata që punonin në favor të politikës së osmanizmit e të forcimit të perandorisë së tyre. Ky kongres do ishte edhe një reagim ndaj Kongresit të Dibrës, përmes të cilit turqit e rinj arritën që te shqiptarët e krahinave të ndryshme ta nxisin përdorimin e alfabetit sipas dëshirës. Sipas studiuesit Avzi Mustafa, ky ishte kufizim, pasi menjëherë pas Kongresit të Manastirit, e sidomos pas Kongresit të Dibrës, turqit e rinj dhe përkrahësit e tyre shqiptarë kërkonin që xhamitë t’i kthejnë në vende politike-propagandistike kundër alfabetit dhe shkollës shqipe e jo që ato të shërbejnë si vende adhurimi. Kështu Ministria e Arsimit të Turqisë në fund të vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e Vilajetit të Kosovës gjuha shqipe të mësohet me shkronja arabe, dhe po një urdhër i tillë u dha edhe në shkurt të vitit 1909 për prefekturën e Elbasanit.[1]

Delegatët Redakto

Organizatori kryesor i Kongresit ishte patrioti i shquar Lef Nosi. Klubet e ndryshme patriotike autorizuan delegatë që të përfaqësonin këto klube. Gjithsej kishte 35 delegatëve nga të gjitha vendet e Shqipërisë, të përfshirë në 8 klube e shoqata, të shpërndara në 28 qendra të banuara. Në veçanti, klubi Bashkimi, mbulonte 16 qendra të banuara, klubi Vllazënia kishte degë në 3 qendra të banuara, kurse 6 klubet e tjera kishin nga një qendër secili. Misioni Amerikan në Tiranë dhe Korçë i përkisnin klubeve Bashkimi dhe Dituria, respektivisht. Një delegat mund të përfaqësonte disa klube, dhe, si i tillë, kishte më shumë peshë. Për shembull, Midhat Frashëri përfaqësonte 6 klube, dhe ishte delegati me peshën më të madhe, ndërsa Osman Joraja përfaqësonte 4 klube.[2] Klubi i Manastirit u përfaqësua nga Gjergj Qiriazi dhe motra e tij, Sevasti Qiriazi, nga Ohri u delegua Hamdi dhe Abdullah beu, ndërsa nga Struga Abdullah Rushit Ahmeti. Në Kongres nuk morën pjesë delegatë nga Shkodra, por ata e kishin njoftuar organizatorin se do t’i pranojë të gjitha vendimet e këtij kongresi.[1] Kongresi përfshiu atdhetarë dhe mësues nga më të njohurit e lëvizjes kombëtare, si dom Nikoll Kaçorri, Jahja Ballhysa, Dervish bej Biçaku, Gligor Cilka, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karahasani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Dhimitar Buda, Emin Haxhiademi, Abdullah Koprënaçka, Kristo Dako, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selaman Blloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vrioni etj.[2]

Atmosfera para Kongresit dhe mikpritja ndaj delegatëve Redakto

Elbasani disa ditë para dhe gjatë mbajtjes së Kongresit gumëzhinte si koshere bletësh me gjuhë dhe me këngë shqipe, por edhe me veshje karakteristike të trevave të ndryshme shqiptare. Në bazë të një informacioni nga Kërçova në këtë kongres kishin marrë pjesë Jusuf Turabiu me Rexhep Faskun. Këto të dy së pari kishin shkuar në konakun e Hafiz Ali Korçës ku ishin njohur hollësisht mbi këtë kongres, e më pastaj kishin udhëtuar për në Elbasan. Po kështu në këtë kongres kishin ardhur patriotë edhe nga Struga, Manastiri, Resnja, Tetova, Dibra, Shkupi e gjetiu.[1]

Mbajtjen e Kongresit e përshëndetën dhe e përkrahën edhe shumë atdhetarë e patriotë brenda dhe jashtë vendit. Mirëseardhje delegatëve te Rrapi i Vojvodës në hyrje të Elbasanit u dhanë Dhimitar Paparisto dhe Hysen Ceka nga Elbasani. Ndërkaq, në një dokument thuhet se po aty i ka përshëndetur edhe një bej nga Tetova, i cili mund të ketë qenë Dervish Hima, i cili për shumë arsye vishej si bektashi dhe paraqitej si punëtor që kryente shërbime të ndryshme. Megjithatë sipas dijetarit Kristaq Priftit, ai ishte propozuar gjatë përgatitjes së Kongresit si inspektor i shkollave, por gjatë mbajtjes së Kongresit thuhet se kishte qenë jashtë atdheut, ndërsa sipas dijetarit Azvi Mustafa, ky bej që përshëndeti ka mundësi të ketë qenë edhe ndonjë halife me emrin Emin dhe jo Dervish Hima.[1]

Jehonën e madhe që pati kjo ngjarje e shohim dhe nga letrat që u lexuan gjatë hapjes së punimeve të Kongresit. Ja se si shkruan Mit'hat Frashëri në ditarin e tij “Gjashtë javë në Shqipëri”, botuar në gazetën “Lirija” 1909/10 : “Delegatët u mblodhën dhe kënduan letrat që kishin sjellë klubet nga të cilat dërgoheshin e pastaj u zgjodh kryetari dhe nënkryetari.”[1]

Çështjet që u shqyrtuan Redakto

Kongresi filloi më 2 shtator 1909 dhe zgjati deri më 10 shtator. Në Kongres u shqyrtuan tri çështje, mes të cilave hapja e një shkolle pedagogjike që e quajtën Shkolla Normale me seli në Elbasan. Kjo shkollë normale do të duhej të jetë e veçantë, kurse shkollat tjera fillore do të hapeshin jashtë kësaj shkolle. Sipas gazetës serbe “Politika” të datës 12. shtatorit 1909 mësojmë se kongresistët i kanë bërë një kërkesë Portës së Lartë që në tërë Shqipërinë të hapen shkolla bujqësore me mësim vetëm në gjuhën shqipe. Në këtë Kongres u caktuan edhe komisionet e veçanta: njeri për administrimin të shkollës, kurse tjetri për hartimin e buxhetit për vitin e parë shkollor. Ndërkaq çështja e tretë ishte caktimi i një qendre të përgjithshme për grumbullimin dhe mirëmbajtën e shkollave dhe organizimin e punës edukativo-arsimore. Ajo qendër i caktoi rregullat e udhëheqjes dhe kontrollit të shkollave, me çka për herë të parë fillon puna e inspektoratit të shkollave shqipe.[1]

Kongresi i Shkollave jo që shënoi themelimin e një sistemi kombëtar të shkollave në gjuhën shqipe, por edhe e përcaktoi strukturën programore për përgatitjen e kuadrove mësimore dhe luajti një rol të madh në kombinimin e shkencores dhe profesionales në aspektin organizativ. Për herë të parë ai e zgjidhi përmbajtjen e shkollës sonë, në të u caktua edhe rregullorja mbi funksionin administrativo-pedagogjik, si: caktimi i klasave dhe nxënësve, u caktuan pagat, detyrat dhe detyrimet e nxënësve, buxheti e shkollës, ngritja e komisioneve në mbarëvajtjen shkollave etj. Ky kongres për here të parë në historinë e popullit tonë e mbështeti fortë idenë e gjuhës së shkruar, gjë që kontribuoi edhe më tepër në forcimin e ndërgjegjes kombëtare që paraqiste një faktor të rëndësishëm për të demaskuar politikën shkombëtarizuese të osmanlinjve. Thënë ndryshe, Kongresi i Elbasanit i dha përgjigje projektit perandorak HATTI-HUMAIUM që ishte planifikuar shumë me herët dhe pritej të zbatohet në të gjitha shkollat shtetërore të Perandorinë Osmane, pra edhe në vilajetet shqiptare. Në këto vilajete ku gjoja njihej e drejta fetare, por mohohej arsimi në gjuhën amtare, ky kongres i dha përgjigje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Perandorisë “Se Shqipëri ka”. Gjithashtu ky ishte edhe një grusht i fortë ndaj integristëve që në Kongresin e Dibrës donin që shkollës dhe gjuhës t’i jepnin karakter proosman.[1]

Kongresi paraqiti një ngjarje shumë të madhe dhe të rëndësishme për gjuhën dhe arsimin shqiptar. Ky kongres ishte bërthama ose atomi i hapjes së shkollës normale si shkollë e parë e mesme shqipe, por inkurajues ishte edhe fakti për hapjen e shumë shkollave ku mësohej gjuha shqipe jo si lëndë mësimore, por ku të gjitha lëndët zhvilloheshin në gjuhën shqipe.[1]

Kongresi i Elbasanit i ndërpreu rrugën shkollimit të huaj të ndërtuar mbi baza fetare dhe e hapi rrugën e shkollimit laik, ai shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtor e pleqësi dhe i bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Me një fjalë, në këtë kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu ky kongres e hapi edhe rrugën për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e Elbasanishtes si model të shqipes së shkruar.[1]

Vendimet e Kongresit te Elbasanit Redakto

Për organizimin dhe përgatitjen e Kongresit u angazhua klubi “Bashkimi e Vëllaznia” i Elbasanit. Bashkë me njoftimet për mbajtjen e Kongresit ishte caktuar edhe rendi i ditës i cili i përmbante 9 pika, të cilat ishin edhe vendimet e kongresit :

  1. Çelja e shkollave të reja shqipe, përcaktimi, numri dhe vendi ;
  2. Çelja e një shkolle normale ;
  3. Mënyra se si do të mbaheshin shkollat, ku dhe si të siguroheshin mjetet e nevojshme financiare *Programi dhe struktura e shkollave shqipe ;
  4. Buxheti i shkollave dhe zgjedhja e mësuesve;
  5. Caktimi i një inspektori të arsimit për të gjitha shkollat shqipe ;
  6. Krijimi i një qendre për organizimin dhe kontrollin e shkollave ;
  7. Shkollat greke të ktheheshin në shkolla shqipe;
  8. Lidhja e klubeve dhe hartimi i një programi të përbashkët.

Rëndësia e Kongresit të Elbasanit Redakto

Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtorë e pleqësi dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu ky kongres hapi edhe rrugën për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.[1]

Pas Kongresit të Manastirit ose, siç e quanin, Kongresit të Abesë, u shtua edhe më shumë etja e shkrimit dhe arsimit në gjuhën amtare shqipe, një ndjenjë e fuqishme që patriotët shqiptarë e kishin mbjellë në popull. Patriotët shqiptarë ishin të vetëdijshëm se pa arsim në gjuhën amtare nuk mund të mbijetojë as kombi. Andaj klubet shqiptare e morën mbi vete këtë mision që, krahas propagandës për shkrim e shkollë shqipe, të kujdesen edhe për mirëmbajtjen e tyre, duke mos i kursyer as ekonomitë e tyre që i kishin krijuar me bukën e helmit të kurbetit.[1]

Njëra prej detyrave më primare me të cilën ishin ngarkuar klubet ishte që gjuha shqipe të futet si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore fillore e qytetëse (ryzhdije). Për këtë çështje, për t’u kërkuar leja që gjuha shqipe të behet gjuhë zyrtare në gjitha shkollat në treva shqiptare, u ngarkua Klubi i Manastirit.[1]

Dashuria ndaj alfabetit e shkollës dita-ditës po shtohej dhe, në bazë të kronikave të kohës, kudo shohim një aktivitet të vrullshëm për përhapjen e shkollave në gjuhën amtare, si në : Manastir, Dibër, Ohër, Kërçovë, Gostivar, Shkup, Veles e gjetiu. Në këtë kohë, përveç Klubit të Manastirit, si klube me aktivitete të mëdha shquheshin edhe klubi i Shkupit, ai i Ohrit, i Strugës i Kërçovës dhe i Kumanovës. Arsimdashësit shqiptarë në veprimtarinë e tyre vazhduan të vepronin fuqimisht në formimin dhe zgjerimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe në zhvillimin e psikologjisë kombëtare të popullit. Ata kudo që shkonin evokonin krenarinë dhe të kaluarën e lavdishme që shqiptarët ruajtën ndër shekuj. Klubet shqiptare vepronin në bazë të programeve ose, siç i quanin patriotët shqiptarë, kanonizma. Klubi qendror i Manastirit i nxiste degët e veta kudo që të ngrinin klube edhe në fshatra, madje edhe me 5-10 anëtarë. Kështu duke angazhuar dhe duke ndërmarrë hapa konkretë dhe për të parë se si organizohej puna, ata formuan edhe Lidhjen për Përhapjen e Shkollave Shqipe dhe ngritën një fond të posaçëm për hapjen, pajisjen dhe mirëmbajtjen e shkollave. Ky fond u themelua diku në muajin nëntor të vitit 1908, ndërsa në të shumë shpejt u anëtarësuan shumë patriotë shqiptarë edhe nga viset e Maqedonisë së sotme.[1]

Referime Redakto

  1. ^ a b c d e f g h i j k l m n Mustafa, Avzi (9 korrik 2009). "Kongresi i Elbasanit, vepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe të gjuhës shqipe". VOA. Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016. Marrë më 4 janar 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b Lloshi 2008, p. 65.

Literature Redakto