Xhonturqit
Xhonturqit ose Zhonturqit (turqisht: Jön Türkler ″Turqit e rinjë″) ishte lëvizje nacionale-borgjeze që lindi në vitet 80 të shek. XIX në Perandorinë Osmane dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan Abdyl Hamitit II. Pas formimit në Stamboll, në maj të vitit 1889, të Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (Ittihad ve Terakki), i cili pas disa vitesh u shpërnda nga qeveria e sulltanit, turqit e rinj vijuan veprimtarinë e tyre kryesisht jashtë vendit, ku gjatë viteve 1895-1896 formuan shoqëritë e tyre dhe nxorën një varg organesh shtypi.
Programi i turqve të rinj, i formuluar në mënyrë më të përcaktuar nga grupi i Ahmet Rizajt, që ishte vendosur në mesin e viteve 90 në Paris ku nxirrte gazetën “Meshveret” (“Debatet”), ishte tepër i kufizuar, përmbante vetëm kërkesën e zbatimit të ligjeve që kishin dalë nga koha e Tanzimatit (1839-1876) dhe në mënyrë të veçantë rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876, me të cilat synonin të forconin qëndrueshmërinë e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj. Turqit e rinj ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjen kombëtare, që përbënte problemin themelor të Perandorisë multietnike Osmane dhe synonin në fund të fundit të forconin pushtetin e saj të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e këtij programi e përbënin ruajtja e unitetit dhe e tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e dinastisë Osmane, por me kusht që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një monarki kushtetuese parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin, panturkizmin dhe panislamizmin.
Shqiptarët mes Xhonturqit
RedaktoLëvizjes Kombëtare Shqiptare, që qëndronte në luftën kundër absolutizmit të sulltanit, e cila ishte një çështje që bashkonte shqiptarët e popujt e tjerë të shtypur me xhonturqit, megjithëse synimet e tyre në këtë luftë ishin të ndryshme. Ndryshe nga turqit, shqiptarët me përmbysjen e regjimit të Abdyl Hamitit II synonin të siguronin autonominë dhe të hiqnin qafe zgjedhën turke. Prandaj një pjesë e atdhetarëve u përfshinë në lëvizjen e turqve të rinj qysh në fillimet e saj dhe luajtën atje një rol të rëndësishëm. Një nga themeluesit e komitetit të parë xhonturk “Bashkim e Përparim” (1899) ishte shqiptari nga Struga, Ibrahim Temo, student i shkollës së lartë ushtarake-mjekësore të Stambollit. Edhe pas arratisjes së tij nga Turqia në Rumani (nëntor 1895), doktor Ibrahim Temo mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të lëvizjes xhonturke dhe njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në lëvizjen e turqve të rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara dhe mjaft atdhetarë të tjerë brenda e jashtë atdheut.
Qysh në vitet 1896-1897, kur shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk kishte ngritur ende organizatat e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës së Kostancës, të kryesuar nga dr. Ibrahim Temoja dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër, Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat, Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa nga këto qytete ishin ngritur edhe bërthama të shoqërisë “Bashkim e Përparim”, ndërsa në Shkodër vepronte në vitet e fundit të shek. XIX një degë e organizuar e kësaj shoqërie. Këto degë kishin marrëdhënie me qendrat e Gjenevës e të Londrës të “Bashkim e Përparimit”. Nëpërmjet portit të Durrësit dhe vijës Selanik-Manastir hynin në Shqipëri, me anën e postës austriake, gazetat e revistat e turqve të rinj, që shpërndaheshin në qytete të ndryshme të vendit.
Shqiptarët që morën pjesë në lëvizjen e turqve të rinj, u përpoqën të formonin në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik-përparimtar, të përbërë kryesisht nga përfaqësues të popujve të shtypur të Perandorisë Osmane ose nga elementë të moderuar turq, që synonin të përmbysnin absolutizmin e sulltan Abdyl Hamitit dhe të shpallnin kushtetutën. Duke qenë përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, këta veprimtarë, në një varg thirrjesh drejtuar turqve e shqiptarëve, në artikujt e botuar në shtypin e turqve të rinj dhe në korrespondencat me Ahmet Rizanë e krerët e tjerë xhonturq gjatë viteve 1896-1905, parashtruan si kërkesa të ngutshme “njohjen e kombësisë shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje formimin e një Shqipërie autonome. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët e tjerë të lëvizjes, që i quanin ato të papranueshme për “kombin sundues (turk) që ishte në fuqi” dhe “për shtetin osman që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe zyrtare atë osmane” (turke).
Në Kongresin xhonturk të Parisit, që u mbajt në shkurt të vitit 1902, morën pjesë përveç turqve edhe shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima, Jashar Erebara etj.), armenët, maqedonët, arabët etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail Qemali, kërkuan që t’u njiheshin atyre dhe kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike. Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes së kryengritjes kundër absolutizmit të sulltanit, ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake. Por turqit e rinj deri në fund të vitit 1907 mbetën në pozita konservatore e reformiste, u shprehën kundër revolucionit dhe kryengritjes, duke i quajtur ato “të dëmshme e shkatërrimtare për Turqinë”.
Në këto rrethana, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk deshi t’u njihte popujve joturq asnjë të drejtë kombëtare, pjesëmarrja e shqiptarëve në lëvizjen e turqve të rinj, deri në pragun e Revolucionit xhonturk, nuk ishte e gjerë. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës (“Shqipëria”, Bukuresht, 1897-1899; “Drita”, Sofje, 1901-1908; “Shkopi”, Kajro, 1907-1908; “Kombi”, Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare e shihnin me mosbesim lëvizjen e turqve të rinj dhe deri në këtë periudhë mbajtën ndaj saj një qëndrim të rezervuar, madje opozitar. Edhe vetë turqit e rinj, deri në vitet 1905-1906, nuk ndërmorën as në Anadoll, as edhe në Rumeli, veprime konkrete politike, organizative e të armatosura, që do t’i tërhiqnin shqiptarët dhe popujt e tjerë në lëvizje, por u kufizuan me propagandën që shtypi i tyre i jashtëm bënte kundër absolutizmit të sulltanit, për rivendosjen e kushtetutës.
Zhvillimi me sukses i luftës së armatosur të popullit shqiptar dhe atij maqedon nga njëra anë, forcimi i ndërhyrjeve të Shteteve të Mëdha dhe të atyre fqinje nga ana tjetër, i nxitën turqit e rinj të shtonin përpjekjet për të tërhequr në anën e tyre shqiptarët e maqedonët. Në vitin 1906 u ngrit qendra e Selanikut e “Bashkim e Përparimit”, që luante rolin e një komiteti qendror për Turqinë evropiane dhe zhvillonte një propagandë të gjerë në vilajetet e Rumelisë. Në Kongresin e dytë, që u mbajt në Paris në dhjetor të vitit 1907, turqit e rinj po për këtë qëllim pranuan të përdornin kryengritjen e armatosur si mjet të luftës kundër absolutizmit të sulltanit dhe për të rivendosur kushtetutën.
Në shpërthimin e shpejtë të revolucionit ndikuan veçanërisht dy ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat u vlerësuan si hapa të mëtejshëm në politikën kapitulluese të sulltanit përpara Fuqive të Mëdha dhe si një kërcënim i rëndë për tërësinë e Perandorisë. Në janar të vitit 1908 ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Erental, deklaroi se qeveria e tij me pëlqimin e sulltanit do të fillonte ndërtimin e hekurudhës së Mitrovicës. Në këtë mënyrë Vjena do të lidhej drejtpërdrejt me vijën hekurudhore që shkonte përmes vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe dilte në Selanik. Ndërtimi i një hekurudhe të tillë do të lehtësonte depërtimin austriak në dy vilajetet shqiptare dhe në territoret e tjera me popullsi maqedonas. Si përgjigje ndaj këtij veprimi të njëanshëm të Austro-Hungarisë, në qershor 1908 u mbajt takimi i Revalit (Rusi), i carit të Rusisë me mbretin e Anglisë, në të cilin u arrit marrëveshja anglo-ruse mbi programin e reformave të reja në Maqedoni, që do të çonin në forcimin e kontrollit të këtyre fuqive në Turqinë Evropiane.
Duke qenë tanimë të bindur se Turqia Evropiane do të shkëputej nga Perandoria Osmane, qoftë si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha, qoftë për shkak të lëvizjeve çlirimtare shqiptare e maqedone, xhonturqit i shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes së armatosur. Ky orientim i ri, si edhe premtimet që u bënë shqiptarëve, maqedonëve e popujve të tjerë për t’u dhënë, bashkë me kushtetutën, “lirinë, barazinë, vëllazërimin dhe drejtësinë”, i siguruan udhëheqjes xhonturke përkrahjen e këtyre popujve e në mënyrë të veçantë të shqiptarëve. Në këtë ndikuan edhe thirrjet që xhonturqit u drejtuan shqiptarëve gjatë vitit 1908, të cilat kishin një tingëllim antiimperialist, bënin fjalë për “synimet e Austro-Hungarisë dhe të Italisë për të pushtuar vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës dhe të Janinës”. Në këto rrethana u rrit ndikimi i xhonturqve mbi popujt e Rumelisë dhe veçanërisht në Shqipëri.
Në pranverën e verën e vitit 1908, në një varg qytetesh të Shqipërisë, si në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj., përveç komiteteve kombëtare “Për lirinë e Shqipërisë”, u formuan edhe komitetet xhonturke “Bashkim e Përparim”, ku krahas turqve hynë edhe oficerë e intelektualë shqiptarë. Suksese më të mëdha turqit e rinj siguruan në repartet ushtarake, sidomos midis oficerëve e ushtarëve shqiptarë. Shumica e oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkupit përkrahu lëvizjen e turqve të rinj. Në verën e vitit 1908 u bënë të shpeshta edhe veprimet kundërqeveritare të ushtarëve dhe të oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkodrës.
Zgjerimi i veprimtarisë së organizatave xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Më 3 korrik të vitit 1908 ngriti krye reparti ushtarak i Resnjës, i komanduar nga oficeri shqiptar Ahmet Njaziu. Kjo kryengritje u pasua nga ajo e majorit turk Enver Beut, që shpërtheu më 6 korrik në Demir Hisar. Këto dy ngjarje shënuan fillimin e Revolucionit xhonturk, që u përhap pastaj në qytetet kryesore të Shqipërisë e të Maqedonisë, të cilat u bënë vatra e tij kryesore.
Në proklamatat, që Ahmet Njaziu dhe Komiteti “Bashkim e Përparim” përhapën në ditët e para të korrikut të vitit 1908 në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, theksohej se synimi i tyre ishte të shpallnin kushtetutën dhe me këtë akt “t’u siguronin gjithë popujve të perandorisë, pa dallim feje, lirinë, barazinë, vëllazërinë dhe drejtësinë”, ndërsa fshatarëve shqiptarë iu premtua se do t’i çlironin nga taksat dhe do t’i shpëtonin nga arbitrariteti i nëpunësve. Sikurse pohon Ahmet Njaziu në “Kujtimet e tij” (“Hatirati Niazi”, Stamboll, 1910), kryengritja u përkrah nga fshatarësia shqiptare e rretheve të Resnjës, të Ohrit, të Starovës, të Dibrës, të Elbasanit, të Korçës, që formoi njësitë e saj vullnetare të armatosura dhe u hodh në luftë kundër pushtetit autokratik të sulltanit.
Qysh në ditët e para të revolucionit qeveria e Stambollit, duke qenë e ndërgjegjshme për rolin e shqiptarëve në këto ngjarje, dërgoi kundër kryengritësve gjeneralin turk, Shemsi Pasha, i cili, siç thuhej në një nga dokumentet e kohës, njihej si “specialist për shtypjen e shqiptarëve”. Por Shemsi Pasha, me vendim të komitetit xhonturk të Manastirit, u vra sapo mbërriti këtu, më 7 korrik të vitit 1908.
Përputhja e kërkesave të reja, që xhonturqit shpallën në ditët e para të kryengritjes së korrikut, me ato të lëvizjes shqiptare çoi në bashkëpunimin ndërmjet komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë” dhe atyre xhonturke. Që në ditët e para të kryengritjes Komiteti i fshehtë i Korçës e përkrahu revolucionin me njerëz e me të holla dhe u bëri thirrje çetave shqiptare të bashkoheshin me repartet kryengritëse. Ky akt pati rëndësi të veçantë, sepse me këtë komitet ishin lidhur komitetet e fshehta “Për lirinë e Shqipërisë” të qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Me kryengritjen e turqve të rinj u bashkua që në ditët e para edhe Komiteti shqiptar i Ohrit.
Me kryengritjen u bashkuan gjithashtu çetat e armatosura shqiptare, të cilat iu përgjigjën thirrjes për bashkëpunim, që Ahmet Njaziu, qysh më 5 korrik, u kishte drejtuar atyre e sidomos çetës së Çerçiz Topullit, që kishte ndikim të madh në Toskëri. Si komitetet, ashtu edhe çetat shqiptare nuk hoqën dorë nga programi i tyre kombëtar dhe gjatë bisedimeve me xhonturqit paraqitën kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Më 20 korrik 1908, pas takimit që u bë në fshatin Çëravë të Pogradecit, u arrit marrëveshja ndërmjet përfaqësuesve të Ahmet Njaziut dhe atyre të çetave shqiptare, të udhëhequra nga Çerçiz Topulli. Shqiptarët paraqitën si kusht për bashkëpunim kërkesën e autonomisë së vendit, “që Shqipëria të sundohej vetvetiu nga një guvernator i dërguar prej sulltanit”. Mihal Gramenoja, pjesëmarrës aktiv i këtyre ngjarjeve, shkruante në kujtimet e tij (“Kryengritja Shqiptare”, Vlorë, 1925) se përfaqësuesit e Njazi Beut nuk i kursyen premtimet e tyre dhe deklaruan se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e shqiptarëve.
Aktivist xhonturqë
Redakto- Aktivistë politikë
- Yusuf Akçura (1876–1935)
- Ayetullah Bey
- Nuri Bej
- Osman Hamdi Bey (1842–1910)
- Refik Bej
- Emmanuel Carasso Efendi
- Mehmet Cavit Bey (1875–1926)
- Abdullah Cevdet,
- Marcel Samuel Raphael Cohen (1883–1961)
- Lewis Daly (1866–1921)
- Agah Efendi (1832–1885)
- Ziya Gökalp
- Talat Pasha
- Ahmed Riza (1859–1930)
- Ushtarakë
- Reshat Bej
- Enver Pasha