Nuri Sojliu ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.[1].

Nuri Sojliu
Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë
U lind në1872
Vdiq1940
KombësiaShqiptar

Nuri Sojliu ka lindur rreth vitit 1872 në Strugë, në familjen e njohur të Murat Sojliut (Bakallit), e njohur për veprimtari kombëtare në këtë trevë dhe vëlla i Dr.Ibrahim Temos. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen për financa e vijoi në Stamboll.

Që në rininë e hershme u përfshi në Lëvizjen Kombëtare. U lidh me personalitete të shquar dhe aktivistë shoqërorë dhe politikë si Dervish Hima, vëllai i tij, Dr.Ibrahim Temo, Hamdi bej Ohri, Mihal Grameno e Nexhip Draga me të cilët u brumos me ndjenjët e larta atdhetare.

Në vitin 1905, u emërua nëpunës në administratën osmane(turke) në Shkup e më pas në Starovë. Në vitet 1905-1908 shtëpia e babait të tij, Murat Sojliut ishte shëndërruar në qendër të Lëvizjes Kombëtare, ku Nuriu ishte tepër aktiv në përhapjen e ndjenjës patriotike. Ai kishte lidhje me Klubin e Manastirit, të Shkupit, të Bukureshtit ku ishte edhe Dr.Ibrahim Temo, Kristo Meksi e prej nga solli edhe shumë libra e abetare shqipe.

Në shtypin e kohës shkruhej: “Shtëpia e Murat Sojliut dhe Beqir Agës u bënë shkolla të gjuhës amtare, ku djelmëria gjenin libra e gazeta shqipe të dërguara prej bijve struganë që ndodheshin në mërgim” (Gazeta “Tomorri” 20 gusht 1942).

Pak kohë më vonë, të frymëzuar nga Dr.Ibrahim Temo, struganët formuan Klubin “Bashkimi”, me kryetar nderi Murat Sojliun, ndërkaq i biri, Nuri Sojliu u caktua sekretar dhe arkëtar. Klubi “Bashkimi” i Strugës, zhvilloi një veprimtari të gjërë për mbështetjen e kandidaturës së Dervish Himës për deputet në Parlamentin turk. Në krye të kësaj propagande ishte Nuri Sojliu dhe shokët e tij, Rexhep Hajdar Aga, Abdulla Gojëdrini (Rushiti) etj.

Me përpjekjet e Nuri Sojliut dhe atdhetarëve të tjerë, Klubi i Strugës hapi shkollën e parë shqipe në vitin 1912. Nuri Sojliu mbështeti Kongresin e Manastirit dhe alfabetin latin të gjuhës shqipe. Mori pjesë si i ftuar në Kongresin e Elbasanit. Një fotografi, por dhe letërkëmbimet dhe shtypi i kohës, tregojnë se Sojliu bashkë me babain e shenjtores Nënë Tereza, përgatiti një grup nxënësish nga Shkupi dhe Struga për t’i dërguar në Normalen e Elbasanit.

Nuri Sojliu pati një korrespondencë të rregullt me Dr.Ibrahim Temon, Dervish Himën si dhe me Luigj Gurakuqin e Aleksandër Xhuvanin në Elbasan.

Në nëntor të vitit 1912, Nuri Sojliu u zgjodh delegat i Strugës në Kuvendin historik të Vlorës, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në gazetën “Tomorri” të datës 20 gusht 1912 shkruhej: “Klubi “Bashkimi” vazhdoi aktivitetin deri në ditën që sërbët e pushtuan Strugën më 1912. Me gjithë pengesat e vështërsitë e hasura, një ditë para se të hynte fuqia serbe (21 nëntor) në qytet Nuri Sojliu i mblodhi dokumentet si dhe arkën e Klubit dhe u nis për në Elbasan, prej nga do të shkonte në Kuvendin e Vlorës si delegat i Strugës së bashku me Dr. Myrteza Ali Strugën, sipas kërkesës së bërë prej Ismail Qemal bej Vlorës”, ku dhe nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë me siglën "Nuri".

Mbështeti lëvizjet politke me frymë demokratike të viteve `20. Vdiq në Strugë më 1940.

Burimi

Redakto
  1. ^ "1912 | The Declaration of Albanian Independence". Arkivuar nga origjinali më 7 maj 2011. Marrë më 30 prill 2012. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)