Normalja e Elbasanit, e hapur në dhjetor të vitit 1909, është shkolla e parë e arsimit profesional arsimor në gjuhën shqipe, e krijuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, i cili ishte mbajtur tre muaj më parë në po atë vit. [1] Në ditët e sotme Shkolla "Normale" quhet " Luigj Gurakuqi" për vetë faktin se drejtuesi i parë i  saj ka qenë Luigj Gurakuqi. Ajo vazhdon edhe sot të nxjerrë breza të rinj duke i trashëguar atyre virtyte dhe vlera të paçmueshme.[2] [3]

Shkolla Normale e Elbasanit në vitin 1924

Histori Redakto

 
Pulla postare emetuar në 50 vjetorin e Shkollës Normale të Elbasanit (1959)

Kongresi i Elbasanit i mbajtur më 2-10 shtator 1909, vendosi hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe kombëtare, shkollën Normale, e cila i hapi dyert për herë të parë më 1 dhjetor 1909. Fillimisht  Normalja u  hap  në  ndërtesën  e  Servet  Bej  Zylfit,  sikurse  kishte  vendosur  Kongresi i  Elbasanit  dhe  e  filloi  aktivitetin  e  saj  me  një  kapacitet  prej  50  nxënësish. Pas 3 muajsh, konstatohet një dyfishim i numrit të nxënësve dhe në fund të vitit mësimor, numri i tyre arriti në 150 nxënës. Një pjesë e këtyre nxënësve edhe pse mund të ishin në vitin e fundit në shkollat e tyre, përsëri i braktisën ato për të kaluar në shkollën Normale. Gjysma ishin nga Kosova e Çamëria. Ndërkaq, me fillimin e mësimit në shkollën Normale, mësuesit e shkollës do të përballeshin me vështirësi të reja që konsistonin në këto drejtime kryesore: Së pari, viti i parë mësimor filloi duke huazuar dhe përdorur plane mësimore nga vendet më të zhvilluara perëndimore, por duke qenë shumë larg në praktikë për sa i përket bazës materiale që ofronin këto shkolla. Ndërkaq, mësuesit e shkollës nuk zotëronin asnjë tekst si burim shkencor për shpjegimin e koncepteve të ndryshme, duke e rritur shkallën e vështirësisë në përcjelljen e lëndës tek nxënësit. Një problem i tillë, pasqyrohej në atë kohë në organet e shtypit kombëtar ku në një thirrje që u bëhej intelektualëve shqiptarë e sidomos mësuesve të Normales së Elbasanit, thuhej: “Bekim i madh e lumturi e paanët do të jetë për kombin tonë në qoftë se secili prej të diturit tonë do të punojë për ndonjë të këtillë vivllë, dhe veçan profesorët e shkollës Normale, se prej tyre kombi pret dritën e madhe e jo vetëm për çunat që gjenden në këtë skoli, por edhe për gjithë ata që mësojnë, ose të mëdhenj janë këta, ose të vegjël” . Gjysma ishin nga Kosova e Çamëria. Deri në prag të çlirimit dy herë është tentuar të shpërngulin shkollën Normale nga Elbasani, por falë popullit arsimdashës të Elbasanit vendimi nuk bëhet realitet. Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën shqipe. Drejtori i parë ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Hafiz Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.

Në tetor 1923, pranë shkollës Normale hapet shkolla Ushtrimore, si nevojë e aftësimit profesional të nxënësve kandidatë dhe dalja e maturantëve të parë më 1924, janë ngjarjet më të shënuara në fillimet e historisë së kësaj shkolle. Drejtori i parë i shkollës Ushtrimore ka qenë Sulejman Harri me mësues Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu, Karl Ljarja, Ibrahim Berrania, Shaban Arra, Gani Daiu, Skënder Sejdini, Sotir Papahristo e të tjerë, që me mendim kohor didaktik sollën përvojën e shkollave Austriake, Gjermane, Zvicerane e të tjera shkolla perëndimore. Gjithashtu vitet në vijim si mesues shembullor i fizikës dhe matematikës dallohet Shefqet Peni

Muzeu i Shkollës Normale Redakto

Skeda:30413 125753910783294 125749257450426 236762 6977880 n.jpg

Projekti për ngritjen e shkollës Normale i takon V. 1934, që nga përkonte me kremtimin e 25 - vjetorit të themelimit të Normales. Por nuk u arrit nga djegja aksindentale e godinës së shkollës së vjetër më 1934 bashkë me dokumentacionin e vyer. Më 1959, me ekspozitën e punëve të pavarura të nxënësve që u hap me rastin e 50 - vjetorit të shkollës, rrethi i historisë me mësuesin Shyqyri Demiri krijuan një kënd muzeal me fotografi e kujtime nga jeta në shkollë. Më 1969 u bë ekspozimi kronologjik i fundit arkivor të grumbulluar posaçërisht për muze. Më 1979, në kuadrin e 70- vjetorit të shkollës me porosi nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, u ngarkua një komision në shkollë për ngritjen Muzeut të Shkollës Normale. Ai qe një fasadë arritjesh të shkollës pas Luftës së II Botërore duke mos i paraqitur vlerat dhe kontributin e gjithanshëm të kësaj shkolle për arsimin kombëtar.

Në V. 1993, u rikonceptua ringritja e Muzeut të Shkollës Normale për të dhënë me vërtetësi vlerat dhe kontributin.Kjo u bë e mundur edhe nga bashkëpunimi me Akademinë e shkencave dhe institucionet e tjera studimore kombëtare, si dhe figura e personalitete, kryesisht ish-normalistë.Në fundshekullin e XX ai u vendos në katin e dytë të shkollës në një mjedis prej 80 m² të rikonstrukturuar posaçërisht për muze.

Muzeu ka një fond prej mbi 5000 dokumentesh origjinale e fotokopje, të marra nga A.Q.SH dhe të institucioneve të tjera studimore.

Janë edhe rreth 500 portrete, përfaqësues të brezave normalistë. Në vitrina tërheqin vëmendjen dhjetëra dosje dokumentesh, albumesh fotografikë, relike të shumëllojshme, botime të së kaluarës dhe të së tashmes, revista, regjistra, portokolle të këshillit pedakogjik, kujtime t ëish normalistëve. Fondi i Muzeut të Shkollës Normale plotësohet me kujdesin e historianit të shkollës Genc Trandafili, që hulumton në dobi të pasurimit të muzeut. [4]

Kënga e Shkollës Normale Redakto

 

Përqark me kodra
kundrejt me male
an'e kand
prej valve t'Shkumbinit


T'rrethon natyra
moj shkoll' Normale
gurr e paçmueshme
përparimi

Refreni:
Ti rrofsh e qofsh
moj shkoll' Normale
rrofshin bijt e saj bujarë
ti o gjithësi përveç ti fale
që ta ndjeki me nder
çdo shqiptar

Monedha e Shkollës Normale[5] Redakto

Faqe: Në pamjen e përparme të monedhës paraqitet portreti i drejtorit të parë të Normales së Elbasanit, patrioti dhe intelektuali i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi. Portreti është i konceptuar vetëm me një linje të thjeshtë, pa e ngarkuar me elemente të tepërt të trajtimit plastik, duke e sjellë atë thjeshtë dhe modern. Kjo linjë lidhet dhe sinkronizohet estetikisht edhe me linjën e firmës së Luigj Gurakuqit shkëputur nga dokumenti i pavarësisë, ku ai ka qenë njëri nga firmëtarët e saj. Po në këtë pamje të monedhës është konfiguruar edhe vlera emërore 100 Lekë e kompozuar në dy rreshta.

Shpina: Në pamjen e pasme të monedhës vend kryesor zë pjesa ballore e godinës së Normales së Elbasanit me gjashtë kolonadat tipike të saj (teknikisht e inçizuar, engrave). Mbi tarracën e godinës është vendosur viti i hapjes së Normales së Elbasanit “1909” dhe nën shkallët e saj, viti i emetimit të monedhës “2019”. Në formë rrethore dhe respektivisht duke filluar nga lartë-poshtë, me shkrim kapital është shkruar: “110-VJETORI I NORMALES SË ELBASANIT” dhe “SHQIPËRI - ALBANIA”.

Revista Normalisti Redakto

 
Revista Normalisti (1936)

Shkolla normale e Elbasanit kishte edhe revistën e saj profesionale me titull, Normalisti, e cila ka qenë një revistë e përmuajshme si organ i nxënësve të Shkollës Normale të Elbasanit. Numri i parë doli në janar 1929, vijoi me disa ndërprerje deri më 1937. Kishte katër rubrika kryesore: të pedagogjisë, të letërsisë, të folklorit e të provave të mësimit. Revista bëri përpjekje për të krijuar mendimin pedagogjik shqiptar: kërkonte që nëpër fshatrat mësuesi të lidhej me popullin dhe të punonte për të luftuar analfabetizmin. Ajo përhapi metodat e ndryshme të të mësuarit. Normalisti në artikuj të ndryshëm kërkonte përdorimin e gjuhës së pastër shqipe; pastrimin e «Bibliotekës» nga vepra të padobishme e pasurimin e saj me ribotimin e veprave të klasikëve tanë; përkujtimin «e të harmarve të mëdhenj», të Rilindësve, si të Naimit, De Radës etj. Botoi edhe mjaft këngë popullore epike.

Trashëgimia Redakto

Pasardhës të Shkollës Normale në Elbasan konsiderohen: Shkolla e Mesme e Bashkuar "Luigj Gurakuqi", Instituti i Lartë Pedagogjik dhe Universiteti i Elbasanit "Aleksandër Xhuvani".[2]

Shih edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ Baku, Pasho, red. (2011). "Shkolla Normale e Elbasanit". Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. fq. 886. OCLC 734077163.
  2. ^ a b Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2485–2486. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  3. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1193–1194. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  4. ^ Monumentet e Rrethit të Elbasanit, scribd.com, viyituar më 03.04.2019
  5. ^ "100 Lekë "110- vjetori i Normales së Elbasanit (1909 -2019)", viti 2019, pa kurs ligjor". www.bankofalbania.org. Marrë më 2023-01-16.