Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952) ka qenë hoxhë, intelektual dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Për veprimtarinë në dobi të çështjes kombëtare dhe rrethanat e ndryshme që ndodhën, shkroi librin Patriotizma në Tiranë.

Hafëz Ibrahim Dalliu

Lindi në Tiranë në një familje vendalie më 1878. I ati, Mustafai dhe dy vëllezërit, Hysniu dhe Aliu kanë qenë klerikë të njohur me tituj “Haxhi” dhe “Hafiz”. Pasi mbaroi shkollën Ryzhdie në Tiranë vijoi studimet e larta në Stamboll për hoxhë dhe u njoh nga afër me veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare.[1]

Në vitin 1902 e gjejmë bashkëpunëtor me Filip Ashikun në hapjen e shkollave shqipe në Tiranë duke vazhduar deri në fund të vitit 1903, kur këto shkolla u mbyllën; edhe se u mbyllën shkollat legale, Hafizi vazhdoi të njëjtin aktivitet në mënyrë ilegale duke drejtuar kurse të gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas si kurset në familjen e Murat Toptanit për ta rifilluar përsëri këtë aktivitet në mënyrë legale në vitin 1908.

Në vitin 1908 së bashku me patriotët Refik Toptani, Mahmut Fortuzi, Hysni Dalliu etj. themeloi në Tiranë klubin patriotik “Bashkimi”, si mjet për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat kombëtare. Ky Klub ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen dhe fuqizimin e lëvizjes patriotike për pavarësi kombëtare dhe në luftën për përhapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Klubi “Bashkimi” u hap nën patronazhin e Klubit të Manastirit dhe kishte një aktivitet shumë të gjerë. Lidhur me veprimtarinë e Klubit “Bashkimi” dhe ndikimin që kjo veprimtari pati në ngjarjet patriotike të asaj periudhe, H. Dalliu më vonë do të shkruante: “Që prej asaj kohe është mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në Tiranë dhe ka zënë rrënjë në zemrat e tiranasve”.

Po në këtë vit e gjejmë shumë aktiv në përgatitjen e Kongresit të Manastirit dhe zbatimin e vendimeve te tij. Ai ka theksuar në shkrimet e tij rëndësinë e këtij Kongresi në historinë e kombit tonë në luftën për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare duke e quajtur atë “Kongresi i alfabetit”.

Në frymën e Kongresit të Manastirit dhe për zbatimin e vendimeve të tij, u mendua të mblidhej një kongres kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimin dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë arsye në datat 2-9 shtator 1909 zhvilloi punimet Kongresi i Elbasanit në të cilin morën pjesë 35 delegatë si përfaqësues të gjithë shoqatave patriotike shqiptare brenda ose jashtë vendit. Këtu mori pjesë edhe një delegacion nga qyteti i Tiranës që kryesohej nga Refik Toptani, në të cilin merrte pjesë edhe Hafiz Dalliu. Kongresi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Manastirit, aprovoi alfabetin latin të gjuhës shqipe dhe vendosi hapjen e shkollës NormaleElbasan për përgatitjen e kuadrove mësues që do të shërbenin për mësimin e gjuhës në gjithë trevat e banuara nga shqiptarët.

Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, më 2 dhjetor 1909 u hap shkolla Normale në Elbasan, me drejtor Luigj Gurakuqin dhe në trupin mësimor pedagogjik, përkrah Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Peçit etj. ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu.

Në vitet 1910 e gjejmë të angazhuar me armë në dorë në çetën atdhetare që drejtohej nga Abdi bej Toptani, e cila kreu veprime luftarake në Krujë e rrethinat e saj.

Më 26 nëntor 1912 është pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë. Hafiz Dalliu, pas ceremonisë së shpalljes së Pavarësisë në Tiranë, është autori kryesor i përgatitjes së një Letër-Proteste dërguar forcave ushtarake serbe që ndodheshin në zonën verilindore të Shqipërisë dhe përgatiteshin të mësynin Tiranën duke i vënë në dijeni se Tirana kishte shpallur pavarësinë dhe ishte e gatshme ta mbronte me çdo çmim.

Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjes dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës.

Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Zog është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame duke bërë komente, duke përkthyer, zbërthyer e interpretuar libra të shenjtë si Kur’ani si dhe vepra të personaliteteve të shquara islame. Po ashtu ka bërë edhe studime në fushën e islamit që përbëjnë kontribut të tij personal në këtë fushë.

Pas lufte e gjejmë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike ku e futi artin dhe letërsinë diktatura komuniste. Iu kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74 vjeçare.[2]

Veprimtaria letrare

Redakto

Hafiz Dalliu me shkrimet e tij u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur. Të flasësh për Hafiz Dalliun nuk është asnjëherë e tepërt, porse për të njohur më mirë këtë figurë madhore islame, këtë luftëtar trim të shqiptarizmës, këtë poet gojëmjaltë të vargut shqip, gjithsecili në mënyrën e vet do të arrijë vetëm duke njohur shkrimet e këtij mësuesi veteran. Për këtë qëllim po sjellim fare shkurt subjektet e disa prej veprave të tij fetare e letraro-patriotike :

1. "Libri i së Falmes", tregon rregullat kryesore të të gjitha namazeve ditore e periodike, dispozitat kuranore në lidhje me këtë shtyllë të Islamit. Aty janë përfshirë pjesët kuranore që mund të shërbejnë gjatë faljeve dhe lutjet e rastit në arabisht e të transkriptuara dhe të përkthyera në gjuhën tonë. Hafiz Dalliu i vinte rëndësi të madhe faljes (namazit), ashtu siç e ka vlerësuar Allahu xh.sh. në Kuran. Libri është shpërndarë falas; ai ka ndihmuar për shumë kohë besimtarët myslimanë që të falen, të kryejnë këtë detyrë, të obliguar për çdo individ.

2. "Dhanti e Ramazanit", përmban rregullat e agjërimit, si e kur lejohet që të mos agjërohet, kur ndërpritet agjërimi dhe si konsiderohet agjërimi i prishur etj. Autori ka parashtruar në këtë libër edhe dobitë fiziologjike, rëndësinë e edukimit moral nëpërmjet agjërimit dhe vlerën shoqërore të tij.

3. Ilahija "Një lutje shpirtit të madhnueshëm të Resulull-llahit", botuar shumë herët, është hymn fetar i frymëzuar për dashurinë që ka myslimani për Profetin e tij dhe për Islamin. Ideja se feja myslimane është shtrirë në të tërë rruzullin tokësor jepet me art nëpërmjet perifrazës së bukur: "...N'rruzull t'dheutanëembanë/ Në çdo çast thirret ezan,/ Ty Resulull-llah të thanë./ ndoresh ja Resulull-llah...". Në hapësirat e veprimtarisë letrare H.I. Dalliu ka shpalosur talentin poetik dhe shpirtin patriotik të paepur.

4. Te libri "Patriotizma në Tiranë", autori ka marrë në analizë zhvillimet e shoqërisë shqiptare dhe pjesëmarrjen e atdhetarëve të Tiranës në veprimtari patriotike, para e pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, e përhapur kjo lëvizje edhe në qytete të tjera të vendit. "Patriotizma..." është një vepër dokumentare e papërsëritshme e këtij dëshmitari okular, siç ishte vetë Hafizi, pjesëmarrës aktiv i vijës së parë në veprimtaritë e kohës.

5. Poema satirike "Dokrrat e Hinit" vë në lojë ata njerëz që nuk i sjellin asnjë dobi atdheut dhe e kalojnë kohën nëpër lokale kafenesh me biseda të padobishme. Ja sesi i ironizon poeti pseudointelektualët që i përdorin fjalët e huaja vend e pa vend: "...Ja, për t'quejt, inteligjenca,/ Flasin disa fjalë të gjata,/ Konferenca, konkurenca,/ Proponimi, komunikata./ A kështu ka folë yt atë ?/ Ku asht shqipe kjo gjuhë dreqi?/ ç'janë kto fjalë nga'i hapashalë ?..." Sidoqoftë kryevepra e Hafiz Dalliut është vepra "E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.", vepër origjinale në vargje (6143 vargje), po nuk bie më poshtë edhe Tefsiri i Kuranit i titulluar "Ajka e kuptimeve të Kur'ani Qerimit" përkthyer prej vetë Dalliut.

Kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut në dobi të të gjithë botës islame shqiptare e kanë pasur parasysh edhe shqiptarët e trojeve etnike të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi e më gjerë. Ata kanë vendosur ta botojnë e ta ribotojnë të plotë të gjithë veprën e Hafiz Dalliut. Një studim me rëndësi për jetën e Hafiz Dalliut ka bërë Doc. Sinan Tafaj që ka mbetur në dorëshkrim deri tani.

Dihet edhe një gjë tjetër që emri i mirë që ka gëzuar dhe gëzon në popull, janë munduar që ta eklipsojnë elitat dhe është lënë në harresë prej tyre, siç konstaton edhe Aurel Plasari: "... Ka qenë prirje që figurëne Hafiz Ibrahim Dalliut për ta lënë jashtë, për ta lënë në harresë, për mos ta dashur...".

Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri janë bërë studime e hulumtime serioze për dijetarë e atdhetarë të veshur me petkun e nderuar fetar; janë botuar monografi, artikuj gazetash e studime të posaçme shkencore e veprimtari të tjera për aktivistë të shquar si: Haxhi Vehbi Dibra, Hafëz Ali Korça, Said Najdeni, Ferid Vokopola etj.

Tituj të veprave

Redakto
'Veprat fetare'
  • Texhvidi (Rregullat e leximit të Kuranit), botuar më 1921.
  • Ilmihali (Mësime të Fesë Islame).
  • Dhanti e Ramazanit, botimi i parë 1921.
  • Ajka e kuptimeve të Kur'ani Qerimit (U botuan vetëm shtatë xhyze, pjesa tjetër mbeti pa u botuar).
  • E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s. , 6143 vargje, 1934.
  • Ç'është Islamizmi, 1935.
  • Udha Muhamedane (Tarikati muhamedije) e Muhamed Bergjiviut, përkthyer nga Dalliu dhe botuar më 1936. Ribotuar më 2000 nga AIITC.
  • Besimet e muselmanëve, në vargje. Botimi IV më 1937.
  • Libri i së falmes, botuar më 1937.
Krijimtari artistike e studime historike
  • Grenxat e kuqe të Tiranës, poem satirik në vargje, 1915.
  • Dokrrat e hinit, satirë në vargje, 1922.
  • Patriotizma në Tiranë, botuar më 1930.
Publicistikë
  • Gazeta "Dajti" 1924.
  • Gazeta "Dajti në gaz".

Referime

Redakto
  1. ^ "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist v. II (D-G)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit. 2013. fq. 38-39. ISBN 978-9928-168-01-6. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Musollari L., Hafiz Ibrahim Dalliu : jeta dhe vepra : (1878-1952), Tiranë : Qendra Shqiptare për Studime Orientale, 2008.