Ferit bej Vokopola
Ferid Vokopola ose Ferit bej Vokopola (Vokopolë, 18 gusht 1887 - Durrës, 28 qershor 1969) ka qenë sheh i tarikatit Rufai'i dhe firmëtari më i ri i Aktit të Pavarësisë, organizator i Kongresit të Lushnjes, ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës, ndër autorët më përfaqësues të mistikës islame në Shqipëri pas Naim Frashërit, publicist dhe përkthyes. Njohës i madh i tri gjuhëve kulturore (elsine-i selase) dhe i kulturës islame, dëshmi e të cilave janë punimet që ka lënë në dorëshkrim mbi historinë dhe botën shpirtërore të tarikateve të përhapura në Shqipëri. Ka përkthyer dhe botuar po ashtu pjesë të Kuranit në gjuhën shqipe.[1]
Ferid bej Vokopola | |
---|---|
Ministër i Bujqësisë (pas 11 maj 1928, dhe Pyjeve) | |
Në detyrë 24 tetor, 1927 – 20 qershor, 1928 | |
Paraprirë nga | Musa Juka |
Pasuar nga | Musa Juka |
zëvendësisht ministër i Punëve Botore | |
Në detyrë 24 tetor, 1927 – 16 nëntor 1927 | |
Paraprirë nga | Musa Juka |
Pasuar nga | Hilë Mosi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 18 gusht 1887 Vokopolë, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 28 qershor 1969 Durrës, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Biografia
RedaktoU lind në Vokopolë, më 18 gusht 1887, i biri i Mustafa bej Vokopolës. Më pas familja u zhvendos në lagjen "Murat Çelebi" të Beratit,[2] ku i ati ishte mytesarif në fillimshekullin XX.[3] Më 1906 mbaroi gjimnazin e Beratit dhe studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi, ku pas 1908 bashkëpunoi me gazetat "Zgjimi" dhe "Bashkimi i Kombit". Më 1910 u emërua kryesekretar i zyrës së pasurisë të shtetit në Bishanak të Fierit.[4] Më 1914 rebelët e Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme kur shkuan në Berat, i dogjën shtëpinë Vokopolajve duke qenë se i ati ishte pjesë e parisë së qytetit.[5]
Më 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku dhe firmosi në deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën "M. Ferit Vokopola".[6] U caktua kryesekretar i Ministrisë së Financave në qeverinë e Ismail Qemalit, pas 1914 qe kryesekretar i Ministrisë së Punëve Botore në qeverinë e Turhan pashë Përmetit. Në Kongresin e Durrësit qe përfaqësues i Lushnjes, mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh sekretar.[4]
Në vitet 1923-1925,[7] në periudhën 1927-1928 ka qenë ministër i Bujqësisë dhe zëvendësisht i Punëve Botore,[4] më pas më 1928-1939 u zgjodh sërish deputet në duke përfaqësuar prefekturën e Beratit;[7] ku më 1928 qe nënkryetar i Asamblesë Kushtetuese. Më 1925 u shpreh në parlament për Tiranën kryeqytet. Në fushën e legjislacionit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë përgatitën dhe miratuan në parlament Kodin Civil të viteve ’30.
Në bashkëpunim me Salih Vuçitërnin e të tjerë, ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës.[8] Qe ndër bashkëthemeluesit dhe më tej drejtoi organizatën "Drita Hyjnore" ku aderonin tarikatet Rifaii, Kadirii, Saadii dhe Tixhanii, të themeluar më 3 mars 1936[9] në cilësinë e shehut të tarikatit Rifaii. Organizata botonte predikuesen me po të njëjtin titull më 1938, ndërsa korrikun e 1942 botoi organin e saj të përkohshmen "Njeriu" deri në qershor të 1944.[10] Misioni i këtyre të përkohshmeve ishte kultivimi i mistikës islame.[11]
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Vokopola qe pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga kryeministri Vërlaci dhe ministri Ypi që i dërguan kurorën e Skënderbeut monarkut italian Viktor Emanuelit në Romë.[12] U tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar.
Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë deri sa vdiq në vitin 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.[8] Ndërroi jetë më 28 qershor 1969 në Durrës.[4]
Vepra
RedaktoMbi pavarësinë
RedaktoRreth ditëve pragshpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, viti II, nr. 6-7 të dt. 30 janar e 1 shkurt 1914, shkruante:
“Vjen miku im, i ndjeri Nebi Sefa para se të nisesh për Kavajë e më lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani me një patrullë pesë vetësh për t’i liruar, dhe i liruam për të shkuar drejt Vlorës…”
“Pastaj u nisëm përmes Myzeqesë në ato kohëra të këqija nga dimri i fortë e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal beun me shokë. Ismail Qemal beu në zyrën telegrafike merrte shpjegime mbi situaten e okupasjoneve dhe jepte këshilla mbi masat që duheshin e me padurim te mblidheshin delegatët shpejtësisht në Vlorë. Kur ishim në zyrën telegrafike më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër të rëndë dhe Ismail beu më thotë: shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën, ti marrësh uratën e pastaj hajde ne Vlorë me delegatet e Beratit. Duke e digjuar, unë i thashë se jam nisur për Mëmën Shqipëri, e uratën kam me ja marë kësaj. Ai më përgëzoi atenisht me një bravo, e cila i buroj nga zemra… dhe vuna re se sytë i kishte të lotueshëm. Nga Fieri u nisëm për Vlorë. Atje Agallarët Sharra çelën shtëpinë e na pritën me bujari të madhe. Ndërkohë prisnin me padurim të vinin delegatët e vëndeve të tjerë”.
Përkthime, publicistikë, poezi
RedaktoGjatë kohës që punonte në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të qeverisë së Durrësit, hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kuranit. La po ashtu në dorëshkrim kalendarin osman.
U shqua në fushën e përkthimeve nga osmanishtja, i shkroi parathënien përkthimit të veprës “Rubaij-jati” i Omar Kajamit nga Hafëz Ali Korça, e cila u botua për herë të parë më 1942, në Tiranë.
Më 1919 botoi “Fluturimet e Shpirtit”, në vitin 1920 botoi vëllimin me poezi “Symbyllazi me ëndërrimet”, në vitin 1942 botoi veprën poetike “Gjëmimet e Tomorrit”. Pas organizimit të Kongresit të Lushnjes, Vokopola i shkroi himnin “Himni i Kongresit të Lushnjës”. Në revistën më të shquar muslimane të kohës “Zani i Naltë”, poeti dhe filozofi i shquar Ferit Vokopola botoi poezinë “Perëndimi i Shejh Shaban Tixhanisë”, si dhuratë miqësore e gjurmuesve të udhës së Tixhanisë, në promovimin e Bektashizmës.
Ishte bashkëpunëtor letrar, krahas figurave të mëdha publike të kohës si Hafiz Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Sali Vuçiterni, Haki Sharofi, Mit`hat Frashëri dhe Ismet Dibra. Një ndër studimet filozofike me karakter monografik i Ferid Vokopolës ishte i titulluar “Përhapja e Islamit”. Me vlerësime religjioze-filozofike “Problemi i Zotit dhe Djallit”, “Verdikti i fatit” dhe “Morali dhe epshi i masave”. Në këtë revistë më të shquarën e kohës, ai botoi dhe studimet dhe esetë në fushën e historisë së artit si “Kuptimi i artit dhe kufijtë e tij”, “Shkrimtarët e Letërsisë Islamike në Shqipëri” etj.
Në korrik 1942, doli në Tiranë revista kulturore dhe fetare “Njeriu”. Qysh në numrat e parë, kjo revistë periodike e përmuajshme e kishte të përcaktuar orientimin shpirtëror dhe kulturor të saj. Me përkthimin e vargjeve kuranike dhe të mësimeve të profetit Muhamed, dhe botimin e tyre në faqet e revistës “Njeriu” të edituar dhe drejtuar nga Ferid Vokopola u kontribua në formimin e një pikëpamjeje bashkëkohore mbi moralin, filozofinë, edukimin, qytetërimin dhe besimin islam. Ndër radhët e saj shkruajtën edhe Haki Stërmilli, Kristo Floqi, poeti Vasfi Sami Visoka dhe profesorët Filip Ndocaj, Beqir Haçi, Vexhi Buharaja etj. Në faqet e kësaj reviste Ferid Vokopola botoi edhe shkrime të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mithat Frashërit dhe intelektualëve më të rinj si Suat Haxhit, Mustafë Greblleshit, Jup Kastratit etj. Revista doli në 27 numra dhe u mbyll në qershor 1944. Ferit Vokopola botoi dhe përkthime të pjesshme në revistën tjetër të kohës “Kultura Islame” ku bashkëpunoi ngushtësisht me figura të shquara të kulturës shqiptare si Sherif Putra, Haki Sharofi, Sadik Bega e të tjerë.
Referime
Redakto- ^ Frashëri, Kristo (2006). "Sulejman Naibi dhe odisea e Divanit të tij". Studime Filologjike (3–4): 65.
- ^ Shehu, Eugen (2012). "Ferid Vokopola: Shqipëria asht e jona, e shqiptarëve". lajmishqip.com. Arkivuar nga origjinali më 22 tetor 2020. Marrë më 24 korrik 2018.
- ^ Patsch, Carl (1976). "Das Sandschak Berat in Albanien" (në gjermanisht). Kraus Reprint. fq. 101.
- ^ a b c d Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 246. ISBN 9789994356225.
- ^ Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 67, 114=. ISBN 978-9928-4140-4-5.
- ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 99. ISBN 978-99956-10-04-3.
- ^ a b Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 18 korrik 2019. Marrë më 24 korrik 2018.
- ^ a b Myzaljen Hoxha (18 korrik 2011). "Ferid Vokopola: Rebeli i Lushnjës, që përkthente Kuranin dhe dashuritë e Khajamit". orientalizmi.wordpress.com.
- ^ Jens Schmitt, Oliver (2010). "Religion und Kultur im albanischsprachigen Südosteuropa" (në gjermanisht). Andreas Rathberger. Peter Lang. fq. 114. ISBN 9783631602959.
- ^ Shehaj, Agron. "Tarikatet në Shqipëri 1921-2009". babadauti.wordpress.com.
- ^ Yvejsi, Mexhid (2009). "Ferid Vokopola". zemrashqiptare.net.
- ^ Kaloçi, Dashnor. "Fotot e panjohura të prillit 1939 në gazetat italiane dhe shqiptare të delegacionit që dorëzoi kurorën e Skënderbeut". memorie.al.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)