Haki Stërmilli

shkrimtar shqiptar
This is the stable version, checked on 13 dhjetor 2022. Template changes await review.

Haki Stermilli (Dibër, 17 maj 1895 - Tiranë, 17 janar 1953) ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të 1923-'24 me dekret të Ahmet bej Zogollit në atë kohë,[1] partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.

Fotoporteti
Emri Haki Stërmilli
Lindur më 17 maj, 1895
Lindur në Dibër, Perandoria Osmane
Vdiq më 17 janar 1953
Vdiq në Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
Kombësia Shqiptare
Profesioni shkrimtar, politikan

Autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë.[2] Vepra e tij më e njohur është Sikur t'isha djalë (1936).

Biografia

Redakto

U lind në shehër të Dibrës ku mori mësimet e para, shkollimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, Hakiu u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit,[1] e gjithashtu mësues personal i motrave Zogolli.[3]

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922 Zogolli i propozoi Kryeministrisë emrin e Hakiut për sekretar të shifrës. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti Zogolli ministër e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Lartë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogollit dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.

Pas Lëvizjes së qershorit, Hakiu merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë "Bashkimi", ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Ll. Fundo kryetar. Me rikthimin e Zogollit dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik[1] ku u takua edhe me Ali Kelmendin,[3] bashkëpunoi edhe me KONARE-n.[4] Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 u dënua me 5 vjet burgim se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar mbretit për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM.[4] Shkruan më 6 prill 1939 poezinë Ti leve o yll përkushtuar princit Leka.

Mbas pushtimit të Italisë gazeta "Fashizmi në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimi e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar M. Kruja, B. Valteri, etj. Për Stërmillin shënohej se "merrej me punë private".

Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist të Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes.[5] Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë,[3] duke qenë edhe deputet i Rrethit të PeshkopisëKuvendin Popullor,[1] zëvendësuar prej Jashar Menzelxhiut.[6]

Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Botoi veprat Dibranja e mjerueshme (1923), Dashuni e besnikri (1923), Agimi i lumnueshëm (1924), Burgu (1935), Sikur t'isha djalë (1936), Fyelli i Dibrës përmbledhje që u botua në serinë "Visaret e Kombit" (1944), Trashëgimtarët tanë (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari "Shtigjet të lirisë" (1966) dhe "Kalorësi e Skënderbeut" (1968).[1]

Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare - tragjizmin e jetës së femrës.[5]

Wikisource ka një koleksion punimesh të Autorit :

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d e Dervishi, Kastriot (23 tetor 2014) [2007]. "Haki Stërmilli, kryetari enigmatik i shërbimit sekret shqiptar". explorerunivers.albanianforum.net.
  2. ^ Elsie, Robert (2011). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 431. ISBN 9780810873803.
  3. ^ a b c Peçi, Admirina (1 nëntor 2015). "Letrat e panjohura: Haki Stërmilli nga burgu, i lutet Zogut për mëshirë". shqiptarja.com.
  4. ^ a b Hoxha N., Kujtime nga fëmijëria (4)[lidhje e vdekur] - Pjesë e shkëputur nga libri “Kosova e Lirë”, në përvjetorin e 95-të të autores,[lidhje e vdekur] epokaere.com, 11 shkurt 2016.
  5. ^ a b Abazi, Xhezair (26 mars 2015). "Haki Stërmilli – I harruari i madh". ata.gov.al. Intervistuar nga Flora Nikolla. Arkivuar nga origjinali më 15 dhjetor 2015. Marrë më 2 shtator 2022.
  6. ^ "Ligjvënësit shqiptarë në vite" (PDF). parlament.al. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 3 maj 2021. Marrë më 2 shtator 2022.