Lëvizja e qershorit 1924 ishte reagimi politik i opozitës parlamentare shqiptare, pasuesve dhe intelektualëve që gjeti shkak tek vrasja e Avni Rustemit.[1]

Termi historik Redakto

Emërtimi "Revolucioni Demokratiko-borgjez i Qershorit" i përdorur gjerësisht nga historiografia komuniste, pas viteve '90 u emërtua "Revolucioni i Qershorit".[2] Duke ruajtur termin revolucion, i rrihej synimit për të evokuar për historiografinë e politizuar komuniste, e po ashtu post-komuniste, një precedent historik analog me Revolucioni i tetorit sipas shembullit rus. Pjesëmarrësit i kanë radhitur kujtimet e tyre në zhanrin e memuaristikës, dhe Ali Këlcyra dhe Sejfi Vllamasi e quajnë thjesht Lëvizja e qershorit.[1][3]

Rrethanat politike Redakto

Marrëdhëniet mes kundërshtarëve politikë ishin të ndera që në fushatën e zgjedhjeve të 27 dhjetorit 1923. Ku ndër incidentet e renditura, më të rëndat mbetën vrasjet e kandidatëve Adem Gjinishit dhe Haxhi Isuf Kazazit në Peqin. Por në legjislativin që do të dilte nga kjo fushatë, do të vritej edhe deputeti i parë në historinë shqiptare. Fërkimet mes palëve politike u theksuan pas atentatit të Beqir Valterit ndaj Zogut të nxitur nga Rustemi. Me vrasjen e Rustemit, armiqësia politike mori hov dhe shërbeu si sebep për organizimet me efekte revolucionare që u bënë për varrimin e deputetit të vrarë.[4]

Sipas Këlcyrës, meqë opozita e kohës kishte bindjen se vrasja e Rustemit ishte vetëm një komplot qeveritar, i vendosi kusht qeverisë që brenda 48 orëve të dorëzoheshin komplotistët. Pas mosmarrjes së masave u organizua varrimi, me anë të të cilit opozita dhe pasuesit e saj intelektualë u nisën drejt Vlorës ku dhe ndenjën të tërhequr. Atje u formua një Komitet revolucionar i drejtuar nga Fan Noli, i përbërë prej Qazim Koculit, Spiro Kolekës, Koço Tasit e Këlcyrës, për Shqipërinë e Jugut; Luigj Gurakuqit e Xhemal beg Bushatit për Shqipërinë e Veriut. Ky komitet në pak ditë iu kundërvu qeverisë së ligjshme të vendit. Njëzet e katër orë pas fillimit të lëvizjes ngarendës të forcave nga Veriu dhe nga Jugu në drejtim të Tiranës, fuqitë e Lëvizjes, pa zbrazur pothuaj asnjë pushkë, hynë në kryeqytet.[5]

Kryetari i komitetit i nisi nga Vlora ministrit të Italisë në Durrës, markezit Durazzo, një telegram ku shprehej shpresa për ndihmë morale nga Mussolini.[6]

Referime Redakto

  1. ^ a b Këlcyra 2012, p. 62
  2. ^ Blendi Fevziu (19 shkurt 2004). "Si ndodhi Revolucioni i Qershorit". Klan (40): 14–15.
  3. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 367. ISBN 978-9928-140-54-8.
  4. ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 47–73. ISBN 978-99943-56-43-0.
  5. ^ Këlcyra 2012, pp. 111-112
  6. ^ Këlcyra 2012, pp. 469-470

Literaturë Redakto