Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Flamuri i Kosovës 1918
Anëtarë të K.M.K.K
Flamuri i Kosovës i paraqitur nga Komiteti "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" viti 1918.

Programi

Redakto

Komiteti MKK,sipas dokumenteve kishte dy Programe.

Programi i parë

Redakto

Programi i parë dhe themelori ishte miratua në ditën në të cilën edhe ishte formua organizata, me 1 maj 1918. Pika më e rëndësishme e programit ka të bëjë me Nyjen e parë e cila në mënyrë decidive kërkonte bashkimin e të gjitha krahinave të banuara me shqiptar dhe në këtë mënyrë edhe vërehej qëllimi kryesor i komitetit ku thuhej se “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha të Entantës e me kërkue bashkimin e krahinave të Kosovës (Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Ferizoviq, Gjilan, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Guci, Gjakovë, Prizren) në Shqipin të lirë dhe vetëurdhënuese.

Në pikën e dytë të programit thuhej se “Me protestue para Pushtetevet të Mëdha të Entantës kundër mizorinave sllave nder krahinat të Kosovës deri në ditët e sotit e qi dojnë me u ba edhe mas sotit”. Anëtarët e Komitetit kishin një eksperiencë dhe njohuri se forcat dhe pushtetet okupuese në tokat shqiptare po ushtronin dhunë e terror të paparë ndonjëherë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, andaj edhe delte pika e dytë e programit në të cilën kërkohej përkrahja dhe ndihma nga shtete e mëdha që të mbrojnë popullatën shqiptare, por ekzistonte frika se ato barbari do të ushtrohen edhe në të ardhmen ndaj tyre dhe ishte e domosdoshme që këto vende të merren në mbrojtje nga fuqitë e mëdha.

Ndërsa pika e tretë e programit kishte të bëjë me organizimin dhe zgjedhjen e një delegacioni njerëzish të zgjedhur për ti dërgonin në botë për ti mbrojtur dy pikat e para. Në pikën e tretë thuhej “Me zgjedhë e me çue nji delegacion për me i mbrojtë në fillim dy pikat e sipërpërmendura para botës zyrtare e jashtë zyrtare

Programi i dytë

Redakto

Programi i dytë i Komitetit u miratua pas dy viteve të punës së organizatës, me 30 gusht 1920. Në programin e dytë gjejmë fuqizim dhe qartësim më të avancuar se në programin e vitit 1918 dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së kësaj organizate në periudhën pasardhëse.

Në pikën e parë të programit të 30 gushtit 1920, përcaktohej qëllimi i veprimtarisë së anëtarëve të Komitetit për “me i dal zot vetësundimit e anësisë tokësore të Shqipënisë”. Realizimin e plotë dhe përfundimtar të këtij qëllimi kryesor Komiteti e shikonte të lidhur ngushtë me realizimin e pikës së dytë të programit të tij, në të cilën kërkohej “me përdorue çdo mjet për me lirue Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitej shqip e me e bashkua nën sundim të Shqipënisë së lirë”. Në pikën e tretë të programit themeltar të vitit 1920, Komiteti përcaktonte qëndrimin e tij lidhur me politikën e brendshme dhe të jashtme, që duhej të udhëhiqej nga shteti i pavarur shqiptar.... Sipas këtij programi kërkohej përkrahja dhe mbrojtja e asaj politike të brendshme, e cila do ti hapte vendit perspektivat e zhvillimit dhe përparimit mbi bazën e bashkimit kombëtar, ndërsa në politikën e jashtme përkrahte zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit reciprok me ato shtete, që do të jenë për miqësi dhe Shqipërinë e lirë dhe me idealin e Komitetit.

Përgatitja për çlirimin e Kosovës

Redakto

Komiteti “MKK”, me seli në Shkodër, ishte i orientuar se përveç punës programore të fillonte përgatitjet për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllav. Por ky angazhim duhet të pasoi pas të gjitha përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të Kosovës si territor i Shqipërisë dhe të përmirësoj gabimet që ishte bërë me rastin e caktimit të kufijve në vitin 1913. Nëse të gjitha këto nuk do të jepnin fruta , atëherë ata kishin vendosur se duhej ndërmarr edhe aksione ushtarake. Për këtë qëllim anëtarët e Komitetit kishin përgatitur “Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë më 1919”. Ky program me 16 pikat që kishte duhet të jetë plotësim i programit themeltar të Komitetit të 1 majit 1918 dhe përpilues të saj ishin oficerët e njohur e me përvojë: Ali Shefqeti, Hysni Curri, Ibrahim Gjakova etj, por orientimin politik ia kishte dhënë vetë Hoxhë Kadria.

Sikurse në programet e mëparshme politike edhe në këtë dominonte fryma kombëtare e demokratike e Komitetit. Në të gjitha pikat shpreheshin qartë parimet themelore politike e ushtarake të forcave kryengritëse. Në nenet 1, 2, 3, dhe 4 thuhej se kryengritësve shqiptar u ndalohet rreptësisht dhunimi, plaçkitja, djegia e shtëpive, kishave e ndërtesave të tjera si dhe vrasja e robërve të luftës. Në nenin 12 thuhej se “Nderi i vajzave dhe grave serbe do te mbrohet si nderi i shqiptareve”. Në përgjithësi këto qëndrime do ti gjejmë edhe te programi i kryengritjes së armatosur të vitit 1919 në Kosovë, por që prezantohej në 10 pika, që do i prezantojmë në vijim:

1. As një kryengritës nuk guxon me i dëmtua shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.

2. As një kryengritës nuk guxon me djeg shtëpia, e me rrënua kisha.

3. Plaçka është jatak kryengritjes

4. As një kryengritës nuk guxon me bë ndonjë shëmtim mbi trupat e vrarë të armikut, as me i zhveshë ata armiqë që mbesin vdekur e të plagosun ose të nxënë robër.

5. Veprimi më i gjallë ka me qenë kundra ushtrisë, xhandarmërisë kundra komiteteve të armikut që kundërshtojnë me armë në dorë edhe kjo qoftë se armiku bënë mizorina shqiptarëve pa armë (1,2,3,4), kanë për t’iu përmbajtë plotësisht e rreptësisht.

6. Një tradhtarë që kundërshton luftën krahas me armikun ose veç është kundra qëllimit shqiptar ka për tu vrarë pa gjyqë e pa afat e kush do që të jetë. Por, një tradjëtar pa armë në dorë ka me u gjykua para gjyqit të kryengritjes e ka me u dënua mbas dokumentesh e jo me prralla të hallkut.

7. Me të zaptuemit e një shehri ose të një katundi serbë shkiet e vendit ashtu edhe qarshia të ruhen te gjindët, besnikja e kryengritësit të ndjeki armikun pa afat e pa bjerë as një dakik nëpër shehre e katunde.

8. Kot e pa nevojë as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit armik s’ka me muajt me u derdhë. Por, aty ku është nevoja një kryengritës s’ka me guxua me kursy as pak gjakun e vet e vetme.

9. Aeroplanët, konsullat e çka ka që i përket këtyre ka për t’i ruajt me gjindëmë besnik e më të marrukë vesh. 10. Të vrarët shqiptar, s’kanë për tu futur në dhe deri sa të vije ndonjë komision i huaj. Mizorit e bëra prej armikut kanë për të mbet shënua edhe për t’u dëftua Evropës e Amerikës.

Në ato vite, Komiteti “Mbrojtja Kombëptare e Kosovës” ishte një organizat politike gjithëkombëtare, që kishte luftua për mbrojtjen e trojeve dhe të interesave të mbar popullit dhe bënte thirrje që ti tregohej “botës se Kombi Shqiptar, pa ndërlikim fejet e besimesh, ka një zemër e një dëshirë me e përngreh shtetin me lirina të plota. Kush të dojë me nderue vendin, shpin e atdheun le të përpiqët pa bjerrë asnjë dekikë rreth e qark dëshirës kombëtare, thuhej në deklaratat e kryesisë së komitetit dhe të vet kryetarit të saj Hoxhë Kadriut.

Organ Shtypi

Redakto

Organ i komitetit ishte Gazeta Populli e drejtuar nga Sali Nivica, kjo gazetë që në numrin e parë të saj doli me moton 'Për lavdinë e Atdheut'.

Shih edhe

Redakto

Literatura

Redakto
  • Verli, Marenglen (2012). "Rrumat politike brenda Komitetit "MKK" dhe pozicioni i Hoxha Kadri Prishtinës". Studime Historike (03–04): 253–270. ISSN 0563-5799.
  • Vickers, Miranda (1999). The Albanians: a modern history (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 91. ISBN 978-1-86064-541-9.
  • Kumtesë e lexuar në Simpoziumin Shkencor “Veprimtaria politike e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 30 nëntor 2010, Prishtinë; nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha