Syrja bej Vlora
Syrja bej Vlora (Vlorë, 1860 - 1940) ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes kombëtare, deputet në Mexhlisin Osman, ndihmës në Shpalljen e Pavarësisë dhe përfaqësues i Përmetit në Vlorë kur e shpalli kushuriri i tij i dytë, Ismail Qemali.
Biografia
RedaktoLeu në Sarajet e beut siç njiheshin pallatet e Vlorajve, i biri i Mustafa pashës dhe Naile hanëm Janinës nga dera e Asllan-Pashalive. Ndër njerëzit e shquar nga familja e tij qenë vëllezërit Ferid pasha dhe Namik beu, njëri Vezir i madh i Perandorisë dhe tjetri drejtor i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Shëndetësisë në Stamboll.
Ka pak të dhëna për shkollimin e tij, por mund të hamendësohet që kishte shkollimin me të arrirë si lindor ashtu edhe evropian.[1]
Martohet me Mihrie hanëmin, të bijën e Selim pashë Toptanit, martesë prej të cilës do lindte Eqrem e Safa bej Vlora.[nevojitet citimi] Atë vit u rishfaq në skenën politike së bashku me kushëririn e tij, Xhemilin, të dënuar me tre vite burg nga një gjykatë osmane. I shpëtoi dënimit duke ikur në Itali. [1]
Në sajë të kontakteve që kishte në Stamboll, u lirua nga akuzat dhe u kthye në kryeqytetin e perandorisë më 1903. Duke qenë i vëllai Kryevezir, Syrja Beu u emërua Drejtori i Përgjithshëm i Autoriteteve Doganore, post të cilin e mbajti deri më 1908 kur ndodhi Revolucioni Xhonturk.[1]
Më 1888 mori nga Kalabria një grup prej 22 familjesh arbëreshe dhe i vendosi në çifligun e Skrofotinës të Vlorajve, ku duhej të ngrinin në këmbë një ekonomi bujqësore model. Mirëpo dashakëqinjtë e spiunuan dhe autoritetet perandorake e detyruan që t'i kthente mbrapsht arbëro-kalabrezët.[2]
Në zgjedhjet e dyta të periudhës parlamentare osmane, u zgjodh deputet i Vlorës. Gjatë një debati parlamentar, më 7 korrik 1912 sulmoi keqazi politikat osmane mbi Shqipërinë aq sa u detyrua të ikte prej Stambollit së bashku me familjen e tij përmes ndihmës së ambasadorit austro-hungarez. Kalimthi, takoi kryeministrin grek Venizelos në Athinë, i cili i përcolli qëndrimin e tij për Lidhjen Ballkanike: nëse Porta do t'i njihte pretendimet greke ndaj Gjiritit, atëherë Greqia nuk do t'i bashkohej aleancës ballkanike kundër perandorisë. Syrja Beu ua bëri të ditur trupës diplomatike osmane në Athinë, por duke u cilësuar si tradhtar, nuk ia vunë veshin.
I alarmuar për shpërthimin e një lufte dhe kanosjen e territoreve shqiptare, u bëri thirrje njerëzve të shquar të Shqipërisë për një kuvend, dhe nisi të birin Eqremin që t'ia bënte të ditur gjendjen austro-hungarezëve në Vienë. As njëra dhe as tjetra nuk ngjau. Shkoi vetë në veri të vendit në përpjekje që të afronte Esad dhe Preng Pashën, por pa rezultat. Më pas në Vienë. Qershorin e 1913 u kthye në Vlorë dhe bindi Ismail Qemalin që t'i ofronte zyrën e ministrit të Brendshëm.
Esad Pasha shkoi në këtë detyrë, por jo shumë kohë më pas u largua dhe themeloi Pleqsinë e Shqipnisë së Mesme, të cilës iu bashkua edhe Syrja Beu. Me mbretërimin e shkurtër të Princ Vidit, qe përfaqësues diplomatik i principatës në Vienë. Marrdhëniet e tij me austro-hungarezët u përkeqësuan kur u ofroi italianëve çifligun e Pashalimanit. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, shkoi në Zvicër ku qëndroi gjatë gjithë luftës.
Më 1920 udhëtoi drejt Stambollit ku u përpoq të rimerrte ndonjërën prej pronave të cilat i kishin konfiskuar xhonturqit. Më 1923 u kthye në Vlorë, u largua drejt Romës pas Lëvizjes së qershorit. U rikthye më 1925 me marrjen e pushtetit nga Ahmed Zogu, nuk luajti asnjë rol në politikën e brendshme të shtetit shqiptar deri kur ndërroi jetë më 1940.[1]
Vepra
RedaktoU bë i njohur për lexuesin stambulliot në vitet 1886/7 përmes tre numrave të revistës "Zerrat" ku botoi pesë shkrime të tijat mbi lexime që kish bërë Lord Byron, Wellington, Napoleon, Walter Scott, Machiavelli, historinë e zanateve dhe mbi Korenë.
Më 1907 ai botoi në turqisht një punim të rëndësishëm për historinë e Islamit, me titullin "Fitret ül-Isläm". Qe një biografi e Muavijes së Abi Sufjanit, themeluesit të dinastisë së Omajadëve; Vlora u mbështet në burime të shumta arabe. Studimi “Tarih-i osmanide Arnavutluk” (Shqipëria në historinë osmane) ka një rëndësi të veçantë në marrdhëniet turko-shqiptare dhe rolin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane; u botua më 1911 në kalendarin "Shqiptari", të botuar nga Dervish Hima, por vetëm pjesa e parë; pjesa e dytë nuk u botua ngase "Shqiptari" doli nga qarkullimi.
Së bashku me intelektualë të tjerë shqiptarë bëri fushatë për futjen e alfabetit latin në gjuhën shqipe dhe botoi artikullin e gjatë në gjuhën turke më 15 janar 1910 në “Yeni Gazete” (Gazetën e Re) të Stambollit, me titullin “Alfabeti arab dhe gjuha shqipe”, ku paralajmëronte kundër ngatërrimit të çështjes së fesë me atë të alfabetit.[1]
Vëllimi memuaristik që la në dorëshkrim në turqisht me titullin Hatirät ve teracim-i ahväl, u përkthye nga Ali Asllani dhe u botua shumë vite më vonë.
Referime
Redakto- ^ a b c d e Kaleshi, Hasan (1981). "Vlora, Süreya Bey". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 4: 433–436.
- ^ Vlora, Eqrem bej (2003) [1963]. Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 49–50. ISBN 99927-780-6-7.