Shqipëria Osmane
Shqipëria Osmane si term mëton periudhën e sundimit të territoreve të njohura si arbërore e më pas shqiptare (fillimisht si tr. Sancak-i Arvanid) mes viteve 1384 dhe 1912 nga Perandoria Osmane. Osmanët hynë në viset shqiptare me ftesë nga Karl Topia për t'iu kundërvënë Balshës II në Betejën e Savrës në vitin 1384, kur shumica e prijësve vendas ranë vasalitetin osman. Osmanët ngritën garnizonet e tyre nëpër Shqipërinë jugore deri në vitin 1415 dhe themeluan një jurisdiksion formal mbi Shqipërinë qendrore deri në vitin 1431. Disa rajone shqiptare u pavarësuan mes viteve 1443 dhe 1479, si pasojë e kryengritjeve të drejtuara nga Skënderbeu. Qytetet e fundit që ranë nën sundimin osman ishin Shkodra (viti 1479) dhe Durrësi (viti 1501). Territori i sotëm i Republikës së Shqipërisë mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë.[1]
Termi i përdorur nëpër burimet osmane është Arnavudluk (turqishte osmane: آرناوودلق) përfshinte në gjeografinë e vet territore që sot janë në shtetet e Greqisë (pjesa veriore e saj), Kosovës, Malit të Zi jugor, pjesa perëndimore e Maqedonisë së Veriut, Serbisë jugore si dhe Shqipërisë.
Shqipëria përballë Pushtimit Osman (1385 - 1443)
RedaktoPushtimet e para osmane në Shqipëri
RedaktoSulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha, në vitin 1385 ushtritë osmane, pasi morën Sofjen, u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e Shkupit, të Përlepit, të Manastirit dhe të Kosturit. Në dokumente perëndimore dhe osmane të shek. XIV-XV për qytetet e Shkupit, të Manastirit, të Kosturit, të Janinës etj., si dhe për Fushë-Dardaninë shprehimisht është shënuar se ato ishin "në Shqipëri" apo "në tokat shqiptare".
Në muajin gusht të vitit 1385 Balsha II i shkruante Republikës së Venedikut se zotërimet e tij ishin nën sulmet e përditshme të ushtrive osmane dhe se ato kishin shkaktuar një pështjellim të madh te nënshtetasit e tij. Kur Balsha II ishte i zënë në konflikt me mbretin e Bosnjës, Tvërtkon (1376-1391), për çështjen e zotërimit të Kotorrit, një ushtri e fuqishme osmane, e komanduar nga Timurtash Pasha, në shtator të vitit 1385 u fut me shpejtësi në thellësi të tokave shqiptare. Balsha II së bashku me një grup fisnikësh të udhëhequr prej tij, mobilizuan me shpejtësi një pjesë të ushtrisë dhe u dolën përpara osmanëve në fushën e Savrës (pranë Lushnjës). Në betejën e Savrës, që u zhvillua më 18 shtator 1385, forcat ushtarake shqiptare u thyen dhe vetë Balsha II gjeti vdekjen. Fitorja e betejës i dha mundësi ushtrisë osmane që të pushtonte Beratin, Krujën etj., të cilat i mbajti përkohësisht, derisa ua lëshoi zotëruesve të mëparshëm. Inkursionet e tyre u shtrinë edhe në Shqipërinë e Epërme deri në Lezhë, si dhe në Shqipërinë e Poshtme. Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin dhe pas një viti Selanikun, që e mbajtën përkohësisht në duart e tyre, deri më 1403.
Për disa familje fisnike të njohura, si Balshajt, Muzakajt etj., beteja e Savrës shënoi rënien e tyre nën vasalitetin osman, i cili në fillim qe i dobët dhe herë-herë formal. Pa kaluar shumë kohë nga disfata që pësuan në fushën e Savrës, Balshajt rifilluan të ndiqnin një politikë të pavarur. Në vitin 1388, Gjergji II Balsha, krahas forcave ushtarake të sundimtarëve të Rashës e të Bosnjës, mori pjesë në betejën që u zhvillua në Beliqë (Bosnjë) dhe forcat e tij luajtën një rol të rëndësishëm në thyerjen e ushtrive osmane, të komanduara nga L`alla Shahini. Kjo fitore nxiti Karl Topinë dhe Muzakajt që të shkëpusnin lidhjet e tyre të vasalitetit ndaj osmanëve.Ballkani ne shekullin XIV ishte nje teritor i coptuar, i ndar ne shume principata e shtete te pavarura sic ishin principata greke, bullgare, serbe dhe shqiptare. Ndermjet tyre kishte mosmarrveshje e zhvilloheshin luftra per ceshtje fetare si dhe per probleme kufijesh. Keto dy ceshtje kishin krijuar nje anarki ne Ballkan e cila letesonte perparimet e ushtris osmane.
Krijimi i Koalicionit Ballkanik
RedaktoIntensifikimi i sulmeve të ushtrive osmane dhe zgjerimi i vrullshëm i pushtimeve të tyre në Ballkan bënë që sundimtarët ballkanas të linin mënjanë grindjet e konfliktet ndërmjet tyre dhe të mendonin e të projektonin aksione të përbashkëta ushtarake për të mbrojtur zotërimet e veta. Në vitin 1387 u krijua një koalicion i gjerë ballkanik, ndërkohë që më 1388 sulltani përqendroi forca të shumta në Plovdiv për të vijuar pushtimet në Ballkanin Qendror.
Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren, Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas, si vojvoda rumun Mirçea, bani kroat Ivan Horvat, mbreti Tvërtko I i Bosnjës, sundimtari i Kosovës Vuk Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi (Vuk Brankoviçi) etj. Zotërimet familjare i kishte në pjesën veriore të Drenicës dhe të Fushë-Dardanisë. Pas vdekjes së Vukës në tetor 1398, jeta politike në zotërimet e tij u decentralizua.
Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman, krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit, komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të Bosnjës.
Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Në çastin e fillimit të betejës, V. Brankoviçi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më 15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të përgjakshme me focat osmane të komanduara nga sulltan Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive të koalicionit, fitorja në këtë betejë anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore të mëdha nga të dyja palët. Gjatë zhvillimit të betejës luftëtari Millosh Kopiliqi vrau sulltan Muratin I. Për hakmarrje osmanët vranë robërit e luftës, duke përfshirë knjaz Llazarin e Milosh Kopilin. Në këtë betejë mbeti i vrarë Teodori I Muzaka, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tij dhe shqiptarë të tjerë. Beteja e Fushë-Dardanisë dhe akti heroik i Milosh Kopilit lanë mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës, të cilët i përjetësuan ato në këngë popullore.
Dështimi i Koalicionit
RedaktoDisfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për popujt e Gadishullit të Ballkanit. Ajo i dha fund krijimit të koalicioneve ballkanike të gjera kundër pushtuesve osmanë dhe sulltanit pasardhës, Bajazitit I (1389-1402), të njohur me cilësimin Rrufeja (Jëlldërëm), i lehtësoi rrugën për pushtime të reja në Ballkan.
Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin, të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan t'u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin (kështjellë pranë Mitrovicës) etj. Me marrjen e Shkupit, osmanët përforcuan pushtetin e tyre në pjesën lindore të Shqipërisë Qendrore (Maqedonia e sotme), veçanërisht nëpër rajonet fushore të lumit Vardar, që ishin nga më të begatat e Ballkanit. Pozicioni gjeografik shumë i favorshëm i Shkupit, ku kryqëzoheshin rrugët më të shkurtra që lidhnin kryeqytetin e Perandorisë Osmane me të gjitha tokat shqiptare dhe me rajonet e tjera të Ballkanit, nxitën sulltanët osmanë që ta bënin atë bazë ushtarake shumë të fuqishme, duke e shpallur Pashasanxhak, d.m.th. vend-rezidencë e bejlerbeut të Rumelisë.
Ndryshimet në fe
RedaktoNdërkaq osmanët ishin përpjekur për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Shqipërinë Qendrore. Qysh në vitin 1385 ata u kishin marrë Muzakajve qytetin e rëndësishëm të Kosturit, kurse rreth vitit 1394 u morën Gropajve Ohrin, të cilin nuk e mbajtën dot për një kohë të gjatë. Ky qytet buzë liqenit kishte fortesë të fuqishme dhe një pozicion shumë të favorshëm për kontrollin e peshkimit në liqen e në dajlanet e shumta të lumit Drin në Strugë, ku tregtohej me shumicë peshku i thatë që përgatitej aty. Për zotërimin e rajonit të liqenit dhe dobësimin e pranisë së fisnikëve shqiptarë aty, osmanët vendosën administratën e tyre në Ohër dhe rrënuan tri kështjellat e tjera, të Strugës, të Pogradecit e të Starovës, që ishin në roje të liqenit dhe të rrugëve që gjendeshin pranë tij.
Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare shqiptare, që do të ndikonte shumë në ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në qytete të tjera të viseve lindore, filluan të përqafonin masivisht islamizmin. Që në fund të viteve 60 të shek. XV mbi 60% e banorëve të Shkupit e të Manastirit ishin myslimanë. Kurse te sllavët, që kishin kishën e tyre kombëtare, nuk u përhap procesi i islamizimit. Në regjistrat kadastralë osmanë të shek. XV thuajse asnjë spahi nuk ka të shënuar cilësimin se është serb apo sllav, ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë mbiemrin Shqiptari (Arnauti).
Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve i shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.
Rikonsolidimi i Perandorisë Osmane
RedaktoPasi e konsoliduan pushtetin osman në viset lindore të Shqipërisë Qendrore, trupat osmane nisën sulmet në drejtim të rajoneve perëndimore e bregdetare, si dhe të Shqipërisë së Epërme dhe asaj të Poshtme, sulme që i vazhduan pa ndërprerë nga viti 1385 deri në vitin 1402 për t`i rifilluar pas një dhjetëvjeçari. Pasi morën Zveçanin, më 1393 osmanët arritën të pushtonin po përkohësisht Shkodrën, Ulqinin, Dejën e Krujën, të cilat i mbajtën deri më 1395. Po në fund të shek. XIV ata morën përkohësisht Janinën dhe pushtuan krahinat e Korçës e të Përmetit. Zgjerimi i pushtimeve osmane në Shqipëri u ndërpre përkohësisht pas betejës së Ankarasë, të zhvilluar më 20 qershor 1402, ku trupat osmane pësuan një disfatë të rëndë dhe sulltan Bajaziti I (1389-1402) ra rob në duart e ushtrive fitimtare mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Pas kësaj beteje, për një dhjetëvjeçar, jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të ashpra ndërmjet tre djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, konflikte që përfunduan me ardhjen në pushtet të Mehmetit I (1413-1421). Sulltani i ri riaktivizoi politikën pushtuese edhe në drejtim të Ballkanit dhe të Shqipërisë.
Para se sulltan Mehmeti I të vinte në pushtet, në vitin 1412 ushtritë osmane sulmuan Novobërdën dhe e mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë, por nuk e morën dot, sepse mbrojtësit e saj luftuan me guxim. Ushtritë e sulltan Mehmetit I, me vdekjen e Niketë Topisë, në fillim të vitit 1415 pushtuan Krujën, gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës, kurse në vjeshtë të vitit 1418 pushtuan Gjirokastrën, kryeqendrën e zotërimeve të Zenebishëve.
Fitorja e trupave osmane në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 dhe konsolidimi i pushtetit të tyre në fund të shek. XIV në qytetin e Shkupit, në rajonet e lumit Vardar si dhe pushtimi i Krujës, i Beratit, i Gjirokastrës etj., lehtësuan pushtimet e mëtejshme osmane në Ballkan e në Shqipëri dhe shtuan panikun në radhët e sundimtarëve ballkanas, shumë prej të cilëve u bënë vasalë të sulltanëve. Në Shkup u vendos selia e bejlerbeut të Rumelisë, që ishte komandanti i përgjithshëm i ushtrive osmane për pjesën evropiane të saj. Me një personalitet të tillë ushtarak e politik shumë të fuqishëm të Perandorisë Osmane duhej të përballeshin vazhdimisht fisnikët shqiptarë. Krahas tij ata duhej të përballeshin edhe me pinjollët e shumtë të familjes së fuqishme të Evrenozëve. Qysh kur nisën pushtimet e para osmane në Shqipërinë Lindore, në fund të shek. XIV, e deri në fund të shek. XV, kur ranë në duart e tyre edhe kështjellat e fundit në tokat shqiptare, ato të viseve perëndimore, në të gjitha betejat e aksionet e rëndësishme ushtarake të ushtrive pushtuese u shquan si komandantë ushtarakë osmanë një varg pinjollësh të familjes Evrenozi që jetonin në Shkup. I pari i tyre ishte Evrenoz-Beu (Pasha Jigit beu), i cili kishte pushtuar Thesalinë; emrin e tij e përdorën gjatë shekujve si mbiemër djemtë, nipërit e pasardhësit e tjerë të tyre..
- Artikulli kryesor : Regjimi Feudal Ushtarak Osman në Shqipëri
Regjistrimet e para kadastrale osmane në Shqipëri
RedaktoOrganizimi i Perandorisë Osmane dhe funksionimi i aparatit të saj shtetëror mbështetej mbi pronën feudale ushtarake, sistemin e timarit. Kjo lloj prone u vendos në Ballkan dhe në Shqipëri gradualisht, që me pushtimet e para osmane të shek. XIV. Por mungojnë burimet historike të shek. XIV për të pasqyruar dinamikën e shtrirjes në kohë e hapësirë të sistemit të timarit.
Dokumenti më i hershëm i zbuluar der tani, për të njohur sistemin agrar që vendosën pushtuesit osmanë në Shqipëri dhe në Ballkan, është një regjistër kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), i emërtuar "Regjistri i Sanxhakut Shqiptar" (Defter-i Sancak-i Arvanid). Në të janë përfshirë një pjesë e viseve të Shqipërisë Perendimore, që shtriheshin nga Çamëria deri në lumin Mat. Krahas pasqyrimit të shpërndarjes së timareve në çastin e hartimit të regjistrit, në të ka edhe shënime që u referohen periudhave më të hershme, kohës së sulltan Bajazitit I (1389-1402) dhe të sulltan Mehmetit I (1413-1421).
Të dhënat e regjistrit të vitit 1431-1432 për praninë e sistemit të timarit në Shqipëri që në fund të shek. XIV janë fare të pakta dhe kanë të bëjnë me krahinën e Korçës e të Përmetit. Kurse për kohën e sulltan Mehmetit I janë më të shumta. Ato tregojnë se pas pushtimit prej osmanëve në vitet 1417 e 1418 të kështjellave të Gjirokastrës, të Beratit, të Kaninës etj., ishte bërë një regjistër kadastral dhe ishte formuar Sanxhaku Shqiptar po me atë shtrirje të përafërt që do të kishte edhe në regjistrimin e mëvonshëm të vitit 1431-1432.
Regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432)
RedaktoAparati shtetëror qendror e lokal i Perandorisë Osmane kujdesej për zbatimin e sistemit të timarit, mbi bazën e të cilit ishte ngritur e funksiononte tërë ngrehina politike, ushtarake e administrative e Perandorisë Osmane. Të ardhurat që vileshin nga tatimet e sistemit të timarit mbanin në këmbë gjithë aparatin shtetëror dhe mbulonin shpenzimet e tij. Gjithashtu ushtria e spahinjve, e zotëruesve të timareve, ishte pjesa më e rëndësishme e forcave ushtarake osmane që zbatonte sistemin e timarit, që mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe që, nëpërmjet luftërave pushtuese, zgjeronte kufijtë e saj.
Rrjedhimet e sistemit të timarit
RedaktoVendosja e sistemit të timarit ndryshonte raportet e pronësisë mbi tokën, që ishte çështja themelore për jetën ekonomike, shoqërore e politike të vendit dhe që përcaktonte shkallën e zhvillimit të marrëdhënieve feudale. Si trashëgim nga e drejta bizantine, për shekuj të tërë toka në tërësi konsiderohej se i përkiste sovranit (perandorit, mbretit etj.). Në këtë mënyrë ishin motivuar detyrimet që popullsia kishte ndaj pushtetit shtetëror qendror për prodhimet e tokës dhe që përbënte atë pjesë të rentës që merrte shteti bizantin (renta qendrore). Pjesa tjetër e rentës u përkiste individëve të veçantë, përfaqësuesve të shtresës së pasur, që ishte në krye të jetës ushtarake, politike e ekonomike në provinca. Një rentë e tillë, e ndarë në dy pjesë, krijonte marrëdhënie që në njërën apo tjetrën formë kufizonin të drejtat e pronësisë private mbi tokën. Mbi këtë formë të rentës qe ngritur e kishte vepruar institucioni feudal bizantin i pronies. Me kalimin e kohës kornizat kufizuese mbi të drejtat e pronësisë mbi tokën erdhën duke u shkelur gjithnjë e më shumë, derisa institucioni i pronies në fakt pushoi së vepruari dhe përgjithësisht toka kishte kaluar në pronësi private të plotë deri në shitblerjen e saj.
- Artikulli kryesor : Kryengritjet antiosmane në Shqipëri (vitet 30 të shek. XV)
Qëndresa antiosmane në Shqipëri
RedaktoPas pushtimit të kështjellave të viseve perëndimore shqiptare në fillim të shek. XV, osmanët vendosën edhe në këtë rajon të Shqipërisë administratën e tyre pushtuese. Nëpërmjet regjistrimeve të herëpashershme të banorëve e të tokës dhe të ndarjes së saj në prona të vogla feudale (timare), pushtuesit vendosën sistemin feudal ushtarak osman të timareve, që ishte i ngjashëm me sistemin e pronies bizantine. Kjo lloj prone ishte në shpërbërje të plotë në prag të pushtimit osman dhe shoqëria shqiptare ndodhej në fazën e zhvilluar të feudalizmit, ku prona tokësore shitej e blihej lirisht. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve osmanët i zhveshën fisnikët shqiptarë nga pronat e mëdha tokësore dhe nga pozitat e tyre drejtuese. Përveç kësaj, sulmet e njëpasnjëshme të ushtrive osmane për pushtimin e trojeve shqiptare, të shoqëruara me dhunë të egër e me shkatërrime masive, me rrëmbim të fëmijëve për të mbushur repartet e jeniçerëve si dhe me rrëmbimin e të rriturve për t`i shitur si skllevër, e dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit dhe shkaktuan një pakënaqësi të thellë në të gjitha shtresat shoqërore, duke i bashkuar e duke i ngritur këta në luftë kundër armikut të përbashkët, pushtuesit të huaj osman. Qëndresa dhe lufta e shqiptarëve shpërtheu kudo në forma të ndryshme deri në kryengritje të fuqishme.
Ndarja administrative (shek. XVI-XVII)
RedaktoZgjerimi i Perandorisë Osmane, pas pushtimeve të realizuara në shek. XV, bëri të nevojshëm ndryshimin e organizimit të saj shtetëror. Për ta vënë atë mbi baza më të qëndrueshme administrative e juridike, gjatë mbretërimit të sulltan Sulejmanit II Ligjvënësi (1520-1566), u krye një organizim i ri i shtetit dhe u rishikuan e u plotësuan ligjet ekzistuese me urdhëresa të tjera në përshtatje me kushtet e reja, me synim që të arrihej në radhë të parë centralizimi i pushtetit në duart e sulltanit.
Në përfundim të këtij riorganizimi, territoret e gjithë perandorisë u ndanë në 32 ejalete, që ishin njësi më të vogla administrative. Në krye të çdo ejaleti kishte një bejlerbej. Krahinat e Gadishullit Ballkanik u përfshinë në tri ejalete: ejaleti i Bosnjës në veri të gadishullit, ejaleti i Rumelisë në qendër dhe ejaleti i Detit në ishujt e detit Egje dhe në një pjesë të bregdetit jugor. Çdo ejalet u nda në një numër sanxhakësh. Territoret e Shqipërisë bënin pjesë në ejaletin e Rumelisë.
Me organizimin e ri, osmanët i copëzuan së tepërmi trojet shqiptare, duke u dhënë njësive ushtarake e administrative shqiptare një shtrirje territoriale më të vogël në krahasim me sanxhakët e tjerë të Rumelisë. Disa prej tyre, përveç popullsisë mbizotëruese shqiptare përfshinin edhe pakica malazeze, serbe e maqedonase.
Kanunamet Shqiptare
RedaktoGjatë mbretërimit të Sulejman Ligjvënësit, juriskonsultët osmanë përpunuan, si për të gjithë sanxhakët e tjerë të perandorisë, edhe për ata shqiptarë, nga një kanuname të veçantë. Kanunameja më e vjetër nga ato që janë ruajtur e që njihet deri më sot, është ajo e sanxhakut të Shkodrës (1529). Kanuname të veçanta patën edhe sanxhakët e Vlorës, të Elbasanit, të Prizrenit, të Ohrit, të Vuçiternës. Burimin e tyre, kanunnametë e kishin gjithnjë te Sheriati (E drejta islame sipas shkolles juridike hanefite), i bazuar te Kurani, që ishte një kushtetutë e përjetshme e perandorisë së osmanëve. Por në hartimin e tyre janë marrë parasysh edhe kushtet shoqërore-ekonomike të çdo sanxhaku, si dhe traditat rajonale të trashëguara nga shekujt e kaluar. Kanunametë e sanxhakëve shqiptarë ligjëruan gjendjen e pronësisë tokësore, pozitën e spahinjve ndaj shtetit e rajave, detyrimet fiskale dhe detyrimet e tjera të popullsisë shqiptare. Kanunametë përmbanin gjithashtu dispozita të ndryshme mbi rregullimin ushtarako-politik të sanxhakëve, mbi çmimet e prodhimeve bujqësore, mbi regjimin doganor etj.
Në fillim këto kanuname kishin mjaft mungesa, por kohë pas kohe ato u plotësuan me dekrete (fermane) dhe me vendime (fetva), sidomos me fetvatë e kryetarit të fesë islame, Ebusudit, i cili ishte figura kryesore në përpilimin e kanunameve. Më vonë u hartuan kanumame të reja më të plota. Kanunameja e dytë e Shkodrës u përpilua afërsisht gjysmë shekulli më vonë nga e para.
Përveç kanunameve të sanxhakëve dhe të shtesave të mëvonshme, kadilerët kishin për udhëheqje në punët e tyre edhe kanunamenë qendrore të njohur me emrin "Kanunameja e sulltan Sulejmanit", që u kodifikua pas mesit të shekullit XVI. Kjo përmblidhte dispozitat themeltare të regjimit feudalo-ushtarak dhe të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike të krejt Perandoriisë Osmane. Kanunametë e sanxhakëve shqiptarë kishin të përbashkëta normat kryesore të regjimit feudal-ushtarak. Në mjaft raste, ato kishin ndryshime nga njëra-tjetra dhe pasqyronin shkallën jo të barabartë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të popullsisë që jetonte në secilin sanxhak.
Ndarja e Tokave Shqiptare
RedaktoNë vitin 1506 u bë një regjistrim i përgjithshëm i të gjitha tokave shqiptare. Ato u përfshinë në dy zona të mëdha. Në njërën zonë bënin pjesë tokat, ku ishte zbatuar sistemi i timarit. Kjo quhej ndryshe zona e së dhjetës (yshyrit), kurse zona tjetër përfshinte krahinat malore të vetqeverisura, ku nuk u zbatua sistemi i timarit. Ato i jepnin pushtetit qendror një taksë fikse (haraxh), prandaj quheshin zonat e haraçit. Zona e timarit ishte e shtrirë në pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Si në gjithë Gadishullin Ballkanik, dhe në shumicën e viseve të tjera të Perandorisë Osmane, gjithë toka ishte shpallur "tokë shtetërore" (turqisht: erazi mirie). Megjithatë, pronësia mbi tokën, që i përkiste shtetit osman edhe në Shqipëri, pati tri forma të ndryshme:
- tokat shtetërore, që zinin sipërfaqen më të madhe të vendit dhe përbënin bazën e sistemit të timareve,
- tokat në zotërim privat (turqisht: erazi mylk), që zotëroheshin nga pjesëtarë të aristokracisë feudale dhe
- tokat vakëf (turqisht: erazi vakf), që ishin pronë e institucioneve fetare myslimane.
Ndarja Rajatike dhe Jorajatike
RedaktoPjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e tokave shqiptare i përkiste formës së tokave shtetërore. Këto përbënin fondin e tokave të përfshira në sistemin e timarit, në disa kategori: në radhë të parë, bënin pjesë tokat e punueshme, arat, livadhet në zotërim të fshatarëve. Tipar dallues i këtyre tokave (rajatike) ishte fakti se fshatarët që i zotëronin ato, ishin të detyruar t’i shlyenin një varg detyrimesh, si spahiut dhe shtetit. Legjislacioni nuk lejonte ndryshimin e statusit të tyre dhe ruante dallimin fetar midis bashtinës dhe çifligut. Në rast se një mysliman merrte një bashtinë, i shlyente detyrimet si i krishterë.
Përveç tokave rajatike kishte edhe disa toka jorajatike: truallishtet (turqisht: mezra) ishin toka të lëna djerr të fshatrave, dikur të banuara, por që ishin braktisur nga popullsia. Ato mund të punoheshin e të mbilleshin nga fshatrat fqinje. Prej tyre merrej vetëm e dhjeta e prodhimeve bujqësore. Spahiu kishte të drejtë t’i jepte me tapi dhe taksën e tapisë e merrte shteti. Punimi i tyre mund të bëhej edhe nga fshatarë të ardhur. Sipas regjistrit të vitit 1520, fshati Levan i Vogël në regjistrimin e vjetër figuronte truallishte, por fshatarët që erdhën nga viset përreth, u vendosën aty me banim dhe e punonin tokën, duke i shlyer të dhjetën të zotit të tokës. Krahas truallishteve ishin tokat e përbashkët, toka të papunuara, të ndodhura midis fshatrave me kufij të papërcaktuar dhe në përdorim të përbashkët të tyre. Punimi dhe mbjellja e tyre kushtëzohej me pagimin e së dhjetës. Një kategori tjetër tokash jorajatike ishin tokat e hapura rishtas (turqisht: zemin e tarlla), prej vendeve djerr, pyjesh, vendesh malore, të cilat me kalimin e kohës nga një regjistrim në tjetrin, punoheshin e mbilleshin.
Spahiu kishte të drejtë t’i jepte me tapi që të punoheshin. Të njëjtin status kishte toka djerr brenda timareve të lëna si kullota dimërore dhe verore. Spahiu kishte të drejtë të vilte taksën për dimërimin dhe verimin e bagëtive nga fshatarët e jashtëm që sillnin bagëtitë për kullotje, por jo nga fshatarët e fshatit ku ndodhej kullota. Në periferi të qyteteve tokat nuk ishin private, por as toka rajatike. Përreth qyteteve kishte mjaft çifligje të ngarkuara vetëm me të dhjetën dhe taksën e kashtës. Një kategori më vete përbënin tokat e dhëna në zotërimin e personave të ngarkuar me shërbime ushtarake në luftë, në prapavijë ose me shërbime administrative. Këto u jepeshin si bashtina ose çifligje vojnukëësh, stallierëve, rritësve të shpesëve të gjuetisë (doganxhinj), ruajtësve të grykave të rrugëve (derbendxhinj), pjesëtarëve të korpusit ushtarak të kalorësve (turqisht: myselem) dhe të këmbësorëve. Tokat ushtarake trashëgoheshin dhe ishin falur nga e dhjeta, xhizja, taksat e jashtëzakonshme shtetërore dhe nga çdo detyrim tjetër kundrejt shërbimit ushtarak. Me kalimin e kohës kjo kategori sa vinte e zvogëlohej. Kështu më 1506 në sanxhakun e Vlorës kishte 229 shtëpi vojnukësh që ishin kthyer në raja. Më 1593 numri i vojnukëve në këtë sanxhak numërohej me gishta. Në kategorinë e tokave shtetërore bënin pjesë edhe tokat në zotërim personal të spahinjve (turqisht: hasa-çiflig).
Ndarja sipas të ardhurave
RedaktoToka shtetërore u nda në zotërime të veçanta, të cilat në varësi nga shuma e të ardhurave që jepnin, u quajtën has, ziamet dhe timar. Të ardhurat vjetore maksimale të hasit që u jepeshin pjesëtarëve të aristokracisë feudale (sulltanit, vezirëve, bejlerbejve, sanxhakbejve), i kapërcenin të 100 000 akçet, të ziametit deri në 99,999 akçe, kurse të ardhurat e timarit, që u jepeshin zakonisht feudalëve të vegjël nuk i kapërcenin të 19,999 akçet.
Numri i zotërimeve në tokat shqiptare u rrit krahas me zgjerimin dhe me forcimin e pushtetit osman në krahinat e mbetura ende jashtë administratës së tij. Sipas regjistrimit të vitit 1431, në sanxhakun shqiptar kishte 471 timare, kurse me regjistrimin e kryer në vitin 1533, vetëm në sanxhaqët e Shkodrës, të Vlorës, të Ohrit, të Elbasanit, të Vuçitërnës dhe të Prizrenit numri i timareve arriti në 2,070.
Në Shqipëri haset në zotërim të sulltanit u formuan pas përfundimit të pushtimit të saj dhe me përforcimin e pushtetit osman në vend. Sipas dëshmive dokumentare ato ishin krijuar për herë të parë në sanxhakun e Shkodrës, në vitin 1485, pastaj nga fillimet e shek. XVI u dukën në të gjithë sanxhakët e tjerë. Të ardhurat e tyre i kalonin thesarit shtetëror dhe përdoreshin për të mbuluar shpenzimet e administratës qendrore të shtetit. Në përputhje me kushtet ekonomike e politike të secilës trevë, ato përfshinin zakonisht të ardhurat më të rëndësishme të vendit që vinin nga taksat e shitblerjes së mallrave në tregjet kryesore, nga taksat doganore të skelave të Vlorës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës, që ishin nyje kryesore të tranzitit tregtar me botën e jashtme, nga monopoli i kripës në kriporet e bregdetit, nga peshkimi në liqenet e Shkodrës, Ohrit, në grykat e lumenjve etj., nga minierat e Novobërdës, Janievës, Trepçës, Prizrenit, Vlorës dhe nga të ardhurat e një numri qytetesh apo fshatrash. Vjelja e këtyre të ardhurave zakonisht bëhej me anën e sistemit të sipërmarrjeve vjetore (mukata). Haset ishin mjaft të mëdha dhe zinin një vend të konsiderueshëm në sasinë e të ardhurave (të rentës), që shkonin në dobi të klasës feudale. P.sh. në vitet 30 të shek. XVI haset zinin 44,8% të këtyre të ardhurave dhe arrinin në 10,649,730 akçe. Të ardhurat e hasit të sulltanit në Vlorë vinin nga peshkimi, doganat, monopoli i kripës, nga taksa e dhenve në sanxhakët e Vlorës e të Elbasanit, dhe nga detyrimet spahiore të 26 fshatrave. Në hasin perandorak në Vuçitern të ardhurat kryesore vinin nga minierat e Novobërdës e të Janievës, të punishtes për prerjen e monedhës, nga taksat e qytetarëve dhe nga detyrimet spahiore të 290 fshatrave.
Hase të rëndësishme zotëronin edhe vezirë e bejlerë, si Sinan Pasha në sanxhakun e Vlorës dhe Osman Pasha në sanxhakun e Delvinës etj. Sanxhakbejlerët, si mbajtës të pushtetit ushtarak e civil në krahinat e përfshira në njësitë administrative që qeverisnin, zotëronin 8-9 hase të rëndësishme qysh në shek. XV. P.sh., hasi i sanxhakbeut të Shkodrës më 1485 arrinte në 389,912 akçe. Ai përfshinte të ardhurat e qyteteve të Shkodrës, të Drishtit, të Pejës si dhe 161 fshatra kryesisht në Malësinë e Madhe. Në shek. XVI, haset e sanxhakbejlerëve lëviznin nga 200,000 deri në 550,000 akçe secili. Të ardhurat e haseve të funksionarëve të lartë arrinin në fund të shek. XVI në 2,593,998 akçe, d.m.th., në 10,4% të sasisë së përgjithshme të të ardhurave nga detyrimet spahiore. Më i vogli ishte hasi i sanxhakut të Elbasanit (117,138 akçe) dhe më i madhi ishte ai i Ohrit (383 450 akçe). Vendin kryesor në të ardhurat e këtyre haseve e zinin të ardhurat nga detyrimet spahiore, të vjela nga 260 fshatra.
Pjesa më e madhe e tokave dhe e popullsisë ishte dhënë në ziamete dhe timare. Në fillim të shek. XV kishte 30 timare e 837 ziamete me 3,352,000 akçe, kurse në fund të shek. XVI 212 ziamete dhe 2,043 timare me 15,500 000 akçe. Sasia më e madhe e timareve dhe e ziameteve gjendej në sanxhakët e Vlorës, të Ohrit, të Vuçiternës, në viset e Rrafshit të Dukagjinit etj. Ziametet dhe timaret përfshinin pjesën më të madhe të të ardhurave (të rentës) të zotërimeve spahiore, 32% të shumës së përgjithshme. Gjatë shek. XVII-XVIII numri i timareve dhe i ziameteve erdhi duke u zvogëluar, përkatësisht në 2,043 e 93.
U pakësua më shumë (gjatë shek. XVII-XVIII) numri i ziameteve dhe më pak ai i timareve. Kjo dukuri dëshmon për copëtimin e ziameteve dhe rritjen e haseve. Edhe në këta shekuj ruhej tradita e mëparshme, sipas së cilës shumicën e timareve e përbënin timaret e vogla me të ardhura deri në 3,000 akçe. Kështu timaret e vogla në fillim të shek. XVII në sanxhakun e Shkodrës zinin 55% të numrit të përgjithshëm, në sanxhakun e Vuçiternës 66% dhe në atë të Elbasanit 64%. Vendin e dytë e zinin timaret me të ardhura 5,000-6,000 akçe. Timaret dhe ziametet thuajse tërësisht kishin të bënin me tokën dhe fshatarin raja. Ato lidheshin me prodhimin bujqësor të një vendbanimi të caktuar. Ziametet përfshinin disa fshatra të tëra, kurse timaret fshatra të plota ose pjesë fshatrash.
Timaret, ziametet dhe haset u jepeshin spahinjve kundrejt detyrimeve të caktuara ndaj pushtetit qendror. Timarliu ose zaimi e gëzonte timarin apo ziametin me kusht që me shpenzimet e veta, të shkonte në luftë si kalorës i armatosur nën urdhrat e sanxhakbeut sa herë ta thërriste sulltani. Timari, të ardhurat e të cilit ishin deri në 3 000 akçe që nevojiteshin për shpenzimet e jetesës së spahiut, quhej "këllëç timar", d.m.th., timar sa për një shpatë. Në rast se të ardhurat e kalonin këtë shumë, atëherë spahiu ishte i detyruar të çonte një kalorës të armatosur (xhebeli) për çdo 3,000 akçe më shumë, ndërsa zotëruesit e ziameteve e të haseve çonin një kalorës për çdo 5,000 akçe.
Kushtëzimi i dhënies së zotërimit me shërbimin në ushtri, i jepte sistemit të timareve në fazën e parë të tij një karakter të theksuar ushtarak. Kur sulltani, me anë të një urdhri (fermani), kërkonte grumbullimin e forcave ushtarake, atëherë të gjithë spahinjtë së bashku me xhebelitë, të armatosur dhe të pajisur për luftë me shpenzimet e tyre, paraqiteshin pranë sanxhakbeut, i cili ishte i detyruar të shkonte me të gjitha forcat ushtarake të sanxhakut të vet pranë bejlerbeut të Rumelisë e të vihej nën urdhrat e tij. Në qoftë se spahinjtë nuk i përgjigjeshin thirrjes për luftë, ata zhvisheshin nga feudet, të cilat u jepeshin personave të tjerë. Në kohë paqeje spahinjtë ishin të detyruar të mos largoheshin nga vendet ku ndodhej zotërimi i tyre. Kur ata tregoheshin besnikë dhe kryenin mirë shërbimin ushtarak, shpërbleheshin me zmadhimin e zotërimit dhe gëzonin kështu të ardhura më të mëdha. Në këtë mënyrë pushteti qendror ruajti disiplinën dhe gatishmërinë luftarake të spahinjve dhe krijoi garancinë për forcimin e zgjerimin e Perandoriisë Osmane.
Zotërimi i tokës, që kishte për veçori shërbimin e detyrueshëm në ushtri ose në administratë, ishte baza e gjithë sistemit të timareve. Ky sistem pronësie me kusht i siguronte pushtetit qendror një ushtri të madhe e të interesuar për luftëra pushtuese, si dhe një aparat administrativ të përshtatur me nevojat e sundimit.
Në prag të pushtimit osman, populli shqiptar kishte arritur të dilte si një etni dhe kombësi e dalluar, me kulturën e tij të veqantë, të shprehur në mënyrën e jetesës, në arkitekturën dhe në veprat e artit, në ruajtjen e gjuhës dhe në krijimtarinë popullore. Me zhvillimet ekonomiko-shoqërore dhe kulturore, shqiptarët nuk mbetën pas popujve fqinjë të pellgut të Adriatikut e të Gadishullit Ballkanik. Në kulturën dhe në mendimin shqiptar kishin nisur të hynin idetë e Rilindjes evropiane, në to u ndie ndikimi i lëvizjes së madhe të Humanizmit.
Kur pushtimi osman e bëri të pamundur lulëzimin e kulturës humaniste në vend, ajo pjesë e inteligjenicies shqiptare që ishte formuar nën ndikimin e kësaj lëvizjeje, emigroi jashtë vendit dhe zhvilloi veprimtarinë e saj në viset e huaja ku u vendos kryesisht përtej Adriatikut. Prej saj u shquan figrua që bënë emër në botën humaniste,si Marin Barleci ,historian i parë i madh shqiptar, autor I veprës së njohur Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis (“Historia e jetës dhe e bëmave të Skëndërbeut, princit të Epirotëve”), botuar në Romë midis viteve 1508-1510, e cila u përkthye në shumë gjuhë të botës .
Shiko dhe
RedaktoLiteratura
Redakto- Anscombe, Frederick (2006). "The Ottoman Empire in Recent International Politics - II: The Case of Kosovo" (PDF). The International History Review. 28 (4): 758–793. doi:10.1080/07075332.2006.9641103. JSTOR 40109813. S2CID 154724667. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 24 shtator 2019. Marrë më 15 nëntor 2022.
{{cite journal}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania. Lanham, Maryland: Scarecrow Press (The Rowman & Littlefield Publishing Group Incorporated). ISBN 0-8108-6188-7.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Kolovos, Elias (2007). The Ottoman Empire, the Balkans, the Greek lands: Toward a social and economic history: Studies in honor of John C. Alexander. Istanbul: Isis Press. ISBN 9789754283464.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Gjon Marku, Ndue (2017). Mirdita House of Gjomarku Kanun. ISBN 978-1-5425-6510-3.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Referime
Redakto- ^ Riza, Emin (1992). "Ethnographic and open-air museums" (PDF) (në anglisht). Paris: UNESCO. Marrë më 18 mars 2011.