Defteri
Defteri - prania e toponomisë sllave në tokat shqiptare është bërë objekt i studimeve të ndryshme me karakter historik e gjuhësor.
Ky problem shpesh zhvendoset në shek. XV, ku dalin të regjistruara nga turqit viset e banuara nga shqiptarët e që përbëjnë në tërësi përafërsisht etnosin shqiptar.
Regjistri osman i vitit 1485
RedaktoNë analizën e emrave të defterëve të kadastrës osmane të vitit 1431 dhe 1467, shqyrtimi i toponimeve me gurrë nga sllavishtja na shërben për të treguar kryesisht gjurmët e invazioneve dhe të kadastrimeve të të huajve në tokat shqiptare. Në trevat që përfshijnë këta dy regjistra, shqiptarët janë autoktonë së paku që nga koha antike, ata kanë banuar gjithnjë e vazhdojnë të banojnë aty edhe në shek. XV. Analiza gjuhësore e emrave të këtyre regjistrave, vetëm përforcon karakterin vendës të tyre duke shpjeguar në disa raste edhe shkakun e daljes së disa toponimeve sllave në këto toka shqiptare.
Në regjistrin e vitit 1485 puna qëndron pak më ndryshe, sepse në skajet më veriore të trevave që përfshin ky defter, kemi të bëjmë drejtpërdrejt me simbiozën shqiptare-sllave gjatë mesjetës. Ky problem, i rrahur shumë veçanërisht nga historianë të huaj, i ka kaluar shpesh caqet e një vështrimi shkencor të mirëfilltë, duke iu nënshtruar qëllimeve politike të caktuara. Këto mendime të paracaktuara, kanë gjetur përhapje te shumë autorë sllavë ku "më i njohuri dhe më frytdhënësi" (siç!) ishte dhe mbetet J. Cvijiqi, i cili qe edhe themeluesi i shkollës antropogjeografike, në kuadrin e së cilës qe formuar edicioni i posaçëm "Naselja i poreklo stanovnistva". Sipas Cvijiqit, në Kosovë nuk ka popullsi të vjetër, sepse, sipas tij, shqiptarët kanë ardhur pas luftës austro-turke të vitit 1690. Vetëkuptohet se emërtimi Stara Srbija (për Kosovën) nuk ka të bëjë fare me çështje shkencore, ai ka karakter politik të mirëfilltë.
Duke e rrokur problemin nga ana historike vetëm "en bloc" (për të mos dalë nga caqet gjuhësore të trajtimit të tij), tani mund të themi se përfundimet e Cvijiqit dhe të pasuesve të tij, janë të gabuara. Elementi shqiptar jo vetëm është i pranishëm në zonat skajore veriore të viseve që përfshin defteri i vitit 1485 (themi në zonat skajore veriore, sepse në trevat e tjera nuk kemi të bëjmë me elemente, por me një etnikum me intensitet të plotë), por ai përbën atë shtresë që është autoktone që nga koha ilire. Bile këtu kemi një pjesë të trevës gjuhësore të kryehershme të formimit të gjuhës shqipe. Në këto rrethana nuk bëhet fjalë për autoktoni të shqiptarëve nga shek. XV (kjo fjalë mund të përdoret vetëm për arsye të karakterit metodik për të kundërshtuar mendimet e Cvijiqit me shokë). Shqiptarët janë autoktonë në këto vise që nga koha ilire. Dokumentet e shek. XV vlejnë vetëm për të vërtetuar praninë e tyre në viset për të cilat po flasim. Kjo prani tani, është e padiskutueshme duke filluar që nga Krisobulat e Deçanit, pastaj në regjistrin e vitit 1455 të vilajetit Vellk (Kosova në kuptimin e ngushtë të saj, duke përfshirë edhe qytetet), si edhe në regjistrin e vitit 1485.
Nga pikëpamja historike, prania e shqiptarëve në trevat skajore veriore të regjistrit të vitit 1485, nuk përbën problem. Pikërisht duke u mbështetur në këto të dhëna historike do të mundohemi ta trajtojmë onomastikën e këtij regjistri edhe nga ana gjuhësore. Në këtë drejtim duhen mbajtur parasysh disa çështje.
1. - Regjistrat e kadastrës osmane për vendin tonë (viti 1431, 1467 e 1485), duke përfshirë pjesën më të madhe të tokave ku banojnë shqiptarë, paraqiten edhe nga ana gjuhësore si një njësi e një populli që flet shqip në të gjithë trevën që përfshijnë ato, e pasqyruar kjo në emrat e vendeve dhe të njerëzve.
A. - Alfabeti arab, me mungesat e tij, nuk e prish këtë njësi. Ndryshimi i emrave të vjetër me të sotmit në pjesën më të madhe shprehin ato dukuri që shpjegohen fare mirë nëpërmjet fonetikës historike të shqipes, duke sjellë një ndihmesë të re në këtë fushë të dijes.
B. - Elementet vendëse janë mbizotëruese në toponomastikë dhe në antroponimi, duke mbajtur parasysh këtu apelativat e shumtë, shpeshherë fjalë të fondit autokton (që përbëjnë një numër të konsiderueshëm të fjalëve të shqipes paraletrare), elemente të rëndësishme të strukturës si fjalëformimi: prapashtesat vendëse të vjetra, kompozitat etj.
C. - Në këtë njësi gjuhësore dallojmë, me aq sa na lejon materiali onnomastik, që shmangiet dialektore janë të pakta dhe disa veçori sapo kanë filluar të bigëzohen. Për dialektologjinë historike shqiptare thellimi në këtë drejtim paraqet, në mungesë të dokumenteve të shkruara, pasqyrën e gjendjes së shqipes në shek. XV.
2. - Elementet e huaja në toponomastikën e këtij shekulli janë e mbetën të huaja, ato nuk marrin e japin me elementet vendëse.
3. - Në shqyrtimin e onomastikës me gurrë të huaj, për asnjë çast nuk duhet harruar se pushtuesi përpiqet gjithnjë të shuajë ndjenjat kombëtare të popullit të pushtuar. Në këtë drejtim gjithnjë ka një program shtetëror të përcaktuar mirë, që përfshin edhe onomastikën. Për mënyrën e emërtimit dhe karakterin e përdorimit administrativ të emrave me burim të huaj të defterit të vitit 1485 vlejnë po të njëjtat vërejtje që kemi bërë për dy regjistrat e tjerë të vitit 1431 e 146711. Bile, në regjistrin e vitit 1485 ky drejtim është thelluar, duke pasur parasysh që shkruesi i tij është me kombësi sllave.
4. - Në shqyrtimin e emrave të njerëzve të defterit turk të vitit 1485 duhet përdorur një kriter specifik. Këtu mund të vihet shenja e barazimit ndërmjet antroponomisë dhe etnicitetit, kur është fjala për banorë me emra shqiptarë (e shikuar kjo çështje nga çfarëdo lloj këndi), por jo kur është fjala për banorë me emra sllavë (ortodoksë). Në këtë mes duhen mbajtur parasysh rrethanat politiko-shoqërore dhe kulturore - fetare të periodës që po shqyrtojmë. Në qoftë se për emrat e Krisobulave të Deçanit vlejnë përfundimet se "... administrata përfaqësonte interesat e kishës, të shtetit ose të institucionit që i shërbente, i cili kishte politikë ekspansioniste në të gjithë kuptimin e fjalës" dhe se "në zonat ku sundonte kisha ortodokse sllave kemi një proces të riemërtimit të popullsive të tjera në të gjitha kuptimet", emrat sllavë (ortodoksë) të njerëzve të defterit të vitit 1485 më tepër se etnicitet tregojnë kufirin e ndikimit të kishës sllave që, duke nisur nga shekujt VII-VIII qe shtrirë mjaft.
Shembull i qartë i një trajtimi të emrave duke nisur nga kushtet konkrete është vetë regjistri i vitit 1485. Në qoftë se do të vinim për të gjithë rastet shenjën e barazimit ndërmjet emrave të njerëzve dhe etnicitetit të tyre, do të nxirrnim përfundimin e gabuar se myslimanët e qyteteve të Pejës dhe të Shkodrës janë me kombësi turke meqë mbajnë emra turq. Ky rast na jep dorë të kuptojmë se ndikimi fetar turk, i nxitur nga shteti me diferencimin e taksave etj., ka filluar të bëjë punën e vet brenda një kohe të shkurtër, duke nisur nga qendrat e mëdha.
Për katër shekuj me radhë (XI-XIV) me pak ndërprerje krahinat e Shqipërisë Veriore (përafërsisht ato që në të ardhmen do të bëjnë pjesë në sanxhakun e Shkodrës), qëndruan nën sundimin e feudalëve serbë të shtetit të Dioklesë dhe të Rashës. Vetëkuptohet se klasa sunduese, ajo që diktonte në të gjitha fushat e jetës, qe sllave, prandaj mbizotërimi i saj politik dhe fetar mbi popullsinë shqiptare qe i padiskutueshëm. Politika ekspansioniste e shtetit dhe e kishës ortodokse sllave dokumentohet së paku nga shek. XIV16.
Ndaj shqiptarëve të krahinave skajore veriore të regjistrit, që gjithnjë kanë qenë jashtë kufijve të truallit amtar, është ndjekur një politikë asimilimi dhe genocidi17.
Në këto rrethana as në pikëpamje gjuhësore elementet sllave të këtij defteri nuk mund të vështrohen në një hulli me ato vendëse. Janë pikërisht këto kushte politiko-shoqërore që shpesh ndihmojnë për të kuptuar disa dukuri kontradiktore që në rrethana normale janë të pashpjegueshme.
Onomastika me gurrë sllave, veçanërisht në viset skajore veriore të regjistrit të vitit 1485 më tepër se vepër e një bashkëjetese paqësore me zhvillim në kohë, është pasojë e rrethanave politiko-shoqërore (ndërhyrje administrative etj.) me qëllime të caktuara.
- Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës 1485, I Tiranë, 1974. Ky defter është i tipit mufassal "i hollësishëm" dhe përfshin një trevë të gjerë, që i kapërcen kufijtë e sanxhakut të Shkodrës. Ky sanxhak në vitin 1485 ndahej në katër kaza: të Shkodrës, të Podgoricës, të Pejës dhe të Bihorit. Kazatë ishin të ndara në njësi më të vogla administrative, në nahije. Përveç këtyre, në regjistër janë përfshirë edhe një pakicë fshatrash nga nahijet e Vuçiternit, të Prishtinës, të Prizrenit etj., që bënin pjesë në sanxhakun e Vuçiternit dhe të Prizrenit. Regjistri ka si shtojcë në fund regjistrimin e hollësishëm të nahijeve të Pipërit e të Kelmendit të bërë në vitin 1497. (Për shënime më të hollësishme shiko Defteri i regjistrimit ..., Hyrje, f. 3-46).
Literatura
Redakto1 - Sûreti defter-i sancak-i Arvanid, H. Inalcik, Ankara 1954.
2 - Sûreti defter-i esami vilayeti Dibra, f. 124-176, Basbakanlik Arsivi, maliyeden mudever, nr.508.
3 - Shiko hollësitë po në këtë pjesë te Regjistri turk i vitit 1431 dhe Regjistri turk i vitit 1467.
4 - Po aty.
5 - M. Tërnava, Shqiptarët dhe qytetet e Kosovës në shek. XV-XVI, në revistën "Studime historike" nr. 2, 1979.
6 - Osnove za geografiju i geologiju Makedonija i Stara Srbija, libri III, Beograd 1911, f. 1169, 1194. Shiko për hollësi të tjera edhe te Mark Krasniqi, Disa burime pak të njohura mbi popullsinë e Kosovës, në rev. "Studime historike" nr. 2, 1979, f. 98.
7 - E. Çabej, Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, "Kuvendi I i studimeve ilire "Tiranë 1974, v.II, f. 26.
8 - R. Ismajli, Disa çështje të onomastikës mesjetare, në rev. "Studime filologjike" nr. 4, 1978.
9 - M. Tërnava, Shqiptarët në ..., SH 2, 1979.
10 - S. Pulaha, Elementi shqiptar sipas onomastikës të krahinave të sanxhakut të Shkodrës në vitet 1485-1582 I, II, III në revistën "Studime historike" nr. 1 dhe 2 e 4, 1972.
11 - Shiko hollësitë te po kjo pjesë te regjistrat e viteve 1431 e 1467.
12 - Defteri i regjistrimit ..., Hyrje, f. 5.
13 - R. Ismajli, Disa çështje ..., f. 152.
14 - Po aty, f. 157.
15 - Historia e Shqipërisë, v. I, 1967, f. 175-176.
16 - R. Ismajli, Disa çështje ..., 151; shiko edhe shën. nr. 1.
17 - M. Tërnava, Shqiptarët dhe qytetet ..., f. 109.
- Kjo kumtesë paraqet një fragment të Hyrjes së një punimi