Mustafa Greblleshi
Mustafa Greblleshi (Tiranë, 15 Janar 1922 - 22 maj 1986) ishte publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar.
Jeta
RedaktoLindi në Tiranë në gjirin e një familjeje vendalie me origjinë nga Greblleshi, i biri i arsimtarit dhe ushtarakut Hamid Greblleshit dhe Nurijes[1].
Shkollimin fillor e mori në Vlorë, ku ishin me banim si familje ngaqë i ati ishte me shërbim. Shkollimin e mesëm në vendlindje, pranë Gjimnazit të Tiranës ku ishte drejtor Eqrem Çabej.
Pushtimi italian e gjeti 17 vjeç kur ishte ende në gjimnaz. I ati doli në lirim për arsye shëndetësore dhe krejt verën e vitit 1939 e kaloi me punë krahu deri kur iu dha një pension të atit. Gjen përkohësisht punë tek Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegrafeve. Boton skica e tregime, herë humoristike dhe herë me një qëndrim të qartë mbi gjendjen e pushtimit. Njëri prej të cilëve "Nji trandafile" - ku trëndafili ishte alegoria e Shqipërisë së pushtuar - provokoi autoritetet dhe e çuan para prefektit Qazim Mulletit, i cili meqë e njihte e këshilloi duke i vënë kushtin që të ikte në Itali prej drojës se mos i riu do të anonte nga idetë komuniste. Këshillë që e ndoqi nga vjeshta e 1942 deri në pranverën e 1943, kur edhe kthehet në Tiranë për t'u radhitur si më rishtari në redaksinë e Rojës Kombëtare (më vonë u quajt "Bashkimi i Kombit" dhe u bë e përditshme) me kryeredaktor Gjergj Bubanin[2].
Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si “armik i popullit”[3] dhe u burgos për 19 muaj[1] bashkë me kolegët Andrea Varfi dhe Petro Marko. Pas lirimit nga burgu punon disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete. Nuk zgjati shumë, pasi u konsiderua i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë. Kështu që u detyrua të punojë punëtor krahu deri në vitin 1974. Punët që bëri pasi u shpall i padenjë për të dhënë mësime gjuhe, ishin nga ato të hamallit që ngrinte thasë me çimento në kombinatin “Josif Pashko” deri tek bojaxhiu, për shumë vjet.
E bija Azylka tregon se mbylli sytë tek lexonte Monteskjenë në ballkonin e shtëpisë më 22 maj 1986, me dhimbjet e kancerit në kockë[3].
Shkrime dhe përkthime
RedaktoPërkthimet e tij nga italishtja e frëngjishtja do të botoheshin në faqen e tretë të gazetës “Tomorri”, e cila drejtohej nga kritiku i njohur Vangjel Koça. Skicat letrare e tregimet i botonte me pseudonimet Mustafa Mustafai, Memli, Mano dhe me emrin e tij të vërtetë, ndërsa shkrimet satirike me pseudonimin Liu i Cakut[3]. Punon tri monografi, për Haki Stërmillin, Fan Nolin dhe Omar Khajamin - që u transmetuan në emisionet letrare të Radio Tiranës. Një monografi e katërt për Kristo Dakon nuk u përfundua nga shtjellimi i ngjarjeve të jetës[2].
“Kam shkruar edhe vargje, por si çdo poet i vërtetë përfundova në prozator”, shënon Greblleshi në monografinë e tij. Boton skica e tregime në revistat Kultura Islame, Njeriu, Vatra, Drini, Revista Letrare dhe sidomos në Bleta. Reflekset e trishtimit do t’i trashëgonte nga penat gjeniale si Mantegazza, Flamarioni, Carrelli, Waininger, Lombroso[3]. Më 1943 i botohet romani "Gremina e dashunís" nga miku i tij Fiqri Llagami[4]. Boton vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu” me ndihmën e Nasho Jorgaqit dhe Drago Siliqit (duke botuar së pari tregimet "Kuklla" dhe "Tut Huqi dhe hygjena" tek Nëntori më 1962), vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Përkthen novelat e Pirandelos botuar me titullin “Jeta lakuriq”, dramat e De Filipos botuar me titullin “Filumena Marturano” dhe "Njëmijë e një netët"[3] në mesin e viteve '60[4].
Burime
Redakto- ^ a b Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Nr. 120 v. 22 gusht 2009, Botim i Qendrës së Publikimeve Zyrtare, qpz.gov.al. Ky burim pasqyron si ditëlindje 16 janarin e 1920, por tek vëllimi "Kujtime 1939-1944" Mustafai dëshmon vetë se qe 17 vjeç kur Italia pushtoi Shqipërinë. Gjë që na bën t'i përmbahemi ditëlindjes tashmë të divulguar.
- ^ a b M. Greblleshi, Kujtime 1939-1944, Tiranë: Çabej, 2017.
- ^ a b c d e E. Demo, Intervistë botueses Brikena Çabej: Mustafa Greblleshi: “Dëshirat e tua janë (ar) miku yt, o i burgosur”, 13 shkurt 2005.
- ^ a b B. Alimehmeti, Gremina e dashunisë" dhe gremisja e një shkrimtari të talentuar: [Mustafa Greblleshi], Ballkan. - Nr. 1340, 31 gusht, 2008, f. 14 - 15.