Gjergj Bubani (Boboshticë, 20 janar 1899 - Tiranë, 28 shkurt 1954) i njohur edhe si Jorgji Bubani ose Brumbulli siç kishte nofkën letrare, ka qenë shkrimtar, publicist dhe përkthyes shqiptar.

Biografia

Redakto

U lind në Boboshticë në kazanë e Bilishtit, i biri i Dhionisit dhe Elisabeta Karpaçit.[1]

Ndoqi Liceun frëngKorçë dhe më pas vazhdoi shkollën e lartë në Athinë ku studjoi për Kimi. Pas studimeve u vendos në Rumani,[2] ku punoi për të përjavshmen kombëtare shqiptare Shqipëri' e Ré, botuar në Konstancë nga Mihal Xoxe.[3] Në janar të 1922 nxorri një periodik me titullin Dodona, ndërsa në mars 1926 revistën Zëri shqipëtar që pati jetë të shkurtër. Punoi edhe si sekretar i konsullatës shqiptare në Konstancë e Sofje.[4] Në vitet 1932-1933 qe redaktor i të përkohshmes Kosova që doli për 32 numra në Kostancë dhe ishte thuajsi organi i Komitetit të Kosovës, i përkrahur nga Mbreti Zogu I.[5]

Në Shqipëri u kthye më 1944, ku u arrestua më 13 nëntor. U dënua si "kriminel lufte" nga Gjyqi Special si shumë intelektual të tjerë pa mandat arresti. Në aktakuzën e formuluar më 12 shkurt 1945 ai u akuzua "Se është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist dhe publicist me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit si Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios dhe redaktor i gazetës "Bashkimi i Kombit". Ndonëse nuk e pranoi akuzën dhe megjithëse tre dëshmitarë dëshmuan se Bubanin e njihnin si simpatizant të lëvizjes qysh në fillimet e saj, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike.

Ndërroi jetë në burg më 1954.[4]

Vjershat e para i shkroi në gjuhën greke.[2]

Referime

Redakto
  1. ^ Nesturi, Kliton (11 nëntor 2010). "Si u arrestua dhe pse u denua me vdekje Gjergj Bubani". shqiperia.com. Marrë më 8 janar 2019.
  2. ^ a b Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.
  3. ^ Zsuzsa, Plainer (2020). Albanezii din România (në rumanisht). Editura ISPMN. fq. 89. ISBN 9786068377650.
  4. ^ a b Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (A-Ç). Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. fq. 204–205. ISBN 978-9928-168-01-6.
  5. ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 62–63. ISBN 978-9928-106-38-4.