Andrea Varfi
Andrea Varfi (Qeparo, 21 shkurt 1914 - Tiranë, 18 shtator 1992) ka qenë publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar.
Jeta
RedaktoLindi në Qeparo të krahinës së Bregut, i biri i Epaminonda Varfit, mësuesi i shkollës së parë të fshatit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e ndoqi në Shkollën Tregtare të Vlorës ku ishin edhe Petro Marko, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, Mehmet Shehu e Shefqet Musaraj.[1]
Më 1935 mbaron degën klasike të gjimnazit në Tiranë. Më 1941 kreu studimet Fakultetin e Shkencave Agrare në Universitetin e Peruxhias, Itali. Më 1941 kthehet në atdhe,[1] ku bëhet pjesë e Grupit Komunist të Zjarrit.[2] Shërben si agronom në Zyrën e Bujqësisë së Tiranës dhe në Shkollën Bujqësore të Kavajës dhe më pas gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Varfi u rreshtua në radhët e Brigadës V Sulmuese. Së bashku me Dhimitër Mandron, ai u caktua në shërbimin ndihmës të agjitacionit dhe të propagandës në këtë brigadë..
Pas Çlirimit emërohet drejtor i Kulturës dhe Propagandës Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ku drejton edhe revistën “Bujku i Ri” 1945-1947.[1] Në vitin 1947, burgoset për dy vjet me Petro Markon, Jusuf Vrionin, Lazër Radin dhe Mitrush Kutelin.[3] Më 24 janar 1948 shkruan një raport për gjuhëtarin Eqrem Çabej, ku tregohet që ishte ndër raportuesit dhe ndjekësit e gjuhëtarit të caktuar nga Sigurimi i Shtetit me nofkën "Dhelpëri".[4]
Më pas punoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve. Vdiq më 18 shtator 1992, në Tiranë[1].
Vepra
RedaktoKrijimtaria letrare e Andrea Varfit nis në vitet ’30 me bashkëkohësit Nonda Bulka, Aleks Çaçi, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse, Migjeni. Poezitë dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodhën në dy vëllime letrare, më 1989.
Më 1934 -35, Efthim Kovaçi do kompozonte mbi poezinë e Andrea Varfit “Kushtrimi i të shtypurve” që këndohej në rrethet revolucionare. Po kështu janë të mirënjohura dhe këngët “Himni i Ushtrisë”, “Dëshmori partizan”, “Kënga e dëshmores partizane”, “Dëshmorëve”. Në vitet 1952 - 60 botoi poezi dhe proza satirike me pseudonimin “Ager” dhe “Bokërrima”. Shkruajti me vargun tradicional, klasikun tetërrokësh[5] dhe trajtoi tema sociale.[1]
Përshtatje
RedaktoKrahas krijimtarisë artistike, Varfi përshtati në gjuhën standarde veprat kryesore të De Radës: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbrit” më 1975,[6] “Këngë të Milosaut”, “Krutan i mërguar” më 1977 dhe "Këngëtorja arbërore" e Santorit më 1980.[1][7]
Përkthime
RedaktoNga letërsia botërore ka përkthyer "Qivuret" e Ugo Foscolo më 1934, "Tregime mbi Leninin" 1946 dhe "Hënëzat e kuqe: tregime nga jeta e Leninit" 1960 nga Aleksandr Kononov, vëllimin "Poezi" të Nazim Hikmet më 1957.[8] Gjithashtu ka lënë përkthime të Alfierit, Maurizio Caprile, etj. Përktheu edhe përmbledhjen e vetme poetike të Pashko Vasës, "Rose e spine" nga italishtja, me titullin "Trëndafila dhe gjëmba".
Folklor
RedaktoPara se të vdiste, la të përgatitur për shtyp një vëllim me veprën letrare dhe muzikore të Neço Muko Himarjotit, me titullin “Zemra kërkon miqësinë”, i pajisur me një parathënie prej tij.[1]
Titujt e veprave
Redakto- Këngë e ritme, 1930 (poezi);
- Monografi “Ulliri i Shqipërisë dhe masat për shtimin e përmirësimin e kulturës së tij”, 1943;
- Artikuj shkencorë, 300 faqe të karakterit bujqësor e botanik, “Bujku i ri”, 1945-1947;
- Në tingujt e revolucionit, 1951 (poezi);
- Dielli i jetës sonë, 1957 (poezi);
- Një histori e lashtë stërgjyshore, 1957 (poezi);
- Në shpellën e kuqe, “ nëntori”, 1960 (dramë);
- Në zgjim, 1962 (poezi -prozë);
- Blerim nëntori, 1966 (poezi);
- Vepra letrare 1 (poezi; 332 faqe; janë përmbledhur një pjesë e poezisë që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989;
- Vepra letrare 2 (prozë, 353 faqe, janë përmbledhur një pjesë e prozës që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989;
Referime
Redakto- ^ a b c d e f g Habazaj, Albert (7 qershor 2015). "Andrea Varfi, poet i marsheve, shqipërues dhe përshtatës gjurmëlënës". Tirana Observer. Arkivuar nga origjinali më 2 prill 2018. Marrë më 18 shkurt 2018.
- ^ Tashko, Koço (14 qershor 2016). "Kujtimet për grupin komunist të Zjarrit i krijuar në Athinë". Tiranë: Shqiptarja.com. Arkivuar nga origjinali më 4 shtator 2017. Marrë më 18 shkurt 2018.
- ^ Elsie, Robert (1997). "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Dukagjini. Marrë më 18 shkurt 2018.
- ^ "Falsiteti i Nexhmije Hoxhës për "miqësinë" me Eqrem Çabejn". Gazeta "55". 28 tetor 2010. Marrë më 18 shkurt 2018.[lidhje e vdekur]
- ^ Zheji, Gjergj (1988). Bazat e vargëzimit shqiptar. Tiranë: Naim Frashëri. fq. 118.
- ^ De Rada, Jeronim (1975). Rrëfime të Arbrit. Tiranë: Naim Frashëri.
- ^ Katalogu arbëresh online, Besa.[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
- ^ Biblioteka Kombëtare në fondin online me kërkimin "Andrea Varfi Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine", bksh.al.