Mehmet Shehu
Mehmet Shehu (Çorrush, 10 janar 1913 - Tiranë, 18 dhjetor 1981) qe pjesë e brigadave ndërkombëtare në Luftën e Spanjës, komandant i Brigadës së I Sulmuese, min. i Brendshëm, i Mbrojtjes dhe kryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë. Shehu përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]
Mehmet Shehu | |
---|---|
Kryetar i Këshillit të Ministrave | |
Në detyrë 20 korrik 1954 – 18 dhjetor 1981 | |
Paraprirë nga | Enver Hoxha |
Pasuar nga | Adil Çarçani |
Ministër i Punëve të Brendshme | |
Në detyrë 1 tetor 1948 – 23 korrik 1954 | |
Paraprirë nga | Koçi Xoxe |
Pasuar nga | Kadri Hazbiu |
Ministër i Mbrojtjes | |
Në detyrë 28 tetor 1974 – 26 prill 1980 | |
Paraprirë nga | Beqir Balluku |
Pasuar nga | Kadri Hazbiu |
Zv.Kryetar i Këshillit të Ministrave | |
Në detyrë 24 korrik 1953 – 23 korrik 1954 | |
Paraprirë nga | K. Xoxe |
Pasuar nga | Hysni Kapo |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 10 janar 1913 Çorrush, Shqipëria e Pavarur |
Vdiq më | 18 dhjetor 1981 (vetëvrarë) Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë |
Nënshtetësia | Shqiptare |
Partia politike | Partia e Punës e Shqipërisë |
Fëmijët | Bashkimi, Skënderi, Vladimiri |
Punësimi | Ushtarak, politikan |
Nënshkrimi | |
Jetëshkrimi
RedaktoU lind më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorrush të Mallakastrës, i biri i Sheh Ismailit (v. 1944) të teqes së Çorrushit dhe Sulltana Alikajt (v. 1972) nga Shkoza e Sevasterit të Vlorës. Mehmeti ishte i pari ndër katër vëllezërit.[2] I ati kishte qenë pjesëmarrës në Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme,[3] por shpëtoi nga dënimi me vdekje siç iu dha krerëve tjerë prej ndërhyrjes së Sami bej Vrionit.[4]
Nis Shkollën Teknike në Tiranë, të cilën e kreu më 1932. U regjistrua në Shkollën e Oficerëve në kryeqytet, por nuk u pranua për shkak të moshës. Më 1934 nis punë në fermën e Shkollës Teknike, me ndërhyrjen e miqve të familjes i mundësohet një bursë ushtarake për në Kolegjin e Napolit. Kthehet në atdhe dhe për shkaqe kundërshtie ndaj regjimit të Zogut, burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve, ku titullohet 1937.
Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë përmes Francës me ndërlidhje nga Llazar Fundo, ku merr pjesë në brigadën e XII ndërkombëtare e quajtur Garibaldi në nder të heroit italian, e cila ishte e përbëre nga vullnetarë nga shumë vënde të botës, ai komandonte batalionin e IV të saj. Në fund të dhjetorit pranohet në Partinë Komuniste me rekomandim po të Fundos.
Në shkurtin e 1939 pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe e internojnë në Cyprien, Gurs e Vernet. Në Gurs qëndroi për 70 ditë. Pasi u pushtua Franca prej Gjermanisë, një komision italo-gjerman që merrej me riatdhesimin e vullnetarëve. Mbahet ndër burgjet e Italisë për dy muaj. Kërkon të kthehet në Shqipëri në gusht 1942, burgoset në Durrës dhe lirohet me ndërmjetësinë e Qazim Koculit dhe Ferid bej Vokopolës. Në Vlorë del në ilegalitet dhe bashkohet me Hysni Kapon,[5] caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës.
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ka kryer një numër detyrash:
- shkurt 1943 komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës.
- Mars 1943 kandidat i K.Q.
- gusht 1943 komandant i Brigadës I Sulmuese.
- maj 1944 zv. komandant i Divizionit I Sulmues me gradën e kolonelit.
- gusht 1944 komandant i Divizionit I Sulmues.
- tetor 1944 i jepet grada gjeneral-major.
Mbas çlirimit të Shqipërisë dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Në periudhën 1945-1946 studion në Akademinë Ushtarake "Voroshillov" në Moskë. Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri ku në vitin 1947 emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme. Nga viti 1954 deri në vitin 1981 është Kryeministër (Kryetari i Qeverisë). Ishte ndër të vetmit nxënës prej atyre që kishin qenë në Shkollën Teknike të Fultz-it që nuk ishte ekzekutuar.[6]
Që nga viti 1948 deri 1981 ishte anëtar i Byrosë Politike. Fliste 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht. Versioni zyrtar i kohës tregon se kreu vetëvrasje në Tiranë më 18 dhjetor 1981. Nga rrethanat e ngjarjes së vdekjes së Mehmet Shehut ngjallet dyshimi se ai mund të jetë vrarë, e përcjellur kjo edhe sipas një shkrimi mbi Llambi Ziçishtin, anëtar e ekipit të mjekëve që shkoi tek shtëpia e ish-kryeministrit për të konfirmuar shkaqet e vdekjes.[7]
Krimet e luftës dhe kundër njerëzimit
RedaktoPas betejës së Selenicës mes çetave nacionaliste të prira nga Isuf Luzaj dhe çetës "Plakë" nga Neki Ymeraj, Shehu mori një pjesë të robërve me gjithë nënkolonelin, që e kishte pasur shok shkolle në Itali. I pushkatoi pa gjyq 63 robërit italian, bashkë me nënkolonel, natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit, Mallakastër. Sipas arkivave britanike, ai i torturoi dhe i vrau të gjithë robërit me dorën e tij, duke i treguar rekrutëve të rinj komunistë se si duhen bërë gjërat.[8]
Në një konflikt të Lushnjes ndërmjet komunistëve dhe jo komunistëve, të kuqtë burgosën 64 persona që u masakruan të gjithë nga Mehmet Shehu. Në fshatin Velçan të Mokrës ai goditi për vdekje me thikë dy nipërit e Hasan Beut. Në fshatin Corush ai torturoi dhe vrau kapitenin Idriz Drizarin. Në fshatin Cepan të Skraparit ai torturoi Seit Cepanin, të birin e Asllan Bej Cepanit duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni. [8]
Më 30 nëntor 1943 me urdhër të Dushan Mugoshës, në krye të 1,000 partizanëve sulmoi Dukatin, duke kombinuar mësymjen me trupat e Hysni Kapos nga Tërbaçi. Beteja zgjati 14 orë, u vranë 8 dhe u plagosën 10 nga dukatasit, ndërsa nga komunistët 15 të vrarë, 4 robër, ndërmjet të cilëve edhe një italian i batalionit "Antonio Gramshi" që luftonin përkrah komunistëve.[9]
Shehu ishte urdhërues i disa krimeve dhe ekzekutimeve gjatë regjimit komunist, ndër të tjera: Masakra e Martaneshit, Masakra e vitit 1951.
Referime
Redakto- ^ "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Gazeta Standard. 29 nëntor 2014. Marrë më 22 maj 2018.
- ^ Dashnor Kaloçi (21 mars 2003). "Akt-akuza: Mehmet Shehu e falsifikoi historinë e jetës së tij". Gazeta Shqiptare (2436): 12–13.
- ^ Dalip Greca (27 gusht 2013). "Babai i Mehmet Shehut, fanatik mysliman, kundër Shqipërisë". Shqiptarja.com.
- ^ Ali Këlcyra (2012). Shkrime për historinë e Shqipërisë: hulumtuar ndër arkiva prej Tanush Frashërit. Onufri. fq. 56. ISBN 978-99956-87-81-6.
- ^ Afrim Imaj (4 janar 2016). "Mehmet Shehu: Autobiografia e 1951". Panorama.
- ^ Kastriot Dervishi (2012). Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist. 55. fq. 47. ISBN 9994356097.
- ^ Naum Prifti (9 shkurt 2016). "Vdekje me pushkatim, për një fjalë goje e Ministrit të Shëndetësisë". telegrafi.al.
- ^ a b donika (2021-06-21). ""Masakrat në Shqipëri, si u stërvit Mehmet Shehu në Spanjë për tortura e vrasje"". ObserverKult. Arkivuar nga origjinali më 10 shtator 2022. Marrë më 2022-09-10.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja) - ^ Uran Butka (2012). "Mehmet Shehu, krime kundër njerëzimit". Almanak. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (2): 247.