Isuf Luzaj

shkrimtar shqiptar
This is the stable version, checked on 10 korrik 2023. 1 pending change awaits review.

Isuf Luzaj (1913 - 2000) ka qenë arsimtar, shkrimtar, filozof, veprimtar i Ballit Kombëtar dhe veprimtar antikomunist në mërgim.

Isuf Luzaj
EmriIsuf Luzaj
Lindja21 shkurt 1913
VendlindjaKanina
Vdekja21 shkurt 1913
VendvdekjaÇikago
EraFilozofia e shekullit XX
Shkolla/traditaEkzistencializmi

U lind në Kaninë më 21 shkurt 1913 në një familje fetare, i ati ishte hoxha i fshatit.[1] Shkollën fillore e kreu në Vlorë me 1926, ndërsa gjimnazin e vijoi në Shkodër, ku e kreu më 1933. Në vitin e dytë fitoi bursë nga gjimnazi për të studjuar jashtë vendit, aplikoi për bursë por iu refuzua. Për të shkuar me studime u detyrua ta shesë pjesën e vet të tokës me ullinj.

Me 1933 vajti në Paris. Pasi ishte regjistruar dhe kreu liceun u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës.[2] Nga pamundësia ekonomike u detyrua të tërhiqej nga studimet në Francë.[3]

Në Shqipëri kthehet me 1936. Pas betimit para mbretit Zog fillon punën në Normalen e Elbasanit si mësues frëngjishteje, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Mandej u transferua në liceun e Korçës po si mësues frëngjishteje në periudhën 1936-'38, ku asokohe punonte dhe diktatori i ardhshëm Enver Hoxha, dhe bashkë me Sotir Kozmon ishin të vetmit profesorë shqiptarë. Pas Protestës së Bukës të mbajtur në Korçë më 28 nëntor të vitit 1938, e kalojnë në Institutin Tregtar të Vlorës ku jep letërsi.[4]

Në vitin 1938 botoi përmbledhjen e parë poetike me titull "Rrëfime". Pasi botoi këtë përmbledhje, e cila nuk arriti as të shpërndahet si duhet, u burgos, dhe si shkas ishte poezia "Neroni". Pasi u hodh në gjygj dhe 94 ditëve burg u lirua si i pafajshëm.

Me 120 studentë kishte vendosur të luftojë kundër trupave italiane të cilat zbarkoheshin më 7 prill të vitit 1939 bashkë me Hysni Lepenicës, Skënder Muçon dhe fshatarët e Sevasterit, Tragjasit dhe Lepenica[5] dhe Kuçi i udhëhequr nga Rrapo Çeloja. Fshatarët e Labërisë arritën disa herë t'i kthenin varkat e italianëve. Me pushtimin u mbyllën shkollat, Isuf Luzaj merr pjesë ndër protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate me 28 nëntor 1939 me flamurin shqiptar pa shenjat e liktorit.

I dyshuar për vrasjen e një polici italian burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës nga ku, pas disa muajve, transferohet në Brindisi të Italisë me 12 studentë të Institutit Tregtar të Vlorës. Mandej në Gaeta e prej andej në Ventotene (ishull). Aty kishte takuar Abaz Ermenjin e Llazar Fundon. Këtu mbahet deri në 1942. Mandej nga këtu transferohet në kështjellën e Cortona D'Arezzo për shkak të disa poezive kushtuar Luftës së Vlorës. Aty ra në kontakt me Ali Këlcyrën i cili kishte formuar Ballin Kombëtar, me Mit'hat Frashërin, Fuad Bej Dibrën e Lef Nosin. Në kështjellë kishin shkruar Dekalogun e Ballit Kombëtar. Propozoi që në Dekalog të hynte pika e shtatë: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.[4]

Me ndërhyrjen e Ali Këlcyrës te ministri i Arsimit Ernest Koliqi lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri në tetor 1942.[4] Organizon çetat e Ballit në Dukat. Në Selenicë komandon luftën prej 13 orësh dukë dalë fitimtarë ndaj pushtuesit. Në vitin 1943 në fshatin Vajzë futet brenda një autoblinde Italianë ku lufton më tepër se një orë.[3] Iu bashkua patriotëve të vendit dhe ishte pjesëmarrës aktiv i Konferencës së Mukjes. Merr pjesë në themelimin e Partisë Social-Demokrate në rrethet Shkodër, Tiranë dhe Vlorë me Musine Kokalarin dhe av. Skënder Muço me 12 tetor 1943.[1]

Në vitin 1944 më 28 nëntor ikën nga Shqipëria, duke lënë në Kaninë gruan më 5 fëmijë të mitur. Djali i madh nuk kishte veç 7 vjet, i dyti 5, i treti-3 dhe vajzat 2 e 1 vjeçe. Vajza e vogël vdiq në Kampin e Përqendrimit në Fushë Krujë për mungesë të ilaçeve kundër tuberkulozit, ndërsa për të tjerët as që dinte se a jetojnë apo edhe ata kanë vdekur ndër torturat tantalike të gjaksorëve komunistë.[3] Vajti në Itali e aty arrestohet, si i dyshuar për vrasje e gjeneralit Zanini, burgoset.[2] Kërkohet nga qeveria komuniste të riatdhesohet që t'i nënshtrohet “gjyqit të popullit për krime lufte”. Punoi më tepër se 2 vjet, me rekomandim të Sandro Pertinit, me të cilin ishte njohur në Ventotene, në Bibliotekën e Vatikanit, gjatë vuajtjes të dënim-internimit.[6] Pas amnistisë del nga burgu, vendoset në Brescia ku jep mësim latinisht në një seminar pranë qytetit. Me 1948 largohet drejt Argjentinës. Fillon punë në Ministrinë e Arsimit si përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes, në spanjisht. Përveç kësaj punë ai përgatiste edhe lajmet për radion Europa e Lirë, dhe gazetën “Laprensa”.[3] Njihet me shkrimtarin Jorge Luis Borges.[6] Me 1957 diplomohet në letërsi e filozofi. Po atë vit fillon punë në Universitetin e Buenos Airesit. Me 1960 emërohet drejtor i institutit francez,[3] "La France à l'étranger" i cili përshëndetet dhe vizitohet personalisht nga ish-presidenti i Francës De Gaule. Në vitin 1961-1962 emërohet këshilltar i Ministrit të Arsimit në Argjentinë, përgatiste programet akademike për universitetet e Argjentinës. Më 1965 dekorohet me medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.[3]

Në vitin 1965 anëtarët e Ballit e thërrasin në Amerikë, pasi kishte vdekur Ali Këlcyra më 1963. Në kongresin e mbajtur në New York zgjidhet kryetar i Balli Kombëtar.

Pasi stabilizohët në ShBA fiton konkursin në frëngjisht dhe fillon punë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge, në Universitetin e New Hampshire (Nju Hempshajer). Në vitin 1966 në Ministrinë e Arsimit Washington D.C., bën unifikimin e diplomave që kishtë marre në Argjentinë. Mes 1966 e 1968 emërohet shef katedre po në Universitetin e New Hampshire. Vitin akademik 1968-'69 punon profesor i letërsisë spanjolle, frënge, dhe drejtor i përgjithshëm i departamentit të gjuhëve të huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois. Vitin tjetër akademik, 1969-'70 emërohet profesor i letërsisë frënge në St. Joseph College, Indiana, SHBA. Punon shef katedre në Universitetin e Indiana-s, ku programonte dhe drejtonte kurset e 59 profesorëve të filozofisë.

Del në pension më 1980, por gjithnjë aktiv qëndron në krye të katedrës së filozofisë në Universitetin e shtetit të Illinois-it ku ishte emëruar që nga viti 1979. Në vitin 1979 ishte emëruar titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinois-it. Më 29 dhjetor 1990 jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore. Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 25 nëntor 2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri.[3]

Në vitin 1938 ai botoi librin “Rrefimet”. Në këtë periudhe libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim. Bashkëpunon me revistën "Përpjekja shqiptare". Në vitin 1946 përfundon librin “Ideoligjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë. Në vitin 1954 boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar. Në vitin 1965 boton “Metodologjinë për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme. Ndër vitet 1963-'90 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë. Ka lënë 32 vëllime shqip në dorëshkrim.[3] I janë botuar "Gloria e çmendje", Tiranë 1995 dhe "Lamtumira e yjeve", Tiranë 2001.[7]

Nderime

Redakto

Isuf Luzaj ka marrë titullin "Professor emeritus" në SHBA, një dekoratë që mban shënimin "Profesor i Amerikës" dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti Reagan, se kishte dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Në këtë ceremoni merrte pjesë presidenti i atëhershëm i ShBA George H. W. Bush, guvernatori i shtetit të Illinoisit dhe Sekretari i Arsimit. Në dhjetor 1990 Shoqata e Gazetarëve të Amerikës i jep “Medalje nderi” për 94 artikuj të botuar tek “Edistenologjia e Materializmit Historik”.[3]

Burime

Redakto
  1. ^ a b Bungo M., Bisedë për Prof. Dr. Isuf Luzaj, zemrashqiptare.net, Merrick, N.Y., Sh.B.A, shtator 2011.
  2. ^ a b Çika N., Nderim në 100-vjetorin e lindjes, Gazeta Metyropol.
  3. ^ a b c d e f g h i Qerreti U., Dr. Prof. Iisuf Luzaj, Një figurë e shquar e nacionalizmës shqiptare në mërgim.
  4. ^ a b c Luzaj I., Mjeku japonez që mjekonte Enver Hoxhën, intervistuar nga Vehbi Bajrami, Albania. - Nr. 51, 4 mars, 2010, f. 18 - 19.
  5. ^ Memishaj (Lepenica) E., Hysni Lepenica komandant i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar, "Lumo Skëndo", Tiranë 2000.
  6. ^ a b Lula K., Isuf Luzaj, personalitet i dënuar nga Stalini, i nderuar nga SHBA, i harruar nga shteti shqiptar, Gazeta "Tema", 9 mars 2011.
  7. ^ Elsie R., Isuf Luzaj Arkivuar 11 shtator 2013 tek Wayback Machine.