Hysni Lepenica (1900-14 shtator 1943) ishte mësues, ushtarak, nëpunës shqiptar. Udhëheqës çetash dhe më tej komandant i Ballit Kombëtar.

Hysni Lepenica

Hysni Lepenica lindi me 10 shkurt 1900 në Lepenicë (Perandoria Osmane), i biri i Alush Mamo Hysajt, i mëhallës Allushaj. Pasi mbaroi shkollën në Vlorë, studimet i vijoi në kolegjin arbëresh të San Demetrio Corona-s. Bashkë me Avni Rustemit themelojnë shoqërinë "Lidhja e djelmoshave". Pasi mbaroi kolegjin punon si mësues në Vlorë dhe në vitet 1917-'18 caktohet mësues në shkollën e parë të hapur nga ai dhe Selam Musai në Lepenicë. Merr pjesë në luftimet kundër agresioneve greke. Në mars të 1919 në katundin Brataj, djalëria fshatare nën udhëheqjen e mësuesve formojnë shoqërinë "Mbrojtja shkollore". Me demostratën e 28 nëntorit 1919 kundër pushtuesve italianë të Vlorës, vepron si organizator dhe hedhës traktesh.

Luftën e Vlorës, është propagandues, organizator dhe luftëtar. Pjesëmarrës aktiv në Kuvendin e Barçallasë me 29 maj 1920. Për merita në këtë luftë, i propozuar nga major Ahmet Lepenica dhe Qazim Koculi gradohet oficer aspirant. Me 6 qershor 1921, nën komandën e Ahmet Lepenicës shkuan në Himarë për ta bashkuar përfundimisht me Shqipërinë. Po atë vit është antar i shoqatës "Atdheu". Në nëntor 1921 merr pjesë si komandant kompanie i batalionit të thirrur nga Vlora, Kurveleshi dhe Himara prej qeverisë shqiptare për t'u përballur me sulmet serbe në Mat dhe Dibër. Më tutje transferohet nga xhandarmëria në Gjirokastër, ku shërbeu gjer më 1923, ku bashkë me Koço Mukën dhe prefektin Kol Tromarën zbulojnë atentatin e gjeneralit Tellini, kryetar i komisionit për caktimin e kufinjve jugor të Shqipërisë. Për kontributin e tij gradohet n/toger për merita jasht rradhe. Në shkurt të 1924 emërohet në Elbasan zv/rreth-komandant, dhe në fund të prillit me po këtë detyrë në Tepelenë.

Ishte themelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë "Bashkimi". Merr pjesë në Lëvizjen e qershorit si adjutant i Shefqet Korçës. Gjatë qeverisë Noli shërbeu në gardën ushtarake, dhe si adjutant i ministrit të Luftës Kasem Qafzezi. Lufton te Shkalla e Tujanit kundër çetave që do binin në fuqi Ahmet Zogun, duke u tërhequr me urdhër të ministrit të Luftës pasi qeveria u sigurua. Me Fitoren e Legalitetit emigron në Greqi, ku i përndjekur nga Asfalia greke u shtrëngua me ikë në Itali.

Me 1926 falet nga Ahmet Zogu, dhe në periudhën 1927-'32 punon si nëpunës në shoqërinë e Myqerem Hamzarajt. Në 1932, me 12 korrik arrestohet si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fshehtë të Vlorës bashkë me miq e bashkëpunëtorë si Qazim Kokoshi, Hasan Dosti, Skënder Muço, etj. Dënohet me vdekje, më pas me 101 vjet, 10 vjet e në fund u lirua me 4 shtator 1938. Bashkë me Skënder Muçon, prof. Isuf Luzajn, fshatarët e Sevaster, Tragjasi, Lepenicës dhe 120 nxënës të Shkollës Tregtare të Vlorës presin me pushkë italianët. Më pas punon si n/prefekt i Himarës, prej ku jep dorëheqjen pak para ngjarjes së 25 shkurtit 1942 kur organizohet vrasja e toger Luigi Moretti-t në Vishë të Himarës, i pari oficer italian që vritet në Shqipëri.

Del në mal, formon çetën e tij me këshilltar politik av. Skënder Muçon.

Veprimtaria si ballist

Redakto

Në fund të nëntorit 1942 Hysni Lepenica dhe Skënder Muço formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin "Shqiponja". Pasi italianët bombarduan Tragjasin, tërhiqen nga Gjormi ku i presin çetat e Ballit Kombëtar t'udhëhequra nga Hysni Lepenica, dhe çetat komuniste nga Hysni Kapo, bashkë me rreth 800 fshatarë të krahinës. Italianët pësuan 80 humbje, përfshi kolonelin Franco Clementi. Çetat e Hysni Kapos i lanë pozicionet e tyre pa mbaruar luftimet, me 1 janar, duke mos lajmëruar as njerëzit e Ballit i lanë në vështirësi.

Me 5 shkurt, Luzaj, Lepenica dhe Muço vajtën në Mallakastër për të pajtuar dy fshatra. Në Grashicë (Sykuqe) ndeshen me 4 kamionë me ushtarë italianë të shoqëruar nga 1 autoblindë. Vetëm një partizan ishte përkrah tyre në këto luftime, Gjon Bardhi. 11-13 mars 1943 përpjekja në Rozhdije të Mallakastrës 1500 italianë detyrohen të tërhiqen nga 300 ballistë që u shkaktuan 160-250 ushtarë në betejë.

Me 18 qershor 1943 Lufta e Gjinoqarit, pasi digjen tre fshatra të ndihmuar dhe nga aviacioni italian, Hysniu mbërrin t'u vij në ndihmë atyre anëve për t'i thyer italianët në Gjinoqar. 18-25 qershor Lufta e Luarit, Hysniu me çetat e Kadri Cakranit sulmojnë Isa Toskën e mbështetur nga italianët.

Në përpjekje për të vulosur një bashkërendim të sulmeve u ndërmor takimi në shtëpinë e Ihsan Toptanit ditët e fundit të korrikut, që do shpiente në Marrëveshjen e Mukjes ku Hysniu paraqitet me delegacionin e Ballit Kombëtar. Për të lehtësuar bashkëpunimin emërohet nga drejtuesi i Ballit, Mit'hat Frashëri, Komandant i Përgjithshëm i Jugut.

Luftimet që u zhvilluan me Lepenicën komandant të përgjithshëm gjatë gushtit në Dukat, Qafa e Dushkut, Mavrovë, Vajzë; shtator po prapë në Mavrovë, Vadicë, Drashovicë dhe Llakatund të ndihmuar nga aviacioni aleat, të prirura nga Aziz Çami rezultuan në fitore.

Me 13 shtator 1943 në Qarkun e Gjirokastrës, luftime në Gërhot. Meqenëse Italia kapitulloi, ballistët me komunistët i kërkonin dorëzimin e armëve dhe largimin në paqe të trupave italiane. Hysni Lepenica i udhëzuar nga Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar, shkoi ne Gërhot, ku ishte Divizioni italian "Ferrara" për t'iu marrë në dorëzim armët duke pasë rënë dakord me gjeneralin e divizionit. Italianët kishin rënë dakord për të nesërmen, rreth orës 11, do të bëhej dorëzimi i armatimeve e municioneve.[1] Ndërhyrja e majorit Tilman të misionit britanik SOE bëri që gjenerali i divizionit italian "Ferrara" që në fillim kishte një marrëveshje me Ballin pë t'iu dorëzuar armatimet, i ndërpreu veprimet dhe përkundrazi i sulmoi krerët ballistë.[2]

Burime

Redakto
  1. ^ Memishaj (Lepenica) E., Hysni Lepenica komandant i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar, "Lumo Skëndo", Tiranë 2000.
  2. ^ Këlcyra A., Shkrime për historinë e Shqipërisë, "Onufri", Tiranë 2012; ISBN 978-99956-87-81-6. Pohimi i A. Këlcyrës lidhur me tragjedinë e Grehotit gjejnë miratim në dosjet me deklaratat e ushtarëve në USSME (Ufficio Storico-Stato Maggiore dell'Esercito, shqip. Zyra historike e Shtabit të Ushtrisë) tek Cartella nr. 2126/A/7:1, 2, 3, 22; Cartella IT 2126/A.