Skënder Muço
Skënder Muço (1904-1944) ishte avokat, veprimtar i Ballit Kombëtar. Themelues i së parës parti social-demokrate tok me Musine Kokalarin më 1943 dhe i gazetës "Zëri i lirisë".
Jeta
RedaktoSkënder Muço lindi në Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, luftëtar i pavarësisë dhe daja, Alem Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920, lanë gjurme tek Skënderi i vogël. Shkollën e ulët e kreu në Shënmitër në Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Bolonjës. Skënder Muço shkruan "Halim Xhelo Tërbaçi", punon shumë në Itali për çeshtjen shqiptare. U kthye në Atdhe dhe punoi si avokat. U arrestua në vitin 1932 si pjesëtar i organizatës politike "Lëvizja e Vlorës" bashkë me Hasan Dostin, H. Lepenicën dhe miq të tjerë, u dënua me vdekje. Falet prej një amnistie të nënshkruar nga Mbreti Zog.
Më 7 prill 1939 mori pjesë në demostratat antifashiste organizuar në Vlorë kundër pushtimit italian. Më pas mori pjesë në rezistencën shqiptare në anën e Ballit Kombëtar. Në fund të nëntorit 1942 Hysni Lepenica dhe Skënder Muço formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin "Shqiponja". Në krye të saj ai mori pjesë në shumë luftëra kundër pushtuesve fashistë e nazistë, siç është beteja e Gjormit, ku u vra dhe koloneli italian Klementi, lufta në Dukat, në Qafën e Dushkut, në Vajzë, në Selenicë, në Gorisht, në Drashovicë, etj.
Skënder Muço ishte misionar i bashkimit. Ai ka marrë pjesë në disa takime në rrethin e Vlorës me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Ishte kreu i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe pjesëtar i këshillit organizativ. Në Konferencën e Mukjes dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes dhe të krijimit të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar. Furnizoi e drejtoi disa beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste dhe nacionalçlirmtare kundër pushtueve italianë e gjermanë. Më datën 9 shtator 1943 çeta "Shqiponja" hyri në Gjirokastrën e liruar.[1]
Kapet më 7 gusht 1944 nga gjermanët, kur po shkonte në Vlorë. U ekzekutua tri ditë më vonë në fshatin Bubullimë të Lushnjës.
Burime
Redakto- ^ Figurë e Ballit dhe misionar i bashkimit kombëtar, "Balli i Kombit", Viti IX i botimit Nr. 426 E dielë 6 gusht 2000