Musine Kokalari (Adanë, 10 shkurt 1917 - Rrëshen, 13 gusht 1983) ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX. Së bashku me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri.

Musine Kokalari
U lind më10 shkurt, 1917
Adanë, Perandoria Osmane
Vdiq më13 gusht, 1983
Rrëshen, Republika Popullore e Shqipërisë
KombësiaShqiptare
EdukimiUniversiteti i Romës, Fakulteti i Letërsisë dhe Filozofisë
Gjinitë letrarememuaristikë
Punët e shquaraSiç më thotë nënua plakë, Nënua në Romë

Biografia

Redakto

U lind në Adana në gjirin e një familjeje gjirokastrite, e bija e Reshat dhe Hanushe Kokalarit, bija e vetme mes tre vëllezërve: Muntazit, Vejsimit dhe Hamitit. I ati i Reshatit, Hamiti e nisi të birin me shkollim të lartë në Mekteb-i Hukuk (Shkolla e Drejtësisë) në Stamboll. Si dhe vijoi veprimtarinë e tij si jurist dhe më pas kadi në Perandorinë Osmane.[1] Më 1920 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në Atdhe. Vëllai i saj, Veisimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve '30.[2]

Më 1937 mbaroi Instituti Femëror "Nana Mbretneshë" dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.[2]

Së bashku me Mit'hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate.[3] Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari.[4]

Arrestimi dhe persekutimi komunist

Redakto
 
Stampa e Musine Kokalarit, 2017

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pasë qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit Zëri i lirisë, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg.[5] Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim:

"Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t'i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!"

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare[2] dhe 11 vjet[6] në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.[7]

Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë.[7]

 
Musine Kokalari gjatë gjyqit

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji.[8]

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”. Në janar të vitit 1945, doli nga shtypi libri i tretë i Musine Kokalarit “...sa u tunt jeta”.

Mirënjohje

Redakto

Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komuniteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN).

Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes "Martir i Demokracisë" nga Presidenti Sali Berisha. Në vitin 2008 i jepet nga Presidenti në detyrë Bamir Topi tiulli i lartë "Nderi i Kombit". Emrin e saj e mban një shkollë në Tiranë, Qendra Kulturore në Gjirokastër, një rrugë në Rrëshen, një rrugë në Prishtinë, një bibliotekë lagjeje në Tiranë.

Tituj të veprave

Redakto
  • Siç më thotë nënua plakë, 1941, Shtypshkronja "Gutenberg", Tiranë;
  • Rreth vatrës, 1944, Shtypshkronja "Mesagjeritë shqiptare", Tiranë;
  • ...sa u tunt jeta, 1944, Shtypshkronja "Mesagjeritë shqiptare", Tiranë.
  • Vepra vëllimi i parë, 2009;

Njohje

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Krasniqi, Meliza (1 tetor 2021). "Profili i Musine Kokalarit në pesë pamje". kultplus.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b c Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e Letërsisë Shqiptare. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Peja: Dukagjini, 1997.
  3. ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 26. ISBN 978-9928-168-12-2.
  4. ^ "Kush ishte Musine Kokalari, kundërshtarja e parë e Enver Hoxhës?". tiranapost.al. 10 shkurt 2017.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ https://kujto.al/personat/musine-kokalari/
  6. ^ Musine Kokalari (1972), Tmerrësisht e vështirë jeta e punëtorit në socializëm, Shqiptarja.com, 6 shkurt 2018.
  7. ^ a b Ndue Dedaj (2015), Musine Kokalari, gruaja e parë e letrave shqipe, mapo.al, 7 shkurt 2015.
  8. ^ Musine Kokalari në letrat me Lasgushin: I çmoj kritikët e mi…, Shqiptarja.com, 7 shkurt 2017.