Çorrush

fshat në Shqipëri, në Qarkun e Fierit

Çorrushi është një fshat në ish komunën KutëRrethin e Mallakastrës, në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë. Pas reformës territoriale të vitit 2015 ai u bë pjesë e bashkisë Mallakastër.

Çorrushi
Popullsia
 • Gjithsej639
Faqja zyrtarehttp://corrushi.blogspot.com

Aktualisht, Çorrushi ka 16 lagje të njohura nga vendasit: Hederaj, Shehaj, Allkomuçaj, Majas, Varfaj, Llakaj, Bajraktaraj, Asllanaj, Caushaj, Banaj, Kolaj, Qendër, Agaraj, Kënaj, Shullënjas dhe Zotoagaj. Gati të gjitha lagjet janë të vendosura në majën e kodrave të fshatit. Banorët e fshatit i quajnë Çorrushjot.

Gjeografia

Redakto

Çorrushi ndodhet në jugperëndim të Shqipërisë, në krahinën fiziko-gjeografike të Mallakastrës. Tashmë ai bën pjesë në komunën Fratar të rrethit të Mallakastrës. Në veri dhe lindje ai kufizohet me fshatrat Anëbreg, Bejar, Peçaj dhe Krahës, ndërsa nga ana jugore dhe perëndimore, me lumin Vjosë dhe fshatrat e Qarkut të Vlorës, gjithashtu edhe me fshatin Kutë, pjesë e njësisë administrative Fratar.

Pika më e lartë e Çorrushit është vendi i quajtur Maja e Gjatë dhe ka një lartësi prej 520 metrash mbi nivelin e detit. Lumi Vjosë shërben si kufi me dy rajonet e tjera, Qarkun e Vlorës dhe Qarkun e Gjirokastrës.

Historia

Redakto

Territori i fshatit Çorrush është i banuar qysh në lashtësi dhe këtë e vërtetojnë burimet lëndore historike të zbuluara në vendet e quajtura "Lorica" dhe "Bregu i Gjobarit". Në Loricë (vend në perëndim të fshatit, në afërsi të lagjes Agaraj) është zbuluar nje varr i cili për nga mënyra e ndërtimit dhe objekteve të gjetura në të (poçeri të ndryshme) i përket shekullit X p.e.s. Gjithashtu në pjerrësitë lindore të kodrës "Bregu i Gjobarit" janë zbuluar themelet e një kishe si dhe një varr në ambientet e brendëshme te saj, të cilët mendohet të jenë objekte të periudhës së mesjetës së herëshme, rreth shekullit VII-VIII. Këto zbulime janë kryer rreth viteve 70-të të shekullit XX nga arkeologu i mirënjohur Neritan Ceka. Në Arkivin Qendror të Shqipërisë ndodhet një dokument Otoman i vitit 1570 (shekulli XVI), ku dokumentohet se fshati në atë kohë kishte vetëm tre lagje; Moskat me 170 banorë, Lazarat me 140 banorë dhe Kasadat me 115 banorë. Respektivisht tani ato quhen Kënaj, Shullënjas dhe Banaj. Më vonë fshati nisi të popullohej nga banorë të ardhur. Kështu, në vitet e para te shekullit të 18-të erdhi në Çorrush, për arsye hasmërie, familja e Dëro Iljazit (Hajdër Iljazi) nga fshati Progonat, i Rrethit Tepelenë. Familja u vendos në lagjen që tani quhet Hederaj. Hederaj e mori emrin nga kryetari i kësaj familjeje. Nga pasardhësit e kësaj familjeje më vonë u krijuan tre lagjet e tjera: Allkomuçaj, Bregas dhe Varfaj. Gjithashtu për arsye hasmërie erdhi në vitin 1880 familja e njohur e Caush Priftit nga fshati Hormovë, Rrethi Tepelenë. Mbas ardhjes në fshat, familja u vendos në lagjet: Agaraj, Caushaj, Zotoagaj dhe Asllanaj. Ndërsa lagjja Bajraktaraj e ka orgjinën nga familja e Bajraktarit (Flamurtarit) gjithashtu i ardhur nga fshati i Hormovës në të njëjtën periudhë me familjen e Caush Priftit dhe për të njëjtat arsye hasmërie. Lagjja më e re, Qendra, u krijua pas vitit 1970 nga pasardhësit dhe zhvendosja e familjeve të lagjeve ekzistuese.

Origjina e emrit Çorrush ka dy shpjegime: Shpjegimi i parë është ai shkencor i emrit, ku mendohet se është një toponim me origjinë sllave dhe rrjedh nga fjala "çorni" që do të thotë i zi, pra vend me toka të zeza, me prani të mëdha të humusit. Shpjegimi i dytë është ai popullor (gojëdhënë), ku thuhet se kur një kalimtar i huaj që kalonte nëpër territorin e fshatit, pasi përshëndetet me një fshatar që punonte në pronën e tij, ky i fundit i tregon se po çoj rrush, po mbjell rrush.

Arsimi në Çorrush

Redakto

Në fshatin Çorrush, gjuha shqipe e shkruar filloi të njihej nga fundi i shekullit të XIX, dhe u përhap nga emigrantët e ardhur nga Greqia dhe Amerika. Sipas arkivave dhe burimeve gojore në vitet 1880-1890 shumë çorrushjot shkuan në Janinë të thirrur nga bejlerët shqiptar për të ruajtur çifligjet e tyre me pagë (rrogë). Pikërisht atje një pjesë e këtyre çorrushjotëve u njohën me idetë e rilindësve shqiptar si dhe me gjuhën shqipe të shkruar. Me kthimin e tyre në fshat ata sollën abetare dhe filluan të mësonin bashkë me fshatarët shkrim e lexim të gjuhës shqipe. Në 10 vjeçarin e parë të shekullit të XX, Hasan Metush Pashaj, i cili kishte mësuar shkrim e këndim në Amerikë (SHBA), solli me vete një valixhe me abetare të porositura nga shoqëria atdhetare "Vatra" dhe filloi të kryente detyrën e mësuesit, duke u mësuar bashkëfshatarëve shkrim e këndim. Kuptohet që mësimi kryhej natën, në dritën e kandilit dhe në fshehtësi, duke u ruajtur nga autoritetet otomane të asaj periudhe. Pas fitores se pavarësisë, me 28 nëntor 1912 dhe me krijimin e shtetit te pavarur shqiptar, u krijuan kushte të favorshme për çeljen dhe funksionimin në mënyrë të organizuar të shkollave në gjuhën shqipe. Ne këtë kuadër me interesimin e ministrisë së arsimit të qeverisë së Ismail Qemalit, në muajin Nëntor 1913 u çel në Çorrush e para shkollë shqipe. Mësuesi i parë u emërua Saliko Bozgo nga Gjirokastra. Shkolla u mbyll gjatë Luftës së Parë Botërore për tu rihapur në shtator të vitit 1921 si shkollë fillore me 4 klasë. Mësues ishin Resmi Rama nga fshati Shkozë i Rrethit të Vlorës dhe Hasan Metush Pashaj nga lagja Agaraj e fshatit Çorrush. Godina e shkollës u ngrit me kontributin e vet çorrushjotëve si dhe u ndihmua financiarisht nga emigrantë që punonin kryesisht në Amerikë. Gjatë periudhës së regjimit të Ahmet Zogut shkolla e Çorrushit funksionoi normalisht me disa ndërprerje të shkurtra për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ndërprerje shkolla pati edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për tu rihapur mbas çlirimit të vendit, në shtator të vitit 1946. Në vitin 1953 u shndërrua në shkollë 7-vjeçare, në shtator 1965 në shkollë 8-vjeçare dhe në shtator të vitit 2007 në shkollë 9-vjeçare. Në vitet 1980-1991 u hap dhe funksionoi shkolla e mesme bujqësore pa shkëputje nga puna, të cilën e përfunduan me dhjetra e qindra nxënës të Çorrushit dhe të fshatrave përreth. Përgjatë dy viteve shkollor 1991-1992 dhe 1992-1993 funksionuan dhe dy vitet e para të shkollës së mesme të përgjithshme (Gjimnaz). Gjatë gjithë aktivitetit të saj si shkollë 7 dhe 8 vjeçare, deri në vitin 2010, e kanë përfunduar atë dhe kanë marrë dëftese lirimi 1137 nxënës. Gjithashtu deri në këtë vit, arsimin e mesëm të përgjithshëm e kanë përfunduar 472 nxënës kurse arsimin e lartë 88 nxënës. Rreth 20 ish nxënës të kësaj shkolle janë dëshmorë të atdheut. Shumë nxënës të kësaj shkolle kanë përfunduar studimet jashtë atdheut si në Rusi, Francë, Gjermani, Itali, Suedi, Spanjë etj.

Persona të njohur

Redakto