Adil Çarçani (Fushë–Bardhë, 5 maj 1922 - 13 tetor 1997) ka qenë politikan shqiptar në kohën e regjimit komunist. Deputet nga 1950 e deri më 1991, anëtar i Byrosë Politike nga 1961 deri më 1991 pas vdekjes së Mehmet Shehut u emërua kryeministër i Shqipërisë. Çarçani përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]

Adil Çarçani
Kryeminstër i Shqipërise
Në detyrë
18 dhjetor, 1981 – 22 shkurt, 1991
Paraprirë ngaMehmet Shehu
Pasuar ngaFatos Nano
Zëvendëskryeministër
Në detyrë
27 dhjetor, 1965 – 18 djetor, 1981
Paraprirë nga-
Pasuar ngaManush Myftiu
Ministër i Industrisë
Në detyrë
5 mars, 1951 – 31 korrik, 1953
Paraprirë ngaRita Marko
Pasuar ngaSpiro Koleka min. i Industrisë dhe Ndërtimit
Në detyrë
21 qershor, 1955 (nga 25 dhjetori, vetëm i Minierave dhe Gjeologjisë) – 28 dhjetor, 1965
Paraprirë ngaKoço Theodhosi
Pasuar ngaZenel Hamiti
Të dhëna vetjake
U lind më15 maj, 1922
Fushë-Bardhë, Principata e Shqipërisë
Vdiq më13 tetor, 1997
Tiranë, Shqiperi
NënshtetësiaShqiptare
Partia politikePPSH
PunësimiPolitikan,
Nënshkrimi

Biografia

Redakto

U lind më 1922 në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, i biri i Hakiut dhe i Sadries.[2] Arsimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, më 1939 - 1941 ndoqi arsimin e mesëm duke e nisur në Gjirokastër, vazhduar në Shkodër dhe përfunduar në Tiranë.

Në janar - qershor 1942 qe kontrollor i kolive postare në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë-Telegraf-Telefnoave. Në korrik të po atij viti u anëtarësua në Partinë Komuniste. Po atë vit u përjashtua për disa ditë nga partia, pse ishte vonuar në lejen që i kishin dhënë.

Në shkurt - gusht 1943 qe zëvendëskomisar i çetës "Çerçiz Topulli" të Gjirokastrës, më pas nga gushti deri në janarin e 1944 qe zëvendëskomisar i batalionit "Baba Abaz" në Zonën e Parë Operative Vlorë - Gjirokastër. Në janar - mars 1944 qe përgjegjës politik i brigadës së 6-të komuniste, më pas nga marsi deri në nëntor qe zëvendëskomisar i brigadës së 7-të. Nga nëntori deri në prill të 1945 qe komisar i divizionit 4.

Më 1945 - 1947 shërbeu si komisar politik në Komitetin Qarkor të PK-së në Durrës. Më 1947 u zhvendos me të njëjtën detyrë në Shkodër, por më pas në atë vit e deri më 1948 qe ndihmësministër i Tregtisë. Më 1948 - 1949 qe shef në Drejtorinë e Prapavijave në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Më 1949 - 1951 qe sekretar i përgjithshëm i qeverisë. Më 1951 - 1959 ministër i Industrisë dhe Minierave dhe më pas deri më 1965, ministër i Industrisë dhe Gjeologjisë. Më 1966 - 1982 qe zëvendëskryeministër, pas vdekjes së Shehut u caktua kryeministër deri më 1991.

Në fund të 1991 u arrestua dhe u dënua për shpërdorim detyre. U mbyll në shtëpi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Më 2 korrik 1994 Gjykata e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg, shlyerjen e një shume financiare me akuzën e shkeljes së shtetasve në bashkëpunim. Pas lirimit u arrestua përsëri, këtë herë me akuzën për genocid. Me hapjen e burgjeve, më 13 mars 1997 duke qenë mbi 60 vjeç, përfitoi nga amnistia. Vdiq në Tiranë pas shtatë muajve.[3]

Referime

Redakto
  1. ^ Gazeta Standard (29 nëntor 2014). "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Marrë më 22 maj 2018.
  2. ^ Imaj, Afrim (21 janar 2009). "Gjyqi i Ramiz Alisë dhe byroistëve: ja pse u dënuan liderët komunistë: zbardhet dosja e procesit të bujshëm të fillimviteve '90". zemrashqiptare.net. Panorama. - Nr. 2363. fq. 18–19.
  3. ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 100–101. ISBN 9789994356225.