Llambi Ziçishti
Llambi Ziçishti (Korçë, 13 dhjetor 1923 - 9 shtator 1983) ka qenë mjek kirurg, ministër i Shëndetësisë dhe pjesë e ekipit të mjekëve që shkuan te shtëpia e Mehmet Shehut për të konstatuar vdekjen e tij.
Jeta
RedaktoLindi në Ziçisht të Devollit[1], i biri i Petros dhe Julias[2]. Shkollën fillore, shtatëvjeçaren dhe liceun francez i ka mbaruar në qytetin e Korçës, ku banonte familja e tij. Kontribuoi në krah të Frontit Nacionalçlirimtar, për të cilën qe ndër organizatorët në zonën e Devollit dhe Korçës për këtë palë.
Më 1944 anëtar i Partisë Komuniste. Në vitet 1947-1948 studion mjekësi në Paris, më pas vajti të studiojë në Bukuresht ku u diplomua më 1953[3].
Pas diplomimit ai caktohet kirurg në spitalin e kryeqytetit, ku rritet profesionalisht nën kujdesin e dr. Frederik Shirokës. Për shumë kohë drejtoi katedrën e kirurgjisë së Përgjithshme. Në vitin 1968 u caktua Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe në vitin 1971 u emërua Ministër i Shëndetësisë duke zëvendësuar dr. Ciril Pistolin[1]. Më 1974-1982 ka qenë deputet[3].
Pas kësaj ai akuzohet në vitin 1982 si bashkëpunëtor i grupit armiqësor të drejtuar nga Mehmet Shehu. Llambi Ziçishti u akuzua gjithashtu se në vitin 1973 kishte dashur të helmojë Enver Hoxhën. Pas një procesi hetimor, që zgjati nga nëntori i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar më 9 shtator 1983 së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun dhe Llambi Peçinin[3].
Burime
Redakto- ^ a b Prifti N., Vdekje me pushkatim, për një fjalë goje e Ministrit të Shëndetësisë, telegraf.al, 9 shkurt 2016.
- ^ Dosja e plotë e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, Shehut, Ziçishtit, Kodrës dhe Peçinit Arkivuar 28 tetor 2019 tek Wayback Machine, gazetadita.al, 8 dhjetor 2012.
- ^ a b c Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 259. ISBN 978 9943 56 22 5
para | Llambi Ziçishti | pas | |
Ministër i Shëndetësisë / MSh | |||
Ciril Pistoli | 1971 | 1982 | Ajli Alushani |